FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Friday, May 21, 2021

RrockRrëmujë 8 - Unë dëgjoj Sirenat

 





Ata që njohin mirë muzikën, presin qe ky shkrim të ketë lidhje me Pearl Jam. Dhe ndjekësit e kësaj kolone, e urojnë këtë gjë. Por jo. Pearl Jam-it u mora borxh titullin e këngës së tyre fantastike. Dhe këtu do flas për një lloj krejt të veçantë sirenash.

Zgjat dorën, merr Borgues, e ul në tokë, kap Kafkan, e nxjerr nga labirintet e tij pasqyrake, e përzien me lëngun e trashë të krijmtarisë Kortazariane, dhe tërë këtë material e përzien dhunshëm me tokën e zezë pjellore të Carver. Dhe sapo ke përftuar, Samantha Shweblin.

Merr spektrin policesk të krijmtarisë së Poe, trete shumë, po shumë fare, sa të hollohet krejtësisht me Duras, hidhi një dozë Atwood, një dozë McEwan, dhe ke përftuar, Perihan Magden.

Sigurisht, klubi i feministeve të irrituara, kudo që ndodhen nëpër botë, do thonë pse ke përmendur në referenca më së shumti meshkuj për të përshkruar dy femra, por ato me tërë idhësinë e tyre nuk kanë ç’u bëjnë referencave të mia.

E njoha Shweblin në një intervistë të përkthyer në gazetën Ex Libris. Më goditi fakti që kjo shkrimtare thotë, eksploroj errësirën përmes letërsisë. Ç’ është kjo shkrimtare, që eksploron dhe flet për errësirën? A mund të ketë një shkrimtare femër që është e joshur nga errësira? Me siguri po, tërë femrat, tërë njerëzit, joshen nga errësira, nga frika. Gjendja më e pastër e joshjes. Por, të shkruajë errët? Kjo po që është një ngjarje letrare.

Kërkova për Shweblin dhe mësova që është argjentinase, gjë që thotë shumë. Argjentinasit do kenë diçka në gjak, apo në ajër, apo në tokë? Që i bën superstarë letrarë. Mësova që është 42 vjeçe, që ngjan pak eksentrike por dhe e tërhequr nga skena njëkohësisht, që vizaton dhe që, nga katër a pesë veprat që ka shkruar, 3 syresh kanë qenë kandidate për International Man Booker. Kjo më rriti kuriozitetin dhe shkova një ditë të bukur në librari mora dy romane të saj, “Largësi Shpëtimi” dhe “Kentuki”. Që te libri i parë njoha një gjeni letrare mahnitëse, një mënyrë të shkruari nga pas perdes, një ankth të çmendur që të zë në faqen e parë e të dërgon drejt e në faqen e fundit, pa e lënë librin.

Villa Matas tregon në Art of Fiction të Paris Review, se si kishte mësuar nga Kafka si të shkruante për negativin e historisë, jo për atë që shohim të tërë. Të shkruash për negativin, këtë bën Shweblin dhe është brilante në këtë mënyrë rrëfimi te “Largësi Shpëtimi”.

E lexova dhe “Kentuki” me një frymë, e thashë, wow! Ja ku gjetëm një shkrimtare brilante. Dhe goditja finale ishte “Zogj në Gojë”, libri i saj me tregime. Kjo ma rikonfirmoi si një nga shkrimtaret më të mira të kohës sonë.

Dhe ndjeva njëfare zilie ndaj saj, që e përmenda dhe në një studio televizive ndërsa debatohej pse Çmimi Nobel nuk na avitej ne, Shqipërisë.
Ka një kriter shumë thelbesor, për të cilin jemi shumë krenarë, po prej të cilit edhe jemi shumë të penalizuar. Dhe ky kriter është gjuha. Shweblin shkruan spanjisht, që ka audiencen e gjuhës së dytë më të folur në botë. Dhe jo shqip. (Për fatin tonë kemi përkthyes te plotë të spanjishtes në shqip, si Bajram dhe Erion Karabolli, që na sollën Shweblin dhe të tjerët).

