FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Tuesday, September 17, 2013

Letërsia është një Hidra me dhëmbë të pamëshirshëm për të drejtën e të vërtetën

Intervistë me Loer Kume nga www.Qerthulli.com

Çfarë nuk është thënë, mund të thuhej sërish a duhej përsëritur patjetër për letrat shqipe? 

Kjo pyetje multiple më sjell në mend jo përgjigje, veç të tjera pyetje. A është letërsia shqiptare e sinqertë? A ka qenë e tillë? A kemi krijuar ne letërsi të paangazhuar? A kemi krijuar ne letërsi për hir të letërsisë e jo të revolucionit, i çfarëdo tipi qoftë ai, rilindas apo komunist, apo revanshist? E a ka qenë letërsia shqiptare e lirë? A është ndërkaq, sot, e lirë? Letërsia shqiptare ka kaluar po aq sëmundje sa kombi shqiptar në kohë. Duhet parë me kujdes që sëmundjeve mos t‘u gërricim koret, por të përdorim antitrupat e fituara prej tyre, për të ngjitur më lart e më të fortë pemën e letërsisë drejt dritës. 
Nëse bëhet fjalë për simptoma të tilla, ç'mund të bëhej konkretisht, në mos për të shëruar, të paktën për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm?
Duhet menduar në mënyrë letrare nga kushdo që shkruan, jo në mënyre politike. Siç thotë Kamy në fjalimin e Nobelit, shkrimtari është ajo krijesë, që ka mbi vete një detyrë shumë të vështirë, të mos u shërbejë atyre që e bëjnë historinë, por atyre që i nënshtrohen asaj. Një shkrimtar duhet të mësojë deri 3000 vjet prapa histori e të mundë të lexojë deri, të paktën, 50 vjet përpara. Ah po, dhe padyshim, një shkrimtar, para se të japë intervista, duhet të shkruajë gjësend. 

Shihni mundësi reale që kjo të ndodhë? 

Po. Gjithmonë nesër.

Në morinë e problemeve, me të cilët përballet çdo ditë shoqëria jonë, shpesh të një natyre ekzistenciale, si ikja masive e popullatës, mbijetesa, plagët e trashëguara, ngushtica ekonomike, korrupsioni etj., ku e vendosni për nga renditja mjerimin e kulturës e, për pasojë, të letërsisë?

Mbase nuk jemi dhe aq të mjeruar sa duket në sy të parë. Mbase gjërat shkojnë ashtu siç duhet. Ka njerëz që krijojnë, proliferojnë në këtë vend, bëjnë punë të mira, jo domosdoshmërisht art, dhe janë për t‘u vlerësuar. Është e vërtetë që flasim për kulturë të lodhur, të mangët, të mjerueshme, por mos vallë 3 milionë shqiptarë duhet të jenë doemos të kulturuar lartësisht? Sidoqoftë, ata bartës të kulturës tonë të kësaj epoke ku po jetojmë, kanë dy mundësi. Ose të mbyten në dallgët që përshkruhen më sipër, ose t‘i hipin tryezës së sërfit krijues e ta përdorin për të kalëruar dallgën. Të tëra problemet, plagët, brengat, dramat, historiku ynë, janë buka e përditshme e letërsisë. Me to ushqehet për të prodhuar magjinë. Majën e diamantit. Ne kemi material të pafund për të krijuar histori epike në çdo drejtim joepik, duhet thjesht të hapen sytë e të gërmohet e studiohet në këto arkiva dhimbjeje, arkiva të errëta e të prodhojmë dritë artistike nga to.

A është i mundur, kur flasim për letërsinë e pas 90'ës, duke patur parasysh amullinë e botimeve dhe mungesën totale të kritikës së pandikuar, një vështrim përfshirës i vlerave të kësaj periudhe, dhe, nëse ka vlera, cilat janë ato, sipas jush?
 

Mendoj që ka vlera, por që kurrë s‘kemi ditur t‘i kuptojmë, lexojmë, komunikojmë. Mendoj se letërsia e viteve `90 ishte e ngarkuar dhe shfreu fort. Mendoj dhe se ajo letërsi ishte një simbolizuese shumë e mirë e kohës që jetoi.

Si mendoni se duhen evidentuar këto vlera dhe a është e mundur, për kohën që po jetojmë, të ndodhë kjo?

Ribotime. Ripërpunime. Kaq mund të bëjmë ne njerëzorët. Çdo gjë tjetër pastaj është e tepërt përballë gjyqtarit Kohë.

Ç'rol mendoni se luan interneti dhe mundësitë e reja të komunikimit në letërsi dhe sa e ndikojnë ato këtë të fundit?

