FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Monday, June 28, 2021

RockRrëmujë 14 - Fast food mediatik, dhe dy zonjat që i bënë lak vdekjes

 





Në një studio televizive, në më të famshmen studio televizive në Shqipëri, drejtuesi kishte mbledhur 8 të ftuar nga bota e letrave, midis te cilëve dy miq të mitë, për të folur për letërsinë bashkëkohore shqipe, apo për letërsinë, apo për sugjerime për letërsinë, këtë s’e kuptova dot, por me çfarë kuptohej, tradita e egër e emisioneve të plazhit po afron, e këta njerëz të letrave a të gazetarisë, duhej të sugjeronin letërsi të mirë që lexuesit shqiptarë në prag pushimesh të shfletojnë nga një zhytje në tjetrën e nga një foto në tjetrën. Dhe ç’ngjau? U përmend Kadare, të paktën dy-tre herë nga shumica e tyre, pastaj u bënë ca qoka, sigurisht duke bindur veten që nuk po bëhen qoka, pastaj u thanë ca preferenca letrare, pastaj ca sugjerime qe shkonin nga Shekspiri te Ariosto, nga Balzaku te Gëte, nga Homeri te Gjergj Elez Alia, nga Meshari te Komedia Hyjnore.

Sigurisht unë e ekzagjeroj pak, por vobektësia e titujve, mosnjohja e panoramës letrare të re shqiptare, errësira dhe lodhja nga letërsia ku e orientojnë të tillë programe lexuesin, sigurisht do ta shqyejnë në insta’stories dhe facebook likes, që janë shumë më të thjeshta e demokratike se sugjerimet e librave në këto lloj formatesh.
Kështu, zbulohet një problem vërtet shumë serioz, për të cilin kisha kohë që doja të shkruaja diçka. Televizionet shqiptare. Dhe radiot shqiptare. Të dyja janë katastrofë, në programim dhe tema. Nuk flas në cilësinë e ekspertit të komunikimit as të televizionit, por nuk duhet të jesh profesor në gazetari që të kuptosh dy mundësitë e të bërit televizion ose radio. E para, është t’i shkosh pas shikuesit, dëgjuesit, pra klientit tënd.
Në profesionin tim si dentist, kjo përkthehet në dhëmbë të bardhë, njëtrajtësi buzëqeshjeje për tërë pacientët, humbje identiteti, buzëqeshje të pre-fabrikuara, dhe para të sigurta në një sugjestion kolektiv. Është diçka pak a shumë si bërja e buzëve, mollëzave e çdo lloj ndërhyrje tjetër në këtë kulturën pop të sëmurë prej duck face, ku tërë vajzat duken njëlloj.
Dhe televizioni dhe radio që ndjekin kërkesat e dëgjuesve dhe shikuesve, që duan të tërheqin sa më shumë shikues, duke iu ofruar ushqimin e shpejtë e të pre-fabrikuar, krijojnë kështu debilitet të ndërsjelltë, ndjekës të debilizuar, që shohin me endje dhe eksitim, fjala vjen, njerëz gomerë që zihen me rripa në studio televizive, apo modele suksesi të çunave dhe gocave që janë gati të shesin brekët për famë dhe dy lekë, apo ato modele suksesi që babi e mami u kanë siguruar gjithçka e këta mund të shëtisin me lagen me shampanjë e nganjëherë shqypin njerëz. Por ok, se shkrimi im nuk eshtë didaktik, secili e jeton jetën si mundet në mendje të tij, për aq mendje sa ka. Ama, ky tip televizion-radio që i shkon pas shikues-dëgjuesit të tij, këtë produkt të vobektë do prodhojë.
Mundësia e dytë e të bërit televizion dhe radio, është ajo e origjinalitetit dhe e standarteve të larta. Që dentisti mos të të rrafshojë dhëmbët e tu origjinalë për të t’i berë të bardhë e fallco, që të fitojë dy lekë më shumë. Që estetisti, kur nuk është e nevojshme apo kur je në moshë të re, mos të pranojë të të bejë si fytyrë të pre-fabrikuar hiret e tua natyrale. Televizioni dhe radio e modelit të dytë, janë ata që përcaktojnë atë që shikuesi e dëgjuesi duhet të marrë. Ngrenë audiencën e tyre, rrisin nivelin, mësojnë gjëra të reja, investojnë në mprehtësi dhe kulturë. Unë personalisht, televizion nuk shoh, por radio dëgjoj – thuajse vetëm disa radio të zgjedhura italiane. Dhe vazhdimisht habitem me kulturën, seriozitetin, ndjeshmërinë ndaj ngjarjeve sociale të nxehta italiane e botërore që kanë drejtuesit aty. Habitem vazhdimisht me moshën e tyre, me të trajtuarit e radios me seriozitet, profesionit të tyre prej drejtuesi radioje me rëndësinë që këtu te ne ende nuk njihet, ndoshta që pas bumit dhe ikjes së Tanit të Topit.
Habitem me muzikën, informacionet kulturore që nuk kanë asnjë lidhje me prapanicat e Kardashianeve, por me muzikë të mirë e kulturë të shëndetshme. Ndërsa në radiot shqiptare dëgjon të zgërdhira kakofonike e biseda si në kafe të një klase të tërë gjimnazistësh të rrëmujshëm, në radio greke dëgjon të transmetojë nga Dua Lipa te David Bowie, e të flasin në diapazone nga Audrey Hepburn te Jacques Lacan.
Këto janë dy mundësitë e të bërit radio, televizion, por edhe muzikë, dokumentarë, edhe letërsi madje.
Kështu, mund të bësh letërsi me porosi, që të lexojnë dynjaja sot e të harrohesh sapo kalon një vajzë e bukur me bikini aty pranë, Por, mund të bësh letërsi e t’i bësh lak vdekjes, shumë kohë pasi ty të ka ikur koha e të kanë mbirë pemët sipër.
Meqë ky shkrim nisi nga sugjerimet për letërsinë, do ta shfrytëzoj për të sjellë në vëmendjen e lexuesit dy zonja. Dy zonja të vdekura. Por që vazhdojnë, sot e tërë ditën, të trondisin.
Marguerite Duras dhe Agota Kristof.
Para ca kohe, një mike e imja më pyet me insinuim: “Ajo Agota Kristof, e lexova, nuk m’u duk ndonjë gjë.” Unë e kisha dëgjuar vetëm si emër, e përgjigjia ime ishte epike injorante: “Një shkrimtare që quhet si varianti lindor i Agata Christie nuk mund të thotë diçka të rëndësishme”. E kështu, deri ditën që miku im poet, Julian Zhara, ndërsa i rrëfeja për romanin që po shkruaj dhe stilin që po përdor, më shpreh se duhet te lexoja me çdo kusht “Trilogjia e Binjakëve”. Dhe se ky ishte një libër që mund të të ndryshonte konceptin mbi letërsinë. Duke parë kulturën letrare e argumentimin e Julianit, e mora seriozisht këtë vëmendje, dhe u vura të peshkoja Kristof. Dhe vërtet, që në faqet e para kuptova opusin madhështor në të cilin kisha rënë. “Trilogjia e Binjakëve” është një libër për vdekjen, për jetën, për skutat dhe errrësirën dhe dritën e njeriut, i vendosur i tëri në Luftën e Dytë Botërore dhe pasluftën komuniste në Hungari. Por as lufta, as vendi, nuk kanë ndonjë rëndësi në rrëfim. Personazhet dhe veprimet e tyre, kanë. Ajo që është vërtetë e veçantë, është stili i saj, duke qënë se Kristof zgjedh të shkruajë në frëngjisht, gjuhë jo e saja, kemi një rezultat sintetik, magjik, të ngjeshur e të egër, që hap diskutime mbi funksionin e gjuhës në letërsi.
E dyta, ose e para, Marguerite Duras, “Dhjetë e gjysmë e mbrëmjes në verë”. Me vdekje dhe dashuri, me seks dhe tradhëti, me pije dhe dehje, dhe arrati, është një Long Island, a një Papa Doble që të bie në kokë e të trullos me frymën prej alkooli e bimësh të thara e cigareje e guximi të Duras. Duras është një shkrimtare poetike e rrallë me stil të vagullt, të mjegullt, me teknikë shumë moderne të përroit të ndërgjegjes përzier me shkurtësinë e spontanitetin dhe peizazhet e Hemingway. Do ta kishin zili dhe ai vetë dhe Joyce narracionin e saj. Dhe ky rrëfim është nga ata trazuesit, që mund të lexohet edhe në breg të detit, edhe me  rrobat e detit të lagura, po kurrë nuk mund ta shpëlash nga mendja ndjesinë që ky libër të jep. Duras luan fort me ndjesitë tona, ato më njerëzoret, më të zakonshmet, e më rikujtoi edhe një herë që letërsia nuk është krijesë empirike, por një egërsirë e rrezikshme dhe e ëmbël që rri qetë dhe gati, aty, te këmbët e tua.
Kështu, kaq mund të bëj për ju, Duras e Kristof.

