FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Thursday, December 2, 2010

PUSHTIMI I PARAJSES

Ecnin e ecnin pa ndalim.
Të tharë e tkurrur si varrmihës të lashtë, si fantazma të errta, rendnin përmes qytetesh që kohë më parë nuk do linin pa plaçkitur e djegur vetëm për dëfrim.
Frika e zezë e famës së tyre të vjetër i paraprinte, e njerëzit fshiheshin ku të mundnin në lemeri.
Por, asgjë su hynte në sy atyre, regjur me pluhurin e fushëbetejave mesjetare të Europës Qendrore, duke marshuar ditë e natë, të palodhur, ata, Kalorësit e Armatës së Detit të Pagjumë, kishin një mision fatal, detyrë përtej fantazisë dhe mundësive të të thjeshtëve pa shpirt.
Dhe asnjë tundim nuk do mund ti lëkundte nga udha.
Ata po shkonin, po drejtoheshin, po marshonin të…të … pushtonin parajsën!


ooo


Me rrënjë të thella në qytetin Epid, nga i cili mbanin erën e thellë të jodit lëkurat e tyre, që prej epokave të stërharruara kishin jetuar me ligje hermetike.
Njëmijë nga dhjetëmijë djemtë që ia dilnin Provës së Çelikut mbi familjet e tyre dhe i mbijetonin asaj të Ujit Pafund, njëmijë kalorës të temperuar nga tmerret e duarve të tyre, mbi njëmijë kuaj këmbëshpejtë rrjedhur nga fara e shenjtë e Pjellës së Erës.
Prej brezash kishin Luftuar, fituar, plaçkitur, vrarë e prerë pas kryezotërve të tyre. Kishin thyer e masakruar ushtri. Kishin pushtuar qytete e troje të rëndësishme. Dëmtuar egër me gaz në buzë njerëzit e përditshëm.
Lavdi e dhunës, heroj të therorive, dëshirë e shprehur e burrërisë së vdekshme, sytë e tyre më të frikshëm se vdekja e zezë, ata ishin Armata e Detit.
Perandoritë lusnin qetësi me tribute të majme në këmbët e atyre që ndjenin një emocion të ngjashëm me gëzimin vetëm kur ngrinin dolli shëndetesh me kupa të arta gjaku të ngrohtë në fushimin e hapur të kodrës së kurorës së qytetit.
Dhe ky delir u dhuronte një jetë të bukur.
Por, shumë kohë të mëpasme asnjë frymë e gjallë nuk jehonte ndaj klithmës së tyre ngjethëse. Panë që kishin mbetur pa beteja të përgjakshme si ua kërkonte kodi gjenetik. Askush nuk. Asnjë armik, asnjë ushtri s’guxonte. Asnjë bir toke s’mundte.
I kishin mposhtur të tërë.
Dhe shijuan ato që kishin fituar me aq mund, gjak e djersë në shekuj.
Pastaj i thurën himne fitoreve.
Pastaj kënduan, pinë dhe përdhunuan bindshëm gratë robinja.
Dhe kur s’kishin ç’të luftonin, gëzonin, dhe këndonin, dalluan të vërtetën. Ushtarë pa luftë. Luftëtarë të mundur. Pa qëllim fuqitë e tyre.
Të dehur e shpërndarë, mbytur nga molisja, aty shtrirë si kurrë ndonjëherë mbi lule, mes qetësisë prishur nga të qarat e ndonjë prej fëmijëve të përbashkët,
Dhe kjo, ishte disfata më e madhe e ushtrisë së errët të Epidit, zotërve të Europës. Kthyer në zhgarravitje të mpiksura me gjak e pluhur rrugësh mesjetare në një monument masiv të hirtë, të humbjes.
Ulur mbi një gur, kryezoti i tyre qau. Fitorja më e lavdishme, paqja e dhunshme, na paskësh qënë dhe disfata më e madhe. Gjendja nervore e re e epokës. Kishte ardhur ora të njihnin fytyrën e botës;
Ç’mund të bënin tjetër, veç të flinin gjumë? Gjumë? Gjumë? Gjumë?