Pasi njeriu mundi të ecte me dy këmbë, pas gjetjes, i gjeti se kanë qenë gjithmonë aty, të zjarrit, rrotës, makinës me avull, radios, anestezisë, njeriu gjeti world wide web... Internetin.
Është epoka ku jetojmë. Dikur shpejtësia matej me kuaj fuqi. Sa kuaj ka karroca e postës që do sjellë letrën? Sot jemi me fuqi bitesh. Miliarda herë shpejtësi përpara na hapin horizonte të paimagjinueshme. Shkëmbimi i infos, kulturore qoftë, është aq i shpejtë, sa, me anë të këtij mediumi, ti sapo ke teshtirë një poezi, kollitur një tregim e cigare bashkë, mundësia është që ta lexojë gjithkush në tërë botën. Kush e kundërshton këtë shkallë evolucioni do ta kafshojë gjarpri i humbjes në askund.
Ka vetëm një problem të vogël. Që truri nuk fikson në memorien afatgjatë, por në atë afatmesmen e afatshkurtrën, e si pasojë nuk japin pasuri të patundshme mendore. Ky është problem. Por zgjidhet për momentin duke mbajtur shënime, në pritje të çipit cerebral hi-nanotech. Që do zgjidhë gjithçka.
Ndërkohë shkruaj, hidh në net, merr kritika, merr pëlqime, zhvillohu, rritu, mos harro të pish ujë, hash bukë, marrësh frymë, shkelësh në tokë. Kaq thjesht.

Duke qenë se cilësia letrare dhe përfitimi ekonomik nuk shkojnë doemos krah për krah, mendoni se duhen ndihmuar autorët nga administrata dhe në ç'formë, duke patur parasysh se modele të tilla si çmimet dhe bursat janë përfolur shpesh jo për mirë?

Edhe pse nuk ushqehemi më prej miliona vjetësh tashmë, me mish të gjallë si luanët, çuditërisht evolucioni na ka ruajtur një stomak të madh e në raport të drejtë me trurin.
E vërteta është thënë herët, nuk mund të mendohet me bark bosh. Duhet ngrënë nganjëherë. Dhe kulinaria është e dashur për ne njerëzit. Idea është që unë jam taksapagues i rregullt në zyrën e tatimeve me liçencën e mjekut stomatolog, që e ushtroj si profesion e më jep të ardhura të mjaftueshme për tu ushqyer dhe njëkohësisht shkruajtur i lirë. Nga ana tjetër, nuk e kam tërë kohën që do të doja për të lexuar aq sa dua, e marrë me sporte, që do ishte klima ideale për të medituar e prodhuar letërsi.
Sidoqoftë, gjërat shkojnë ashtu si duhet të shkojnë. Unë mendoj disi në mënyrë mistifikuese që letërsia e mirë do dalë e do ndrijë sepse është në natyrën e saj. Të ardhurat nuk ndikojnë asesi në letërsi. Ka shkrimtarë që janë mësuesit e përjetshëm tanët tashmë, që kanë krijuar në kushte të mjerueshme. Ka dhe shkrimtarë bestseller me krijime totalisht idiote, të cilat nuk përmirësohen me rritjen progresive të të ardhurave dhe luksit të tyre. Duhen sidoqoftë, të dyja palët. Letërsia është letërsi. Paratë janë konkrete e të çmuara sigurisht, hipokrit ai që e mohon, por qëndrojnë me letërsinë si ana e errët dhe ajo e ndritshme e hënës. Pjesë e realitetit, të dyja, por në gjendje të pastër, nuk takohen kurrë me njera tjetrën.
Pastaj, të ndihmohen autorët nga administrata është një blasfemi e tmerrshme që kushdo autor që e mendon ka reshtur së qëni letrar. Mund të jetë çdo gjë tjetër por jo krijues. Konkurset e juritë janë të dobishme në nivel të perditshëm, tokësor, për të ngritur pak autostimën e stimën, për të dhënë ca famë më shumë, natyrisht po flas për jashtë vendit. Tek ne asgjë e tillë nuk funksionon. Por shkrimtari duhet të shkruajë për të vërtetën. Duke parë ngultaz të paktën 50 vjet përpara panoramën. 

Si e shikoni rolin e botuesit, librarit, jurive, ministrisë dhe, jo së fundi, të vetë letrarëve në raport me këta të fundit?

