FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Sunday, May 6, 2018

SFERA SHQIPE 7 - Dëshmorët dhe shqiptarët





Në rrjedhën e ngjarjeve të pas diktaturës, fryma që mbuloi mendjet dhe sytë e çdo shqiptari ishte ajo e revanshizmit. Urrejtja për diktaturen nuk mori kurrë një formë të caktuar të qartë e të pastër, nuk u kurkuan kurrë të vërtetat, nuk u vërtetuan personazhet, nuk u gjykua mbi ngjarjet. Nuk u pyet kurrë pse ne shqiptarët lejuam dhe duruam dyzetepesë vite dhunë diktatoriale në shpinë. Por, në vend të përballjes me veten dhe historinë, u la i lirë pasioni psikoemocional të shpërthente ndaj gjithçkaje që kishim krijuar e qe kishte ekzistuar para dhe gjatë dyzetepesë viteve para ‘’90.
Kështu, turma të tëra psiqiko emocionale,thyen xhamat, thyen pemët, thyen përkujtimoret historike, u morën vendime politike për të "thyer tokat, dhe pronat shtetërore në shumë copa të përfitueshme'.
thyerja si shfryrje zhvlerësoi thyerjen simbolike të bustit të diktatorit.
U thye dhe shkaterrua kësisoj, dëshira për të dëgjuar dhe gjykuar çka ndodhur në këto dyzetepesë vjet, e si pasojë u urrye me shumë passion, mbi të gjitha, vetë shqiptari dhe Shqiperia. 

Në vazhdën e kësaj çmendurie kolektive, u sulmua, tall, zhvlerësua, injorua, dhe lufta nacional-çlirimtare, dhe vetë dëshmorët, duke arritur dhe të bëhej humor me dëshmorët dhe me luftën, duke u sugjeruar që luftë s’ka pasur, e që e tërë historia është një farsë. Sikur lufta të ishte kapital i diktatorit Hoxha dhe klaneve komuniste, jo e një populli të tërë.
Ne jemi një popull që tallet me dëshmorët e tij. 
Sot që po flasim e shkruajmë, asnjë njeri i vetëm nga ne, nuk e çon në mend të ngrihet të luftojë për vendin në rast lufte. Të tërë madje, e kanë mendjen si të arratisen nga vendi i tyre. 
Por, para shtatëdhjetë vjetësh, njerëz, të rinj e të reja, shqiptare, u çuan dhe dolën në luftë kundër pushtuesit. Partizanë a ballistë qofshin. Dolën në luftë realisht me opinga, e me barkun tharë. Me kulaçe e dhallë. Vetëm në familjen time të madhe kanë luftuar shtatë paraardhes, kanë vdekur tre, dhe jane plagosur dy të tjerë, thënë kjo për ilustrim historic konkret. Të tillë ka çdo familje thuajse. 
Sa frymë e poshtër dhe e ndyrë i është injektuar këtij kombi që tallet e injoron e përbuz të vdekurit e tij? 
A ka pasur thika pas shpine? A ka pasur luftë civile? A ka pasur tradhëtira dhe poshtërsira? A ka pasur brenda ushtrisë së organizuar shitblerje dhe tradhëti? A ishte konferenca e Mukjes një simbol i përçarjes së shqiptareve me veten e tyre saktë si shqiponja me dy krena? Një symbol I tradhëtisë kombetare? Sigurisht që të tëra jane, nën pluhurin e historisë, të vërteta.
Por, po aq të vërteta janë jetët që janë dhënë për këtë vend, dhe plumbat që janë marrë dhe shtënë për këtë vend. 

Ata dëshmorët, lufta, nuk është ajo që kemi parë e dëgjuar nëpër skeçe humori. As ajo që kemi parë nëpër filmat e propagandës. Por është ai momenti i veçantë, mistik, kur një njeri merrte vendimin ti bashkohej luftës për atdhe.  
Lufta nacional-çlirimtare ishte e vërtetë, pavarësisht ç’mund të thonë sot mendjet surrogate të dijes se rreme nga pozicionet e tyre të jetës komode të shekullit tonë.
Lufta ishte e vërtetë, dhe ishte ajo që mund të dëgjohet ende sot nga goja dhe kujtimet e ndonjë veterani të mbetur gjallë e me mendje të kthjellët. 

Ndaj, rruga drejt një Shqipërie më të mirë, kalon detyrimisht nga guri i themelit, gjaku i atyre të vdekurve, shumë prej tyre gati fëmije, që dolën në luftë, pa pretendimin absurd e megaloman që të fitonin mbi Gjermaninë naziste, siç ca shqiptarë pasardhes të dhjamosur mendojnë e ironizojnë sot, por dolën në luftë si kamikazë, për të mbrojtur vendin e tyre. Dhe dhanë jetën për të. 
Sa më shpejt të kthjellohemi nga perdet e vetëmohimit dhe vetëpërbuzjes që na i kanë futur në kokë në shplarjen e truve tërë këto vite të pas ’90, aq më karakter tregojmë, e aq më pak kompromise do lejojmë që të bëhen në shpinën e vendit tonë të bukur, të mirë, e të mjerë
.