Ulërima e lemeritshme e tij dëshpërimshëm oshëtiu në çdo pemë e gjethe atyrrotull.
Por, në rrokullisjen e lotit të gjallë nga syri gjysëm i mbyllur për gjumë, kryezoti i madh pa zgjidhjen. Ai kuptoi. Dhe zemra e mbytur në kafazin e krahërorit u ngjall, e shporri tej dhimbjen. Ai kuptoi diçka të madhërishme për të luftuar dhe mundur. Diçka të denjë për fuqitë e tyre.
Le të ishin ata që më në fund, do të luftonin me… gjumin!
Ja kjo ishte një luftë për jetë a vdekje. Të mos humbnin asnjë ditë asnjë orë, asnjë grimë kohe të vogël fare në prehjen e ëmbël e tinëzisht vrasëse të njeriut pa shpirt.
Një heroizëm mbinjerëzor që i bënte të barabartë me malet. Madje, pse të mos synonin më larg?!
Të marshonin diku në fund, drejt qytetit të Morfeut. Gjumi ishte i barabartë me qiellin e pamatë. kenaqësi e bardhë si qumështi, përkundje në ëndrra jashtë jetës plot ngjarje. Të shkoje drejt fundit me sy të mbyllur. Parajsë.
Ky do ishte qëllimi, ideali, jeta, frymëmarrja e tyre e çdoditëshme.Të mos flinin kurrë. Të pushtonin parajsën!
Atje tej, drejt juglindjes në fund të botës, do udhëtonin të gjenin qytetin e gjumit dhe ëndrrës.
Gjunjëzim! Vdekje!
Dhe kështu u nisën fort.



ooo

Ecën e ecën pa ndalim. Ditë, muaj, vite. Kuajt hanin në galop, e flinin në trokth.
Shqytet që përplaseshin në vithet e kuajve, e shpatat që kërcitnin ndryshkur në mille prej shiut që i lante, e brymës që i mëkonte udhës pa krye, mbanin zgjuar e kurrëfjetur njerëzit.
Burrat mbi shala, ishin kthyer në sy të shqyer. Në rrembat e gjakut digjej etja për fitoren.
Lajmi i përpjekjes së tyre syhapur mori dhenë e lodhur të kontinentit. Njerëzit kudo, nga banimet prej shpellash në humbellat malore, deri në qendrat e banuara të komplikuara të kohëve të ardhme, kapërcyen frikën e donin të shihnin.
Diku aty në kufijtë e syve të fjetur të turmave, çdokohë pritej të kalonte reja e tymit të rendjes së egër. Armata e Detit të Pagjumë.
Njerëzit që kishin aq kohë që kalëronin drejt … që luftonin gjumin!

Wednesday, November 3, 2010

DITA E TETË

Vëzhgim Në Formën E Një Udhëtimi Në Kohë, Nga Ylli Në Cepin Më Distal Të Universit Tonë




Po rri këtu, në këtë tarracë të gjerë, të veshur me pllaka të emaluara me ngjyrime të gjelbra smeraldi e shkrime arabe të zeza, punuar me dorë, në këtë tarracë të largët nga bota ime e vjetër, mbi shkretëtirë, sot, një ditë të djele, tani, pikërisht në ditën e tetë, në një gjëndje në formë tete (8), ose me saktë në formë lemniskate, rrotullohem në veten time, e vetja ime rrotullohet në kohë e hapësirë, duke më bërë të mundur të njoh fshehtat.
Nuk kam një ide të qartë se ç’ po më ndodh tani. Madje, fjala ‘tani” nuk paska ndonjë kuptim real.
Shoh përballë meje shkretëtirën, e paanë, e pamatë, e pamundur të rroket e tëra me syrin e thjeshtë të një njeriu që nuk është sy shqiponje.