E kam thënë dhe në intervista e dialogë të tjerë, roli i botuesit është shumë i rëndësishëm. Më i rëndësishmi. Ai është ati që ushqen fëmijët, që në këtë rast janë lexuesit. Lexuesi shqiptar në më të shumtën e rasteve është infantil. Nuk ka formim, nuk ka shije, nuk ka dëshira. Lexon ç’ti reklamojnë. Ai do rritur. Do bërë një njeri i fortë nga fëmijë që është. Kush e bën këtë? Jo vetëm ai, sigurisht, varet nga ngritja e përgjithshme e nivelit kulturor të një vendi, por e bën… Botuesi.
Botuesi shqiptar, nëse nuk e ka kuptuar ende, ka një mision shumë të rëndësishëm, mision sublim. Të plotësojë ‘gapin’ e mungesës letrare që ka pasur vendi ynë në komunizëm. Jemi shumë shumë prapa. Një lexues mesatar shqiptar nuk ka kaluar e nuk ka dijeni as për egzistencën e kryeveprave botërore të shekullit të 20. Është katastrofë. Duhet shumë punë. Ndërkohë që shumica e botuesve shqiptarë janë tmerrsisht shumë dashakeqës. Përkthejnë e botojnë letërsi, më ndjeni që po e quaj letërsi, që pemët që janë prerë për të shtypur,  mallkojnë pragjet e shtëpive të këtyre botuesve nga parajsa e pemëve. Kjo letërsi qarkullon nëpër amvisa të dëshpëruara, e bëhet bestseller menjëherë. Më kujtohet një titull mahnitës psh. “E fiksuar pas fustaneve”. “E fiksuar pas shopingut” dhe nja dy milionë tituj të tjerë e kopertina të tilla horror që të dalin para nëpër vitrina e të shtrëngojnë fytin. Për të botuar librin tim të ardhshëm, do zgjedh në fillim botuesin me shumë vëmendje. Botuesi nësë ende s’e ka kuptuar, është një kurator e menaxher i librave që boton. Deri me sot nga aq sa kam lëvruar qark, njoh vetëm pak që mund ta bëjnë këtë punë ashtu si duhet. Botuesi është misionar.
Ka në tregun shqiptar të botuesve misionarë kalorës do ti quaja, por janë me sa njoh unë, vetëm dy a tre në total.
Meqë përmendni Ministrinë e Kulturës, dua të them diçka. Ministria e Kulturës është rregullator. Është de facto ministria e propagandës dhe reklamës së vlerave të një vendi. Ministria bashkë me tryeza njerëzish të artit duhet të krijojë shkëmbime idesh, e te krijojë platforma se si të injektojë aq sa mundet, pak a shumë, artin shqiptar jashtë vendit. Këtu i rëndësishëm është përkthimi, meqë po flasim pikërisht për letersinë.
Le të krijohen konkurse e plane përkthimi e konkurse të tilla që ti shërbejnë kulturës shqiptare e ngritjes se saj, ne vend që të merren me konkurse e shpallje fiktive çmimesh autorësh të dyshimtë veprash të dyshimta. Ministria më shumë se një entitet empirik me ministra për hir të të qenit ministër, duhet të hapet sipas meje e të ketë kontakte më njerëzit e kulturës, rrjetë, shkëmbim idesh. Kaq pak, kaq saktë. 

Si e shikoni të ardhmen e afërt të letërsisë shqipe?

Pyetje e madhe. Një përgjigje të madhe të vaditur e të rritur sa fasulja e famshme?
Letërsinë shqiptare e shoh si Rinoceront.
Me katër brirë e shumë bishta. Një bishë radioaktive. Një rinoceront që ecën i ngathët, rondokop, dhe puthet në buzë me një krokodil femër vjollcë verdhë e zi, me sy të kuq. Bëjnë dashuri, dhe lindin një Hidra, serioze, të vaksinuar, tmerrsisht të zhdërvjellët dhe plot me koka me ide të zjarrta me dhëmbë të pamëshirshëm për të dejtën, e mbi të gjitha për të vërtetën e pastër.

Me rënien e tiranisë ra vetvetiu edhe hierarkia e krijuar atë kohë e letërsisë shqipe. Shumë autorë të mohuar a të papërfillur, deri atëherë të ndaluar a të pabotuar, iu shfaqën lexuesit me veprën e tyre, shpesh edhe për herë të parë. Përmendim këtu Fishtën, Koliqin, Camajn, Trebeshinën etj., letërsinë e sirtareve dhe atë të burgut, apo edhe avangardën letrare të viteve '90. Sidoqoftë, ndonëse të pranishëm në raftet e librarive, ngjan se letërsia e vonuar dhe ajo e pasdiktaturës, ende nuk ka zënë vendin e saj, të merituar a jo, në kulturën tonë. Cilët mendoni se janë shkaqet dhe si mund të ndryshohet kjo?

Shkaqet janë në gjakun e sëmurë të shoqërisë shqiptare. Mungesa e kulturës. Mosinteresimi i shqiptarit deri te i mesmi, për letërsinë e artin. Paaftësia e botuesve. Damka e dogmës që la pas në mënyrë të pashlyeshme diktatura me institutin e saj të kontrollit të kulturës e mendjes. Duket nganjëherë sikur shqiptarëve u kanë qethur dhe trurin deri te “koci i partise”
Por ka dhe një politikë të nëndheshme minuese ndaj të stigmatizuarve të dikurshëm nuhas unë. Dhe kjo mund të jetë teori konspirative që qarkullon salloneve letrare, por mbase jo, mbase është tendenca e ruajtjes së status quo, duke ruajtur me dhëmbë pozicione opinion liderësh letrarë. Ka pasur ngjarje të shëmtuara si ardhja e vetme e Camaj në Shqipëri, të cilin nuk e priti askush. Po meqë u përmend Trebeshina, e kam lexuar, është shume i mirë sipas meje, dhe, pse nuk përmendet kurrë? Pse shtrihet një vel fshehje e harrese mbi këta njerëz? Mos vallë duhet tu rikthehemi vazhdimisht edhe pas 23 vjetësh fjalëve “unë po iki, fëmija lindi i vdekur?” Akoma të vërteta këto fjalë? Po fjalë janë, thashetheme kafenesh njerëzish që abuzojnë me alkoolin mbase. Shshsht.

Cilët poetë shqiptarë vlerësoni e nga cili prej tyre jeni ndikuar më shumë?

