FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Thursday, April 29, 2021

RrockRrëmujë 5 - Si të “gatuajmë” një letërsi të mirë?




Ndjesia e parë fare,
 Alpha, fillimi, është ndjesia që të vjen për të shkruar. Çfarëdo gjëje që njeh dhe të habit. Çfarëdo që të entuziazmon. Dëshiron ta hedhësh në letër. Në formë prezervimi të një kujtimi, mburrje e rafinuar, ndjesie të së tërës të bërë nga shumë njësi të vockla, të cilave do t’u thuash dhe ti fjalën tënde…

Dhe plot mosarsye të tjera, por e para është ndjesia e shkrimit.
Pastaj, vjen orientimi. Duhet të jesh i orientuar në kulturë dhe arte e histori botërore. Të dish sa ka njeriu mbi tokë, ç’gjëra ka bërë, ç’kohëra ka jetuar, ç’arte ka krijuar.
Unë mendoj se piktura ka shumë rëndësi për abstragimin e një shkrimtari. Shumë.
Po gjithkaq vëmendje do dhe skulptura, dhe muzika e tërë artet e tjera.
Po një shkrimtar duhet të ketë orientim shumë të mirë në klasikët e lashtë greko-romakë, baza e qytetërimit Perëndimor, por akoma dhe më, klasikët orientalë. Të tëra këto prekin ca qendra obsolete në tru, e stimulojnë fantazinë dhe nivelin abstragues, duke u nisur nga rrënja, nga fillesat, nga niveli arkaik, duke e ushqyer këtë të fundit pavetëdijshëm. Dhe shkrimet antike janë shumë të legjitimuara për t’u marrë seriozisht, se i kanë prodhuar njerëz me mjekra që bridhnin rrugëve të gurta veshur me tunika liri, duke tërhequr vëmendjen dhe respektin e bashkëqytetarëve, që zakonisht rrinin me pallë në brez e rregullonin jetën duke therur njeri –  tjetrin. Jo keq si autoritet.

Tjetra, është identiteti. Një shkrimtar duhet të kuptojë qartë nga është. Të njohësh historinë e vendit tënd, personalitetet, ngjarjet kryesore, pastaj ato dytësoret, pastaj ato të dorës së tretë, e pastaj thashethemet përkatëse. Ato të tipit; Enveri djali i Bimbashit, Ramizeja me Zahon. Pirro i Epirit me Antigonën, bijën e Ptolemeut, Aleksandri që kishte kompleks Edipi, komandant Çakalla humbi maleve, apo Mërkur Bua kishte mburojën dhe unazën e Pirros, e gjëra të tilla. Përfshi në dije pastaj dhe kronikën e zezë – dashnori plak 85 vjeç, lë shtatzanë e i pret kokën fqinjës 25 vjeçe. Apo, Altin Dardha thonë që është gjallë e ka luajtur face off. Po pse jo, dhe që Çerçizin e vranë malazezët të lidhur e pas shpine, 33 vjec, sa Krishti ( sy i shkelur) apo që Hasan Prishtina donte të vriste deputetin turk që qëlloi Ismail Qemalin me shuplakë e donte të shiste veshkën për të investuar në pavarësinë e Shqipërisë. (Bëheshin transplante në kohën e Hasan Prishtinës?) Mos harrojmë gjithashtu Zogun që me dy plumba në trup mbajti fjalim në parlament, as Azemin me shokun e tij Mazrekun a ç’e kishte emrin, me pisqolla në parlament gjithashtu, për nder. E mbi të gjitha, Frrokun që betohet ‘për kanue’ në 2015 në foltoren e kuvendit. Identitet. Ky është identiteti A.
Por dhe identiteti B. Ai i vogël, ai i qytetit ku ke lindur, je rritur, detajet, karakteristikat, fantazmat e qytetit tënd, të studiosh tipologjitë e njerëzve qark teje. Lloji i Ismailit me Kronikën, apo i Lasgushit me Pogradecin.

