FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Sunday, February 14, 2021

Përmes pasqyrave të Kadare (Liberale - 13.02.2021)

 


I detyrohem Kadaresë për dritaren e madhe të letërsisë që më hapi me “Kush e solli Doruntinën”, herët, në bankat e gjimnazit. E më pas, me shumë vepra të tjera. Dhe ky shkrim i ngacmuar nga libri Kohë për rrëfim – është një refleksion për rëndësinë që ka shkrimtari në një shoqëri.
Lashë të kalonin disa ditë pas leximit për të përmbledhur mendimet, njohjen që mu dha mbi këtë njeri plot ambiguitete që tashmë në histori është kthyer në personazh.
Kadare është i përkëdhelur. Me një jetë midis banketit, vetmisë, dhe të mbajturit ekuilibër mbi humnera, ai është përkëdhelur nga lexuesit, admiruesit, miqtë, pushtetarët, nga gratë, dhe nga bota. Kadare ka bërë një jetë në majat e jetës. Nëpër kujtimet dhe udhëtimet mendore të nxitura nga pyetjet e Bardhylit, nëpër skutat e errëta të epokave që ky shkrimtar ka jetuar, ka pasur vetëm një fener në dorë. Talentin e tij. Kadare spikat si poet që në shkollë. Në një kohë të çoroditur të pasluftës, në një periferi si Gjirokastra, por provincë plot kulturë. Sa për kujtesë, edhe Çerciz Topulli që të rinjtë sot e mbajnë në bluza si një luftëtar lirie, Guevara shqiptar, ka qenë së pari intelektual i kohës, i eklipsuar mbase vetëm nga vellai Bajo, e nga miku i ngushtë i armëve Mihali.
Kadare në këtë provincë spikati. Por, spikati edhe më fort në Tiranë. Në Tiranë ky shkrimtar nuk ishte i biri i dikujt, nipi i dikujt, nuk ishte miku i askujt, por vetëm një talent letrar. Fillimisht si poet, pastaj si prozator, Kadare shkëlqeu krejtësisht ndryshe, diçka krejt moderne, e freskët, e thellë, thurje e shqiptarisë komplekse me botën e jashtme.
Kadare i ri dallohet për letërsinë e tij me mënyra krejt të reja në një terren artistik të vështirë e të papërpunuar në Shqiptari, që pas bumit të viteve ’30, në vitet e pasluftës, e më pas, nën dirigjencën diktatoriale pllakosi shkretia intelektuale. Mënyrat e tij letrare janë edhe sot, shumë moderne. Përbindëshi më ka habitur me mbivendosjen kohore. Ftesë në Studio, një vepër super moderne, sa për të përmendur dy nga krijimet e shumta të freskëta edhe sot.
Pikërisht me këto mënyra shkrimi, nga ky talent letrar, ai bëri emër dhe lexuesit nisën ta adhurojnë. Autorë të rinj ta imitojnë. Vetë Hoxha e telefonon në Lidhjen e Shkrimtarëve për ta përgëzuar për poemat e tij.
Kadare në saj të aftësisë së tij për të lëvizur nëpër kufijtë e situatave dhe Dogmës, nxjerr avantazh nga sistemi i kohës, botohet jashtë, shkon në Paris si eksporti ynë më i mirë intelektual, shëtit, jeton bukur, përkthehet në gjuhë të tjera, Femra i shkruajnë letra, ai merr avantazh ndaj tyre.
Në pasqyrat e erotikes, Kadare çiltërsisht, me moskokëçarjen që i jep statusi dhe mosha tashmë, na rrëfen se shkrimtari Kadare vetëm prift nuk ka qenë. Duke qenë magneti i kulturës shqiptare të kohës, vëmendja femërore nuk paska munguar në ato vite. E në ato vite flirtohej e bëhej seks. Madje, nga sa na rrëfen në libër, përfiton edhe ndaj vajzës së një të njohuri të tij, njërit nga njerëzit më të fuqishëm të sistemit të dikurshëm. Dhe pas pasqyrës së çiftit Kadare lexojmë për tolerancë. Shumë tolerancë. Dhe qejfe, shumë qejfe. Dhe pse jo? Jeta është e bukur kur ke talent, dhe zgjuarsinë për të shfrytëzuar momentet e tua. Ky duhet të jetë model për të rinjtë e sotëm, që ngadalë po kthehen në kukulla barbie në prerje serie me hekurosje të njëtrajtshme të rrudhave të korteksit.
Ka qenë fati i madh i Kadaresë, që ka jetuar dhe krijuar në kohën kur letërsia në Shqipëri ishte subjekt kryesor i interesit publik dhe dëshirave të njerëzve, ndryshe nga koha e sotme. Këtë fat e ëndërrojmë sot dhe ne, do e ëndërrojnë shkrimtarët në tërë kohën që vjen, por janë të vështira prerjet e rrethanave. Nga rrëfimi kuptojmë çfarë rëndësie kishte letërsia, dhe brenda mureve të izolimit dhe varfërisë, sa të prirur ishin shqiptarët e atëhershëm drejt kulturës, dhe sa të gjynahshëm janë sot në liri të plotë, në djerrinën e shkretë që u kanë krijuar përreth, me telenovela, libra rozë, emisione televizive llumore dhe ekrane telefonash nga ku nxjerrin kryet dhe këpucët lloje e soje politikanësh që pas disa vitesh do ti qeshë historia.
Feneri i talentit qe e çon përpara shkrimtarin, gjithashtu nxit xhelozi e krijon kundërshtarë. Pikërisht këtu është pika e lidhjes së ambiguitetit të Kadare. Nxitja e urrejtjes nga ana e urrejtësve. Nga ana tjetër e pasqyrës, kjo përkëdhelje, kjo ngjitje drejt majave, ka provokuar gjithashtu zili, urrejtje, gjuajtje me gurë si majmunët gjuajnë sendet që nuk i kuptojnë ose krijesat që kanë frikë. Kështu, na krijohet një panoramë plot me pasqyrime, e shformime iluzore të një pasurie artistike e intelektuale, dhe të perceptimeve ndaj saj.
Pse jo në fakt, pse të mos kishin zili e kundërshti, në një kohë që shqiptarët vuanin diktaturë të tmerrshme, ky njeri gëzonte privilegje që askush s’i kishte?
Por, nga pas pasqyrave të Kadaresë lind një pyetje pak më e thellë se dualizmat moraliste i mire-i keq; përse artisti nuk duhet të shfrytëzojë statusin dhe pozicionin e tij për të jetuar më mirë? Kush është problemi? Pse kërkohet prej shoqërisë shqiptare gjysmë puritane, gjysmë skandaloze, gjysmë thashethemexhie, gjysmë symbyllur, gjysmë përputhur, e gjysmë osmane Sulejmane, gjysmë feministe e gjysmë moraliste, që, artisti të vuajë, të torturohet, të kundërshtojë, të kalbet burgjeve, të mos shkëlqejë, të mos krijojë shfaqen e tij artistike? Pse kërkohet kryqi popullor mbi shpinën e artistit kur ai bart me vete gjithmonë kryqin e artit ndërkaq?
Ndaj, duke lexuar rrëfimin e Kadare përmes Bardhylit, kuptova me shumë, për kohën e diktaturës, dhe akoma më shumë, e më qartë për këmbëzën e thjeshtë të armës ndaj Kadaresë dje, ndaj Johny Depp sot, shkrepjen e armës ndaj çdo artisti, për ta dënuar dhe kryqëzuar, në atë kohë, e në këtë kohë. Duke i kërkuar llogari për mëkatet popullore, duke i vënë pas murit për moralin e vitrinës sociale. Po ç ‘quajmë moral, a dimë ta themi? A ka moral popullor?
Por, të kthehemi te Kadare.
Në 1980, Marina Abramovic dhe Ulay realizojnë një performancë që quhet Rest energy, ku të dy tendosin me peshat e trupit një hark me një shigjetë drejtuar në zemër të Marinës, dhe mbajtur nga Ulay. Edhe pse idetë janë krejt të kundërta, nuk ka skenë më ideale për të përshkruar raportin e Hoxhës me Kadarenë. Pavarësisht nga çfarë thotë Kadare, pavarësisht nga çfarë ka gjetur Bardhyli në arkiva në ditarin e Hoxhës mbi opinionet e tij për Kadare, mendimi im personal është që të dy këta entitete, në atë kohë funksiononin si alterego të njëri-tjetrit. Edhe pse Kadare e përbuzte diktatorin si çdo njeri i kulturuar në këtë vend, sepse gjithkush që nuk kishte perde në sy kuptonte injorancën dhe natyrën e pastër keqbërëse të diktatorit.
Por, kush nuk do joshej vallë nga një pushtet absolut? Kush nuk ka atë kohezionin e çuditshëm ndaj një lideri absolut, kushdo qoftë ky, pushtetit absolut që të ka në dorë jetën dhe vdekjen?
Hoxha nga ana tjetër e sheh shkrimtarin si alteregon e tij, një vete e një realiteti tjetër, të lirë, një vete gjeniale, harrakate, që nuk duhet tu bindet peshave të të qënit komandant suprem, por është i lirë të krijojë, të jetojë e gëzojë. Hoxha joshet e magjepset nga letërsia e shkrimtarit. Ndaj krijon një zakon tolerance ekstreme ndaj tij. Shkrimtari e kupton këtë, dhe luan me këtë fakt, e shijon, e përdor me saktësi kirurgjikale. Kështu lind loja e harkut të Abramovic – Ulay, një tension që Kadare e shijon, e vuan gjithashtu, e gjejmë në rrëfimin e motrës së tij, derisa i kthehet në zakon sasia e adrenalinës ndaj këtij raporti. Kështu dhe vetëm kështu, duke paguar haraçe të vogla, e duke i shlyer ato me vepra si Pallati i Ëndrrave e Përbindëshi, ne arrijmë të kemi sot e kësaj dite një opus letrar nga me uniket. Sigurisht Hoxha është gjenial në errësirën e tij, dhe kurrsesi nuk do ngjallte vëmendjen e botës së jashtme duke burgosur një shkrimtar të njohur si Kadare, ndaj sërish loja e harkut solli një rezultat të ri, një fitore të re, një shkallë të re adrenaline në regjimin më mizor e absolut në Europë. Burri i mençur diti të luajë me pushtetin për të nxjerrë përfitimet e tij e jetën e tij.
Në kohën e sotme intelektualët e telikosur u shkojnë pas drejtuesve politike të momentit me atribute çapaçulësh, për një kafshatë bukë, e po kjo kategori njerëzish ngrenë struktura morale ku të gjykojnë artistin dhe artistët mbi parime të moralit fetar.
Në optikën time, talenti i Kadare është formuar nga ambienti ku është rritur. Secili shkrimtar rritet dhe prodhon atë që e ushqen. Unë jam produkt i rrëmujës, i kaosit shqiptar e i qytetit të Durrësit, Tiranës e botës së 30 viteve të fundit, Kadare është produkt i Makbethit, thashethemnajës së qytetit të gurtë dhe, si rrëfen vetë, i Moskës, dhe neverisë ndaj shkrimtarit të buzëqeshur, skematik, antiletrar, sovjetik, që pa të prodhohej masivisht në Moskë. Stili i tij i përngjan mjegullës, supozimeve, pëshpëritjeve, fjalëve që qarkullonin ashtu si magjishëm nga një sokak në tjetrin, nga një prag dere në tjetrën, përmes plakave, orteku i fjalës merrte përmasa titanike, vdekjeprurëse. Kështu u mbrujt drama dhe tensioni i stilit të Kadaresë. Cikli i Gjirokastrës na jep një nga letërsitë më brilante dhe nga të rrallat letërsi me humor në gjuhën shqipe. Sigurisht, do doja shumë që Kadare, dhe autorët e krijuesit shqiptarë të ishin më të hapur me letërsinë perëndimore, të dëgjonin muzikën që ndryshoi botën, të shihnin pikturat që ndryshuan mendjet, të rrihnin ide e shkëmbenin letra dhe teknika me bashkëkohësit e tyre nëpër botë. Kjo mungesë dashje pa dashje solli njëfarë ngurtësinë të temave, dhe te Kadare ne opinionin tim solli shndërrimin e shkrimtarit në një Sofokli, autor gjysmëperëndish. Nuk di të them kush saktësisht është Eskili, por Sofokliu – Kadare do e lëshojë hijen gjerë e gjatë me kohën që ikën, në letërsinë europiane e botërore.
Kemi mundësinë të lexojmë këtë rrëfim fantastik të shkrimtarit në këtë një libër sot, dhe nuk do ta kishim nëse nuk do ishte për këmbënguljen, durimin dhe qetësinë për të komunikuar disa vjet me Kadarenë e ngopur me vemendje, dhe gazetarë, rrëmimin dhe nxjerrjen në dritë të rrëfimeve përmes pyetjeve dhe stërpyetjeve, të Alda Bardhylit. Dua të shkruaj disa fjalë mirënjohje për punën e saj, sepse njerëzit zakonisht kompleksohen nga puna e tjetrit, ose sulmojnë e gjuajnë me gurë si majmunët që përmendëm, ose nuk flasin një fjalë të mirë për shkak të detyrës drejtuese të Bardhylit, për të mos u dukur qokaxhinj e qejfbërës.
Bardhyli ruan një profil të ulët, nuk del me flamur e shpatë në kryqëzata për të prezantuar veprën e saj si bëjnë autorët e tjerë me dy paragrafë libra. Por në sajë të punës së Bardhylit si autore, sot kemi librin me rrëfime të Kadare, dosjen e zbardhur e të rrëfyer të Maks Velo, kemi përkthimin e letrave të Simone dë Beauvoir me poetin amerikan Nelson Algren, kemi Bisedë në dy Kohë me Ardian Civicin, që është një pasuri e vërtetë për studiuesit, dhe bisedat me Kim Mehmetin, një kuriozitet shumë interesant mbi një personalitet si Kim Mehmeti e mbi realitete të dopiuara si Shqipëria Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Duhen disa tipare e disa kritere të caktuara për të qenë një gazetare e studiuese e plotë, duhet ekuilibër, qetësi, gjerësi mendimi, mirëkuptim e gjithë përfshirje. Dhe mbi të gjitha, shumë dashuri për artin. Dhe këto tipare janë gjendur herët në kulturën e Bardhylit, në dukje nonchalante, por në thellësi, me shumë zemër.
Në fund, po, Kadare është një i përkëdhelur, por asgjë më shumë se dëshirat tona më të thella për përkëdhelje e llastime. E kush nuk do të donte të shkëlqente! https://liberale.al/permes-pasqyrave-te-kadare/