Poezia më ndikon në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, duke më bërë më perceptiv ndaj detajeve, ndjenjave të imta e të fshehta. Janë disa muskuj në trupin e njeriut që as nuk e di që i zotëron. Mund të bëhesh i ndërgjegjshëm për ta vetëm pas një stërvitjeje fizike specifike. Kështu është dhe poezia për njeriun, e për krijuesin në veçanti. Është stërvitja specifike. Nuk kërkoj në fakt poezi këmbëngulshëm, nuk kam qenë kurrë i prirur për të lexuar poezi, por lexoj me qejf çdo gjë që më bie ndesh e po edukoj veten me dietën poezi. Kam rizbuluar së fundmi poezinë e Camaj. Jam i mahnitur nga Camaj. Po dua të përmend Rreshpja, Gjetja, Teodor Keko, Ervin Hatibi, e ç’të gjej. Dhe lexoj poezi të poetëve të brezit tim, fantastike, e u premtoj atyre që me këtë anije tonën shumërremëshe do pushtojmë botën.

Në poezinë shqipe mund të dallohen, varësisht nga koha kur u krijua, stile dhe rryma të ndryshme. Nëse nga fillimet e shkrimit e deri në rënien e komunizmit kemi, pak a shumë, periudha të studiuara mirë, nuk mund të thuhet kjo për kohën që pasoi. Çfarë prirjesh e mënyrash të shkruari, në mund të grupohen njëfarësoj qindra e mijëra shkruesi-e-t e vargut, dalloni në këtë kohë?

Nga ç‘kam lexuar unë,mendoj se poezia ka fituar lirinë e vërtetë shumë më shumë se proza. Poezia ka rrjedhur në shtrate si i ka ardhë për mbarë, pa pasur tabutë e virgjërisë apo besnikërisë, qoftë dhe brenda dorës të së njëjtit poet. Bukur jo? Sensualiteti poetik në një woodstock orgjiak stilesh të lira.

Si e shpjegoni që në Shqipëri e në trevat e tjera jashtë kufijve shkruhet kaq shumë poezi?

Nga një studim i fundit i katedrës së gjenetikës së universitetit të Yoknapatawpha County kanë zbuluar më në fund gjenin e poezisë. Ai gjëndet, për arsye ende në studim e sipër, pikërisht në njeriun shqiptar. Kjo do jetë besoj.

Duke qenë se poezia është edhe ajo komunikim, si e shikoni raportin e lexuesit me poezinë dhe më gjatë, me poetin; apo edhe në kah të kundërt: raportin e poetit me poezinë e me lexuesin?

Poeti është një shaman medium ngacmues i emotivitetit të njeriut lexues. Sa më thellë, aq më mirë, ky është, duhet të jetë raporti. 

Në kohët tona, gjithnjë e më materialiste, në botëkuptim e në mënyrën e të jetuarit, ku e shihni vendin dhe rolin e poezisë? Sa vend ze ajo në jetën tuaj?

Sa më materialist pragmatist të jetë një njeri aq më papritur do vijë ai moment që poezia do ta godasë fort e trondisë thellë aty në cepin e ringut. Mua jo, unë stërvitem shumë. Jo çdo ditë, por mbase çdo javë, me poezi.

E shihni poezinë më pranë muzikës si gjini, apo më afër tekstit?

A nuk ju duket se poezia është një koketë flirtuese me të tëra gjinitë?

Si e shikoni të ardhmen e afërt të poezisë shqipe?
Nimfomane.

Wednesday, August 14, 2013

Panorame D. Ne nje dite gushti





Dite e bardhe e muget. Dielli aty i fshehur neper tylin e reve te gushtit si cohe e bardhe e palare pluhuri, saboton freskine e lehte te mengjesit. Plazhet me cadra hapur e mbyllur si zogj te shpuplosur.
vapa e tmerrshme endet bashke me eren neper D. Sikur me ndjek nga pas si qen i terbuar. Ne kerkim te librave neper bukiniste andej ketej. Djersa mbulon syte, gjaku me rrjedh nga hundet, mestruacionet e trurit.  1 me 0 per vapen. Me nxorri gjak nga hundet.
Banje e ftohte. Poetika e fresket e Aristotelit, Fjalimi i fresket i nobelit i Camus mbi shtrat.  te sapofituara. Dhe dritarja ime e botes. Grila gijotine siper qafes. Ne hapesiren e pafund mbi ish kenete qielli i nxire. Bubullima. Vetetimat kane nje ritem te vetin, halucinant blitzi i tyre e pluhuri ne sy. Re te tera pluhuri ne ajer. Aerodinamika e eres se cmendur qe perplaset e ndahet dysh ne brinjet e mia. Qese ne ajer. Shume qese ne ajer pa drejtim te caktuar andej ketej. Femije qe luajne ne lagje. Prinder qe pergjojne femijet nga ballkonet, skeme e sterlashte. Pika te medha e te rralla shiu ngrene nga toka aromen e dheut te lagur te gushtit. Nga ketu siper gjithcka duket ne te tjera permasa. Nje vajze qe ecen me fustan te zi mbi lekuren e bardhe, me floket e saj dikur bjonde, tashme ne kerkim te ngjyres natyrale. Duket shtatzene. Takon mamane. Te njejtat floke. I njejti trup i zmadhuar permasash nga koha qe ushqen duke te ngrene.
Nje tjeter grua duke u capitur nxitueshem per te mos ndeshur me ate furtunal qe po afron. Teper e shendoshe, ngjyre natyrale cokollate e zeze, me fryrjen tipike te rraces se saj, aseksualisht kendshem per tu pikturuar, sikur.
Ajri ndjehet tej mase i ngarkuar. Nje pallat ne ndertim me zhurmat e tij rrrekeshkitese si nje fashete metali qe te shtrengohet renkueshem rreth kokes.
pupla, qese, letra, zera, fluturojne e ajri i mban peshe.
bresheri filloi.
marr te shkruaj shtrire kete qe po shkruaj, por fitoi nje gjume...
...
dal nga hyrja e eci neper shi. Kemisha e lagur nga piklat e ngrohta, kepucet qe pllaqurisen e kembet qe lagen bukur nen shiun e gushtit.
Njeri ne rruge qe shkel gazin me makinen e tij me 200 mije km/h drejt sdihet se ku, drejt P. te mamase se tij. Rruget e permbytura. Njerezit me nje kerrusje lageshtire te habitur.
Aroma magjike e tokes nen shi, aroma e pemeve, gjethet kane mbushur rruget nga furia e bresherit si te ishte vjeshte.
Pemet shfaqin aromen e tyre te vertete, ate sekreten fare, esencen e tyre magjike, vetem pas shiut. Vajza qe ecin. Vajza qe kthehen nga plazhi te lagura qull. Vajza me pantallona te shkurtra, te tera njesoj, i njejti format sipas modes se kesaj vere, kofshet duken ndryshe pas shiut. pa efektin lebyres te diellit, vapes, duken pa shkelqim, mishi i perditshem, aq natyrale e te verteta e te thjeshta si vete dheu.
Ajri, ky ajri kaq i paster, i lire, mbush mushkerite plot si tullumbace gati per tu ngritur ne ajer.
Aristoteli e Camus, c dyshe letrare e tmerrshme e pakuptimte! Go Dafina Zeqiri! ...Mos e Nal, e boj diten nate, po du me shku higher and higher again!...  Higher ne Ajer! Duffy rocks.
Letersia eshte e merzitshme. Ritmi, rrahja, the beat is great! Dua te behem DJ. Lart, ne ajer... ajer... ajer...