Në mendje më ushton një refren pa adresë e pa arsye;
“Ja ku janë njerëzit, të përgjithshëm, jo autentikë, të veshur të tërë njësoj... “
Dhe, ç’është? Ç’ po vjen drejt meje? Duke lëvizur aq ngadalë mbi atë dunë rëre? Oh, po ecën. Qënka një njeri.
Ja ku afrohet, këtu përballë. Diçka do të më thotë, tani e degjoj mirë zërin e tij të zbehtë, të cilin e mbyt përhumbja e shkretëtirës së pafund. Tregon veten me gisht e ulëret;
Unë Jam Njeriu I së Ardhmes!
Është i tëri veshur me të bardha.
Dihet tashmë që në arkivat e diturisë tokësore është e regjistruar si ngjyrë e përgjithshme. Përfshin tërë spektrin e ngjyrave brënda saj.
Po kështu, dhe njeriu i së ardhmes, është i tëri i përgjithshëm. Ulet në një stol minimalist e komod prej pëlhure te bardhë, mu në mes të shkretëtirës, zhyt këmbët në rërën e lashtë, dhe ai, aty, i ka të-gji-tha.
Nxjerr nga xhepi një telefon celular, dhe fillon të flasë.
Ç’ farë po bën?
Po punoj i dashur!
Më thotë i dashur në mënyrë industriale, një term që ia kanë mësuar në listën e sjelljeve të mira, dhe vazhdon bisedën. Njeriu i bardhë në stolin e bardhë, në mes të një hapësire gjigande rëre, ai po punon!
Atij nuk i duhet të ecë, të shkojë personalisht në vendin ku punohet, ti vërë shpatullat punës. Ai flet në telefon celular. Punon me të folur.
Mua ndërkohë me merren pak mend, plakat smeraldine dhe shkronjat më kthehen në arabeska, dhe perceptimi nis të behet habitshëm i shpejtë. Me shohin sytë imazhe kurioze të pamjes përballë meje.
Ja, këmbët padyshim nisin ti atrofizohen në qëndrimin e tij ulur duke punuar folshëm. Nuk është se i hyjnë shumë në shërbim. Dhe, evolucioni i rreptë me lapsin e tij të kuq të stërmadh të gjakut, i eleminon.
Shkretëtira para, shkëlqim fantastik, një klessidër e madhe, e pafund, që mat kohën e kushedisekujt, por jo të Njeriut të Së Ardhmes. Ai rri ulur. Shikon qiellin.
Po bie nata mahnitëse në shkretëtire. Qielli arrin të ngjyroset deri dhe lilac, pastaj kalon në një sërë nuancash deri në një errësirë të ftohtë e të frikshme, errësirë të thatë, aq sa fryma përton të dalë nga goja.
Një i ftohtë i tmerrshëm më zë nga fyti, më rrjep lëkurën shuumë ngadalë, e më dredh tërë fijet e muskujve, e s’mund të dua gjë tjetër më shumë në botë se gëzofin e trashë të bishës që të mbulojë trupin tim krejt, e të derdhet në teprim tutje.
Por, njeriu i së ardhmes nuk e ndjen tërë këtë. Ai ndërkohë ka shtypur një buton, e kostumi i bardhë ka filluar të ngrohet. Lëkura e tij ruhet në kushtet e lageshtires ideale, ngrohtësisë ideale, në kushte ideale, nga kostumi inteligjento artificial, autoveprues. Nj.S.A nuk ka nevojë më, jo për gëzof, po as për qimet e trupit. Ato bien. Lëkura bëhet e bardhë. Nj.S.A bëhet i bardhë!
Lëkura e trupit te tij nuk ka nevojë të jetë e errët, e pigmentuar për të tërhequr rrezet e Diellit Atë. S’ka pse të jetë e vaskularizuar. Nuk duhet të lodhet fiziologjia e anatomia trupore për ngrohjen. Nj.S.A ngrohet me kostum dhe një buton. Ai vazhdon të flasë në cel.