Monday, June 21, 2021

RockRrëmujë 13 - Vlera e jetës




                                                   




1.


Po e ndaj këtë shkrim në dy pjesë. Rrugës së mendimit mbi vlerën e jetës, po përdor RockRrëmujë për të tërhequr vëmendjen mbi kancerin.
Brenda pak më shumë se një viti, dy femra, mike, njerëz të afërt për mua, humbën betejën dhe jetën. Eni dhe Lona, të dyja në moshë shumë të re. Të dyja personalitete shkëlqyese, të forta, plot shpirt, humor dhe dashuri për jetën. Të dyja jetuan fort dhe luftuan deri në fund. Jeta ishte pulsuese dhe dëshiruese brenda tyre. Por vjen një moment dhe kjo makineri që kemi në shërbim fizik, dështon. Dhe njeriu vdes. Të gjithë do vdesim. Jeta njerëzore është shumë e shkurtër, kur e mendon. Por nganjeherë shkurtohet edhe më. Ndaj, ato që mund të bëjmë janë dy gjëra:

E para, kanceri vret. Të kujtohemi se duhen bërë kontrollet rutinë, e duhet me qenë në vëmendje të plotë, sepse vetëm të kapurit në kohë të sëmundjes, të vë në avantazh ndaj saj.
Dhe e dyta, kur njeriu vdes, trupi udhëton në Nënbotë dhe shfaqet para Osirisit. Ai vendos zemrën në peshore, e në krah tjetër, për gur peshe, ka një pupël. Kur zemra jote peshon më lehtë se pupla, ti je i denjë të vdesësh e të kalosh portën për në botën e përtejme.
Vlera e jetës, e shkurtër apo e gjatë, është të jetosh bukur, fort, vetëdijshëm që gjithë sa kemi këtu është vetëm jeta, asgjë më shumë.