Saturday, August 3, 2013

Ne Lufte !


Mbrëmje e bukur. Qetësi. Një shëtitore. Ose e thënë snob, një “recreation center” sepse është në një qytet turistik, të turizmit të madh shqiptar.
Lokalet plot.  Njerëz që kalojnë darkën. Mes lokaleve një minipark lojrash plot me fëmijë. Fëmije shqiptarë. Që luajnë aty. Gjelbërim , ndriçim e tërë detajet e duhura për një tablo urbane moderne. Dikush që bën ecejake para rreshtit të lokaleve duke folur në telefon në një bisedë për jetën, e gjëra të tjera të bukura si ajo. 
Diku aty pranë, familja e tij duke shëtitur. Cdo gje ne rregull, klima e shëndetshme dhe e butë. Dikushi mbaron telefonatën, shkon në drejtim të familjes.
Në moment, dëgjohen krisma. Një, dy , pesë, dhjetë e kusur.  Nderkohe dikushi me familjen e tij,  hutohen, mpihen. Fishekzjarre mbase?  Jo. Arme. Dhe nis vrapi kokëulur. Ndërkohë tërë njerëzit, qindra njerëz, krijojnë një si lëvizje fillestare, një si dallgëzim, pastaj ulërima, dhe vrap! Shpërndarje nga të katër anët.
Pastaj mblidhet policia e hutuar, e nis të bëjë akt ekspertizën pasi shmang turmën e njerëzve që më pas dynden në vendngjarje te shohin të plagosurit, katër syresh,  duke shkelur kudo e prishur skenën.
Ç’ ndodhi?
Nja dy trimave u tha mendja që mund të bënin një atentat. Mund të shkonin me makinë afër lokalit e mund të qëllonin drejtpërdrejt. Këtyre trimave shqiptarë, nuk iu bëri syri dritë, e as që e vranë mendjen shumë që po qëllonin, përveç shenjestrës, dhe disa dhjetra të pafajshëm, në një lulishte plot me fëmijë.
Dhe sigurisht që këta njerëz, nëse akoma këto krijesa mund ta mbajnë titullin njeri, s’e vranë shumë mendjen që aty u plagosën njerëz pa lidhje. Që mund të vdisnin njerëz e fëmijë pa lidhje, e pa arsye.
kjo ishte ngjarja e Durresit te nje dite te marte ne darke. Njesoj si ngjarja e Vlores pak me pare. Njesoj si ngjarja Shqiperi.
Dikush mund të thotë, s’ka problem, situata është e qetë, ngjarje të tilla ndodhin në tërë botën. Madje në Norvegji ai vrau 70 njerëz kot. Madje në shtetet e bashkuara qëllojnë nëpër shkolla fëmijë, po të pafajshëm. Po ti pse revoltohesh kaq shumë? thotë dikush.  Per me tepër nuk vdiq njeri.
Turizmi ecën perpara me hapa gjigande. S ka gjë për tushqëtësuar, -  thotë dikush madje dhe shtetëror. Ngjarje sporadike.
Unë revoltohem sepse ai njeriu që fliste në telefon aty, isha unë. Dhe familja që iku me vrap kokëulur ishte familja ime.  Njërit nga pjesëtarët e familjes i ranë cifla të diçkaje në shpinë, që mund të ishin shkaktuar nga plumba rikoshetë. Jeta e familjes sime rrezikohet kotësisht.
Unë revoltohem me naivitetin tim. Sepse një moment mendova se ishin fishekzjarrë.
Unë revoltohem sepse nuk ka krahasim Shqipëria, me fëmijët shqiptare të rrezikuar ‘sporadikisht’ çdo minutë të dites, çdo ditë, me njerëzit shqiptarë, qitës ose të qëlluar, me asnjë vend tjetër të qytëteruar, të Evropës e më tej.
Unë revoltohem sepse ai njeriu në Norvegji, e ai tjetri në Amerikë, nisen me qëllimin e caktuar për të vrarë të pafajshëm. Në shkollë apo në park. Sepse ashtu e mendon truri i tij i sëmurë apo i indoktrinuar nga ide antinjerëzore.
Ndërsa në Shqipëri njeriu qëllues, qëllon për punën e tij, me një moskokëçarje absolute ndaj  jetës, e çdo lloj pasoje. Nuk ka asnjë mendim ajo krijesë qëlluese. Ajo niset ti bëjë keq dikujt, e nuk i plas për pjesën tjetër të botës. Qameti u bëfte. Le të vdesin plazhistë, fëmijë, njerëz rastësore, e kushdo.