Por ky i gjuhës, është një tjetër diskutim në një tjetër shkrim të ardhshëm, këtu do mbetemi te dy shkrimtaret.

Shweblin në fakt ishte zbulimi im i dytë femër. E para ishte Perihan Magden. Librin “Dy vajza” e zbulova në një librari të lagjes, ndërsa gërmoja për gjëra që më ngjallnin kuriozitet. Libri ishte me zbritje, në rresht me libra të tjerë me zbritje. Më thërriti, pa arsye ose dhe me arsyen kurioze të asaj që mund të ngjante me dy vajza në Turqi. E mora librin, e solla e përsolla nëpër duar, dhe e vura në listën e pritjes. Nuk po më thërriste më. E një ditë, e zura në një cep, a më zuri në një cep, dhe nisa ta lexoj. Flet pastërtisht për dashurinë midis dy vajzave. Dashurinë e pastër e të pamundur të dy vajzave të reja në Stambollin frymëmarrës, përballë një shoqerie thellësisht patriarkale e, më së shumti, të prapambetur. Që shpesh, shumë shpesh, të kujton gjatë leximit saktësisht shoqërinë tonë.

Çfarë kurajoje kjo shkrimtare në Turqinë e Erdogan, mendoja ndërsa lexoja. Dhe rizbuloja edhe një herë letërsinë, si arma më e fuqishme.
Mund të them me siguri se përpirja ishte e pashmangshme. Ritmi, frymëmarrja, rendja, përshkrimet, piktura e karaktereve aq e gjallë e me ngjyra të forta, aq e detajuar, aq e thellë, aq njohëse e mirë e karaktereve njerëzore, aq përshkruese e hollë, aq ndërthurëse e saktë e të thënës me të pathënën, parabola ndërtuese e librit aq e gjatë. Pra, një krijuese e sigurt, e fortë, madhështore.

Rastësisht u gjendem diku me Flutura Açkën që e ka botuar Magden dhe e përgëzova për zgjedhjen. Më rrëfeu që ishte rekomandim i Orhan Pamuk. Por si botuese, u ankua që libri nuk kishte ecur, nuk e lexonin.

Kjo shpjegoi arsyen, pse unë e gjeta librin me zbritje diku. Dhe kjo shpjegon disi dhe arsyen pse ende në Shqipëri shkruhet prozë për budallëqe, ose së paku, për të mos u bërë fyes, ende nuk shkruhet prozë e këtij kalibri. Sepse nuk ka lexues të mirë, nuk ka lexues e lexuese gërmuese, të kulturuar, kuriozë, me sensin e zbulimit të tokave të reja, por ka më së shumti lexues e sidomos lexuese, biba, që orientohen për lexime nga influencere biba e më tutje. Por, edhe ky është një tjetër diskutim.

Nga të dy autoret femra, mbeta literalisht i çmeritur. Ishin sirena që më thërrisnin, e nuk mund të bëja asgjë veçse të ekzaltohesha e t’u shkoja pas në adhurim, duke dëgjuar këngën e tyre aspak vrasëse, e plotësisht iluminuese.

Unë personalisht besoj që letërsia e shkruar nga femrat, në vija të trasha është në dy forma. Ka femra që shkruajnë si femra, ka dhe femra që shkruajnë si shkrimtare.

Kategoria e parë, nga eksperienca ime e leximeve, ku mund të jap shembuj të lexuar së fundmi, janë Hanne Orstavik, Oddny Eir, Marica Bodrozic, shumë intrinsike(të natyrshme), përshkruese, si një lumë i purpurt që shëtit viseve të brendisë së tyre, e na jep jashtë mrekullinë e krijimit. Një letërsi e tillë bën një urë kalimi të fuqishme me letërsinë e llojit Allende, e na vjen me letërsinë e femrave shkrimtare. E të tilla janë Shweblin, Magden, Atwood, ku të qenit femër nuk ndërhyn në letërsi, nuk bëhet letërsi, përkundrazi mpreh dhe fuqizon tekun letrar, duke bërë një letërsi aq brilante sa s’mund të bëjë tjetër veç të të sfidojë të shkruash po aq mprehtë, e të të zilepsë për mprehtësinë femërore aq madhështore. Ndaj, le të dëgjojmë e fundosemi në dete sirenash