Herët a vonë gjithkush është Sirian (6 Mars 2020)

 

Unë nuk jam kafshë. Unë nuk jam politikan. Unë nuk jam kufi. Nuk jam hajdut. Nuk jam vrasës. Nuk jam i vdekur. Nuk jam tokë. Nuk jam përkatësi. Unë jam njeri. Kam fëmijë, jam fëmijë, jam plak, i ri, nënë, baba, foshnjë.
Sot nuk jam si ty. Sot nuk kam shtëpi.
Sot jam në det. Sot nuk kam ushqim. Sot jam ushqim. Për peshqit. Ujqit. Hienat dhe politikanët si ty. Me politikat e tua, paktet ndërkufitare, fondet e BE, patriotizmin tënd, dhe dhëmbët e tua.
Sot unë jam dhimbje, dhimbsuri, dashuri e rroposur nën rreckat e mia.
Jam hall, jam lot që në gjuhën time ngatërrohen me kripësinë e detit.
Jam uri, jam tmerr, jam pështytje, e shtytje, gaz lotsjellës, shkopa gome.
Sot unë kam frikë në palcë, aq sa më vjen të vdes e të shpëtoj, por nuk vdes dot, se s’kam në ç’duar bishash si ty të lë këta fëmijët e mi.
S’kam në ç’botë ti lë, sepse botët qenka shumë thjeshtë ti shkatërrosh sot. Mjaftojnë vetëm pak ditë.
Sot unë jam njeri, me mish, gjak, sëmundje, shëndet, me ëndrra, e një ish jetë, e dëshirë për të jetuar, që më bën të marr shportën në shpinë e të iki nga shtrati im i ngrohtë, shtëpia e gjyshërve të mi, qyteti i jetës sime, nga puna ime, të afërmit, kuturu, të iki nga vendi im nën bomba e në duar përbindëshash.
Të iki diku, të gjej një çati, nën shi, a diell, ku të qesh sërish, unë; gruaja, burri, nëna, babai, fëmijët e mi, të afërmit e mi.
Ne duam vetëm të qeshim. Dhe vijmë në tokën ku ti jeton. Pa dokumenta. Pa emra. Pa identitete. Me të vetmin letërnjoftim, atë të të qënit njeri.
E të vetmen shpresë, atë të të qeshurit përsëri. Si dikur, kur vendi jonë ishte si vendi yt. Të qeshim si ti qesh sot kur lë shkopat e tu, armët e tua, detyrën tënde, politikën tënde, zhvesh kostumin tënd,e shkon në shtëpinë tënde e gëzon familjen tënde, së cilës sot nuk i kanoset asnjë rrezik. E shtrihesh në shtratin tënd të ngrohtë si shtrati im ishte i ngrohtë dje.
Ne duam një shtepi, një mundësi. Ishim dhe ne dikur si ti sot. E shkelmi yt në kokat tona, tmerri dhe errësira që ti po ngre sot, nesër do kthehen në një revolver që do ta shpërndajë buzëqeshjen tënde në mijra copa, të prishë të qenit tënd njeri.
Çdo shkelje e çdo njeriu është një shkelje fytyre e tërë njerëzve, e shumë shpejt rradha do të të vijë ty o ish njeriu im.