E të mendojë për zgjidhje të punëve. Duart nuk është se i perdor shumë. As trupin.
Truri i tij punon me skema të gatshme, të mësuara më parë, nëpër të cilat fut punën dhe e nxjerr të zgjidhur. Kjo kokë furnizohet pambarimisht me karburantin gjak.
Evolucioni me lapsin e tij të kuq, dhe... puf! Duart, trupi atrofizohen.
Puna zhvillon. Puna bëhet me tru. Truri hipertrofohet. Koka hiperblastohet. Zmadhohet. Rritet presioni intrakranial. Bien flokët se truri shtyn me forcë çdo gjë që i zë rrugën. Sytë zmadhohen nga presioni e shtyhen dhe ato jashtë kokërdhokëve. Vështrimi dobësohet deri në davaritje nga kjo shtytje, po për njeriun e së ardhmes kjo nuk është kokëçarje. Ai fut dorën në xhepin e tij të bardhë, e vë syzet e tij speciale. Përmes valëve të syzeve perceptuese, truri njeh botën e jashtme nëpërmjet hologramesh. Sytë dhëmbin, por lapsi i kuq... dhe sytë atrofizohen.
Meqë krahët u holluan nga mospërdorimi, ato lodhen shpejt duke mbajtur celularin tanimë. Njeriu I Së Ardhmes e gjen zgjidhjen, pas pak muajsh, ulur aty, në stofin e bardhë të stolit. Projektoi telefonin celular vesh - gojë. Ai vendosej në vesh, kapej aty, dhe zgjatej një fije deri në gojë. Thjesht, dëgjonte dhe fliste.
Kaloi pak kohë, dhe telefoni celular vesh gojë u shkri me paretin temporal të kafkës duke u ankilozuar në një trup shumë interesant. Impulset e të folurit dhe dëgjuarit përhapen nëpërmjet kësaj kocke temporale. NjSA duke lënë pushim fantazinë poetike të padobishme në njësinë e kohës, i bie shkurt duke e quajtur Tik. Si tiku i parë që bën në momentin e shkëmbimit valor mikroaparatura.
Koha kalon, e unë shoh qartë ndryshime të reja te njeriu i ulur aty në rërën e shkretëtirës. Truri vazhdon të zmadhohet nga kërkesat e tij për më shumë gjak.
Njeriu, akoma dhe më i bardhë. Tanimë nuk flet dhe aq. Truri, në evolucion e sipër, bëri qark të shkurtër. E folura nuk egziston më. Mendimi i duhur, selektohet dhe dergohet nëpërmjet valëve. Jepet e merret komunikimi me antenë dhe valë.
Valët psikelektronike janë mardhënia e re.
Ndjej se, duke ndjekur tërë këtë gjëndje në formë infiniti matematik, ku nuk po kuptoj në sillem unë në formë ∞, apo universi sillet rreth meje, apo në është mendja që po përjeton gjithçka multidimensionalisht, sidoqoftë, një sistem më i thjeshtë e primitiv, po më del nga kontrolli. Stomaku po më acidohet keqaz, në mungesë të diçkaje përtypëse, edhe pse s’kam uri. Gastriti im po fillon të luajë me paretet e stomakut.
Edhe Njeriu i Së Ardhmes dikur hante shumë. Punën që po bën tani, ulur në stolin me cohë të bardhë, dikur i bënte në dreka e darka të mëdha pune.
Tani ai ha shumë pak. Një ushqim të zgjedhur, të sajuar, specifik për të. Një ushqim të përgjithshëm, ngjyrë qumështi, supë primordiale që përmban tërë çka trupi ka kërkesë dhe nevojë. E çuditërisht, nga një nevojë kujtese apo kënaqesi onanike e quan akoma papë. Papë bebi.