E treta është ushqimi. Nëse letërsia antike greko – romake është taban, dhe ajo orientalja gjithashtu, bashkë me përallat e njëmije e një netëve, ushqimi i letërsisë është sipas midesë së secilit që do të bëhet shkrimtar. Ushqimi nis që pas antikëve.
E këtu flas për lexim. Njeriu shkrimtar, sipas Hemingway, dhe unë e besoj këtë, duhet të lexojë gjithçka. Çdo autor që ka shkruar. Për të ditur ç’kanë thënë në këtë botë, e si e kanë thënë. Mision i pamundur ky, atëherë hyn në punë shija. Dikush lexon klasikët, dikush modernët, e dikush postmodernët, e dikush ushqehet me histori, arkeologji, biologji, lajmet e BBC, CNN, çfarëdoqoftë. Është ushqim. Bashkë me kinematografinë, kinemanë, të autorit, te fastfood movies, ose jo. Unë them, sa më shumë, aq më mirë. Lejohen, e sugjerohen dhe leximet budallaqe, të lehta, argëtuese. Tralala, librat e dobët, librat që shkruhen në vetëm 50 kopje. Po kush ka aq kohë? Atëherë ndiq ‘midenë’.
Ca autorë s’duhen humbur sidoqoftë, ca si shumë.
E njëkohësisht duhen lexuar bashkëkohësit e tu në botë, pastaj të vendit tend, e sidomos të kohës tënde. Mëson më shumë për letërsinë tënde nga ata shkrimtarë të kohës tënde e vendit tënd, se nga asgjë tjetër.
Do veçoja si pjesë të ushqimit, atë pjesë me detyrim, klasikët e vendit tënd, dhe sidomos përrallat. Dhe kukullat. Janë domosdoshmëri. Ashtu si rrënjosin antikët greko-romakë diçka në zonat tona të errta e fëmijënore, ashtu dhe përrallat ushqejnë atë diçka-në e errët e fëmijënore, me kapriço ndërkaq. Sepse çdo përrallë ushqen me vitamina fantazinë, po dhe moskokëçarjen që vjen nga papërgjegjësia e fatit, sepse në përralla fatin e komandojmë ne, gjithmonë. Ndaj, përrallat e kukullat janë domosdoshmëri. Mbi të gjitha, të mprehin mirë brirët e kokëfortësisë se në botë fiton gjithmonë ti, heroi, qendra e botës. Jo keq për një shkrimtar.

E katërta më duket se është jeta. Çfarë jetë bën ti? Jeton në Shqipëri? Ku çohesh dikush, e ngrysesh tjetërkush? Ku sistemet e referimit lëkunden në frekuenca të çoroditura, apo jeton në Luksemburg, ku meditimi jot shtrihet në përjetimet nga shtrati në bankë, e sërish në shtrat, ku shqetësimi shkaktohet nga mënyra si janë zier kërmijtë për drekë, e ku lind nevoja të ndërroni gratë e burrat në fundjavë me komshiun, apo me dikë të huaj të lagjes tjetër për të provuar pak emocion jetësor…?
Ç’jetë bën shkrimtari? Jetën e Kadaresë apo Bolanos, jetën e Hemingwayt apo Proustit? Jetën e Bukowskit apo Murakamit?
Stili i jetës, që varet nga karakteri i secilit, ushqen me atë çka ke për të treguar. Të jetosh në xhunglën shqiptare, atë njujorkeze, atë parisiane, kolumbiane apo londineze, pa folur për Tokion apo qytetet indiane e kineze, kjo përcakton atë që do tregosh. Dhe ajo që do tregosh merr karakter lokal ose universal, nga mënyra si do orientosh rrëfimin. E që të koordinosh tërë këto instrumente – lokalen, botëroren, universalen, kulturën, dijen, mosdijen, – duhet të dish mirë kush je, në raport me të tëra këto më sipër.

E pesta, sipas meje thelbësore në krijimin e një vepre, është pyetja e madhe: “Pse duhet të ekzistojë kjo vepër?”, që çdo shkrimtar proze duhet t’ia bëjë vetes.
Kjo pyetje sigurisht nuk ka qëllim didaktik. Nuk po flasim për qëllime mësimore, veprat e vërteta janë të egra, këtë e dimë. Po them që një vepër në prozë, duhet të ketë një qëllim të sajin, të ngërthyer në gërmat, paragrafët, shtyllën kurrizore të veprës. Këtë qëllim mund ta gjesh të afishuar, dhe kjo është vepër elementare, ose mund ta gjesh të fshehur mirë, ose dhe mund të mos ta gjesh fare. Por ama e ndjen. Ti ndjen që vepra ka një qëllim. Këtë e kam mësuar duke lexuar letërsinë e disa bashkëkohësve të mi, ende të pafiltruar nga koha, që të bën të kuptosh që është letërsi që nuk ka qëllim, posturë dhe shtyllë kurrizore. Ti ndjen se është letërsi që mundet fare mirë të mos jetë. Ndaj… Pse duhet të ekzistojë ky libër?