Sfera Shqipe 11 - Një paragraf i shpejtë mbi 30 vjet (5 Mars 2020)

 

Para një viti kisha marrë vendim të mos dëgjoja, mendoja mbi, e komentoja publikisht asnjë lajm që ngjan në Shqipëri. Asokohe arrita në përfundimin që kjo gjë më prishte cilësinë e jetës. Sado të shkruaja mbi çfarëdo problemi, asgjë nuk do zgjidhej, vetëm se do i arratisesha problemeve dhe jetës time praktike, rritur stresin, e humbja kohën time me punë donkishoteske.
Sot, pas një viti, mendoj më fort se cilësia e jetës varet vetëm nga puna ime, i jam dedikuar punës në klinikë, kam shkruar ato që më mbanin peng prej kohësh në sirtar, me dedikimin absolut ndaj letërsisë, kam lexuar 7 herë më shumë libra, dhe kam kohën për të ua kushtuar familjes time, e miqve të mi.
Dhe kam mësuar ti shoh ngjarjet e sotme të pozicionuara ne kohë, si pjesë e historisë.
Kështu lindi ky shkrim. Dua të tërheq vëmendjen e kujtdo që lexon këtë shkrim tani, që ajo që ka ndodhur e ndodh tani, me Shqipërinë për 30 vitet e paskomunizmit, (që i bie një periudhë kohore e krahasueshme me komunizmin) është thjesht një shfrytëzim barbar dhe bastard i njerëzve dhe vendit nga një grusht njerëz që zënë e do zënë akoma më pak vend, që u gënjen mendja se do hyjnë në histori me fjalimet e tyre patetike para publikut. Dhe, pasi i kthejnë shpinën popullit për të hyrë në zyrë a në shtëpi, me mendjen se fëmija im është më i mirë se i joti, shtëpia ime është më e mirë se e jotja, jeta ime është më e çmuar se e jotja.
Të tërë këta drejtues publike, zyrtarisht nënpunësit tanë të zgjedhur, janë njerëz me dy mendime në kokë; mendimin me kollare, se janë pjesë e historisë, dhe mendimin tashmë as të fshehtë jo, se po bëjnë lekë e po sigurojnë fëmijët dhe nipërit.
Historia këta njerëz nuk do ti qasë në ndonjë rresht tjetër përveç atij me cilësime si hajdutë, dhe tradhëtarë sistemikë të vendit e popullit të tyre, e mundësisht këtë histori do të uroja ta lexonin pas hekurave. Dhe pasi të kenë mbetur sërish rrjepacakët e papunë e të pandershëm që ishin në ditët e para të karrierave të tyre si hajdutë publikë e dallaverexhinj. E tërë paratë e pronat e tyre ti kalojnë sërish vendit tonë të shkalafitur.
Dhe, tërë njerëzit që lexoni këtë shkrim, tërë miqtë tuaj, familjarët tuaj, shihini mirë këta idiotë, këtë kastë qesharake burleske e kusare që na drejton prej 30 vjetësh, shihini mirë e pa përjashtim këta fytyra, ngërdheshjet, gjestet e tyre, kollaret e tyre, kostumet e tyre, fustanet e tyre, bëmat e tyre, nguljuani sytë e mos i harroni kurrë këto imazhe që shihni përditë, e mendoni çdo herë; si do na duken këto kohë e këta personazhe pas 20 vjetësh? Çfarë do u themi fëmijëve pas 20 vjetësh? Do mundemi dot të qeshim me ta, apo do ulim kokat me turp që u drejtuam prej tyre.
Kaq pak, vetëm kjo pyetje, dhe të tërë ju do dridheni, do tmerroheni sa poshtë kemi rënë në vorbullën e këtyre 30 viteve.
Ka gjithmonë një zgjidhje.
Duhet të merremi me punët tona, e jo me çdo punë tjetër mjafton qe të mos jetë e jona, e akoma më mirë nëse është e shtetit.
Duhet të ngrëmë zërin saktë për hallet tona konkrete, e jo çdo shqiptar i çdo cepi mbi çdo problem e detaj kushtetues e ligjor ekonomikogjeopolitik.
Duhet të mos harxhojmë kohën tonë të çmuar me asnjë përbindësh me xhaketë e asnjë diskutim të momentit që këta krijesa i sajojnë për të na topitur mendjen ndërsa fërkojnë e fusin duart në pasuritë e vendit tonë dhe jetët tona. Këta ushqehen kryesisht vetëm me vëmendjen dhe energjinë tonë. Aty e çimentojnë pushtetin e tyre.
Duhet të shohim vetëm problemet e vërteta. Që janë vetë këta njerëz qe drejtojnë vendin për 30 vjet.
Dhe...
Duhet një brez i ri politikëbërës. Të rinj seriozë, që jetojnë mendërisht në kohën tonë, e që kanë empatinë të mendojnë për vendin e për njerëzit. Një brez i ri, mbi të gjitha, me njerëz të vërtetë.
Kaq. Dhe pikë.
(Loer Kume – Sfera Shqipe)

Kume: Çmimi me emrin e Kadaresë më bën nder (Zeri, intervistoi Dionesa Ebibi - June 12, 2019)



Aplikimi këmbëngulës për herë të dytë i shkrimtarit Loer Kume ia solli suksesin duke u shpallur fitues të çmimit “Kadare” për vitin 2019 në jubileun e pestë të këtij organizimi. Në një intervistë për gazetën “Zëri”, shkrimtari durrsak Loer Kume, që njëherësh ushtron edhe profesionin si mjek stomatolog, thotë se çmimi letrar “Kadare” për të është një kalë i bardhë beteje. Sipas tij, kjo përzgjedhje ishte e frymës liberale duke u thyer tabutë që çmimet të jepen në bazë të njohjeve, interesave. Për gazetën “Zëri” Kume shprehet se revolta e tij është t’i mbetet besnik vetes, mënyrës së tij të shkrimit dhe të mos u nënshtrohet në asnjë mënyrë kërkesave të kohës, të modës, të influencave dhe të letërsisë “fast fond”, siç e quan ai.


Pse gjithë kjo habi për fitimin e çmimit të parë? Nuk u besoni jurive?


Ka një përshtypje, jo vetëm e imja, por e lexuar dhe në publik që çmimet jepen në bazë të njohjeve, të interesave, qoftë dhe me mekanizmin e thjeshtë të të qenit afër dhe i pranishëm me personat nëpër juri. Duke u nisur nga kjo e nga emrat që kanë fituar zakonisht çmime, është krijuar përshtypja e qarqeve të mbyllura ku njëra dorë lan tjetrën dhe ku në shumicën e rasteve autorët janë të paracaktuar nga rrethanat me shumë se nga vepra. Madje shpeshherë veprat konkurruese nuk lexohen fare. Anashkalohen. Ndaj për mua personalisht përzgjedhja në finale ishte si të thyhej kjo tabu e të hidhej vëmendja ndaj autorëve jashtë skemave e njohjeve. Meritë e jurisë së çmimit “Kadare 2019” kjo dhe e frymës së saj liberale, të cilën e falënderoj.


Ç'thotë ky çmim dhe emri i Kadaresë për ju dhe për veprën tuaj?