Përtej dëshirave, nofullat si pasojë, u atrofizuan. Dhëmbët u zhdukën, dhe fytyra u zvogëlua në maksimumin e saj. Truri dhe koka vazhdojnë të zmadhohen. Trupi zvogëlohet e zvogëlohet.
Njeriu dikur bënte dashuri fizike. Hormonet e feromonet ndjeheshin, nuhateshin, rreth trupave çliroheshin aroma dhe energji që përfshinte shpirtin e trupat në vorbull përplasjesh dhe ndjeshmërish të epshit plot dëshirë.
Sot? Aty përballë shoh Nj.S.A që “flet në telefon celular”.
Që komunikon valë midis tij dhe partneres. Selekton me mendje, valë joshje, valë prekje e nuhatje. Valë përkëdhelje, valë kafshimi, valë kënaqësie, eksitimi.
OK, tani kalo në frekuencën e orgazmës të lutem!
Seks valor, një tufë lulesh shumëngjyrëshe virtualo psiqike, dashuri në distancë!
Sepse Njeriu i Së Ardhmes nuk ka kohë të bredhë pas mbathjesh e lëngjesh. Ai ka punë. Dhe puna e rrit, e zhvillon më tej. Le që, edhe sikur të dojë të vrapojë a të ecë pas mardhënies fizike, tani është tepër vonë. Këmbët i janë atrofizuar. Kalon dhe pak kohë. Vetë organet gjinore janë atrofizuar. Seksi fizik tani është histori.
Deri pak më parë, pasi bënte seks televalor, ai donte të bënte fëmijë. Dërgonte një kërkesë në një bankë sperme, e cila kontaktonte një nga laboratoires të shumta të specializuara, e urdhëronin një fëmijë ashtu si ua donte kodi gjenetik i bashkësisë familjare, që trashgonte menjëherë kostumin e vockël të bardhë, zyzet, dhe Tikun e tij. Ulur në stolin e tij në shkretëtirë.
Po tani, që i janë atrofizuar organet e panevojshme?
Shëtitja në ditën e tetë bëhet pak si e nxituar, por jam adaptuar mirë. Lëvizja në formën e ∞ nuk më sjell më trazime tashmë, nëse fjala “tashmë” ka kuptim këtu.
Koha vizuale ecën me ritme jashtë ndërgjegjes dhe kapacitetit tim. Duhet të kenë kaluar disa dhjetëmijë vjeçarë, e shoh NJSA, qënien e bardhë, një e bardhë që ka filluar të shkrihet me botën, të përgjithësohet, të tretet drejt së tejdukshmes, me një kokë groteske, e i tërë trupi tashmë është miniaturë e trupit të lashtë njerëzor. Pa organe riprodhimi, ai tashmë... Klonohet! Po! Dhe pasi krijon një trup të ri me ndarje mitoze, në këtë trup që është mjeti i tij, zhvendos tërë ngarkesën e tij psikotrunore në trurin e ri e shkëlqyes.
Dhe ja, NjSA është i pavdekshëm!
Sepse ka shumë punë, nuk ka kohë, dhe i duhet, për hir të punës, të evoluojë më tej.
Ja ku është, atje tej, para syve të mi, në shkretëtirë, si një sferë e madhe e tejdukshme, me dy apendikse, trupin, për tu mbeshtetur në rërën e nxehtë, dhe antenën. Dhe vjen një moment që as antena nuk i duhet më. Gati gati, arrij të dalloj zhvillimin e trurit si në një film me lëvizje të ngadaltë, duke u shkrirë pjesët strukturat e tij me njëra tjetrën në një masë të vetme, zmadhuar ngadaaalë e tendosur kafkën e lëmuar te bardhë, e me tej të tejdukshme si rezultat i përgjithshmërisë.
E nëpërmjet kafkës sferike emeton valët. Valët e komunikimit me njerëzit e tjerë të së ardhmes, sferat e tjera të tejdukshme.