E në fund fare, të tëra këto marrin vlerë vërtetë, vetëm në mënyrë spontane, e ai spontaniteti është diçka që s’e kontrollon dot; është jashtë sferës së logjikës.
Ai spontaniteti irracional, i pamenduar, është magjia e letërsisë.
E gjithmonë, nuk duhet harruar nga shkrimtari, të bëjë sport. Duhet sporti. Gjaku duhet qarkullojë shëndetshëm, e të shkojë nëpër çdo cep të trurit para së pirës së ditës, së natës, edhe më…


Wednesday, April 21, 2021

RrockRrëmujë 4 - ‘I miss the comfort of being sad’ (Një ode e shkurtër e rrëmujshme mbi trishtimin)



 ‘I miss the comfort of being sad’

Një ode e shkurtër e rrëmujshme mbi trishtimin


Prilli është muaji më mizor. Prilli është i thyer. Prilli është muaj i vdekjes. Thomas Stern Eliot shkroi paraprakisht vdekjen e Kurt Cobain.
Të thyesh kitara. Të shkatërrosh skenën. Ose të përplasësh gjëra e ti thyesh në copa, pas murit, ose me shkelma. Në parim është e njëjta gjë.
Në fillim të prillit bëra vaksinën e Covid. Nuk di, për shkak të vaksinës, a për shkak të gjërave të jetës që të ngjeshen e palosen mbi supe, për tre, katër ditë, në një mënyrë të pashpjegueshme, përjetova pushtimin e një mërzie të madhe, një vorbull e errët, e pandalshme, që të çon thellë e më thellë, e ku asgjë më s’ka rëndësi, askënd nuk do të shohësh, nuk do të dish ç’bëhet në botë, dhe asgjë më shumë.
Në fillim të prillit, që nga ’94, çdo vit, fiks në 6 prill, Cobain merr heroinën që i takon, e në një vorbull të pandalshme që të çon thellë e më thellë, mbyllet në shtëpinë e tij, dhe ia fut vetes me shotgun, duke e çliruar kokën e tij nga mendja, (e cila, nëse nisemi nga një sugjerim i Bergson, është sfinkter i universit për njeriun)
Kështu, Cobain iku në univers, duke jetuar përjetësisht, e duke vrarë veten përjetësisht në Prill, pa nevojën e një shqiponje që ti hajë melçinë.
Cobain ishte kuintesenca e kohës, gjeniu që sintetizoi tërë çka përmbanin vitet 90’, me muzikën rock, një gjeni sintetik, urban, lirik, me poezitë tallëse, me humor, të errta, pa dalje, pa arsye, vargje metaforike. Me vuajtjen dhe çjerrjen e rebelimit të tëra në një zë. Ironik, i ndjeshem, poetik, rebel, inteligjent, të tëra në një njeri. Dalja e Nevermind në dritë, sërish në prill 24, të 91 ndryshoi njëherë e përgjithmonë muzikën, dhe botën. Duke bartur në mënyrë viscerale gjithë energjinë e paçliruar, dilemat e dyshimet, filozofinë dhe shpirtin e një brezi.
Gjithçka tjetër u eklipsua në fushën e pafund muzikore, (dhe po flasim për 91, një nga vitet më të çmuara në historinë e muzikës, ku muzika e mirë derdhej nga kupa e kthehej në një lumë të pandalshëm.)
Zeitgeisti i viteve ‘90 që ndikoi gjithë ç’vinte pas, fryma e një lufte të paluftë, një luftë me asgjënë e madhe, më rezonon frikshëm në histori pikërisht me Tokën e Shkretë, Tokën e çuar Dëm, Tokën e Humbur.
Një gjeni tjetër, që nga spitali psikiatrik i shtruar për krizat nervore të tij, lëshon mbi botë The Waste Land. Nga ai moment poezia, ndjeshmëria krijuese nuk ishte më e njëjta. Modernizmi njëkohësisht rilindi, lindi, dhe arriti maturinë e tij më të lartë, duke pushtuar lehtë Europën, e pastaj Botën. Një poemë për të cilën Ezra Pound tha, përfundimisht Eliot me një poemë na bëri të mbyllim dyqanet.
Eliot, me një përzierje e miteve të Graalit të Shenjtë, Mbretit Peshkatar, Dantes, Shekspirit, përzier me urbanizmin e Anglisë, me Vedat indiane, me shkrimet sanskrite, një lëmsh i madh kulturash e botësh, të transpozuara në boten tonë, atë të 1922, The Waste Land ngërthen ankthin njerëzor, i mbledhur mbi supet e njeriut të pas luftës I, dhe të pre luftës II.
Të njëjtin ankth, trishtim, që përmbajnë këngët e Nirvana, të njëjtin spin nevrik, që përmban thyerja e skenës, të njëjtin spin nevrik që përmban thyerja e një gjëje pas murit e me shkelma në vrullin e një mërzie të madhe me botën, si një vorbull e pandalshme që të shpie thellë e më thellë.
Kur kam lexuar për herë të parë T.S. Eliot, mendoja se do mrekullohesha. Por nuk kuptova asgjë. E gjykova modernizmin si një modë e kohës ku bëje pastiche më gjithçka që gjeje në shportën e kulturës tënde dhe krijoje diçka të re. Eliot e Joyce kanë bërë pak a shumë të dy të njëjtën gjë në letërsi atë kohë.
Kur kam dëgjuar për herë të parë Nirvana, isha ende i vogël, veshët morën thjesht zhurmë dhe mu dukën qesharakë. Kur Cobain vrau veten në 94, unë isha në klasë të tretë, e ndërsa vajzat e klasave të larta qanin ose pseudoqanin, kur nëpër tabelat e zeza shkruhej Nirvana, apo ‘I hate myself and I want to die’, sigurisht nuhasja sforcimin dhe modën.
Më pas, dalja nga fëmijeria, rritja, është saktë momenti kur bota të rrezaton me përmbajtjen e saj, e të shenjon me trishtimin e madh të etjes, urisë, qëllimeve, arritjeve, egoizmit, spinit për të mbijetuar, jetuar dhe fituar.