Wednesday, May 12, 2021

RrockRrëmujë 7 - Çmime dhe çmimet e çmimeve…

 





Bota është e bukur dhe e mbushur me diversitete. Letërsia është një oqean plot me specie të ndryshme që gjuajnë dhe gjuhen, hanë dhe hahen, por përgjithësisht, në thelb, notojnë e krijojnë udhë e rryma, prodhojnë specie të reja në bazë të evolucionit personal. Në këtë oqean, herë pas here, ndodhin ngjarje me ngacmim të jashtëm, tokësor, që quhen çmime letrare.

Dhe në botën e madhe oqeanike të letërsisë ka njerëz që duan çmime letrare, ka njerëz që nuk duan çmime letrare, ka edhe njerëz që bëjnë sikur nuk duan çmime letrare. Grupi i refuzuesve dhe i kinse-refuzuesve, pra grupi i mohuesve, është më i madh sesa i të tjerëve. Është kurioze të gërmosh nëpër hamendje, se pse ka njerëz që duan dhe nuk duan çmime, në rastin tonë konkret – letrare.
Refuzuesit e vërtetë, dhe këta janë dy llojesh, janë refuzues bindjesh, si Sartre, i cili refuzoi Çmimin Nobel, si praktikë e esenciales së tij, ekzistencializmit. Në qendër të ekzistencializmit Sartrian është ideja se ne nuk kemi përkatësi, por vetëm raporte, dhe çmimet ishin njëfarësoj përkatësie që dëmtonin lirinë. Dhe të them të drejtën, kjo mund të jetë diçka e vërtetë. Sepse çmimi, njëfarësoj, të konturon dhe detyron.
Kemi dhe refuzuesin e vërtetë të padashur, të pavullnetshmin, të detyruar nga shkaqet dhe rrethanat. Si Solzhenicin, të cilin e detyroi rrethana politike sovietike të mos shkonte ta tërhiqte në ceremoni dhe të “bënte sikur nuk e donte”.
Përgjithësisht, në grupin e refuzuesve hyjnë edhe njerëz, autorë, me bindjen e tyre të plotë se çmimet letrare janë të rreme në thelb, duke qenë se disa autorë subjektivë mblidhen për të gjykuar subjektivisht materiale letrare. Ndërkohë që letërsia nuk është e nuk mund të jetë subjekt gare, sepse është krijim individual. Njoh plot syresh, e nuk mund të them që nuk kanë njëfarë të drejte, sidoqoftë unë personalisht nuk rreshtohem te këta autorë. Dhe as në autorët kinse-refuzues. Të deklarosh që nuk beson në çmime letrare, që nuk i pranon ato, që nuk i njeh, dhe pastaj tinëzisht të jargavitesh pas tyre, ah, ky është mashtrim. Dhe të mashtrosh, është garantori kryesor i një letërsie të lirë e të grisur.
Unë nuk besoj në gjëra të rreme. Ndaj, hyj në autorët që i vlerësojnë çmimet letrare dhe i pëlqej ato. Çmimet letrare janë një mekanizëm shumë i mirë evidentimi, spikatje, nxjerrje në arenën e madhe të publikut të letërsisë.

Por, ka gjithmonë dy probleme shumë delikate në çmimet letrare dhe i kam njohur nga afër, duke u bërë diseksion çmimeve; herë si pjesëmarrës dhe si fitues, dhe herë si anëtar jurie. Problemi i parë i përket autorëve dashamirës ndaj çmimeve, dhe është të shkruajnë qëllimisht për t’u pëlqyer dhe për të qenë politikisht korrektë e të lëmuar që të rrëshkasin sa më mirë në çmim. Këtu, sapo shkelëm në terrenin e minuar të së rremes. Nëse ti do te jesh i pëlqyer, adoleshenca ende nuk ka dalë nga thellësia jote dhe komandon me mekanizma xheli flokësh, pasqyrën e universit që është letërsia. Është përgjegjësi e madhe. Dhe gafë e madhe. Kjo gafë ushqen lumin e turbullt të “politikisht korrektes”, dhe ushqen në masën përkatëse, me aq sa mundet, dëmtimin që po i bëhet botës sonë sot nga ky fenomen i korrektesës.
Problemi dy, është i jurive, kur përmes mekanizmash të rrezikshëm nuk janë ushtarë të bindur të kritereve letrare, nuk janë dishepuj të letërsisë, të estetikes, mesazhit, esenciales, fjalës, por bëhen dishepuj të “politikisht korrektes” në rastin më të thjeshtë e mendjengushtë, ose të kulisave të bankës së favoreve, në rastin më të ngarkuar e të dëmtuar.
Pasi kalojmë këto dy probleme, të vjetra sa bota (por kjo nuk i shmang nga përgjegjësia, çdo herë që ngjan sikur të jetë hera e parë), vijmë te kuptimi i çmimeve.