Unë revoltohem se në vendin tim, në qytetin tim, në lagjen time, unë kam frikë të dal. Unë nuk kam një vend ku të rri i qetë e në paqe. Sepse nuk ka paqe askund.
Unë revoltohem sepse, mua më lind shtysa, që sikur diçka t’i kishte ndodhur familjarëve të mi, të imagjinoj me imagjinatën time prej shkrimtari, qindra mënyra torturuese e të tmerrshme hakmarrje jetëmarrëse ndaj këtyre krijesave qëlluese. Dhe më lind shtysa t’i vë në jetë këto mënyra jetëmarrëse pa asnjë lloj problemi.
Dhe ky është në të vërtetë problemi i madh. Që mua shoqëria dhe shteti, që është mekanizmi i zgjedhur nga ne si shoqëri e civilizuar për të na kontrolluar e orientuar, nuk arrin dot të më mbysë instiktet e errëta antisociale e njërivrasëse që më lindin.
Problemi është që mekanizmi fëdback social psikologjik i dikujt që është lindur e rritur brezash, jo në pyll me egërsirat por në civilizim, është prishur e nuk funksionon më. Që ai magneti shtetëror që orienton grimcat në një kah të tëra, në rresht, të tëra me sjellje të saktë njerëzore, është çmagnetizuar, fare pa ngarkesë, e grimcat sorrollaten andej këtej kuturu si t’u vijë mbarë.
Problemi është që gjithkujt i lind e drejta qe të cenoje kur cenohet, te vrase kur i vritet, te mos shqetesohet per asnje pasoje.  Nuk kanë asnjë mekanizëm frenues të asaj shkëndijës psikopate në tru për të marrë jetën e dikujt. Për të shkrepur këmbëzen ndaj dikujt. E cila bëhet fare e lehtë. Fjollë prekje.
Dhe ky gjest kriminal të arrijë deri aty sa të mund të qëllojë mbi turma njerëzish për të arritur targetin e vet. E kjo sjellje është krim ndaj njerëzimit, është genocid dhe antishqiptare, sepse e përsëris, ndodh vetëm në Shqipëri,  e të tërë në mund t’a realizojmë sot ose nesër në këtë amulli që po gëlon kudo. Të tërë  jemi të rrezikuar, e njëkohësisht armiq potencialë në çdo moment.
Në të vërtetë, për këdo që akoma nuk e ka kuptuar, jemi në luftë.  Ne jemi në një luftë civile të heshtur, të fshehtë, të ngadaltë njerivrasëse. Të tërë kundër të tërëve. Madje dhe shteti kundër, me organet e veta të ruajtjes së rendit.
Para dy ditësh më rrëfen një mik, që kishte telefonuar policinë për t’u ankuar për ca të droguar që shpoheshin në hyrjen e tij çdo darkë, dhe të nesërmen i shkon njeri nga ata djemtë e i thotë, - po ti o burrë pse na spiunove, ça ke me ne, ne s’bëjmë gjë. Kush i thotë këtij djali se kush informon policinë?
Jemi në luftë.  Dhe meqe flasim dhe per turizmin shqiptar, ndër të tjera, të shpallim platformën turistike të atraksionit të një vendi në lufte. “Far west i ringjallur!”.  Krenarë. Banderola kudo.
Ndaj,  jetojmë në një vend në luftë. Ta kuptojmë të terë e sa më pare. Madje më keq. Se në çdo luftë ka rregulla ku nuk vriten civilë ose të pafajshëm përgjithëesisht. Ndërsa këtu eshtë një formë e re lufte. E papare kund.
Armiku s’dihet. Jam unë, je ti, është gjithkush. Nuk ka asnjë lloj sigurie, që ti njeri i qetë aty në shtëpinë tënde ku mendon se je i paprekshëm, nuk të ndodh me e keqja e tëkeqijave që ke imagjinuar.  
Ndaj përgatitu për luftë e armatosu gjer në dhëmb.
Derisa të rikrijohemi si shtet i qytetëruar, e instiktet vrasëse të miat e të tuat të fashiten sërish në trurin e largët të krijesës së shpellave.