2.
Duke biseduar me miq nga Kosova e Maqedonia, në fjalë e sipër, dikush tregon për Mimozën, njërën nga miket e pranishme, që në moshën 16 vjeçe kishte qenë jo vetëm në luftë për çlirimin e Kosovës, por dhe ishte plagosur në një aksion. Dhe ishte e vetmja e grupit të saj, e mbijetuar.
Kjo gjë më shokoi, dhe për herë të parë pata një vizion të qartë mbi Shqipërinë e Shqiptarinë.
Kisha përballë njerëz që kishin qenë në luftë për një qëllim. Për të çliruar vendin. Kishin marrë armët, ishin përballur me vdekjen, në moshë të njomë; vajza kishte qenë vetëm 16 vjeçe në luftë. Për të fituar lirinë. Të vesh jetën në shërbim të një ideje të pastër.
Ç’ mbaj mend unë, një moshatar prej Shqipërie, i atyre të mbijetuarëve të luftës çlirimtare të Kosovës për të njëjtën kohë, pak a shumë? Luftë. Luftë në ’91. Luftë në ’97. Luftë në ’98.
Luftë, ku s’dihej armiku. Ku s’kishte armiq. Në fakt, të tërë ishim armiq. Ku duhet të ruheshe të dilje nga cepat e rrugës. Ku s’duhej të kaloje afër tabelave që merreshin shenjestër. Ku si tërë fëmijët, në vend të grindeshim me grushta, një sherr banal mund të ishte me pistoletë, por dhe me bomba.
Nuk ka asgjë të ekzagjeruar në këto ngjarje, madje shumë prej jush e dinë që ka shumë më shumë, shumë më keq.

Ashtu si vajza luftëtare, dhe unë kam rrezikuar jetën në ’98. Ndërsa rrija mbi një tarracë pallati ngjitur me portin, në Durrës. Sheshi i trageteve ishte mbushur plot me njerëz, familje me fëmijë që donin të hipnin në një peshkarexhë e të niseshin drejt Italisë. Një moment, ndërsa njerëzit vazhdonin dyndeshin, anija mbushet aq plot, sa njeri nga organizatorët, ngjitet mbi kabinë e qëllon me automatik sipër kokave të njerëzve që t’i trembë. Atë sekondë, nga lëvizja e dorës së tij në ajër, një plumb pa adresë fluturon anash kokës sime. Dhe jeta më shpëton për një rastësi banale të lëvizjes së dorës së rambos sipër peshkarexhës. D.m.th., jeta ime ishte fryt i rastësisë.

Vitet ’91, ’97, e ‘98 kanë dhjetra analiza, e s’dua të flas për ngjarjet në këtë shkrim. Ajo që më intereson vërtet, është diferenca mes dy ngjarjeve. E jetës së Mozës, që plagoset e rrezikon jetën me qëllim e vullnet për të arritur lirinë. E jetës së atyre afro 80 shqiptarëve që iu bashkuan UÇK-së e ranë dëshmorë. Dhe ngjarjes sime, apo qindra shqiptarëve që kanë rrezikuar jetën… Kot. Me një armë në dorë, duke luajtur luftash ‘prej vërteti’, të gjithë kundër të gjithëve.
Kjo ka regjistruar në ADN tonë cerebrale që përgjigjet për kujtesën, pavlerësinë e jetës. Humbjen e saj kot më kot.

Dhe, kur jeta nuk ka vlerë, ç’ vlera të tjera mund të ketë? Si mund të ketë ideale? Si njerezit mund të synojnë drejt organizimit social dhe drejtësisë? Në një vend ku jeta është regjistruar në kujtesë se nuk ka vlerë, përse duhet drejtësia?
Ndryshe nga ne, shqiptarët e Kosovës e njohin mirë vlerën e jetës. E njohin vdekjen po aq mirë. Çdo fis ka dëshmorë. Dhe këto jetë të humbura, nuk shkuan dëm, por në shërbim të idesë së madhe. E kjo gjë, ka regjistruar në ADN e trurit të shqipos së Kosovës idenë e disiplinës, hierarkisë dhe idealit. Idenë e Atdheut. Shkurt, sakrificat e qëllimshme të jetës i kanë bërë njerëz më seriozë e asfare cinikë, si thuajse tërë shqipot e Shqipërisë. Nuk tallen me vlerat, me idetë, mbi të gjitha, nuk tallen me veten. E kjo fisnikëri i rri përballë çmendurisë shqiptare të luftrave donkishoteske e  njerivrasëse.

Ja pse, edhe lëvizjet patriotike në Dardani janë më të vërteta. Ja pse, aty ka besim midis njerëzve. Ja pse, atje lart njerëzit nuk janë cinikë, tallës, dyshues, përbuzës, të nevrikosur, të çmendur, kuturu, të shpërqëndruar, si më së shpeshti këtu poshtë. Jo se ka njerëz më të mirë apo më të këqinj. Por ka njerëz që kapitalin e jetës e kanë vendosur te shtëpia dhe atdheu, e ka njerëz që e kanë shpenzuar si mallin më të lirë e të pavlerë.
Ç’ mund të sjellë vlera e jetës, fisnikëri apo nihilizëm?

Monday, June 14, 2021

RockRrëmujë 12 - Tre variacione mbi Këmbanën që bie, ose nuk bie




Ishte viti 1940, kur u botua “Për kë bie Këmbana”. Hemingway e shkroi librin në Kubë dhe e përfundoi në New York, nga një hotel në tjetrin, të cilët ‘by default’ i bëri të famshëm. Libri ishte një sukses amerikan, pastaj botëror, duke e interpretuar të gjallë luftën e Spanjës që ishte një paradhomë e Luftës së Dytë Botërore. Në libër flitet per Jordan, që do minonte një urë midis Madrid dhe Segovias, për të penguar ofensivën e trupave Frankiste. Jordan dhe Maria. Dashurohen. Dëshira për jetë, në mes të rrezikut, luftës, pluhurit, bombave, frikës së vdekjes.


