FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Sunday, September 13, 2009

Dashuri Dhe “Merde”

Po ecnim të dy nxitimthi, unë me Mandin. Dilnim për birrën e pasdites te torra. Meqë e kishim lënë me ca miq që na prisnin dhe duhet të arrinim shpejt, u futëm në një rrugicë që i binte shkurt.
Rrugica kalonte prapa shkollës së muzikës, nëpër ca shtëpi të vjetra durrsake dhe të nxirrte në bulevardin kryesor. Mandi ishte me kepucët e markës, të blera së fundmi e që i kishte aq merak, dhe unë me pantofola.
Dhe u çoroditëm kur pamë që, ashtu të hutuar në diskutim, ishim futur në mes të baltës.
Mandi këmbëngulte që “Kognac” sipas regullave të reja të vendosura nga shoqata botërore e konsumatorëve, kishin të drejtë të quanin vetëm atë që prodhohej në fshatin me të njëjtin emër, ndersa une po e kundërshtoja sepse më dukej absurde që një konjaku të prodhuar në Shqipëri, Greqi apo Itali i duhej thënë, jo konjak po brandy, derisa ishte e njëjta pije.
E njëjta gjë dhe me whisky. Thoshte që whisky është vetëm ai skocezi, ndërsa të tjerët janë Bourbon ose ai kanadezi psh, shkruhet Canadian Whiskey. Pra ka një ‘ë’ më shumë.
Nuk u mor vesh kush kishte të drejtë (më vonë u mor vesh që të paktën për konjakun kishte të drejtë Mandi, por kjo nuk ka rëndësi) sepse e pamë veten, siç shkruajta më sipër, të futur drejt e në mes të baltës. Ishte spektakël të shihje dy alamet zdapash të tërhiqnin pantallonat për të mos çikur llucën, të kërcenin si strucë nga njëri vënd i thatë (që ishte sa për të mbështetur një këmbë) në tjetrin. Arritëm kështu, duke kërcyer, pas shkollës së muzikës.
Në tË vËrtetË shkolla e arteve, po ngaqË populli durrsak ështË shumË “i ndjeshëm” ndaj muzikës, e pagëzoi shkurt, shkolla e muzikës.
Ne këtë pikë të udhëtimit tonë aventuroz drejt bulevardit, erdhëm të shkundur e të llahtarisur nga një erë e tmerrshme që më dukej gati sikur e shihja të rrinte pezull deri në dritaret e katit të dytë të shkollës.
“Merde”! – tha vendosmërisht Mandi duke i shpëtuar pa dashje një shprehje e ngjitur nga vendi ku jetonte.
Pikërisht! I thashë. E gjete. Duke i treguar një si tip grope a pusete aty pari.
Kjo është çmenduri- tha ai. Diçka që nuk duhet të ndodhë! Dolëm për lesh e do kthehemi të qethur i thonë.
Ja - I thashë. Ju inxhinierët i keni fajet. Nisi të kthente përgjigje por pashë mimikën si iu mpi në sekondë. Nga tingujt, tingujt që filluan të vibronin ajrin atë moment. Po ata që dëgjoja dhe unë.
Ishte një piano. Diku nga dritaret e katit të dytë që pak përpara kisha imagjinuar të pluskonte era e ndyrë. Dhe duart në atë piano po luanin, të paktën ajo mu duk mua se ishte, një sonatë e Shopen. Dhe ato duar ishin duar të çmuara patjetër! Ne të dy mbetëm të nemitur.
Ata tinguj… dukej sikur rridhnin shumëngjyrësh, të tërë bashkë ngjyrë qumështi, me forma të çuditshme gjeometrike qepur me diej dhe hëna prej diamanti, lyer me lëng gjethesh…gjethesh që përkëdhelnin lëkurën tonë me ajrin që lëkundnin gjatë rënies… dhe çekiçë të veckël godisnin kokën time. Dhimbje! Dhimbje aq e ëmbël!
Duar luanin brënda kokës, luanin me fijet e mia nervore që ishin bërë korda pianoje…
Akorde të ngërthyera deri në Jazz thureshin në tastierë, çekiçët vazhdonin… duke u shdërruar në erë të ngrohtë deti, në stuhi, këmbëngulëse për tu kuptuar, në tyl perçeje, në tyl këmishe nate, në tym…pambuk për të pastruar veshët me gudulisje, gjuhë përkëdhelëse në qafë, në dhëmbë, flokë të gjata erëmirë…
Diell që digjte lëkurën…në vrap… vrap… ndjekje, diçka që thyhej…gërvishtje në gjunjë… vallëzim në valtz mbi liqen...
Mbaroi.
U deshën disa sekonda të kuptonim që mbaroi. U pamë në sy me Mandin. Kisha sigurinë e çmëndur që nga dritarja do dilte një kokë vajze me flokë të gjatë. Do na shihte dhe buzeqeshte. Qëllon nganjëherë që lexon qëllimet e universit, dhe kjo ishte një nga ato herë, sepse nga dritarja e tingujve të mbaruar doli koka e një vajze me flokë të gjata. Ishte shumë simpatike dhe aty mendova që unë dhe ajo duheshim. Ma do mendja se edhe Mandi të njëjtën gjë mendonte.
Por… ia kishim mbytur kot. Ajo pa në një drejtim, qeshi. Kjo ishte.
Erdha – thirri, lodronjëse duke u tërhequr nga dritarja.
U zhduk.
Ne të dy, sikur ishim në një frekuencë, kthyem kokat andej nga ajo pa. Aty ishte në këmbë drejt, si gozhdë, një djalë. Po tymoste një cigare. Dhe sytë e tij ishin…
U shkunda.
Dashuria ime ishte hije e lodhur që mbante në kurriz një baule të madhe epshi.
Sytë e tij ma treguan. Mbase mund të qenë të përlotur. Po nuk e them dot, se nuk imagjinoj që një mashkull të përlotet nga muzika. Pastaj, hijet që sillte perëndimi i diellit dhe era e poshtër që na rethonte nuk më linin të shihja.
Pastaj, ç’më plaste mua të shihja djalin e botës? Më mjaftoi që ai e donte. Ajo e donte. Unë vajzen doja ta doja gjatë tërë natës.
Ktheva kokën nga Mandi. Nuk folëm. Ishim në rezonancë fantastike. Si lejlekë të hutuar me pantallona përveshur.
Pas shumë shumë 10 sekondash u shkëputëm nga kokat e njëri tjetrit. Secili në mendimet e veta.
Në klasifikim, Mandi vinte i dyti në të qënit i dashuruar, në renditje menjëherë pas atij, romeos së vërtetë.
U kthyem rrugës tonë mes erës së qelbur, dhe pellgjeve me uje që të nxiste një fantazi të neveritshme. Po më përzihej. Do ti laj kembet dhe shapkat me acid, - thashë.
Laj trurin njëherë. Më tha Mandi.
Per hir të së vërtetës, që në gusht e deri tani rruga është rregulluar. Puseta është mbyllur megjithëse ajo rrugë e mban ujin me shumë se të tjerat. Po unë kam nostalgji. Për atë rrugën e pisët me tinguj puthjesh…