Kadare theu tabutë e kohës, çoi letërsinë shqipe përpara në formë, stil, fjalor e narracion dhe sot është ai emër i madh e i nderuar botërisht për të cilin nuk ka nevojë për komente të tepërta. Ndaj të vlerësohem me çmimin që mban emrin e tij është nder për veprën time, duke e quajtur atë novatore dhe aventurore drejt formave e temave të reja. Është dhe përgjegjësi e madhe, sepse ndiej peshën e tërë autorëve të fortë që ishin në garë me mua. Shto dhe faktin që ky është nga të rrallët çmime letrare që jepen në sferën shqipe për prozën e pabotuar ende. Është nder.



Jeni shprehur se këmbëngulja juaj për herë të dytë solli rezultat fillestar te çmimi. A ia vlen për një autor që gjithmonë të presë derisa t'i vlerësohen veprat ose vlerësimi më i madh për ju është vetë lexuesi?


Një autor e bën lexuesi i tij. Janë ata që bëjnë vlerësimin, e ngrenë kështjellën e një korpusi letrar. Qëllimi i çdo vepre është lexuesi dhe vetëm ai. Por midis një shkrimtari dhe lexuesit të tij ka mure që duhen shembur. E një çmim si çmimi “Kadare” hedh dritë e sjell vëmendjen e më shumë lexuesve. Jetojmë në kohë ekstremisht të ngarkuara ndaj duhet një lloj përzgjedhjeje e materialeve që shkojnë drejt lexuesve. Çmimi letrar “Kadare” për mua është një kalë i bardhë beteje.



Cila është revolta juaj në një kohë kur edhe letërsia është kthyer në konsum, në komercializëm?


Revolta ime është shumë elementare. Ti mbetem besnik vetes, mënyrës sime të shkrimit dhe të mos u nënshtrohem në asnjë mënyrë kërkesave të kohës, të modës, të influencave dhe të letërsisë “fast fond”. Puna për të mbajtur gjallë këtë revoltë pastaj është shumë e vështirë, sepse duhet mbajtur në sy gjithmonë dhe vetëm e vërteta. Vetëm me të marrin kuptim rreshtat dhe vepra.


Në një intervistë keni thënë se shkrimtarët shqiptarë shkruajnë si skllevër në gjendje lirie. Mendoni se është pak e ashpër kjo që keni thënë apo ky është realiteti në të cilin ndodhet letërsia shqipe e sotme?


Marquez thotë në një interviste të tijen, që edhe pse është bukur që shkrimtari të endet nga një gjendje në tjetrën, të jetojë në gjendje pasigurie, të punojë në punë të ndryshme, të njohë realitete të ndryshme, vjen një moment që gjendja e tejzgjatur e pasigurisë dëmton krijimin. Ndaj shkrimtari duhet ta njohë jetën në tërë dimensionet, por jo të vuajë për kushtet elementare të jetesës. Te ne, në gjendjen e lirisë totale për të bërë ç’të duash shkrimtari është njeri pasionues e artist, i jepet artit me mish e me shpirt, por vjen ai momenti kur ai kërkon siguri për jetën, që të shkruajë i qetë e në ditët e sotme pakkush mund ta arrijë vetë këtë siguri. Si pasojë, detyrohet të denatyrohet në gjërat që shkruan, prej vramendjeve, prej dëshirës për t’ia dalë, humbet gjurmën e së vërtetës brenda, e kthehet në rrogëtar dëshirash. Ky është momenti kur një shkrimtar kthehet në skllav. Nuk jam unë i ashpër. Është jeta. Duhet kapur për brirësh.


"LUX", “Antologjia e poezisë dhe arteve vizuale - A Dangerous Method”, "Histori e shkurtër e rrëmujës" janë disa nga veprat tuaja. E konsideroni veten si guximtar, pasi temat që keni prekur janë të guximshme kur flitet për lexuesin shqiptar si referencë ndaj okultizmit, kultit të Luciferit, pornografisë, nekrofilisë, aparatit shtypës të shtetit?


Këto janë vetëm disa nga temat që mund të gjejë lexuesi brenda përmbledhjes me tregime “LUX” të 2011-s. Letërsia ime u zgjerua edhe më me “Histori e shkurtër e Rrëmujës”, 2017, dhe besoj edhe me “Amygdala Mandala”, fituese e çmimit “Kadare”.


Unë nuk e quaj veten guximtar, sepse unë bëj atë që dua më shumë, shkruaj letërsi e kjo është kënaqësi. Temat nuk i zgjedh unë me logjike e llogari, por më vijnë si impulse të pastra krijuese. Unë nuk besoj te arti i bërë qëllimisht si provokim, së paku në letërsi, fushë e cila nuk luan thjesht me imazhin, por shkon thellë shtresë pas shtrese. Provokimi në letërsi duket të ndodhë natyrshëm, përndryshe është sforcim trudjegës. Dhe lexuesit kurrë nuk mund t’ia hedhësh. Lexuesi është organizmi i mençurisë kolektive.

Seks dhe Gjak Botes Qark (Gazeta Liberale 14.10.2019)

 Peter Handke fiton Çmimin Nobel në letërsi. Çmimi Nobel për letërsinë jepet sipas vullnetit të Alfred Nobel, për veprën më të mirë ndër të tjerat, që shkon në një drejtim ideal.


Çmimi Nobel është momenti më kulminant, kurorëzimi më i lartë që një shkrimtar kërkon të arrijë në të gjallë të tij. Edhe pse Nobeli në letërsi nuk është shenjë dhe tregues që lexuesi do të të vlerësojë, apo historia do të të pranojë gjatë në gjirin e saj.

Në 2018, Nobeli në letërsi nuk jepet, por shtyhet për 2019. Shkak bëhet një skandal seksual ku ishte i përfshirë bashkëshorti i njërës nga anëtarët e përjetshëm të akademisë. Dhe, Akademia dhe Komiteti i Nobel, për të qenë politikisht korrektë, të pastër, te moralshëm, të ndershëm, të pakompromentuar, të denjë për të caktuar Nobelin për Paqe dhe atë të Letërsisë ndër të tjerë, vendosën që atë vit të mos kompromentohen  me dhënien e Nobelit për letërsinë, me një akademi me probleme seksuale. dhe kjo ndodhi pikërisht në valën dhe vazhdën e purifikimit seksual të Hollywoodit.

Por, një vit më pas, një akademi e pastruar tashmë nga cenet në moralin e lartë social, i jep Çmimin Nobel për letërsinë, Peter Handke, me siguri një gjeniali në letërsi, por padyshim gjithashtu një njeriu që shfaq një debilitet të madh social e publik, në mbrojtje të regjimit diktatoriak, fashist, racist, gjakatar të Millosheviçit, duke mohuar masakrat, duke thënë tekstualisht se myslimanët e Bosnjës kanë masakruar njëri tjetrin për të ua hedhur fajet serbëve të shkretë të pafajshëm, këtij Handke që ka qëndruar fort e kokëfortë në këmbë përballë çdo lloj logjike e ndjeshmërie duke mohuar varret masive, masakrat kolektive, duke dënuar bombardimet e NATO në Kosovë, duke mbajtur fjalim e hedhur lule në varrimin e Millosheviçit, nga i cili të tërë duhet të merrnin shembull morali, dhe duke dënuar publikisht mediat europiane që nuk pasqyruan si duhet luftën e Kosovës, e cila ishte thjesht një padrejtësi që iu bë Serbisë së pafajshme e të dhunuar.

Handke vetë foli me median për çmimin, në dyert e shtëpisë së tij, që ‘Nuk e prisja, jam i habitur, është një vendim i guximshëm i Akademisë, ata janë njerëz të mirë.’

Handke në çdo fjalë të tijën, nëntekston të qenit kundër. Është kundër vlerave njerëzore, është kundër opinionit të viktimave dhe të perëndimit që bëri një luftë njerimbrojtëse me Serbinë e një përbindëshi si Millosheviç, që shkatërroi këmbët e tjera dhe kombin e tij, Handke është kundër çdo lloj logjike të një njeriu mesatar në dije dhe mendje, dhe jo vetëm kaq, por dhe e shijon këtë, dhe kur Akademia i cakton çmimin Nobel, ai habitet dhe i quan njerëz të mirë, ata të cilët i dhanë një kurorë letërsie Handkes, ndaj të cilit është bërë kaq shumë padrejtësi deri më tani. Sepse Handke mbajti kryqin e ortodoksisë serbe  gjatë Golgotes së tij personale kur mbrojti te shtypurit dhe të pafajshmit trupa paramilitare dhe militare serbe, e regjimin e pafajshëm e naiv të Millosheviçit. E jo vetem kaq, por Handke, dhe nëse do donim të ndanim njeriun nga shkrimtari, ka shfrytëzuar artin e tij të madh të shkrimësisë duke krijuar ese e vepra pikërisht në shërbim dhe duke lartësuar fashizmin dhe çmendurinë më të madhe të ngjarë pas nazizmit në shekullin e kaluar.