Dhe frika e madhe se një ditë do vdesësh. Këtu nisin Nirvana, dhe mbaron fëmijëria, një ankesë e madhe për daljen nga pelenat e rehatshme.
Kur bie tërmet, kur ngelesh pa shtëpi, kur gjendesh një moment nën qiellin e lirë, të pafund e pa rrugëdalje, kur të derdhet mbi shpinë një pandemi e nuk di ku të fshihesh, aty i mbyllur, të del para The Waste Land, dhe kërkimi i madh i Graalit të shenjtë, dhe trishtimi të mbulon i pandalshëm, sepse ke ndërgjegje për gjitheçka.
Pastaj vazhdon sërish ritmin, i harron të tëra, futesh në rrjedhën e skemave të jetës, lufton, ngrihesh, ringrihesh, ecën përpara, fiton, humb, dhe sërish në lojën e jetës, harrohesh.
Në dy kapitujt e fundit të Histori e Shkurtër e Rrëmujës, kam shkruar disa nga faqet më të forta e më të rënda që kam shkruar deri tani, pikërisht  duke dëgjuar Nirvana si  ihipur në një dallgë trishtimi të egër e përplasës.
Kam kaluar disa nga momentet më të vështira duke u endur nëpër poezi, e pikërisht nëpër pomen e madhe të T.S. Eliot. Aty ku ulesh në prespektivën e një toke të harruar, shkatërruar, humbur, dhe sheh se si prilli i mrekullueshëm ku bota hapet prapë dhe natyra rilind, farat çelin, njerëzit ndërrojnë gjakun, dhe ekspozohen ndaj të dashurit, sheh se ky prill të duket i tmerrshëm.
Kam jetuar nëpër Burial of the dead, A game of chess, The fire sermon, Death by water, What the thunder said, shpesh pa kuptuar çfarë thotë, shpesh duke e paragjykuar për një pozicion hiperintelektual, shpesh duke hapur referenca, shpjegime, fjalorë, por, sa herë hiqja dorë nga tërë pikëpyetjet dhe shpjegimet, endesha në një klimë melankolie, trishtimi, mërzie, të llojit të humbur prej nesh sapo mbaron adoleshenca dhe fillon rritja dhe lufta, dhe që burimin e ka, si thashë më sipër, saktësisht te humbja e fëmijërisë.
T.S. Eliot pikon e rrjedh të njëjtat ndjenja si tekstet e Cobain, përhumbje, nerv, kërkim.
Dhe këtu vijmë te Frances Farmer. Aktorja e famshme e viteve 30, 40, u trajtua me ilaçe për depresionin, skicofreninë, pa u vërtetuar kurrë që ishte e sëmurë, por thjesht në bazë të sjelljes së saj ekstravagante. E mbyllën në spital psikiatrik, dhe legjenda urbane thotë që e nenshtruan ndaj operacionit kafshëror të lobotomisë. Pra të dëmtimit fizik të lobit prefrontal. Nuk ka fakte që kjo të ketë ndodhur vërtet, por legjenda e Frances Farmer prodhoi këngë, filma, dhe një frymë. Farmer u kthye në simbol. Subkoshienca kolektive ndjeu diçka të fortë, të egër, të tmerrshme, tragjike në figurën dhe fatin e saj. Dhe tërë këtë sintezë e jep një varg i vetëm i këngës së Nirvana, Frances Farmer will have her revenge on Seatle. “Më Mungon komforti i të qënit e trishtuar”.
Të qënit i trishtuar, mundësia, për të ndjerë trishtim, është mundësia për tu zhytur kohë më kohë në thellesitë e tua, të kërkosh veten, fëmijën, shpresat, humbjet, përhumbjet, ndjenjat, emocionet më të imta, kërkimin e fëmijërisë, e foshnjërisë, stadin embrional ku asgjë nuk është e shkruar e gjithçka është mundësi. Shëtitja në tokat më intime, aty ku lulet dhe farat çelin, në bulëzim, ‘In Bloom’, përpara se të bëheshim pjesë e waste Land, ku ‘Sell the kids for food’, në tokën e djerrë. Një shëtitje e ‘he is the one who, likes, all the pretty songs and he, likes to sing alone, and he, likes to shoot his gun, but he, dont know what it means’. Një vizitë në zonën tonë më instiktive. Ku kemi përballë nesh, the Waste land, plot me sforco, luftë, sfida, ecje përpara, arritje, ambicie, dhe stacionin final, vdekjen, por të tëra këto janë jashtë nesh, e ne përkundemi në djepin e bukur të trishtimit të pafajshëm, plot me ankth të bardhë për të ardhmen.
Ndaj është e tmerrshme të humbësh mundësinë e të qënit i trishtuar, që përditshmëria jonë, rritja jonë, zmadhimi dhe pushtimi jonë i botës, nga njerëz, na kthen në makina të lobotomuara, të programuara pune dhe funksionesh, duke harruar veten, duke u tjetërsuar.
Për këtë arsye, prilli është muaji më mizor, dielli shkëlqen, gjaku ndërron, natyra shpëthen, dhe ne jemi më së shumti makina të programuara dhe detyruara.
Ndaj Eliot ka shkruar për Cobain, ndaj Cobain është çjerrë për ne. Ndaj vrau veten përballë shkretisë së Waste land, ndaj Eliot është titanik, dhe i shkatërruar nervor. Ndaj Nirvana thyenin skenën, dhe ne thyejmë gjëra në mur në një vorbull përthithëse thellë e më thellë. 
Tmerri i vdekjes dhe i pamundësisë fle në jetën e përditshme, si një Gilgamesh i tërbuar pa gjetur rrugëzgjidhje. Por trishtimi i rinisë fle nën tokën fertile të prillit.
Sidoqoftë, Prilli është muaji i rilindjes, i Dionisit, është një muaj i ndezur dhe i gëzueshëm, është muaji më i bukur. Sepse, I am the king of illiterature, I am very ape, and very nice. Sepse unë kam lindur në Prill. :)