Dashuria përballë idealit. Idealit për liri. Për të bërë atë që duhet për të mirën e përgjithshme, për të mirën e të tjerëve. “Për kë bie Këmbana” është sintezë e tërë mendimeve, idealeve, filozofisë së jetës së Hemingway-t. Rrezik, dashuri, seks, miqësi pa kushte, cameraderia, fjalë që erdhi pikërisht nga lufta e Spanjës. Nga Lufta ku, dashuria, ludusi i jetës, ashtu si Jordan dhe Maria, përballen me vdekjen dhe fitojnë. “Unë jam gjithmonë me ty, – i thotë Jordan Marias ndërsa ndahen, – do jem me ty kudo, do jetoj me ty”. Kjo është të kapërcesh vdekjen. Të ndash vdekjen me tërë njerëzimin, duke e pësuar të tërë, nga pak për një, e një për të tërë. Në këtë kuptim, poeti John Donne shkroi frazat e famshme poetike të cilat Hemingway i përdori për të shkëputur titullin – kurrë mos pyet për kë bie këmbana, ajo bie për të tërë, për këdo, bie njësoj edhe për ty. Duke sugjeruar kështu, se Spanja ishte tërë bota. Një kryevepër në të gjitha këndet ky libër i Hemingway-t, një libër koncept.

Pas 44 vjetësh nga romani, duke ndjekur fillin amerikan të krijimit, duke krijuar një histori me pak fjalë, Metallica, më 1984 nxjerrin albumin e tyre “Ride the Lightening” dhe single-n e parë, “For whom the bell tolls”. Një nga sukseset më të mëdha të Metallica, duke e çuar grupin e metal në lartësitë më të mëdha muzikore. Kënga është kompozuar, të paktën pjesa e parë e saj, nga Cliff Burton, basisti i ndjerë, themeluesi i Metallica.

Në këtë krijim të dytë të Për kë bie Këmbana, nocionet ndryshojnë. Jemi në vitet ’80, muzika merr gjithë energjinë kolektive, sidomos muzika rock gëlon në gjakun e tërë njerëzisë, muzikantët janë heronj, shkrimtarët janë heronjtë e muzikantëve, të rinjtë ende nuk janë infektuar nga kostumet, aksionet e bursës, etja për para nuk ishte ende shtylla kurrizore e shoqërisë, fryma dioniziake e ludusit, jetës, ishte totalisht e shprehur përmes arteve, muzikës, nuk ishim ende larg nga Woodstock, nuk ishim ende larg nga gjenitë artistikë të viteve ‘40 e ‘50 në artet figurative. E këtë frymë plot jetë, vite dritë larg vdekjes, dhunës, humbjes së jetës, qoftë dhe nëpër llogore apo duke dashur të marrësh kodrën, këtë frymë kundër vdekjes, e ngërthen pikërisht kjo këngë e Metallica, që edhe pse i referohet një libri që mitizon heronjtë dhe vdekjen, është diametralisht kundër vdekjes dhe thellësisht e përulur ndaj jetës dhe vlerës së saj absolute për çdo njeri. Metallica krijuan përmes një kënge për vdekjen, një himn për jetën.  Për kë bie këmbana? Koha marshon përpara. Kjo lloj këmbane sui generis të shkakton të rrënqethura, … koha, marshon, përpara, vetëm përpara. Je në një karvan, mos ndalo, merr frymë, shijo, sepse nga një moment në tjetrin, këmbana do bjerë për ty. Ankthi i pastër i vdekjes, i kthyer në motor jete.

Dhe në vazhdën e rrëfimit, erdha te një ngjarje e vërtetë. Ndodhur para disa vjetësh.  Durrës (por mund të ishte dhe Velipojë, dje, kur një burrë turist u mbyt në det). Gusht. Ditë e hënë. Plazh. Vapë.

Diku nga mesdita ndodh një alarm. Dikush në det ka humbur ndjenjat. Disa djem e nxjerrin në breg. E shtrijnë në rërë.

Njerëz kureshtarë mblidhen rreth e rrotull. E shohin. Ikin. Vijnë të tjerë. E shohin. Ikin. Roje plazhi nuk ka (as në Velipojë).

Pas disa minutash vjen policia. E shohin. E prekin. Burri vazhdon të rrijë plandosur në breg. Ç’të bëjë? Nuk ka zgjidhje. Një njeri me ndjenja të humbura nuk çohet dot t’i dalë zot vetes. Pret nga të tjerët. Nga njerëzit.
Njerëzit – policë lajmërojnë në radio. Japin e marrin.

Njeriu në tokë, ndërkohë është bërë blu në fytyrë. Policët vijnë vërdallë aty rrotull tij.

Disa persona, marrin trupin e njeriut pa ndjenja dhe e vendosin në çimenton e verandës së një lokali aty. Lokali është plot. Njerëz që pijnë birrat, pijet freskuese, pa e prishur fort terezinë që te këmbët e tyre ndodhet një trup njeriu i plandosur.

Ata më kureshtarët çohen pak, afrohen, e shohin dhe ulen sërish te pijet e tyre. Pas pak, qeshin.
Pas 15 – 20 minutash vjen ambulanca. E shohin. Flasin me policët. Ulen dhe i masin pulsin. Me sa duket, njeriu ka vdekur. Njerëzit – mjekë, hipin përsëri në makinë dhe ikin. Disa vajza atypari, sipas bisedës së tyre janë studente gazetarie, bëjnë foto e selfie që ta kenë kujtim. Kujtim me një të vdekur, sepse një gjë e tillë nuk ndodh përditë.

