FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Tuesday, November 8, 2011

LUX !!! - 840 Fjale Lexuesit!

Dua të them pak gjera mbi LUX, dhe sportin e krijmtarisë letrare të mirëfilltë. Drita është magjia bazë që bën të shohim e perceptojmë jetën, si pasojë ta jetojmë. Dhe vetë egzistenca e saj si konstante universale është magjike. Dhe dualiteti i saj si grimcë dhe valë është magji që ngacmon mendjen për dualitetin e krijimit. Foton - kuant, mirë - keq, burrë - grua, yin - yang e sa të duash pjesë simetrike të së tërës. Drita është simboli i ekuilibrit. Drita është elementi bazë i shkrimit tim, në çdo pjesë të këtij libri gjendet ajo, e fshehur ose e dukshme. ‘LUX’ është përmbledhje krijimesh të shkruara në një goxha shtrirje kohe. Libri ndërtohet nga 15 proza i quaj unë, edhe pse për arsye korrektësie letrare, në kopertinë më është dashur ti etiketoj tregime. Zakonisht shkrimet e mia i përfshij në tre etiketa. KAPRICIO URBANE, TEHA RESH, dhe FUTURA. Këto 15 proza janë marrë nga të tre etiketat e mia, por radhitja e tyre bën një rrugë nga gotikja, në realen, postrealen dhe metafiziken. ‘Gjyqi i hijeve’ është metaforë gotike e procesit të krijimit të paktën letrar, të paktën timit. Dritësjellësi, që është dhe burimi i pandërgjegjshëm i titullit të librit është trajtimi i mitit të Luçiferit, engjëllit të rënë në një këndvështrim kompleks tejEdipian të dritës dhe “pushtetit të brezit të ri”, shkruar duke pirë konjak një natë dimri deri në një mëngjes dimri. “Pushtimi i parajses” rri mirë e bukur në këmbë pa pasur baza morale por veç nevojën për adhurim e frymëzim emotiv ndaj bëmave të skajshme të trimërisë. “Biblioteka” është pastërtisht etje për jetë, dhe çapitje mbi librat. “Mr. PushShteti...” është ashtu dhe loja e fjalëve në titull, një lojë komplekse letërsie e prodhuar nga dy ngjarje deri diku të vërteta, që më kanë tronditur mua, mbase më pak nga shumë të tjerë. “Moonlight drive” është poemë e egër e një mënyre të të dashurit, e shijes së dheut dhe puthjeve. “Dëshirë e fundit?” Mbetet në pyetje, një formë ndjenje që tejkalon jetën, një formë pasioni që thyen kurrizin e ftohtë të vdekjes. “Dita e tetë” është soditje nga cepi më distal i universit tonë, ulur këmbëkryq me një gotë verë tëkuqe në dorë, duke ndjerë një rrymë elektrike të qarkullojë nëpër neurone e shkaktuar frikë për të nesërmen, deri ne poezinë e fundit që do na shpëtojë. Është pjesë libri që UNI kolektiv e percepton ndërkohë, por nuk m’u prit që ta trajtoja në libër të veçantë dhe e zippova në një prozë për shijen fataliste - ose jo? – të së ardhmes. “Germat fluturake...” është kapriço futuriste që më ka argëtuar shumë duke qeshur gjatë shkrimit, aq sa kam pyetur veten në i ndodh ndonjë shkrimtari tjetër kjo gjë apo ka problem në këtë mes. “Rasti i komplikuar” është një kokolepsje që flirton botë të pamundura me njëra tjetrën, dhe më ka mësuar gjatë shkrimit që morali është ajo ç’ka koha na ofron për ta q...rë. “Peisazhe të reja dhe telajo pa fund” është përjetim metafizik i cili më ka rrëfyer si të pikturoj e ristrukturoj qenien time deri ne shkrirje të plotë me Universin, kur të kthej majat nga thembrat. Shkruar duke dëgjuar pafundësisht “I am the walrus”, të Beatles, interpretuar nga Bono Vox. “Pasqyrat” është pasqyrimi i pafund i tërë asaj ç’ka mund ta quajmë shpirt i dy personave. Sërish dritë, sërish dy në një. Është vetë dashuria. “Vallëzues, klube, fëmijë dhe kafshë” është elegji e përjetshme rrjedhëse dhe vrasëse e syve dhe muskulit të zemrës. “Biorisia” ashtu si “Dita e tetë” është pjesë libri që mbetet për tu mbaruar. Ka gjendje të caktuara fiziko shpirtërore që bujarisht dhurojnë përjetime absolute të rralla në njerëzi. Është çeshtje sekondash, më saktë koha s’ka të bëjë fare, por sheh veten të tretur dhe gjithçka është gjithçka. Pas kërkimesh kam arritur në konkluzionin që një formë të ngjashme njohin dhe budistët, e quhet Satori, pastrimi para Nirvanas. Kjo gjendje quhet (term i krijuar padyshim nga unë) BIORISIA. Risi - bios’i, ose një Rise (angl.) bios’i. “Re puplore” është shpirti i TEHA RESH. Është poezi e një mënyrë të jetuari, dhe filozofie. Është një kurorë që jo çdokush, as unë vetë që e kam peshkuar konceptin aty qark qiellit, nuk mundem gjithmonë ta mbaj mbi kokë. Të shkruash letërsi, ndryshe nga ç’mendon shumëkush është sport. Një sport që përcakton raportet me veten dhe botën. Zhvillon qenien tënde anatomike dhe shpirtërore, dhe nxit, argëton, frymëzon, zhvillon dhe ata që goditen nga drita e leximit të duhur, ose të leximit te i cili pasqyrohen (ja ku dolën prapë Pasqyrat) Larg trapllëqeve të përditshmërisë me pluhur, bukë, djersë, sapun e thashetheme, që sot janë ndërsa nesër s’kanë qenë kurrë, kam krijuar duke u sportisur në letërsi që në moshën 6 vjeçare, dhe ndaj me njerëzit që rezonojmë, (e rezonanca s’është me të tërë)këto proza kuantesh dhe jete. Takohemi nëpër rreshta e shkronja. Le të shkrijmë një ëndërr drite të tërën mes miqsh, e ta kthejmë fjalë pas fjale, hap pas hapi, mendim pas mendimi në realitet!