FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Friday, January 18, 2019

Sfera Shqipe 8: - Vdekja e Onufrit dhe krenat e flamurit


.
.
Shqipëria është një vend me aktivitet të lartë sizmik për nga vetë pozicioni i saj mbi tokë. Dhe kjo do jetë arsyeja, se tjetër nuk gjej, e një prej problemeve më të mëdha që ka vendi ynë. Destabilitetit. Janë vibrimet e tokës ato që sjellin vibrime në çdo lloj fushe, deri dhe te njerëzit, që ndryshe zgjohen e ndryshe flenë, duke krijuar një shoqëri të luhatur, pa pika reference e pa baza të shëndosha ku të ndërtosh besim dhe bëma të mira.
Onufri vdiq. Këtë dhjetor. Për herën e disatë.
Për ata që nuk e dinë fare, Onufri ishte një konkurs ndërkombëtar i arteve pamore, i organizuar nga Galeria Kombëtare e Arteve. Që prej vitit 93 ky organizim shërbeu si pasaportë për vendin tonë, e si urë lidhëse midis arenës sonë artistike dhe asaj të vendeve të tjera.
Papritur, por jo pa precedentë, sepse edhe para disa vitesh u tentua të mbyllej nga ministria në detyrë asokohe, bordi i Galerisë së Arteve dhe drejtori i radhës, vendosën të mbyllin konkursin ndërkombëtar.
Herën e fundit, (vjet, 2017) që e ndoqa, vura re që kishte vërtet probleme. dhe këto probleme sipas antarëve të bordit, domethënë, cilësia e veprave, mosqënia fizike e pjesëmarrësve të huaj, niveli i ulët i organizimit, trajtimi i padrejtë i artistëve shqiptarë në krahasim me artistët e huaj, këto probleme shkaktuan rënien e interesit dhe si pasojë mbylljen e këtij konkursi.
Por pse vallë ra interesi i publikut dhe funksioni i Onufrit? A pyet njeri?
Galeria e Arteve në vend të punojë në drejtim të përmirësimit, rritjes së cilësisë, zhvillimit të mëtejshëm të një organizimi tradicional tashmë, vendos me një të rënë të lapsit e me një mendje vibruese e dridhëse, ta mbyllin fare.
Ngrysesh me Onufër, e gdhihesh pa Onufër. Pa shpjegime. Pa arsye. Pa punuar sipër.
Kjo ngjarje në dukje pa rëndësi është e fundit, por nuk është shfaqja e parë e këtij problemi me vibrim.
Ne kishim bienale të Tiranës, tani nuk kemi më Bienale të Tiranës. kishim Çmim Kadare, me vetëm një fitues, Ernesto Sabato. Kishim çmime letrare me Penë të artë e të argjendtë, per ti zëvendësuar me të tjerë çmime me emra shkrimtarësh, e tani kemi një cmim të vetëm letrar, brenda të cilit frulohen në një supë mishmash, drama, poezi, e prozë bashkë. Kishim Festival Pranvere, tani s'ka më te tillë. Kishim Top Fest, tani jo më.
Ngremë sisteme arsimore, për ti zëvendësuar me të tjera sisteme. Shkruajmë ngjarjet per ti zëvendësuar me të tjera versione.
Kishim shelgje dhjetra, që i zëvendësuam me palma, që I zëvendësuam me pisha, e me të tjera pemë të rastit.
E kështu vazhdon ky terren i luhatur, vibrant, drejt çoroditjes, duke shkundur e rrokullisur sa herë të jetë e mundur, çdo lloj tradite, institucioni, duke shkatërruar çdo lloj filizi, për ta zëvendësuar me një të ri, që nesër ta zëvendësojme me një edhe më të ri.
Ndaj në këtë vend punët nuk ecin drejt, sepse secili që vjen në drejtimin e një pushteti, vendi, institucioni, organizimi, nuk ruan dhe zhvillon traditën e krijuar, nuk punon ta përmirësojë, por e shkatërron për të shpikur një traditë të vetën.
Ja pse, nën luhatjet e këtyre lloj tërmetesh, që, në emër të origjinalitetit nuk kanë truall fare tashmë ku të mbështeten, ja pse në vendin tonë nuk ka mendim të formuar, shkollë, traditë, vazhdimësi, por ka shpikje dhe rishpikje të sdiseçasë.
Në këtë truall mbin vetëm mosbesimi, dyshimi, cinizmi, dhe ndërtesat e projektet kioska, ku kioskat edhe pse ikën nga qytetet, mbinë si mendimekioskë në kokëkioskat e rastit.
Këto vibrime e dyzime me siguri bëjnë edhe që shqiponja të ketë dy krena, kombi të ketë dy trungje, deri dhe Shqipëria të ketë dy emra, një për vete e një për botën.
Dhe shqiptarët enden nëpër këtë terren vibrant duke kërkuar përjetësisht vetveten.