Wednesday, April 14, 2021

RrockRrëmujë 3 - Mbi kishën, Sodomën, dhe Gomorrën dhe gay people


 Bota jonë njerëzore, e parë në sytë e një alieni turist, shëtitës nëpër univers, me siguri shfaqet në ngjyrat e saj të vërteta, ato të një xhungle primitive ku njeriu i sotëm jeton ende lashtësinë e tij.

Sigurisht, për shumicën e shqiptarëve në Gomorrën tonë të përditshme, të uritur e të etur, që lagin gabzherret nëpër klube elektorale të fushatës zgjedhore të 25 Prill 2021, duke u dehur me premtime, se si  Shqipëria do jetë e jona, (Vallë e kujt vërtet? E një grushti njerëzish këtu e 30 vjet) për shumicën e shqiptarëve të uritur, të papunë, parazitë dhe ende ëndërrues të premtimit me lugë floriri, kur floriri i vërtetë shqiptar ikën nëpër Angli e nëpër parajsa fiskale ishujsh tropikalë, sigurisht për shumicën e këtyre shqiptarëve është fare i panjohur debati i javëve të fundit në botën perëndimore, midis besimit kristian, kishës katolike në veçanti, dhe komunitetit të homoseksualëve.
Historia është ne thelb e thjeshte. Homoseksualët e tërë botës, kanë ngritur sërish pretendimin që kanë të drejtën e tyre të martohen jo vetëm sipas ligjeve, me një martesë civile, por tashmë dhe në kishë sipas riteve kristiane.
Ky shkrim sigurisht nuk kundërshton diçka të tillë. Përkundrazi, e përgëzoj entuziazmin e komunitetit homoseksual.
Sigurisht, nuk po shkruaj as  për të denoncuar refuzimin e kishës, përkatësisht kishës katolike, dhe saktësisht Papa Françeskut, i cili refuzoi diplomacisht e kategorikisht diçka të tillë. Përgëzoj qëndrimin e kishës, qëndrimin e kuptueshëm të kishës. Mos harrojme se në 2003 papa Gjon Pali 2 ishte krejtësisht kundër martesave civile gay.
Unë po e shkruaj këtë shkrim, në pozitat e një ateisti, dhe mbrojtesi të të drejtave të çdo qenieje njerëzore ta jetojë jetën si më mirë i vjen mbarë, pa i bërë dëm askujt. Dhe duke bërë qejf sa më fort të mundet, sepse jetohet veç një herë.
Unë kurrësesi nuk besoj në dogmën e kishës. Nuk besoj në institucionin e saj, në ikonofilinë, në parimet, në mekanizmat e saj të induksionit të kontrollit, bindjes dhe politikës së fortë në mijra vjet në tërë Europën.
E dimë të tërë që Europa dhe Kisha janë entitete shumë të ndërthurura. Sigurisht pa i mohuar fesë anët e saj pozitive që ka sjellë në boshtin e vlerave ku mban lidhur miliona njerëz besimtarë.
Unë, gjithashtu, kurrësesi nuk besoj në institucionin e homoseksualeve. Nuk besoj në truste, lobingje, lëvizje, komunitete, të bazuara në shijet seksuale të njeriut.
Nuk besoj sidomos, kur këto komunitete nuk bazohen në organizimin e ngjarjeve seksuale, por të atyre politike. Sigurisht duke u vlerësuar këtyre lëvizjeve natyrën sociale emancipuese, në sajë të së cilës u realizuan, martesa civile gay, dhe zbutja e klimes së shoqërisë tonë bashkohore. Shoqërisë së derdimenizuar në atë shkallë sa të paragjykojë dhe stigmatizojë njeriun për shkak se tërhiqet seksualisht dhe emocionalisht nga një njeri i të njëjtit seks.
Por, mbi të gjitha, unë nuk besoj edhe më fort, në budallëkun primitiv njerëzor. I cili sot shprehet me dëshirën kërpudhore, të mbire nga hiçi, kështu si pas shiut, për t’u martuar në kishë.