Botuar ne Gazeta MAPO
05.08.2013

http://mapo.al/2013/08/05/jemi-ne-lufte/


Friday, July 19, 2013

Unë jam një grabitës





Unë jam një grabitës. Në mes të ditës me diell apo natën, si t’i vijë. Unë s’kam lekë, s’kam bukë shpeshherë. Mbase dhe i lë nganjëherë lekët në bixhoz. Dhe marr maskën, marr armën time, dhe dal në kërkim të kismetit. Kam tërë të drejtën time të marr atë që nuk kam. Kush do më ndalojë? Kush do më gjejë mua me maskë në kokë? Megjithëse varet dhe nga koha. Ka kohë të mira e kohë të këqija. Unë për këtë jam mjeshtër në nuhatje.
Unë dal në rrugë me miqtë e mi. Mund t’ja dalim. Njerëzit kanë frikë kur shohin armën. Dhe rruga ku dalim ne është rrugë nacionale. Kush kalon këtej ka para. Nuk bën njeri rrugë të gjata pa para.
Une dhe djemtë jemi dhe shumë të nxehur. Ne s’kemi të ardhura. Sepse s’kemi punë.  Madje as që na shkon mendja të kërkojmë  punë. Është punë e vështirë të gjesh punë, pastaj të punosh? Pothuajse e pamundur. Sidoqoftë dhe kjo e jona punë është. Do njëfarë guximi të madh të dalësh me armë në dorë në rrugë nacionale. Është dhe me kanun, burri që është burrë, grabit me forcë.
Po dhe shumë filma kemi parë. E nëpër filma nuk ngjan dhe aq keq të grabisësh. Madje dhe shpëton paq.
Megjithëse, njëri nga miqtë e mi nuk ka parë filma fare. Ai është grabitës natyral. Është i pamëshirshëm fare. I buron nga brenda.
Dhe kur vijnë makinat i shohim nga vendi ku jemi fshehur, dhe u dalim para. Ata tremben dhe nuk ndalojnë. Shoferi shkel gazin e ikën. Po pse ikën, s’na ka frike neve ai? Si guxon? Është ai më i fortë se ne? dhe ç’bëjmë ne? Harrojmë edhe që kemi dalë për të grabitur, dhe na hipen gjaku në kokë, e ndërsa makinat ikin, ne u zbrazim tërë karikatorët, tërë plumbat pas shpine. Ti masakrojmë pse jo. Të mos guxojë kush të na ikë ashtu.
Ata po ikin me pushime mbase, ikin të bëjnë qejf. Ne nuk ikim dot me pushime se nuk kemi lekë. E rrimë aty në diell në pusi.  Ka dhe xhelozi në këtë mes. Ka dhe cmirë. Po. Ka dhe urrejtje ndaj njerëzve që punojnë e ikin të çlodhen.
Ndaj, u qëllojmë nga pas me tërë furinë, ti vdesim. Ata duhet të kishin shume lekë me vete.
kishte femijë në ato makina. Ne mbase i vramë. Ne mbase dhe nuk u treguam, as në kodin e grabitësve as ne kanun, burra të vërtetë. Qëlluam prapa kraheve, të masakronim dhe gra e fëmijë.
Dhe gjumin mund ta bëjmë të qetë edhe kur vrasim fëmijët, 6 dhe 9 vjec. Nuk e di si do ia bëj në fakt, të fle gjumë tërë jeten pas kam vrare fëmijë. Dhe gra. Por ata donin te iknin. Donin të ishin më të fortë se ne. Por ne jemi të këqinj. Shume të keqinj. Ne të vrasim. Sepse ne kemi uri, cmirë, zili, dhe aspak frikë.
Askush nuk do na kapë. Kemi maska. Dhe kohët janë të mira me sa duket.
Por kemi dhe një avantazh të madh. ky popull e meriton të grabitet dhe të dhunohet deri në vdekje. Sepse këta njerëz të popullit tonë, dalin në protesta, shkojnë në mitingje, për gjithçka, për të drejtat e tërë grupeve të interesit, për interesat e tërë grupeve e minoriteteve, për gjithçka që i therrasin te medhenjtë e kombit,  për fenë, mjekrën e për çdo gjë, përveçse për veten e tyre.
Sepse njerëzit e popullit tonë dalin të bindur e betohen për bindjet, partitë e liderët, po kurrë se  njerëz të tjerë si ata, të ngjashmit e tyre, grabiten e vriten në mes të rrugës apo dhe nëpër shtëpitë e tyre. Askush nuk do dalë të kërkojë drejtësi.
Sepse njerëzit e popullit tonë janë me gen skllaverie, mbase nga 500 vjet nën perandorinë osmane, kush e di, s’do bëjmë analiza tani, por ata shohin vetëm vertikalisht, me sytë nga zoti e nga lideri. Ndaj liderit rebelohen, atë adhurojnë, një marrdhënie sado- mazokiste urrjejtje dashurie. Dhe asnjeri nuk mendon në menyrë horizontale, të protestojë për atë që ka në krah, për të ngjashmin e vet të dhunuar. Sepse as që i bie në mend që nesër do jetë ai vetë i dhunuar e i vrarë.
Është shumë e ulët të mendosh për të ngjashmin si ty, të merresh me të ngjashmin si ty. Të protestosh që fqinji yt grabitet e vritet. Ama për drejtuesit e lartë, të merresh me ta sigurisht është mendim e privilegj i madh.
Ndaj unë jam grabitës i ndershëm i këtij popullit tim. Do shpëtoj gjithmonë. Do grabis sërish, Nesër pikërisht ty. Sepse është koha, është vendi, dhe je ti, njeriu im i përkulur e i gatshëm të pësosh. Shihemi shpejt.