Një boksier jashtë ringut quhet nje vrasës me grushtet e tij. Quhet armë. P[o një shkrimtar jashtë letërsisë me zejen e tij për të përdorur fjalën e shkruar për publikun e gjerë? A nuk mban përgjegjësi vallë?

Kjo është një çështje morali. Por, si jemi me moralin ne njerëzit e sotëm?

Pak ditë para ngjarjes së Nobelit në letërsi, ishte premiera botërore e Joker, filmit të Todd Phillips, me Joakin Phoenix në rolin kryesor. Bota ndahet në dy grupe, ata që filmin e shohin si gjenialitetin ndër më të mëdhenjtë e 20 viteve të fundit, si një pamflet ndaj padrejtësisë dhe kontroversisë sociale mbi atë që është e moralshme dhe atë qe është e poshtër, dhe në ata njerëz që braktisin sallat e kinemave, sepse ‘filmi është tmerr i dhunshëm’. Ani pse janë po këta njerëz që shohin filma aksion të çdo lloj kalibri vrasjesh e masakrash, e mbase pikërisht mendimi se Joker ishte një film aksion i ka shpurë në kinema.

Pikërisht e njëjta botë, arriti një nivel të paimagjinueshëm puritanizmi moral para një viti e ca, gjatë gjuetisë së shtriganëve, ku aktorëve, regjizorëve, producentëve, dhe çdo lloj mashkulli publik iu gërmuan kronikat se kë kanë parë me ngashënjim kur kanë qenë adoleshentë, e kur i kanë hedhur fjalë një femre, apo kur kanë propozuar për seks një grua.

Në këtë pikë, ka diçka që nuk shkon. Diçka shumë të madhe dhe të  rendë.

Ngjarje në dukje sipërfaqësore pa lidhje me njëra tjetrën, lidhen pikërisht brenda njësisë së vetme të vlefshme sociale, brenda njeriut modern, që në shumësi bën shoqërinë e sotme globale. Ky njeri i ditëve të sotme, nuk ka më kod moral, as hartë morale. Busulla e tij rrotullohet si shigjetë e çoroditur andej nga e dërgojnë politikat mediatike dhe qentë moralë të momentit që e drejtojnë këtë të verbër social herë këtej e herë andej, sipas interesave të epërme grupimesh që njeriu i sotëm i zakonshëm as i vë re, as mund të jetë në dijeni mbi to.

Njerëzit e sotëm moralistë, dënojnë, Joker dhe dhunën në film, dënojnë Kevin Spacey, dënojnë Harvey Weinstein, duartrokasin Polanskin dhe i japin Oskar, duartrokasin Handke dhe i japin Nobelin.

njerëzit e sotëm moralistë pështjellohen dhe refuzojnë dhënien e Nobelit Bob Dylan. Duartrokasin dhe ulërasin furishëm fitoret e James Bond, Ethan Hunt, Hannibal,  Rambo, Terminator me qindra vrasje për film, dhe aprovojnë duartrokitshim mbrojtësin me të madh në botë të Millosheviçit ndërsa kurorëzohet me Nobel. E këta njerëzit e sotëm morale nuk ndihen kur priftërinjtë dhunojnë fëmijët, kur trainerët dhunojnë fëmijët, kur këshillat e burrave vrasin me gurë gratë që ndihen të lira në lindjen e mesme.

Njerëzit e sotëm, enden në mes të një shkretëtire morale, duke përtypur për freski bimë halucinogjene,e duke kërkuar boshtin e vlerave në çdo fantazmë shkëlqyese që u del përpara, pa ditur ku shkojnë, çfarë duan, çfarë nuk duan, e si duan ta ndërtojnë jetën e tyre, duke ecur e ecur në shkretëtirën morale të tyre, të rrëqethur nga gjithçka ka të bëjë me seksin, e të eksituar nga gjithçka ka të bëjë me gjakun.

Ka diçka, thellësisht të gabuar në botën qark sot. E mbase për çdo Handke, duhet një Joker, që loja të paktën të jetë e barabartë./Gazeta Liberale

Sfera Shqipe 10 - Ndyracakët e historisë, dhe një vëmendje e vogël ndaj Sedrës (23 Gusht, 2019)

 

Ky është një shkrim mbi duart, dhe sedrën. Dy njësi që shoqëria jonë i përdor në invers, shumë, dhe pak. Ngacmimi për të shkruar lindi nga një video që më dërgoi një mik me premtimin se do shqyhesha së qeshuri. Dhe vërtet, qeshëm shumë, unë e shumë të tjerë. Me intervistën e një ish pushtetari, që para kohe ka qenë në nivelet më të larta të pushtetit, e sot bën jetë private me dhënie mendimesh të befasishme, e sigurisht të një mençurie të kulluar, aq shume i bindur, i sigurt, në shtëpinë e tij, rrethuar nga gjithë ç’kishte arritur në jetë, me sentencat e tij të hekurta, me vështrimin e fortë e vizionar, me ndërgjegjen rrezatuese te atij që bota i detyrohej. Shkurt, me gafat e tij spektakolare.
Në fillim ishte e qeshura, si fenomen çlirues nga pesha e asaj që mbante intervista, por më pas kur humori mbaron, ftohesh, dhe merr kohën të mendosh pak me gjatë, mua më erdhi ndot. Me erdhi turp për intervistën, për shfaqen prej injoranti, më erdhi ndot që ai njeri aq inferior intelektualisht, aq i trashë e i pakultivuar, aq i vetëkënaqur mbi atë çka ishte e çka kishte bërë në jetë, më erdhi ndot e turp që ai njeri kishte qenë dikur në një pozicion drejtues në vendin tim. Kishte qenë titullar i imi dhe i joti.
Me erdhi turp që ai na kishte prezantuar nëpër botë, jo për ndonjë fill ksenofilie, por sepse ai dhe persona si ai nuk më prezantojnë mua personalisht, dhe as njerezit e rrethit tim me të cilët unë ndërveproj. Më erdhi turp dhe ndot, sepse ai nuk është i vetmi, por primus inter pares mes shumicës së drejtuesve të vendit tonë. Drejtuesve më të lartë të çdo lloj fushe të shoqërisë. Dhe unë refuzoj të besoj që Shqipëria jonë është vend me mesataren e një niveli mediokër.
Po edhe në qoftë Shqipëria jonë kështu, është detyrë e atyre që priren mendja, që ta vendosin stekën e pretendimit aty ku duhet për të mirën e të tërëve. Për të shmangur këta soj krijesash që uzurpojnë dhe keqpërdorin vendin dhe ne. Që historia do ti shohë si i ka parë përherë, si çikërrima, si ndyracakë të veckël në kërkim të përfitimeve personale prej bejlurçinash, do thoshte Noli.
Por, kush është problemi me njerëzit në përditën tonë? Pse njerëzit vazhdojnë, nuk kujdesen për veten e tyre, por ndjekin, u japin kredo, besim, dhe fuqi këtyre individëve e kësaj kaste politike?
Nëse do bëjmë një ndarje primitive të atyre që udhëheqin shoqërinë tonë, sidomos politikisht, duhet menduar për një klasifikim të tillë praktik që të mbaron punë shpejt; të mirë, të këqinj, dhe idiotë.
Përgjithësisht shtetasit tanë ndër dhjetra vite i kanë orientuar në zgjedhjen dritëshkurtër midis dy polariteteve politike, të mirët, dhe të këqinjtë, këto variuese sipas optikës së secilit. E sipas secilit të mirët thonë të vërtetën, e të këqinjtë gënjejnë gjithmonë.
Çelësi i parë i zgjidhjes së problemeve tona social politike është dijenia se zgjedhja nuk është mes të mirës dhe së keqes, por midis njerëzve të mençur, dhe atyre idiotë.
Vetëdija jonë duhet të zgjohet e të kuptojë që përballë nesh ka plot idiotë që na kërkojnë lejen dhe të drejtën të na drejtojnë. Së paku të përpiqemi të mos i japim zë në histori idiotëve. Të vërtetën e kemi ne, çdo gjë tjetër që dikush në krye të vendit ose pretendent për të drejtuar vendin, duhet të drejtohet vetëm nga interesi ynë personal, e vërteta jonë.
Çelësi i dytë, ai kryesori i derës së zhvillimit të Shqipërisë është pikërisht sedra.
Studimet neurologjike, na tregojnë se një nga instrumentat njohës më të mirë të zhvillimit njerëzor është memoria haptike, memoria e regjistruar nga prekja. Në thellim të këtyre të dhënave, psikoneurologjia na mëson se prekja dhe dhënia e duarve është një shkëmbim i mirëfilltë universesh vetjake.
Amigdala regjistron të dhënat, dhe krijon njohjen parake, ndërsa energjia e së pandërgjegjshmes tonë shkëmbehet me këtë shtrëngim duarsh, (qoftë dhe një herë të vetme kjo dhënie duarsh) dhe regjistrohet në regjistrin tonë duke u bërë pjesë e jona dhe e palës tjetër shkëmbyese. Dhe duke hyrë kështu në një marrëdhënie shkëmbimi.
Ne si komb kemi institucionin e pranuar të besës. Kemi tradita, zakone, kemi histori antike e plot gjëra të tjera me vlerë, por, kemi mungesën absolute të diçkaje shumë të rëndësishme për zhvillimin. Kemi mungesën absolute të sedrës.
Shqiptarët në shekuj nuk kanë pasur sedër t’i japin dorën, e të bëhen servilët dhe shërbëtorët e çdo armiku, çdo keqdashësi, çdo pushtuesi, çdo diktatori. Kombi ynë ka një fetish të tmerrshëm ndaj pushtetit. Është në thelb një sjellje primitive prej majmunësh nga e cila nuk kemi mundur të shkëputemi dot me mijëvjeçarë. Sot mund të shohësh plot njerëz që u shtrëngojnë duart kukullave patetike elektorale që për një moment të caktuar në kohë janë veshur me pushtet politik. Sot mund të gjendesh vetë në një situatë të tillë, ku ke përballë të tilla krijesa boshe me fjalë boshe e mendje boshe, të cilët të zgjasin dorën me buzëqeshjen tipike, duke të joshur të shkëmbesh energjinë me ta.
Ndaj, do ishte mirë të gjenim brenda nesh sensin e sedrës, e të mos shtrëngojmë duar të atyre që dyshohen që vjedhin, që vrasin, që na bëjnë keq, që dyshohen, që ka një fije e një hije dyshimi që janë të korruptuar, të ndyrë, të poshtër, e sidomos, idiotë.
Të gjejmë brenda vetes pak sedër sot, ti themi “jo” çdo njeriu të dyshuar ose idiot, që vjen të na shtrëngojë dorën, ose të na flasë e mbushë mendjen se do bëjë diçka për ne, të dalim mbi veten, mbi instinktin e përuljes së majmunit, mbi momentin e joshjes së pushtetit, e të shohim ca vite më tutje momentin kur ai person do jetë i zhveshur, i vërtetë, qesharak e ndyracak para historisë e para nesh. Ta gjejmë këtë moment, ta gjejmë sedrën brenda nesh, e ti themi JO këtyre soj krijesave.
Na duhet të gjejmë më në fund forcën e madhe të mendojmë për më të mirën e vetes, gjëja më e shtrenjtë që kemi, e jo për rrugën e shkurtër të të pranuarit, të gënjehemi e përulemi lirë.
Rindërtimi i institucionit te sedrës është rilindja morale e Shqipërisë.