Në parantezë, është shumë interesant fakti, që kryesisht debatet dhe ekuilibrat gjithmonë kryhen me kishën katolike, si institucionin më të emancipuar dhe të ekuilibruar fetar, i cili lëron terren, ndryshon lehtë (fjalë e madhe ‘lehtë’), zhvillohet e përshtatet përgjatë mijëra viteve që nga Konstandini i Madh edhe ketej. Dhe nuk kërkohet kjo e drejtë, për shembull në ritin ortodoks bizantin, në ritin islamik, apo në atë të besimit hebre, të treja këto në errësirë totale ndaj çdo forme zhvillimi social bashkëkohor. Debatet dhe ekuilibrat shtyhen gjithmonë në terrenin pionier të kishës Katolike. Është ajo që hap rrugët. Por, është praktikisht një budallëk prej njeriu ende në agimin primitiv të tij, ende në stad embrional të zhvillimit të tij, të kërkojnë njerëzit gay të martohen në kishë, sot, në epokën dixhitale, kur Elon Musk ëndërron të martojë njerëzit në Mars.
Kisha është dogma. Para se Katolicizmi të sundonte botën, njerëzit e lashtë ishin shumë më të emancipuar seksualisht se ne sot. Jetonin lirisht shijet e tyre seksuale, si u vinte mbarë, dhe parimi social ishte liria e plotë seksuale si njeriu është në gjendjen e tij të lirë. Është testamenti i vjetër, mbi të cilin është bazuar feja katolike, është trashgimia fetare judeo hebraike, ndërthurur me Testamentin e Ri, praktikisht predikimet e Jezuit mbi martesën dhe referencat në Ungjillin e Mateut, është pikërisht kjo fe, me Sodomën dhe Gomorrën në thelb të saj, që bëri mbylljen e madhe seksuale të njerëzve. Është pikërisht kjo fe e madhe monoteiste, që u veshi njerëzve kostume të ngushta shumë për madhësinë e tyre humane. Kjo fe, që besimin te zoti e reduktoi në besimin te kisha, e që dashurinë njerëzore dhe seksin njerëzor e ngushtoi në atë që i vinte për shtat politikisht për të kontrolluar njerëzit. Homoseksualiteti është imoralitet dhe e dënon zoti.
Dhe çohen sot njerëzit gay, në, nuk di se çfarë deliri, organizohen në komunitete, ngrenë tema diskutimi e kërkojnë me ngulm, me të njëjtin ngulm që feja i ka dënuar deri më sot, me të njëjtën dogmë, por tashmë një dogmë homoseksuale, që kisha ti bekojë e ti martojë në altar.
Pikërisht kjo kishë që altarin e ka ngritur mbi Sodomën antike, e ka shpikur termin sodomi, dhe dënimin me ferr për sodomitët.
kjo mund të jetë më në fund arritja e madhe e dijeve, endrra e tërë filozofëve, martesa e dy sistemeve filozofike, atij antik, dhe atij kristian. Pikëtakimi i madh. Arritja e madhe e mendimit njerëzor.
Ose... kjo është një budallek primitiv po aq sa i kishës. Nëse dy njerëz janë gay, dhe duan të krijojnë familje, shkojnë në gjendjen civile, martohen, dhe jetojnë të lumtur. Dhe lufta që çdo vend, dhe çdo fe të njohë martesën civile është një luftë e drejtë. Por, të kërkosh të martohesh në kishë, është një ekstravagancë e njëjtë me nepsin për të pjekur e ngrënë qiqra në hell.
Homoseksualët si fillim nuk duhet të vetëdallohen nga njerëzit e tjerë straight. Nuk ke as brirë, as ndonjë veçanti specifike ndryshe nga të tjerët në je, apo nuk je homoseksual. Është thjesht diçka që ka të bëjë me intimitetin tend. Feja gjithashtu, është krejt e jotja, intime. Mbaje me vete, e mos qiqro në hell me martesat në kishë.
Do vijë një ditë, sidoqoftë, që ky komunitet do ia dalë të martohen dhe në kishë. Pastaj edhe në xhami. Pastaj do vijë një ditë, ku njeriu do ketë të njejtën liri që ka pasur njeriu i lashtë. Dhe të njëjtën mendje të çliruar nga vargonjtë moralë. Dhe kjo historia e kishës do harrohet. E më pas, në rrjedhën e kohës, edhe vetë  kisha do harrohet. E mbase atëbotë, njeriu do jetë zhvilluar mjaftueshëm, do ketë zbuluar një kod moral të ri, modern, emocional njerëzor. Do kenë lindur ambasadat e ambasadorët e parë nëpër planete aliene, shkëmbimet e para tregëtare me krijesat jashtëtokësore. Po derisa të vijë ajo kohë, është (në besimin tim) detyra ime, detyra jonë, që budallëkun ta thërrasim me emrin që ka. Në çdo rast, edhe sikur, kundër të gjitha shanceve për të fituar.  