Ndërkohë, në këto mijëra vjet edhe truri ka pësuar ndryshime të mëdha. Çdo qelizë specifike e tij, masa gri, talamuset, hipotalamusi, sistemi limbik e çdo hapësirë tjetër që kureshtarit lexues mund ti lodhë kokën, ka humbur veçantinë dhe është përgjithsuar. Tru, këtë moment quhet një masë amorfe me shkarkesa elektrike e që emeton valë nga kërcimi i elektroneve në nivele të ndryshme energjitike sipas nevojës së vetë NjSA.
Hej! Sapo kaluan mijëra vjet para syve të mi pa më pyetur fare. Shpresoj nga tërë kjo mos më shpifet ndonjë lloj kanceri, nga kjo dreq dite e tetë!
...Dhe, njeriu flluckë tashmë pluskon në ajër. Elektrongarkesa e flluskës mund përfundimisht gravitetin duke realizuar ëndrrën e Da Vincit, dhe australopitekut që shihte ziliqar, arkeriopteriksin duke i fluturuar frikshëm mbi kokën me cepa.
Përfundimisht, Njeriu fluturon! Në mënyrë organike, anatomike, sferike, fiziologjike.
Kjo ndodhi në sajë të zmadhimit të masës amorfe tru, e valëve që emeton ky i fundit prej shpërthimeve psikoelektronike që ndodhin aty si pasojë e punës. Sa më i madh truri, aq më e madhe psikongarkesa, aq më i lartë e i gjatë fluturimi autonom. Kështu, sërish, pas qindra mijëra vjetësh, njerëzit u ndanë në zvarritës, pluskues, fluturues, lart, fluturues shumë lart.
Tanimë njeriu është fluckë, e ngjashme me atë të sapunit, i rrumbullakët perfektshmërisht, forma që harxhon me pak energji e ka mundësi të përçojë valë, të shkëmbejë e kontrollojë në tërë drejtimet që i përcakton rrezja e tij sferike. Shkëlqyes, i tejdukshëm në shkrirjen e tij me botën.
Në këtë pikë të marramendjes sime, shoh njerëzit fllucka që fluturojnë lart në qiell, të tërë, çrregullimshëm.
Shoh pas ca dhjetramijë vjetësh të tjerë, si përplasen me njëri - tjetrin këto fllucka, duke u bashkuar e shkrirë në qënie më të mëdha e të rrumbullakta.
Tanimë nuk shoh më klonime, as ndarje mitoze, por bashkime. Flluckat të shtyra nga një mungesë qënësore në thelb të tyre, njerëzit fllucka bashkohen në dy, tre, pastaj katër pesë e shumë fllucka.
Në një moment të parathënë, krijohet sipër tokës një megasuperqënie flluckë, që njerëzore ka vetëm informacionin gjenetik e neural.
Duke mos qënë projektuar për të qenë një, njeriu, ose për të thënë ashtu si shoh, njerëzimi, plasi në qindra grimca prej Qënies Sferike Magnus. E ato grimca breshëruan në tokën amë. U kthyen në gjirin e saj, në gjolin primordial. Dhe aty, në të ngrohtin mitral të Geas, grimcat e neuroneve mbinë në qindra mijëra bimë nervore.
Shoh të parakalojnë në sytë e mi dhunshëm qindravjeçarët kohorë, e kjo është një gjë e frikshme. Ky është një ditar udhëtimi, pak skizofren.
Bimët nervore rriten e rriten. Nga tërë këto faza evolutive të forta, informacioni është i çrregullt, grimcor. Dhe kjo formë e qënies, me info të mangët është formë e pangopur, ndaj jeta e sjell bukur që bimët nervore të shfaqin tipare kanibale, duke gllabëruar njëra tjetrën për të rifituar informacionin e kaotizuar nga shpërthimi i qënies njerëzore flluckë magnus. Gllabëro dhe rritu!