Policët kujdesen për kufomën. E hipin në një karrocë dore llaci, dhe e nisin për nuk dihet se ku.
Para ca vitesh në Durrës, sot në Velipojë, nesër s’dihet se ku sërish, çdo ditë në ujërat e Mesdheut, në tentativë për t’u hedhur drejt perëndimit për një jetë më të shëndetshme e plot vlera, nëse duam ta zgjerojmë pak gjeografinë, thuajse çdo ditë vdesin njerëz. Nga pakujdesia njerëzore këtu, nga mizoria e luftës atje, nga moskokëçarja europiane dhe botërore, njerëz pa luftë, pa armiq, thjesht nga mekanizmat socialë botërorë, pa pasur asnjë mundësi të kundërshtojnë fatalitetin e fatit të tyre.
Dhe askund, nuk bie asnjë këmbanë. Sot jetojmë në kohët ku nuk ka sirena ambulance, e as këmbana kishe. Përpos atyre si efekte vdekjeje në rrjetet sociale. Sot, në epokën e tretë moderne, këmbanat nuk bien për asnjë, dhe asnjë nuk do të dijë për asnjë, veç nëse do bëjnë një foto bashkë për rrjete sociale. Sot ti poston, ndaj ekziston.

Dikur bëhej luftë, kohët ishin primitive, automatiku, shpata, armiku, mund të të vriste ose mund ta vrisje. Për një ide, për liri, për miqtë, për atdheun. Pastaj lufta ishte e keqe, bota u zhvillua, u bë e ndjeshme, ndjenjat dhe emocionet u përpunuan, u rafinuan, jeta e njeriut ishte e shenjtë.
Po sot? Çfarë ka shkuar gabim? Sot, në Shqipëri apo në botën e hiperzhvilluar, çfarë shkoi kaq keq, sa vdekjes i bëjmë foto dhe e postojmë në rrjete sociale? Çfarë ka mbetur tjetër për të shitur, për pak vëmendje e ca klikime më shumë? Çfarë mund të shitet më për para?
Përgjigjen, uroj të mos na e japin këmbanat.

RockRrëmujë 11 - Mustaqe Amerikanolatine





Ndërsa mendoja variacione temash për RockRrëmujë, i dhashë vetes lirinë e asocimeve dhe çudive që lidhin muzikën rock, me letërsinë. Besoj se asocimet janë aty fshehur. Dhe ndërsa krenohem se flas të dy gjuhët, të muzikës dhe letërsisë, zbulova në rravgim e sipër se ka krijesa që thonë të njejtën gjë në këto dy gjuhë të ndryshme. Ndaj ky shkrim është për dy nga këta demiurgë krijimi.

Të dy me mustaqe të zeza. Të dy ezmerë. Të dy kaçurelë. Të dy me gjuhën e mëmës, spanjishten. Të dy mahnisin botën. Të dy janë shamanë, thërrasin shpirtërat, i endin lart e poshtë nëpër botë plot ngjyra, në udhëtime për së brendshmi, të dy kështu shërojnë. Të dy janë magjikë. Njeri luan gishtat mbi gjashtë tela, tjetri mbi shkronjat e makinës së shkrimit a tastierës, për të prodhuar një botë ku gjithçka është e mundur. Njeri ka krijuar Samba pa Ti, tjetri Dashuri në Kohërat e Kolerës.

Të dy luajnë në rrafshe të luhatshme, në kufinjtë e mjegullt të mendjes; njeri ngacmon gruan e shokut, të një tjetër titani, Mario Vargas Llosas, tjetri predikon Zotin si predikues i së dielës nëpër kisha meksikane. Sigurisht, Marquez dhe Santana, e askush tjetër. Në mendjen time nuk mund të ekzistojë njeri pa tjetrin, si shprehje e të njëjtit shpirt amerikanolatin. Si mate me mustaqe. Si meskalinë me mustaqe. Si piramida inkase, kulte Maja, me mustaqe prej ari. Në xhungla mustaqesh të kreshpëruara ku rriten fëmijë të humbur, fshihen djaj të errët, pëshpëriten kode magjike, këngë fëmijërie kreole, breza të harruar, një kontinent i tërë me tërë fuqinë e tij të lashtë, magjinë e tij lagur nga dete, shtriga tribale, piratë të pamëshirshëm, droga woodstock-u, LSD, adhurim njerëzish që kercejnë me të njëjtin ritëm që buron nga rrëfimet e Marquez, me të njëjtën poezi që buron nga kitara e Santanës. Carlos dhe Gabriel. Askush deri më sot, nuk e ka bërë atë që ka arritur Santana në muzikë. Mjafton një notë, dhe kushdo njeri në botë, edhe njeriu më profan në muzikë, shqipton natyrshëm emrin e tij. Edhe kur nuk di të shqiptojë tituj, si: Black magic Woman, Smooth, Soul Sacrifice, Evil Ways, Europa, Jingo, Para los rumberos, jazz, soul, fusion, latin, ritme karaibesh, të tëra bashkë, njeriu profan do thotë menjëherë; Santana.

Askush deri më sot, nuk ka bërë atë që bëri Marquez; çdo njeri në botë, e di kush është babaxhani me fytyrë qejfliu, pijetar tavernash; thuajse çdo njeri në botë, e urren apo e dashuron, por ama e di çdo të thotë 100 vjet Vetmi, apo të dashurosh në Kohërat e Kolerës. apo të vdesësh nga një Vdekje e Paralajmëruar, apo të vijë Ora e Ligë. Apo të ndjekësh Gjurmët e gjakut të saj në dëborë. O të shohësh Sy qeni të kaltër. Dhe të dy bashkë flasin për Dashurinë e Demone të tjerë.
Marquez merr Nobel për letërsinë me fluoreshencën e tij. Santana është i vetmi njeri në historinë e muzikës që ka fituar 9 çmime Grammy me të njëjtin album, Supernatural. Gjithkush që ka dëgjuar Supernatural, është si të lexonte për herë të parë ose të dhjetë “Njëqind vjet vetmi”. Çdokush që ka lexuar realizmin magjik të Marquez, ka prekur në çdo faqe, tingullin e përzier nga karaibet në Afrikën mëmë të Santanës, duke shëtitur tregim më tregim, faqe më faqe, nga Jazz, Blues, Rythm and Blues, Rock, afrosound, Salsa, Cha Cha, Rumba, e çdo muzikë karaibike ose jo.