Wednesday, April 7, 2021

RockRremuje 2 - Artisti është një krijesë Apolitike

 


Artisti është një krijesë Apolitike.

‘Unë jam apolitik. Sa më shumë udhëtoj, aq më pak i sigurt jam se kush filozofi politike janë të rekomandueshme, sa më shumë sisteme drejtimi shtetëror shoh, aq më pak jam i sigurt t’u jap besimin tim një grupi njerëzish, ndaj do ishte katastrofike për mua të merrja një pikëpamje definitive politike, një këndveshtrim fiks, apo t’u përkisja një grupi njerëzish të caktuar e të thoja “këta janë njerëzit e mi.”
David Bowie flet kështu për bindjet dhe pozicionimin e tij politik. Dhe nuk mund të kishte një formulim më të saktë të asaj çfarë është një artist, por jo vetëm një artist, por dhe një njeri që synon, që e ka qëllimin e jetës, mbi mesataren. Bowie la këtë jetë në 2016. I sëmurë rëndë prej vitesh, por pa i thënë askujt veç familjes së afërme. Sepse esenca e tij ishte arti.
Pas vdekjes së tij mësova që David Bowie kishte refuzuar dy herë titullin Ser dhe Kalorës të akorduar nga Mbretëresha Elisabeta. ‘Unë jam këtu për të bërë art, e jo për tituj fisnikërie.’