Kalojnë miliona vjet, e në këtë ”kthesë të re të timonit” të udhëtimit tim, po ndjej se po më lënë ato pak nerva që më kanë mbetur.
Shoh një qënie, sërish gjigande, sërish të vetme, një bimë nervore. Ngrihet e ngrohet mbi tokën amë. E kjo qënie nuk ka më ç’te hajë. Ajo ndjen se toka e uji janë mëma e ati. Dhe nis, e shtyrë nga një dëshirë edipiane të thithë tërë ujin, e të gllabërojë tokën me copëza të mëdha në formë kafshatash njerëzore. Absurditet ta shprehësh, por toka është një copëz buke e shijshme për të vetmen, Bimën Nervore. Qënien e vetme në tokë. Një sistem me tre elemente. Një sistem i mbyllur. Një qenie që thith oqeane e akullnaja, e kafshon copëza malesh, kodrash, shkëmbinjsh, gllabëron fusha e pyje, e tërë ç’të sheh syri. Planeti ynë, ose planeti i saj tashmë, zvogëlohet, ajo rritet.
Toka zhduket, e bima tokë, në formë tashmë sërish të rrumbullt, rrotullohet natyrshëm e madhërishëm rreth diellit duke rrezatuar valë. Valët punojnë për të gjetur ushqim.
Dhe papritur, pas disa mijë vjetësh, çmendurisht gllabërohet hëna. Pastaj me rradhë, planetet. Me përpirjen e Jupiterit, informacioni i Bimës “Tokë” i dikton se tashmë mund të bëjë të njëjtën gjë me diellin. Përpin Mërkurin në një vit, dhe brënda disa mijëvjeçarëve, tërë trupat e sistemit diellor që tashmë ishte i tëri një. Unifikim! Përgjithësim! Shkrirje!
Galaktikat, megagalaktikat kanë rradhën... tani koha, hapësira!
Hapësira tkurret rreth Qenies së Përgjithshme. Neuronit Universal.
Koha është në funksion të ushqimit të tij. Neuroni universal është një masë plazme, që percepton e përçon sinjalet e saj të urisë dhe zotërimit në tërë universin.
Hapësira është ajo vetë. Tashmë s’ka më ç’të hajë, por informacioni që ajo bart, i farkëtuar e tejzgjatur tërkuzë në historinë e kohës, e detyron të gllabërojë, se është zot. Dhe ja ku qenia Universale fillon të kafshojë e gllabërojë veten e saj, nëse vetë ka kuptim në këtë çështje të komplikuar.
Dhe ha e ha, përpara meje shihet një vrimë e zezë. Totale.
Ajo tkurret e tkurret në vetvete, e nga kolapsi plazmatik, erdhi Shpërthimi I RI; një Univers i ri sapo lindi...

II
... u përmënda nga dridhmat kompulsive që më tejçuan pllakat e ftohta të tarracës këtu sipër rërës së pafund të shkretëtirës.
III
Njeriu ka kohë që nuk është më qenie specifike. i veçantë. Periudha më e bukur e egzistencës së tij ka qenë ajo kur nuk kishte mësuar punën. Kur ishte majmun, ashtu, kafshë si gjithë të tjerat. Madje ngjan te jetë periudhë fantastike e plot kuriozitet dhe shndërrimi në mijravjeçarë nga majmun i papunë, në njeri që i gjen aq punë vetes, sa harron qenien.
Njeriu, qënie mbinatyrore, që zbut e lakon natyrën në dominim të tij, por është aq i brishtë sa të ngordhë nga një pickim merimange, një kafshim gjarpëri, kthetrat e një tigri të kësaj natyre, që ngulen në mishin e butë njerëzor.
Ndoshta, kam pretenduar shumë të njoh misterin e krijimit dhe së ardhmes së tokës.
Tërë këto vite, jam shkrirë në studime të shkencave të natyrës, atyre ekzakte, madje dhe atyre okulte. Kam kaluar papërgjegjshëm nga historitë Darviniane, teoritë e evolucionit post Darvin, studimet e hollësishme të gjeofizikës, kozmogonisë, antropologjisë, në ritet më të errëta të doktrinave fetare.