Marquez e lexon në biografinë e tij të papërfunduar; ka ëndërruar çdo ditë në të ri të tij, të ishte muzikant rruge. Të bridhte me kitarë në dorë, me ritmin afrolatin në gjak, e me femra që i kërcenin qark e në prehër. Marquez këndonte tavernë më tavernë e vallëzonte edhe nëpër rrugë. Pikërisht këto vallëzime i dhanë çmimin më të lartë njerëzor, Mercedesin, të dashurën grua të tij deri në vdekje, dhe çmimin më të lartë artistik, Nobelin në letërsi. Sepse, fati i tij e deshi të bënte muzikë me fjalë.
Santana nisi të luante kitarë që tetë vjeç, e që nga ajo ditë, nuk ka ndalur kurrë. Thellë midis Meksikës e Kolumbisë, ëndrrat e tyre u ndërthurën. Ndërsa njeri kërkonte fillin e shpirtërores, mendimit, cerebrales në muzikë, tjetri kërkonte muzikën në çdo fjalë që arriti të shkruante. Dy palë mustaqe, për dy virtuoso proliferues, që nuk ndalën artin e tyre çdo frymëmarrje. Të dy mustaqet u mbrujtën nga zjarri i Juan Rulfos meksikan, e ritmi i Kumbias Kolumbiane. E fati e deshi që në Shqipërinë e largët, së cilës i shkruajtën Mario Vargas Llosa e Pablo Neruda, të gjendej një shkrimtar që ndihet rockstar, e të shihte lidhjet e thella rropullare që mbanin lidhur Santanën dhe Marquez.

Të dy kanë bërë mrekullinë për ne. Të dy kanë bërë pisllëqe në jetë. Të dy e adhuronin femrën, pijen, muzikën, të bukurën, jetën.
Njeri prej tyre, vazhdon ende të jetojë e krijojë.
E kushedi pse, të dy mbanin mustaqe në fijet e të cilave lodronin buzëqeshje, nota, e histori.

Monday, June 7, 2021

RockRrëmujë 10 - Myshk dhe letërsi

 




Pakkush mbi tokë ka mbetur në ditët tona pa e ditur kush është Elon Musk. Pa dëgjuar të paktën një herë për të. Mbi ç’bën ky njeri. Ky njeri, me strukturë thjeshtësisht njerëzore, si të gjithë ne.

Pasi lexova librin biografik të gazetarit Ashlee Vance, një shkarkesë elektrike nga ajo me e forta, e llojit që prodhon Flash superheroin më goditi, dhe mbeta shumë muaj me vibrimin e dhimbshëm, e tmerrshëm, të njeriut që endet në jetën e tij, e rrotullohet mbi dy këmbët e veta pa bërë asgjë.

Biografia e Musk është një koktejl i superfortë me adrenalinë, futje ankthi, futurizëm, ëndrra me sy hapur, fantazi e shfrenuar, vizione, botë e çudirave ku gjithçka kthehet në realitet, vetëmëshirim personal (aspak i gabuar në llojin e tij) për faktin që ke lindur në Shqipëri. Dhe shtysa se mund të pushtosh botën. Por nga vendi i duhur. Ashtu si Filipi i tha Aleksandrit, biri im, kërko për vete një mbretëri tjetër, Maqedonia është shumë e vogël për ty. Dhe ja sot, në epokën tonë, një djalosh i talentuar që në fëmijëri, shpërngulet për të studiuar në Amerikë, duke e ditur se arena e zhvillimeve teknologjike është pikërisht Amerika. Ky djalë këmbëngul, sakrifikon dhe njeh suksesin. Krijon një aplikacion që do jetë themeli i reklamimit të bizneseve në google map. Mirë. Deri këtu, ecën paralel me mogulë milionerë të teknologjisë, shpikës si Steve Jobs dhe Bill Gates.

Por vizioni i tij nuk ndal te suksesi. Vizioni i tij shtyhet te ëndrra me sy hapur. Pasi bëhet milioner, gjithkush sheh të shijojë jetën. Elon Musk sheh të krijojë një bankv virtuale. E pasi krijon Paypal, ai nuk ndalet; Krijon një makinë elektrike, me autonomi të paimagjinuar deri atë moment, dhe me ndotjen me minimale, drejt të ardhmes dhe mbrojtjes klimatike. Krijon Tesla. Gjithçka në kërkesë të kohës. Zeitgeizt godet në shenjë. Por Musk nuk ndalet këtu. Ëndërron hapësirën. Themelon Spacex, krijon kapsulat e para low cost, raketat e para që kthehen në tokë, e gjithçka me një ëndërr të madhe; të themelojë një koloni njerëzore në Mars!!!

Musk më futi në dyshime të rënda. Një nga llojet e artit që unë kam pasur evokimin të shprehem që nga fëmijëria e deri më sot, puna ime, realiteti im i brendshëm, është letërsia. Në mënyrë natyrale unë kalëroj kalin e letërsisë. Por sa efektive është letërsia në kohën kur po jetojmë?
Ku na çon letërsia? Çfarë ofron letërsia? Si e ndryshon botën letërsia? Si prodhon letërsia të ardhura? Sa star është një shkrimtar? Sa diva është një shkrimtare? Sa dritë skene ka një poet apo poete? Sa influencë kanë në shoqëri? Jo në Shqipëri, sigurisht. Shoqëria jonë është shumë primitive, diçka e ngjashme me trogloditët, që sapo kanë dalë nga shpella janë përballur me instagramin. Jo në Shqipëri, por në Angli, Francë? Japoni, US, Rusi, Turqi, Iran?