Sipas meje, një shkrimtar kur shkruan duhet të dijë kujt t’i drejtohet. Cilës audience i flet me letërsinë e tij. Sa më e madhe bota, aq më mirë. Dhe kur shkrimtari, në mekanizmat e tij i drejtohet botës mbarë, atyre që ishin dhe atyre që do jenë, atëherë gjithçka është në rregull. Letërsia do të jetë e vërtetë. Çmimet letrare, në këtë rast,  zbehen dhe sfumohen para letërsisë së madhe. Ndaj Nobel, duke e marrë për shembull si Çmimin më të madh letrar dhe më kontroversin, rri pakëz i inklinuar e kokëulur përballë Borgues, Kafka, Joyce, Proust, Tolstoy, Chekhov, Twain, Dostoyevski. Sepse letërsia ka fituar mbi Çmimin dhe këta emra janë më të mëdhenj se çdo çmim. Ashtu si akordimet e çmimeve të caktuara nuk janë garantorë të cilësisë së letërsisë, ka plot nobelistë që për mua janë të palexueshëm dhe të lodhshëm e nuk i përkasin as letërsisë mesatare.

Atëherë, çfarë është gjithë kjo tollovi e çmimeve letrare? Pse ekzistojnë? Pse duhen? A bëhesh pjesë e estabilishmentit, duke marrë çmime? A bëhesh hipokrit duke pranuar çmime, duke hyrë në garë, duke dashur të tillë?
Kur kthehen në qëllim në vetvete, PO. Je krejtësisht politikan. Por sidoqoftë, në botën e madhe, mbushur me informacione, ngarkesa, rrëmujë kaotike numrash, shifrash, parash e arritjesh teknologjike, çmimet letrare janë ceremonia që tërheq vëmendjen. Janë A
ll eyez on me të 2Pac, janë Oh Baby Im a Rockstar e Rihanna, janë vëmendja ceremoniale ndaj letërsisë, dalja nga shishet e zbrazura, dhomat me tym duhani, lokalet e vogla plot me të thëna e të pathëna, aventurat e errëta, zhurmat e fshehta, janë outing i shkrimtarit nga shpella, drejt publikut. Ndaj çmimet letrare janë të këqija, po, por nuk janë dhe aq të këqija.
Sidoqoftë, letërsia është një oqean i gjerë e i pamatë, e çmimet letrare janë thjesht porte, herë të mëdha, herë të vogla, por asnjëherë të përhershme, e gjithmonë tranzitore. Thelbi i letërsisë është uji, rryma, rrjedhja, dhe stuhia.


Wednesday, May 5, 2021

RrockRrëmujë 6 - Koncerte, luftë, dëshmorë dhe shqiptarë

 