Pyetesori i Prustit - Loer Kume (ObserverKult 08.07.2019)

 Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Loer Kume, fituesi i “Çmimit Kadare” për vitin  2019.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

-Doreza me gjashtë gurët e përjetësisë e Marvel Universe. Pushteti absolut. Kjo ishte vetëtima e parë që më shkrepi në mend.

Por, kur e mendoj pak më gjatë, nuk më duhet realisht fare ai pushtet absolut. Bota është perfekte, e mrekullueshme, dhe ideja ime e lumturisë së përkryer janë disa sekonda të herëpashershme ku unë dhe gjithçka jemi në ekuilibër absolut. Disa sekonda të absolutes në jetën tonë. Një foto e vajzës time me kokën në barkun e gruas sime duke dëgjuar vëllain. Nja ca sekonda në plazh kur dielli po perendon e përreth ka një qetësi universale. Një dreke a darkë me miqtë me ca sekonda të qeshurash me shpirt. Disa sekonda kur celebrohet puna jote nga të tjerët. Momenti kur takon një të afërm zemre të munguar prej kohe. Momente sekrete që zgjasin sa një hapmbyllje e syve. Jeta është e mbushur me to. Sa më shumë, aq më mirë.


Cila është frika juaj më e madhe?

-Mos nuk arrij dot në kohë të bëj një këngë me Rolling Stones. Kam frikë mos unë vdes përpara tyre.


Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

-Admiroj, më japin panik, më shqetësojnë, dhe më frymëzojnë pa fund njerëz si Elon Musk, Jeff Bezos, Larry Page. Tërë ne njerëzit, kemi një 24 orësh në dispozicion për të bërë gjëra. Por, pikërisht këta njerëz që përmenda, për të njëjtën energji të shpenzuar, me të njëjtën kohë të dhënë, kanë gjetur formulën të lëvizin botën përpara nëpër udhë të reja.

Të njëjtën gjë bën dhe një shkrimtar, padyshim, sepse, për shembull Musk, frymëzimin e tij e ka marrë pikërisht nga shkrimtarët, por shpejtësia e tyre është me bit/sec, e impakti për botën shumë konkret dhe i shpejtë.

Plus, këta njerëz bëjnë gjëra që unë nuk i bëj dot. Unë admiroj çdokend që bën diçka që unë nuk e bëj dot.


Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

-Aleksandri i Madh. Thellë në leximet e mia, intimitetin tim aleksandrin, unë gjej ngjashmëri fatale me atë personazh. Ështe pushtues, luftëtar, i çmendur, por dhe plot dritë, bashkoi popujt, hapi rrugët, shkriu kulturat, çoi përpara evolucionin njerëzor nëpër rrugët e tij personale plot me ngjarje. Dhe gjithçka në moshë aq të re. Unik dhe i mallkuar. Diçka si një shkrimtar që shkrin tërë çka mund të shkrijë ne kazanin e tij të supës së shtrigave, për të bërë një ushqim të ri të mëtutjeshëm.


Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

-Padurimi. Të qenit evaziv agresiv.

Do doja që energjia ime të ishte më e mirëshërbyer ndaj njerëzve. Zakonisht energjia ime ka gjithmonë qëllime të mira, por nuk ka mënyra të rafinuara të qasjes, sillet si pirate me ata përballë duke i intimiduar njerëzit. E shpeshherë duke m’u bërë pengesë.

Po mbase kjo është vetëm në kokën time, e njerëzve u dukem një njeri krejtësisht i ëmbël.


Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

-Cinizmi. Është mashtrues sepse përveçse tinëzar në qasje, fsheh thellë brenda personit cinik asgjë veçse injorancë. Dhe sigurisht, Budallëku. Në ka diçka që më shkatërron sistemin e kontrollit është një njeri budalla.


Në cilat gjëra e teproni?

-Në të pirë, në të ngrënë, e në gjëra të tjera më të shëndetshme. Nganjëherë dhe jo.


-Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

Ne gënjejmë nganjëherë dhe kot. Gënjeshtra është, kur e mendon thellë, bashkë me të qeshurën, tipari kryesor i njeriut. Universi ynë është i themeluar nga e qeshura dhe gënjeshtra. Gjithçka tjetër është satelite.


-Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Ai drejt së vërtetës.

Dhe, herëpashere, ndonjë udhëtim i gjatë pa adresë në zbulim të skutave të Shqipërisë.


Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

-Një mal me fjalë të pista.


Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

-Asgjë. Nuk duhet të ketë pendesa. Edhe gjërat e këqija japin një kënaqësi të këndshme djallëzore.


Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

-Më vjen në mend menjeherë një emër: Djathi.


Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

-E eksituar.


Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

-Do doja të kisha më shumë vullnet për të bërë më gjatë se sa 4 muaj palestër.


Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

-Çdo ditë e nesërme është arritja më e madhe e imja. Dhe sheshi i shtytjes për një arritje edhe më të madhe.


Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

-Do rrotulloja ca burma, ca vida, ca ingranazhe nëpër ndodhitë e gjërave, që një nga stergjyshët e mi të ishte bërë milioner. Sinqerisht, një njeri nuk mund dhe nuk duket të krijojë duke u përpjekur gjithashtu të rregullojë jetën e tij cilësisht, dhe përditë.


Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

-Abazhur barok në një bordel.


Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

-Një shpatë samurai e 1100, e punuar nga mjeshtri Nozaru Okata, që ka qenë pjesë e koleksionit të perandorit Toba të dinastisë Yamoto. Sigurisht që po bëj shaka. Nuk i njoh këta njerëz. Gjëja më e shtrenjtë që zotëroj është biblioteka ime.


Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

-Të mos dish çfarë do bësh nesër. Kjo ia kalon shumë herë vetmisë.


Ku do të dëshironit të jetonit?

-Në Spanjë dhe Argjentinë.


Çfarë vlerësoni tek një mashkull?

-Të shkuarit e gjërave deri në fund.


Çfarë vlerësoni tek një femër?

-Të njohurit e vetes. Është gjëja më e vështirë në botë për këdo. Por, kur një femër ia del kësaj, atëhere ajo është e adhurueshme sidoqoftë.


Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

-Sot, Sabato. Nesër një tjetër.


Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

-Nuk e kisha menduar më parë, por janë pikërisht ata njerëz dinjitozë, që nuk kanë kushte jetese, dhe çdo ditë u duhet të rropaten egërsisht për të mbyllur ditën me bukë në shtëpi për familjen e tyre.  Para pak orësh, pashë një grua në moshë që shiste produktet e saj perime e gjera, rrezë një muri, e ishte ngjeshur në mur për tu freskuar në një copëz hije të thatë nga vapa e korrikut. Admirim! Në sytë e këtyre sizifëve sheh frikë. E përtej frikës, është një ishull plot me guxim të pafund dhe të panegociueshëm për të pushtuar ditën tjetër, e ditën tjetër.


Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

-Do doja të isha si Bruce Lee.


Si do të dëshironit të vdisnit?

-Unë nuk do të vdes.


-Cila është motoja juaj?

We can plant a house, we can build a tree.

Mund të jetë një budallëk që Cobain e ka shkruar gjysmë i dehur e gjysmë në gjumë në bllokun e tij e që më pas u bë kënga Breed e Nirvana, por për mua ngërthen tërë pakufishmërinë e njeriut. Ne mund të mbjellim një shtëpi, ne mund të ndërtojmë një pemë. Ne mund të bëjmë gjithçka që fantazia jonë arrin.

https://observerkult.com/pyetesori-i-prustit-loer-kume/

Loer Kume: Romani më i mirë i të gjitha kohërave pritet të shkruhet (Gazeta MAPO, 23.03.2019)

Loer Kume është autor i romanit “Një histori e rrëmujës” (Albas). Më poshtë vjen në një rrëfim mbi librat e zemrës.



Aktualisht, cilët libra keni më për zemër?

Këto kohë jam krejtësisht i zhytur nëpër poezi. Kam rizbuluar çdo të thotë të lexosh poezi e poetë. Të lexosh poezi e gradon veten menjëherë në generalissimus i dijes së fshehtë.

Ndërkohë po bëhem gati për të nisur Detektivët e egër të Roberto Bolano. Po bëhem gati do të thotë, që po lexoj kujtimet e Isabel Allende, të cilën Bolano e përçmonte.


Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

S’do ta quajmë saktë roman, por, Epi i Gilgameshit. Gilgameshi i ka thënë gati të tëra. I pari. Ato që mbetën i tha Homeri, e kusurin fare e thanë tragjikët e lashtësisë.  Tërë ne të tjerët, nga më i madhi te më i vogli, përsërisim të njëjtat refrene, duke stërholluar shijen estetike të njerëzimit. Duke e bërë jetën të bukur. Sidoqoftë, kjo është histori e vjetër. Romani më i mirë i të gjitha kohërave pritet gjithmonë të shkruhet. Të tërë atë po bëjmë.


Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Përrallat. Çdo lloj përralle e çdo lloj kombësie. Përrallat janë thelbi, njësia elementare e të qenit i ndjeshëm e romantik.


Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Po e përdor këtë pyetje për të përmendur një emër. Andrej Nikolaidis. Është nga ballkanikët më të mëdhenj sot.


Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni?

Çdo lloj gjinie letrare përveç dramaturgjisë dhe letërsisë rozë. Parimi kryesor i çdo libri që kap në dorë është: 1. Të mos më humbë kohë. 2. Të më argëtojë.


Dhe çfarë nuk lexoni?

Revista. Kam alergji nga revistat e çdo lloji. Dhe as nuk e di pse.


Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Me një sy të shpejtë bibliotekës, Fjalori Finlandisht – Anglisht. Dy- tre libra të Osho-s. Toksikologjia e bimëve helmuese. Numerologjia. Shprehje popullore nga rrethi i Korçës.


Çfarë librash nuk do ti lexoni me vetëdije?

S’do lexoj kurrë Lufta dhe Paqja e Tolstoit. S’do lexoj Pavionin e Kancerozëve të Solxhenicin. S’do lexoj shumë libra. E di këtë.


Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Piter Pan. Unë refuzoj kategorikisht të rritem. Pa kompromis. Dhe Jabberwocky. Kafsha ime e preferuar. Raport dashuri urrejtje. Duhet ta zbusësh, dhe njëkohësisht, s’duhet të të hajë.


Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj?

Lexues i përbindshëm. Dija tërë mitologjinë greke në moshën gjashtë vjeçare. Me burra, gra, fëmijë të ligjshëm e të jashtëligjshëm, kunetër, dashnorë, heronj, tradhtarë, gjysmënjerëz, gjysmëkuaj, madje edhe kuaj. Të njohësh kuajt e Akilit, është diçka e rëndësishme. Por, kam vënë re se s’jam fare i vetëm. Kam gjetur njerëz të rrallë me të njëjtin pasion për çështjet e mitologjisë, me kalimin e kohës.


A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Jam futur në telashe kur kam lexuar një libër. Librin e Ringjalljes Inverse. Ku ti shqipton gjëra të frikshme që sjellin të vdekurin në jetën e të gjallëve.


Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?

Zorba i Nikos Kazanxakis.


Nëse do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

Histori e shkurtër e Rrëmujës. Është shumë e rëndësishme ta lexojë çdo politikan. Është një hapje sysh. Një kërcënim. Një deklaratë sociale. Çdo njeri që merr përsipër një rol publik, duhet të bëjë hesapet mirë me qytetarët, zgjedhësit, të drejtën ligjore, e në fund me Deanin dhe grupin e Carma Police.


Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

Me të gjallët, sa kohë marrin frymë ka një mundësi për ti takuar, ndaj të ngremë ca të vdekur nga varri.  David Foster Wallace, Hemingway, Roald Dahl, Henry Miller, Lautreamont, do ftoja dhe Allende dhe Bob Dylan nga partia e të gjallëve. Ups! – U bënë shumë, por një herë që zgjuam të vdekurit kush po pyet? Do ia dalim ti mbajmë me bukë. Rëndësi ka mos të mbarojë alkooli.

Unë jam kurioz i madh situatash më shumë se personazhesh. Dhe këtu kemi një situatë.

Miller ngre këmbët mbi tavolinë. Hemingway nuk e duron diçka të tillë, për më tepër i hakërrehet kamarierit pse nuk shërbeu atë të parin. Allende është tmerr e eksituar nga kjo grindje primitive. Lautreamont përfiton të fusë diçka në barkun e tij të uritur. Wallace e nis një ligjëratë me fjalë admirimi për Hemingway, e nuk ndalon më kurrë, duke kaluar rrufeshëm nga materiali me të cilin janë bërë syzet e tij, te lloji i karavidhes që po përtyp Lautreamont, dhe dreqi e di se çfarë tjetër do nxjerrë nga goja pa ndalim. Dylan nxehet, i shan, e më qaravitet; pse më keni sjellë këtu të ha me kafshë të egra. Miller e Hem bëhen bashkë menjëherë për ti treguar vendin. Miller derdh gotën e verës mbi tryezë për t’i shkatërruar nervat, Hemingway i bërtet; kush je ti t’i flasësh një nobelisti kështu? Fuck off, unë jam nobelist, Grammy Winner, Oskar Winner, whateverwinner,- i thotë Dylan. Allende përtypet me delikatesë e qesh nga një koment i imi në veshin e saj, për mënyrën si kruhet Miller. Dylan shfaq interes për jetën e vështirë të Lautreamont dhe jetën në gjirin e klasës punëtore të Miller. Miller nënqesh, dhe me një vështrim bien dakord me Hem për të shkuar tjetërkund ku ka dhe femra të lira dhe të mira. Jam kurioz të kap bisedë me Lautreamont, se nga i buronte tërë ajo zezonë brenda vetes, por më kap syri Roald Dahl që s’ka hapur gojën asnjëherë, por veç qesh e mban shënime. Jeni të tërë një komedi e bukur miq të dashur, thotë, çohet, përkulet, dhe largohet. Lautreamont sheh majtas djathtas, dhe ia fut vrapit si një ujk i rraskapitur.
Mbetem unë, Dylan, dhe Allende. Më në fund flitet për muzikë. Vazhdojmë të pimë e këndojmë të tre këngë të Pink Floyd dhe Beatles. Unë dhe Dylan habitemi nga njohuritë mbi muzikën të Allende.
E mbyllim me The man who sold the world dhe Knoking on heaven’s door.
Unë jam njeriu që shiti botën!
Jemi tapë ndërkaq.


