FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Thursday, December 2, 2010

PUSHTIMI I PARAJSES

Ecnin e ecnin pa ndalim.
Të tharë e tkurrur si varrmihës të lashtë, si fantazma të errta, rendnin përmes qytetesh që kohë më parë nuk do linin pa plaçkitur e djegur vetëm për dëfrim.
Frika e zezë e famës së tyre të vjetër i paraprinte, e njerëzit fshiheshin ku të mundnin në lemeri.
Por, asgjë su hynte në sy atyre, regjur me pluhurin e fushëbetejave mesjetare të Europës Qendrore, duke marshuar ditë e natë, të palodhur, ata, Kalorësit e Armatës së Detit të Pagjumë, kishin një mision fatal, detyrë përtej fantazisë dhe mundësive të të thjeshtëve pa shpirt.
Dhe asnjë tundim nuk do mund ti lëkundte nga udha.
Ata po shkonin, po drejtoheshin, po marshonin të…të … pushtonin parajsën!


ooo


Me rrënjë të thella në qytetin Epid, nga i cili mbanin erën e thellë të jodit lëkurat e tyre, që prej epokave të stërharruara kishin jetuar me ligje hermetike.
Njëmijë nga dhjetëmijë djemtë që ia dilnin Provës së Çelikut mbi familjet e tyre dhe i mbijetonin asaj të Ujit Pafund, njëmijë kalorës të temperuar nga tmerret e duarve të tyre, mbi njëmijë kuaj këmbëshpejtë rrjedhur nga fara e shenjtë e Pjellës së Erës.
Prej brezash kishin Luftuar, fituar, plaçkitur, vrarë e prerë pas kryezotërve të tyre. Kishin thyer e masakruar ushtri. Kishin pushtuar qytete e troje të rëndësishme. Dëmtuar egër me gaz në buzë njerëzit e përditshëm.
Lavdi e dhunës, heroj të therorive, dëshirë e shprehur e burrërisë së vdekshme, sytë e tyre më të frikshëm se vdekja e zezë, ata ishin Armata e Detit.
Perandoritë lusnin qetësi me tribute të majme në këmbët e atyre që ndjenin një emocion të ngjashëm me gëzimin vetëm kur ngrinin dolli shëndetesh me kupa të arta gjaku të ngrohtë në fushimin e hapur të kodrës së kurorës së qytetit.
Dhe ky delir u dhuronte një jetë të bukur.
Por, shumë kohë të mëpasme asnjë frymë e gjallë nuk jehonte ndaj klithmës së tyre ngjethëse. Panë që kishin mbetur pa beteja të përgjakshme si ua kërkonte kodi gjenetik. Askush nuk. Asnjë armik, asnjë ushtri s’guxonte. Asnjë bir toke s’mundte.
I kishin mposhtur të tërë.
Dhe shijuan ato që kishin fituar me aq mund, gjak e djersë në shekuj.
Pastaj i thurën himne fitoreve.
Pastaj kënduan, pinë dhe përdhunuan bindshëm gratë robinja.
Dhe kur s’kishin ç’të luftonin, gëzonin, dhe këndonin, dalluan të vërtetën. Ushtarë pa luftë. Luftëtarë të mundur. Pa qëllim fuqitë e tyre.
Të dehur e shpërndarë, mbytur nga molisja, aty shtrirë si kurrë ndonjëherë mbi lule, mes qetësisë prishur nga të qarat e ndonjë prej fëmijëve të përbashkët,
Dhe kjo, ishte disfata më e madhe e ushtrisë së errët të Epidit, zotërve të Europës. Kthyer në zhgarravitje të mpiksura me gjak e pluhur rrugësh mesjetare në një monument masiv të hirtë, të humbjes.
Ulur mbi një gur, kryezoti i tyre qau. Fitorja më e lavdishme, paqja e dhunshme, na paskësh qënë dhe disfata më e madhe. Gjendja nervore e re e epokës. Kishte ardhur ora të njihnin fytyrën e botës;
Ç’mund të bënin tjetër, veç të flinin gjumë? Gjumë? Gjumë? Gjumë?
Ulërima e lemeritshme e tij dëshpërimshëm oshëtiu në çdo pemë e gjethe atyrrotull.
Por, në rrokullisjen e lotit të gjallë nga syri gjysëm i mbyllur për gjumë, kryezoti i madh pa zgjidhjen. Ai kuptoi. Dhe zemra e mbytur në kafazin e krahërorit u ngjall, e shporri tej dhimbjen. Ai kuptoi diçka të madhërishme për të luftuar dhe mundur. Diçka të denjë për fuqitë e tyre.
Le të ishin ata që më në fund, do të luftonin me… gjumin!
Ja kjo ishte një luftë për jetë a vdekje. Të mos humbnin asnjë ditë asnjë orë, asnjë grimë kohe të vogël fare në prehjen e ëmbël e tinëzisht vrasëse të njeriut pa shpirt.
Një heroizëm mbinjerëzor që i bënte të barabartë me malet. Madje, pse të mos synonin më larg?!
Të marshonin diku në fund, drejt qytetit të Morfeut. Gjumi ishte i barabartë me qiellin e pamatë. kenaqësi e bardhë si qumështi, përkundje në ëndrra jashtë jetës plot ngjarje. Të shkoje drejt fundit me sy të mbyllur. Parajsë.
Ky do ishte qëllimi, ideali, jeta, frymëmarrja e tyre e çdoditëshme.Të mos flinin kurrë. Të pushtonin parajsën!
Atje tej, drejt juglindjes në fund të botës, do udhëtonin të gjenin qytetin e gjumit dhe ëndrrës.
Gjunjëzim! Vdekje!
Dhe kështu u nisën fort.



ooo

Ecën e ecën pa ndalim. Ditë, muaj, vite. Kuajt hanin në galop, e flinin në trokth.
Shqytet që përplaseshin në vithet e kuajve, e shpatat që kërcitnin ndryshkur në mille prej shiut që i lante, e brymës që i mëkonte udhës pa krye, mbanin zgjuar e kurrëfjetur njerëzit.
Burrat mbi shala, ishin kthyer në sy të shqyer. Në rrembat e gjakut digjej etja për fitoren.
Lajmi i përpjekjes së tyre syhapur mori dhenë e lodhur të kontinentit. Njerëzit kudo, nga banimet prej shpellash në humbellat malore, deri në qendrat e banuara të komplikuara të kohëve të ardhme, kapërcyen frikën e donin të shihnin.
Diku aty në kufijtë e syve të fjetur të turmave, çdokohë pritej të kalonte reja e tymit të rendjes së egër. Armata e Detit të Pagjumë.
Njerëzit që kishin aq kohë që kalëronin drejt … që luftonin gjumin!