 'Gazeta MAPO'
19.07.2013
 

Tuesday, July 9, 2013

Biografia e popullit tonë në poster ( Botuar ne gazeta Shqip, 23, 06.2013 )





Kandidatët për deputetë në kuvendin e Shqipërisë janë ata persona që do përbëjnë nesër aparatin legjistlativ të shtetit Shqipëtar.  Ata që do kujdesen nesër, në Legjistlaturën e tyre për Ligjet. Krijimin e hapësirave, fushave ligjore, sheshimin e kleçkave e maloreve ligjore për ta bërë njerëzinë e këtij vendi sa më komode të jetojë brenda kufijve të shqiptarisë.
Dhe në 2013, unë shëtis nëpër qytetin tim, dhe ngado rrotullohem shoh fytyrat e këtyre njerëzve kandidatë. Kudo. Rradhë të tëra fotosh, duke buzëqeshur apo jo, seriozë, duke treguar autoritet apo karizëm vizuale. Krenarë. Një stërmundim epik fotoshopi, djem e burra e gra e vajza që shfaqen nëpër mure.
Nëper mure pallatesh, në muret e bashkisë, galerisë së arteve, nëpër cepa, fytyra fytyra fytyra.
Dhe vjen drama e thellohet. Simbole me spray, nëpër mure sërish, nëpër trotuare, deri dhe në asfaltin e rrugës.
Nuk arrij të kuptoj dot se si pas tërë atyre fushatave, pas një evolucioni të supozuar, pas ngritjes së nivelit të argumentimit sot në truallin e vendit tonë, të shpërthejnë si kërpudhat teoritë e posterave dhe logove spray.
Nuk mund të kuptohet si këta njerëz, përfshirë këtu miq të mitë personalë që i shoh majë mureve duke buzëqeshur, marrin guximin të krijojnë këtë dhunë vizuale për qytetarin, duke e mësyrë egër, duke e persekutuar ngado që kthehet e rotullohet, me postera. Me parrulla klishe që të nxisin brenda një reagim të menjëhershëm kundërshtie.
Në sforcimin ekonomik që po kalon vendi, një fushatë e kujtdo subjekti politik në kohët e sotme, teorikisht duhet të ishte e izoluar, ndoshta me një pakt ndërmjet tërë grupeve politike, në takime me njerëzit, dhe me debate televizive e reklama elektorale nëpër billboard e hapësirat e përcaktuara për këtë punë.
Kush është i interesuar, dhe në këtë formë interesi padyshim rritet për të dëgjuar, hap televizorin, apo shkon në takimet përkatëse. Një fushatë e përkorë duhej, modeste, serioze.
Të tregonte vërtet që këto subjekte që pretendojnë ndryshim ose çfarëdo propozimi tjetër që pritet të përmirësojë cilësinë e jetës së këtij vendi, kuptojnë dhe respektojnë gjëndjen e këtij populli të sfilitur, dhe nuk abuzojnë.
Jo! Askush nuk u soll kështu. Plasën mitingjet, euforia. Organizime me dhjetra mijë njerëz nëpër sheshe, një luks i rrallë për një vend të kapitur.
Dhe sikur të mos mjaftonte ky vrull euforik shkëlqyes, sikur të mos mjaftonte rrëmuja elektorale si të ishim një vend i fshehur thellë në mes të xhunglës Amazonike ku drejtuesit rrahin gjokset duke bërtitur kush më shumë, sikur mos të stërmundonte kjo mendjet e veshët e sytë e njerëzve çdo ditë për dy muaj, vijne në fund dhe POSTERËT.
Djemtë e mirë, burrat e zot, gratë heroina të posterave. Tregëtarët që fërkojnë duart për vinovilin e letrën adezive akoma në 2013, dhe këta njerëz që e theksoj, guxojnë të dhunojnë psikologjinë tonë, hapësirat publike, e muret private me fytyrat e tyre pretenduese.
Kush do ti heqë pas fushate këto figura? Kush do kruajë vinovilin? Kush do lyejë muret e qyteteve? A e dinë këta legjistlatorë të supozuar që kjo quhet dëmtim i pronës së përbashkët qytetëse apo fshatëse? A ka ligj për këta ligjshkrues që të denojë dëmtimin e hapësirave publike? A e njohin ata këtë ligj?
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Pjesa e parë, Parime themelore, Neni 11- pika 2. “Prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj.”
Këtu shkelet kushtetuta me spray e penel ngjites ne dore e askush nuk çan kokë.
Dhe po këta njerëz nesër pretendojnë të jenë korrektë e krijues, kur s’dinë të kujdesen as për atë që është krijuar tashmë? Këta që s’kanë sensin e ruajtjes së qytetarisë?
Mbyllja mbetet një pyetje pa përgjigje të saktë. A është biografia jonë sociale e kënduar kësisoj, akoma  sot, me fotofyell?