Unë nisa të shkruaja që në moshën vjeç, praktikisht sapo mësova ta bëja diçka të tillë. Që në atë moshë e gjithë kohës, nuk kisha asnjë dyshim, kisha një qartësi absolute që rruga ime e shkrimit ishte rruga e madhe e artë. Ndërkohë realiteti qëndron diku në mes opinionit tonë personal për veten, dhe mendimit të të tjerëve për ne, dhe mua gjithmonë më kanë parë si studenti, dentisti, doktori, njeriu i suksesshëm dhe i dedikuar në profesion. Kur u Botua LUX ne 2012, ndodhi që njerëzit nisën të më shihnin me dyshim, si mjek dhe si shkrimtar, sepse nuk u qendronin bashkë të dyja fenomenet, njeri simbol i të qenit strikt shumë me këmbë në tokë, e tjetri shembull i fluturimit, lufta e përhershme midis dioniziakes dhe apolonianes. Në fund, i dhanë një shpjegim racional, që kjo ishte një kapricio e një dentisti.
Kushdo që lexoi LUX ndërkohë, pati dyshime që unë isha një person i rrezikshëm për nga skiza midis dy forcave.
Kur botova Histori e shkurtër e Rrëmujës, pesë vjet më vonë, përfundimisht publikut iu krijua idea se diçka ishte prishur tashmë në mua dhe nuk funksionoja mirë, një shkrimtar i mirë nuk mund të jetë një mjek i mirë dhe i përqëndruar. Dhe u desh Çmimi ‘Kadare’ në 2019, për Amygdala Mandala, që unë të çertifikohesha përfundimisht si shkrimtar i suksesshëm dhe të pranohesha si i tillë nga publiku i gjerë. (Sigurisht nuk i referohem atij publiku që lexon gjithmonë, të cilin e kam pasur mbështetje që ne agim të ditës).
Dhe këtu vijmë te thelbi i shkrimit. Menjëherë pas Çmimit, këdo që takoj, atëherë, dhe sot e kësaj dite, presin diçka nga unë. Me shprehje të përmbajtura; tani tu hapen dyert, apo të guximshme; tani hidhu, kap momentin e ngjitu, apo disa dhe më eksplicite; pse nuk futesh në politikë tani që ke ngritur emrin tënd.
Sigurisht, politika aktive më ka joshur gjithmonë, por ka vetëm një arsye. Gjërat në këtë vend shkojnë gjithmonë për dreq. Vendi jonë keqtrajtohet e dhunohet vazhdimisht, nga çdo forcë politike që merr drejtimin. Vendi jonë drejtohet e përfaqësohet nga njerëz kryesisht mediokër, që më e shumta kanë mësuar të flasin, dhe që dinë të artikuojnë pa ndalesë një paragraf. Njerëz injorantë, e si pasojë grykës, makutë të babëzitur të gjërave materiale, që nuk kuptojne më sipër stomakut e më poshte gjunjeve. Kjo shtresë njerëzish e tërë ngjyrimeve politike ka mbuluar drejtimin, e mbulohet sistematikisht nga nje shtresë mediatike gjithashtu injorante, skandaloze, edhe më shumë forcë e së keqes, sepse qëllimisht mbulon shqiptarët me emocione negative, dhe u jep zë dhe vëmendjen kryesore krokodilëve e hienave politike në mënyrë të pandalshme, pa denoncuar, pa mbajtur qëndrim, madje duke devijuar opinionin në drejtime të painteresa e ku humbin energjitë.
Ndaj sigurisht, ky vend, (por jo vetëm ne, por tashmë e shohim, bota perëndimore në përgjithësi, nisur që nga vendet europiane të parat) ka nevojë për një ndryshim loje, për një frymë të re të të bërit politikë, ka nevojë për liderë dhe parti të reja.
Dhe unë personalisht, nëse nuk do kisha asgjë për të bërë, do themeloja një forcë politike kryekëput të re. Por miqtë e mi duhet ta dinë që unë jam tjetër gjë. Unë jam artist, e qëllimi im në jetë është krejt tjetër.
Misioni im personal, por besoj i çdo artisti, është eksplorimi. Ne jemi dishepuj të përjetshëm të Odiseas, qofshim Borgues ulur, apo Hemingway vrapuar e rrëzuar me avion, tërë rraca e artistëve kërkojnë të shohin botë të reja. Eksplorojnë mundësi të reja. Gërmojnë në të përbrendëshmet e njeriut, nxjerrin gurët e çmuar të natyrës njerëzore, të historisë së njeriut. Shohin me këndvështrimet më të largëta, më të huaja. Ua sjellin në sy tërë njerëzimit. Dhe përmes këtij rrëmimi, përmes eksplorimit, reconquistas, të asaj me njerëzores të cilën e kemi humbur rrugës duke krijuar shtampa, përmes rikrijimit, shpikjes, endjes së mënyrave të reja, ne kërkojmë vetëm diçka. Fetishi jonë është vetëm një gjë, vetëdijshëm apo pavetëdijshëm. E vërteta.
Ndaj... Si mundet një artist i vërtetë, i cili rri majë shkëmbit më të lartë, i lirë me mundësitë e panumërta të ekzistencës përpara tij, të veshë kostumin e ngathët, të ngushtë, bardhezi, të politikës? Si mundet artistë të shumtë të gënjejnë veten se po bëjne diçka për vendin duke mbështetur njerën apo tjetrën forcë të caktuar politike? Mos vallë që t’u hedhë një kockë? Si mundet një krijesë e lirë të marrë formë? Të bindet ‘unë them hidhu dhe ti thua sa lart’?
Çfarë ndodh me krijimin artistik të së vërtetës kur ti ndërkohë ke gjetur makinerinë e interpretimit të kësaj të vërtete e cila është e ngurtë në lëvizje dhe e përpiktë në dhunë?
Sigurisht, ka raste plot, kur artistë si Marquez kanë ndarë në mënyrë drastike dhe titanike bindjet e tyre nga vepra e tyre. Ka raste ekstreme kur njerëz gjenialë në letërsi si Vargas Llosa, kanë luajtur rol aktiv në politikë. Ka raste kur ka artistë si Zizek (sepse Zizek është artist jo filozof si e sheh veten ai më së shumti) apo grupi i Alternative Rock, Rage Against the Machine deklarojnë hapur bindjet e tyre politike dhe propagandojnë furishëm ato bindje. Por cila është diferenca midis tyre dhe të tjerëve? E vërteta. Ata nuk janë tinëzarë, por janë tehe të mprehtë të asaj që ata besojnë është e vërteta. Ata janë të vërtetë në atë çka përfaqësojnë. Të lajmërojnë, ta shpërfaqin bindjen e tyre dukshëm, merre ose lëre. Por të frikshëm jane tinzarët, gjarpërinjtë, personat artistikë që papritur kthehen në persona politikë të fshehtë, zvogëlohen, futen në lëkura të dyshimta e interpretojnë përmes makinerive luftarake politike të vërteta tashmë obsolete.
Sidoqoftë, nuk mund të krijohet fryma e re politike, partia e re politike, lideri i ri politik, nëse nuk shtrohet rruga e mendimit, ndjeshmërisë, perceptimit, nëse nuk hapen dyert e reja nga vetë eksploratorët e terreneve, pushtuesit e mëdhenj, artistët.