E nga këto të fundit, në rite akoma më të errëta të nënbotës sekrete jashtë kufijve të zotit.
Çdo gjë nga këto eksperimente më turbulloi ndërgjegjen dhe egzistencën deri në kufijtë e psiqikes sime.
Kam vuajtur. Keqaz. Nga një forcë misterioze e brendëshme, nga një morsë virtuale e tejçeliktë që më shtrydhte shpirtin, duke më imponuar kërkimin e pafund të së vërtetës, së vërtetës së qëndrës.
Dhe arratisja ime në kërkim të shpëtimit, të harresës ndaj këtyre thikave ngulur dashje pa dashje me sa duket që nga lindja në qënien time, e pashë veten duke terhequr zvarrë pas meje misteret Eleusine të përjetësisë dhe vdekjes, deri këtu, në skaj të botës së qytetëruar, ku kam ardhur në dukje, me pushime. Me ç’pushime? Pushime nga vetja!


Njëherë, i torturuar nga pyetjet dhe kërkimi i pafund i së përjetëshmes, brënda ose jashtë meje kudo gjëndej, iu luta nënës natyrë, e fatit tim të më jepnin aftësinë që në një sekondë të dija çdo gjë, gjithçka, të isha zot, vetëm për një sekondë.
Dhe dreqi ta hajë proverbin e lashtë kinez “kujdes nga ajo që kërkon, mund të të jepet”, një pretendim i tillë i pacipë e arrogant, meritonte të merrej disi parasysh, në një shkallë të caktuar, e të ndëshkohesha për mendjen time perverse duke u shpërblyer në fund të kësaj jave të fundit, në fundin e ditës së djelë. Në atë që (nisur dhe nga kujtimet e eksperiencave të disa pak njerëzve në historinë e tokës) mund ta quaj random, Dita e Tetë.
Gjithçka ndodhi, e përshkova si munda më sipër. Tani, jam mëse i bindur që arrita të mësoj vetëm diçka. Diçka të vockël që e ruaj me xhelozi mu në mes të gjoksit. Diamantin tim personal, të pastër, e transparent përmes të cilit shihet bukur tërë universi.
Në faqet e tij është shkruar e vetmja tezë absolute antisokratike. Tashmë Di Një Gjë, Që S’Dua Të Di Asgjë.
Dua vetëm të zhgërryhem në baltën e origjinës si majmun i vogël, të gjej një majmuneshë të lezetshme të më shkulë flokët e shpirtit tim, e të më shuajë zjarret e trupit, të rraskapitur nga kjo jetë kërkimesh e pretendimesh të marra.
Shoh tani, agimin e bukur e të mjerë që hedh dritën mbi tarracën artistike fantastike, e tragjike për mua. Dëgjoj një ‘kërck’, e kthej kokën pas.
Perdja ngjyer okër hapet e mbyllet ritmikisht nga era e lehtë, duke zbuluar atë, zemrën e botës.
Ndjej fort se bukuria orientale, duart e bukura, gishtat e hollë, pëllembët e pikuara me këna, dhe flokët e zeza pis që mbulojnë shpatullat e saj të lakuriqta,
beli i tërhequr në vete si një vrimë e zezë e trupit të saj, që thërret dëshpërimisht gjoksin lodrues e këmbët e gjata!
Tërë kjo pamje frymëmarrëse, emrin e së cilës nuk e kujtoj dot, me thërret si sirenë edhe përtej gjumit të bukur që po shijon tani.
Ajo më thërret, e gjithçka dua, është ti përgjigjem me tërë veten, tërë fuqitë, krejt i lirë nga koka ime mbi shpatulla.
Pak poezi në këtë natë, ndoshta do jetë bërthama e duhur për udhëtime drejt një dielli të ri të ditës se nesërme.