Kush është fryma e kohës që po jetojmë? Si mundet ne, kalorësit e letërsisë, e këtij arti të lashtë që ende pa u shkruar lindi si rrëfim në muret e shpellave prehistorike, e ka mbijetuar deri sot, si mundet ne, të mbijetuarit, të konkurojmë me ritmet, shpejtësinë, pushtimin e furishëm që Elon Musk and friends i bëjnë botës?
Dhe pse më vjen thjesht dhe pikërisht Musk përballë letërsisë? Sepse bota e biznesit nuk përmban ëndrra. Bota e biznesit është e egër, e ashpër, arrogante, o fiton, o humb, e qëllimi është paraja dhe pushteti. Ndërsa Musk këtë botë e kthen kokakëmbas. Fiton para duke realizuar ëndrrat. Ëndërron, aty ku të tjerët tallen. Do mbjellësh patate në Mars e qeshnin miqtë dhe partnerët e biznesit. Guxon, aty ku të tjerët qeshin. Përmes këtyre fluturimeve, ai fiton pushtet. Letërsia dhe Elon Musk, ndeshin brirët sepse luajnë në të njëjtin terren. Në botën e shfrenuar e përrallore të fantazisë. Ndaj, më lind thellësisht një kompleks inferioriteti ndaj këtij njeriu të çuditshëm. Në të njëjtin terren, ne krijojmë, Elon Musk fluturon. Por janë dy gjëra që më ‘shpëtojnë nga mbytja’.

Ndërsa unë e përdor kompleksin e inferioritetit për t’u shtyrë edhe më përpara, edhe më larg, edhe më fort, e për të mos njohur kufizime (dhe shpresoj, jo vetëm unë por çdo shkrimtar që endet midis Epit të Gilgameshit dhe Marsit), Elon Musk, në fund të fundit, dërgoi në hapësirë për herë të parë me kapsulën e tij Dragon, Teslan e tij të parë, me sipër saj një libër të Isaac Asimov. Elon Musk është ai që është, ëndërron për hapësirën, do të jetojë në Mars, pikërisht sepse ka lexuar Asimovin dhe një mal me libra të tjerë. Të cilat kanë përgatitur mendjen e tij fantazioze jashtë skemave miliardere të biznesit.

Pra, çfarë e bën Elon Musk, këtë njeri si ne, me dy këmbë, dy duar, një zemër e një kokë, vetëm një kokë për habi, çfarë e bën këtë njeri të mbajë një, dy, tre biznese gjigande, t’i bëjë katër, pesë, të zhvillohet, të eksperimentojë, të ëndërrojë? Fantazia. E fantazia, kultivohet, fisnikërohet, krijon kanale logjike, analiza, maniera, sjellje, artikulacione të reja, që të bëjnë të arrish hapësira të reja mendimi, vetëm përmes leximit. Dhe jo leximit të çfarëdoshëm. Por leximit të letërsisë. Që femijë. Aty ku bërthama magjike e njeriut, ende e zjarrtë, ende pulsuese në sipërfaqe, e pambytur me halle punë e ambicie që e plakin, bërthama magjike e njeriut vibron me të njëjtin ritëm me zemrën magjike të krijimit të pastër abstragues, e me stilin e autorëve, me gjymtyrët e mendjeve të tyre.
Vetëm në sajë të këtij fuzioni prej energjie supersayan midis njeriut dhe letërsisë, midis fantazisë dhe mendjes, mund të ia dalë dikush të bëhet ElonMusk.
Ndaj, kështu vij në mendimin shpëtues, shterues, e të thjeshtë.
Nëse pafundësinë do ta reduktonim në Zot, e dyshimtë apo jo, letërsia është ky Zot, nga Toka në Mars, e më larg.



Tuesday, June 1, 2021

RockRrëmujë 9 - Për Marina Abramovic dhe heronjtë

 




Para pak ditësh lexova në një intervistë të poetes Rita Petro një nocion shumë të veçantë; ne si shoqëri dhe kulturë na mungojnë etërit shpirtërorë.
Krejt e vërtetë, sidomos në kushtet e sotme, të tollovisë së vlerave, rendjes pas vlerave të lira, dhe mbi të gjitha, të vlerave të shitura, nga shumica e atyre që u jepet mundësia të përcaktojnë sistemet e vlerave, sidomos në art.