Është shumë kjo. Ju lutem vetëm tre personazhe për një darkë…

Ndoshta u bën shumë, ndaj do të zgjidhja vetëm një… Kutelin. Do doja të darkoja, me verë të mirë, vetëm për vetëm me Kutelin. Të rrëmoja prej tij historitë e fshehta të Shqipërisë. Historitë e parasë, dhe popullit. Rrëfenjat e fshatit të jugut, e të parrëfyerat e Bankës së Shqipërisë. Kuteli është mësues nga i cili s’kemi mësuar ende thuajse asgjë.


Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk shkoi si duhet?

Provimi i Julio Cortazar. Cortazar e adhuroj si shkrimtar. Por Provimi më erdhi si një kopje amerikanolatine e Uliksit. Plot me referenca mbi Buenos Aires dhe historinë e imët të Argjentinës, te e cila nuk depërtojmë dot. Krejt ndryshe më ka ndodhur me Për Heronjtë dhe Varret të Ernesto Sabato. Dhe ai flet imtësisht për Buenos Aires, por ai të futet në gjak. Por sidoqoftë, pas kohe, e kur ti vijë koha, do t’ia jap dhe një mundësi tjetër.


A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

Udhëtim i pambaruar i Samuel Becket, dhe Xhuxhët e Harold Pinter. S’di në do ti lexoj ndonjëherë më.


Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

Njerëz të ndryshëm, dinë histori të ndryshme të jetës time të kohëve të ndryshme. Jam shumë kurioz ç’do ti bëjë bashkë këta njerëz, çelësat që do zbërthejnë ngjarjet, lidhjet dhe renditjet, duhet një drejtues ose drejtuese shumë e mirë orkestre. Mbase ime bijë do ta bëjë diçka të tillë, ajo është aq e qartë dhe me kuriozitetin e duhur që të gërmojë gjithçka e ta orkestrojë drejt. Jam vërtet kurioz ça dreqin do ndodhë me tërë të fshehtat e mia.


Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

Kthimi është shumë i rrallë, nuk kam kohë, por me dëshirë, te Borghes dhe Kazanxakis. Kazanxakis mundohem të mos e mbaroj kurrë veprën e tij, ndërsa Borghes t’ia përsëris gjithmonë veprën e tij.


Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Veprën e Proust. E ndjej që ka diçka që më mungon, diçka shumë të madhe, ndihem i paplotësuar derisa ti lexoj vëllimet e kërkimit të kohës së humbur.


Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Po jap një listë. John Updike, Carlos Fuentes, Becket, William Faulkner, Kazushige Abe, Don Dellilo, Javier Marias, Kazuo Ishiguro, Sabato, Idlir Azizaj, Anton Pashku, Kristo Frasheri e Arben Puto me libra historike. Paul Auster, Yanis Varufakis, dhe shume shume poezi.

Nuk kemi kohë aq sa kemi libra, e për sa kohë kemi libra, dimë të jetojmë bukur.


https://gazetamapo.al/loer-kume-romani-me-i-mire-i-te-gjitha-koherave-pritet-te-shkruhet/?fbclid=IwAR0Ad1rqGPIBV6LCmpwcmLNc3rSiNSX2ngrnjTLxJ8I7fhIaOG2WrWhg_PI

Sfera Shqipe - 9 Mbi luften civile, burrat e shtetit, dhe gjera te tjera tragjike (04 Mars 2019)

 


Artikuj ne shtypin nderkombetar hedhin idete e pranveres ballkanike. Nderkohe mediat shqiptare ftojne dhe u japin ze njerezve te cartur qe flasin per protesta e lufte civile. Duke u bere keshtu qellimisht ose jo, zedhenes te rremujes dhe idiotsise.
Shqiperia eshte Mesdhe, Ballkan, vendi ku kane lindur e qarkullojne bashke me gjakun elementet tragjike te fantazise.
Ne Shqiperi nuk ka as pranvere, pervec faktit fizik te 300 diteve diell, dhe as lufte civile.
Lufta civile eshte kur nje pjese e qytetareve te nje vendi ngrihen ndaj nje pjese tjeter.
Ne vendin tone aktualisht ka vetem protesta politike opozitare. Me qellimin e vetem, dhe te deshperuar do theksoja, qe te cojne vendin ne krize. Keshtu, te marrin pushtetin.
Ne, njerezit e tjere, qe shonim punen tone, dhe qe duam te bejme jeten tone, as nuk dalim ne protesta, as nuk jemi te kenaqur nga drejtimi i vendit.
Problemi jone real, eshte, qe kujt do i japim pushtetin? Kujt do ia heqim?
Njerezit qe sot kerkojne pushtetin jane njerez te ndryshkur nga pushteti. Kane qene pjese e drejtimit te vendit ne tere vitet, dhe ne tere format. Jane njerez qe kane ikur nga drejtimi i vendit me deshtim. Emer per emer.
Dhe njerezit ne keto protesta jane ata qe fund e krye jane partiake, ose mbeshtetes te nje fytyre te caktuar te politikes shqiptare. Nuk jam une, e me shume mundesi nuk je ti qe lexon kete shkrim.
Njerezit qe sot jane ne pushtet, jane me nje sere skandalesh, qe u shperfaqen, por nuk ka asnje te ndeshkuar, asnje pergjegjesi. Ka vetem shkarkime. Si denime te cepi i klases me nje kembe.
Shqiperia eshte nje vend plot probleme, thone drejtuesit kombetare e nderkombetare.
Shqiperia eshte nje vend pa probleme. Problemi i vetem i Shqiperise jane shumica e njerezve shtetare qe e kane keqperdorur dhe shtrydhur e keqdrejtuar nje vend plot me potenciale e me vetem tre milione banore si ky i yni. Ne dhjetra vjet. Per interesat e tyre ngushtesisht personale. Dhe qe sot kembehen e shkembehen me njeri tjetrin duke u ricikluar pa pasur as turpin dhe mencurine per tu zhdukur me ato qe kane perfituar nga ky vend.
Eshte e habitshme se si vendi jone nuk ka arritur ende te prodhoje nje burre shteti. Nje person qe te perdore pushtetin per arsye kombetare. Qe te beje gjerat mire. Qe te eleminoje problemet. Qe tu krijoje shqiptareve nje klime mireqenieje, e bolleku. Shqiperia nuk prodhon burra shteti. Sepse per gjenetiken ballkanike, te mendosh me tutje se dita e neserme eshte tabu. Dhe keshtu, grryerja nga pushteti e ndihmuar nga dielli i tepert vjen shume me shpejt se sa deshira per te bere mire vendin.
Ndaj, Shqiperia nuk ka e as nuk ka per te pasur lufte civile. Ka vetem lufte te shemtuar per pushtet, ku askujt nuk i rruhet te demet qe i ben vendit, askush nuk eshte i prirur per te krijuar klimen e duhur per pune dhe mireqenie, po ngutet e grindet per te pasur levat e pushtetit, pa qene ne shumicen e rasteve as i denje per kete pozite.
Ndaj, sot, me shume se kurre, ka ardhur koha e lind nevoja per nje force te re politike. Njerezish te forte, me shtylle kurrizore e te formuar per te bere mire kete vend te mire por te rrjepur e catrafilosur keqaz.
Duhet me shume pune nga secili, dhe nje force e re politike.