Mbi të gjitha, nga një brez që ka jetuar me dy këmbet hapur, njërën në një sistem, e këmbën tjetër ne këtë të sotmin, brezi mbi 50 vjeç që ka absorbuar pisllëkun e një epoke devijante, dhe ka notuar në pisllëkun e kësaj epokës tjetër, duke ardhur sot, në ditët tona me ngarkesë të tillë radioaktive, nga e cila nuk shkëputen dot më.
Por Shqiperia nuk është e vetmja nënë që ha bijtë e saj më të mirë. Në lexime e sipër, mëson qe është një fenomen ballkanik. Marina Abramovic është një bijë e Serbisë, e anatemuar, e refuzuar, e luftuar, nga vendi i saj.
Dhe sot, kur kërkon informacion për Abramovic, çdo serb dhe mëma Serbi ekzaltohen kur në rreshta del, M.A. serbian artist. Po, patjetër, në Ballkan duhet të jesh Zeus, të vrasësh atin tënd, dheun tënd, çimkat që duan të të hanë, të shkëputesh, të fluturosh larg, e pastaj ballkanasit legjendarë, pasi nuk të gllabëruan, të të adhurojnë. Në 1997, M.A. iu refuzua pjesëmarrja në Bienalen e Venezias në emër të shtetit serb. Sidoqoftë, ajo mori pjesë në festival, si artiste ndërkombëtare, duke fituar kështu Biennalen e Venecias me pjesën e saj art -performancë, Balkan Baroque.
Sidoqoftë, kjo është pjesa e parë e asaj që dua të them për Abramovic dhe Ballkanin mbarë. E pjesa e parë e këtij shkrimi është veç një skërmitje ballkanase e imja.
Marina Abramovic, pak ditë më parë u shpall laureate e Princess of Asturias për artet. Kjo gjë më ngacmoi të përfundoja këtë shkrim në nder të saj, të nisur prej kohësh.
Kur isha i vogël, deri në goxha moshë, idhujt e mi ishin heronj, mitikë, luftëtarë, gjeneralë, e sigurisht më i madhi i tyre, Aleksandri i madh, e patjetër, gjenia e Napoleonit, Cezarit, Atiles, e plot njerëz të mëdhenj për nga përmasat e botëndryshimit. Aleksandri ishte ura e kalimit, nga komandanti hyjnor në rockstarin e parë që njeh historia, për nga mënyra impulsive, emotive, si zhvilloi fushatat e tij e si pushtoi botën, e si vdiq në fund.
Më pas, në adoleshencë e tutje, transformimi i idhujve e prijësve të mi shpirtërorë, erdhi drejt artistëve, rockut, muzikantëve të çmendur, rockstareve që hidhen në turmë, gjithçka impuls, gjithçka energji, shthurje, rrëmujë, turma gjigande njerëzish, dhe përjetësi.
Sidoqoftë, në çdo rast kishte një gap midis idhujve të parë dhe atyre të dytë. Të parët ishin njerëz që drejtonin fatet e botës, përmes guximit të pastër. Luftëtarë, që luanin me vdekjen, e tyre, dhe të ushtrive, njerëz që ndryshonin botën ose fitonin duke shkelur guximshëm mbi vdekjen. Te dytët, ishin frymëzues, çlironin adrenalinë, dhe gjithashtu luanin me vdekjen, por vetëm me jetën e tyre në lojë. Heroi humbi kuptimin në përshkallëzimin nga Aleksandri te Morrisoni, (kupto nocionet).
Dhe gjithmonë më ka stepur e trembur ky gap, për mënyrën si kam parë artistët. Derisa në botën time erdhi Marina.
Marina ndërsa rrinte, një ditë të bukur me qiell te pastër, shtrirë në bar dhe shihte retë, pa të kalonin avionë ushtarakë që lëshonin tym ngjyrues duke bërë forma në qiell. Dhe menjëherë shkon në bazën e aviacionit dhe kërkon disa avionë ushtarakë për të bërë një pikturë tre dimensionale.
Sigurisht e morën për të çmendur, dhe këtu ka fillesën gjenia dhe çmenduria krijuese e saj, që ndryshoi botën më pas. Marina vendosi që piktura në dy dimensione i rrinte ngushtë, dhe nisi të eksperimentonte me shfaqe. Duke përdorur gjithçka. Dhe kjo rrugë e pafundme, e shtyu thellë e më thellë drejt vetes, e larg e më larg drejt zbulimit të fushave artistike për t’u shprehur.
Dhe këtu vijmë në pikën lidhëse midis artit dhe heronjve. Marina, vuri në shërbim trupin e saj, dhe vetë jetën e saj në krijimin e shfaqeve të art performance, duke luajtur me fillin e hollë të ruletës ruse me vdekjen, për të gjetur atë pikën e fshehtë, sekrete, të të krijuarit art sublim. Kështu, M. A. rri pa ngrenë, pa pirë, luan me shigjeta e harqe, me armë të mbushura, me udhëtime në kushte ekstreme, me lojëra të tejzgjatura durimi e përqendrimi, jeton në rrugë, i dedikohet artit të saj deri në – pa bukë, pa të ardhura, pa të ardhme. Si në këngën e Bojken Lakos, guxo të rebelosh kur askush s’të shikon, M. A. bëri një hedhje ne humnerë, edhe kur askush nuk e njihte, edhe kur askush nuk shikonte, duke u dorëzuar totalisht në impuls artistik, deri në vetëmohim, duke represuar dhe impulsin e të bërit nënë, deri emocionet ndaj familjes së saj. Njeriu- Art. Rreziqet, guximi, të shkelurit aty ku s’kishte shkelur kush më parë, bënë që M. A. të shfaqej si pushtuesja e parë artistike, si heroina e pandalshme, frymëzuese për miliona e miliona njerëz në botë.  Marina, pushtuesja e jetës përmes artit. Art performance. Një perëndeshë e guximit dhe krijimit. Me zë, me gjak, me frymë, me djersë, me lot, dhe me forcë. Me forcën e mendjes dhe zemrës së saj të guximshme.
Marina është një autoritet shpirtëror përtej estabilishmentit. Sepse, pasi ti çertifikohesh, nuk guxon më, sepse zë vend. Ndërsa M. A. nuk zë kurrë vend, sepse rreziku është burimi i autoritetit të saj.
Për të tërë ata që nuk e kanë idenë për se po flas, kur flas për Abramovic, mjafton të klikojnë shfaqet e saj dhe në shkretëtirën artistike që na rrethon, në humbëtirën mjegullore të mungesës së shamanëve shpirtërorë, do zbulojnë artisten hero. Të padiskutueshmen. E mbase, brenda jush do lindin farat e guximit dhe heroizmit. Dhe artit.