Gjithmonë kam pasur një asociim në mendjen time, midis një koncerti masiv, ku rreth 100, 200 300 mijë njerëz, ose 1 milion njerëz si në rastin unik të Rolling Stones në Copacabana beach, Rio de Janeiro, Brazil, kërcejnë këndojnë, janë të tërë në një vend, dhe një ngjarjeje po kaq jetësore le të themi… luftës.
Një luftë ku turma masive e të organizuara njerëzish përplasen me njeri tjetrin për të realizuar qëllime të caktuara finale. Për shembull, koncerti i Stones, 1 milionë njerëz që bashkohën në një ide, në një udhëtim emocional, mendor, në një frymë, në një zë, në një djersë, në një ritëm. Nën drejtimin e gjeneralëve Mick, Keith, Ronnie, Charlie. Dhe një Lufte të dytë botërore, nën drejtimin e një Hitleri, Himleri, Goeringu, Stalini, De Gaulli, Churchilli, Rusvelti, Trumani. Në thelbin e tyre më të thellë, gjërat janë të njëjta. Adrenalinë dhe pushtet. Dhe bashkim. Nuk ka shumë rëndësi në thelb kampi, rëndësi ka qendra. Adrenalinë, thanatos, dhe pushtet.
Sidoqoftë, jo domosdoshmërisht mund të jemi kaq të çmendur dhe të këqinj në asocime. Ku shkoi e mira dhe e keqja?
Sidoqoftë, dua ta ngushtoj pak optikën, dhe të zbres në Shqiperi. Po vjen 5 maji për dy ditë. Ndërsa tërë bota mbështillet rreth një koncerti, një grupi, një lufte, një ideali, një atdheu, ne kurrë nuk arritëm (ende deri më sot të paktën) të bëjmë një mega koncert. Nuk ka një koncert gjigand në Shqipëri. Gjithashtu, gjate luftës se dytë botërore ne kurrë nuk arritëm te mblidheshim në një njësi, përreth një ideali, të luftonim të keqen, si një organizëm I vetëm. Gjatë luftës pati tre fraksione, të cilat përveç luftës nacional çlirimtare, patën dhe luftërat e tyre me shoshoqin. Cili është problemi? Nuk kemi adrenalinë? Nuk kemi empati? Jemi gënjeshtarë të thelbësores?
Pas luftës, pasi komunistët morën pushtetin, lindën armiqtë si ishin Balli Kombetar dhe Legaliteti dhe ideatorët e funksionarët e kohës, si Mid’Hat Frashëri e shokë. Lindën 28 mijë dëshmorë, si 28 mijë kilometra katrorë, (sikur Shqipëria të ishte vërtet kaq e vogël) u glorifikua, u këndua, u fry, si qumështi në zjarr.
Në rrjedhën e ngjarjeve të pas diktaturës, fryma që mbuloi mendjet dhe sytë e çdo shqiptari ishte ajo e revanshizmit. Urrejtja për diktaturen nuk mori kurrë një formë të caktuar të qartë e të pastër, nuk u kurkuan kurrë të vërtetat, nuk u vërtetuan personazhet, nuk u gjykua mbi ngjarjet. Nuk u pyet kurrë pse ne shqiptarët lejuam dhe duruam dyzetepesë vite dhunë diktatoriale në shpinë. Por, në vend të përballjes me veten dhe historinë, u la i lirë pasioni psikoemocional të shpërthente ndaj gjithçkaje që kishim krijuar e qe kishte ekzistuar para dhe gjatë dyzetepesë viteve para ‘’90.
Kështu, turma të tëra psiqiko emocionale,thyen xhamat, thyen pemët, thyen përkujtimoret historike, u morën vendime politike për të "thyer tokat, dhe pronat shtetërore në shumë copa të përfitueshme'.
thyerja si shfryrje zhvlerësoi thyerjen simbolike të bustit të diktatorit.
U thye dhe shkaterrua kësisoj, dëshira për të dëgjuar dhe gjykuar çka ndodhur në këto dyzetepesë vjet, e si pasojë u urrye me shumë passion, mbi të gjitha, vetë shqiptari dhe Shqiperia. 

Në vazhdën e kësaj çmendurie kolektive, u sulmua, tall, zhvlerësua, injorua, dhe lufta nacional-çlirimtare, dhe vetë dëshmorët, duke arritur dhe të bëhej humor me dëshmorët dhe me luftën, duke u sugjeruar që luftë s’ka pasur, e që e tërë historia është një farsë. Sikur lufta të ishte kapital i diktatorit Hoxha dhe klaneve komuniste, jo e një populli të tërë.
Ne jemi një popull që tallet me dëshmorët e tij. 
le ti themi ca te verteta se na shendoshin mendjen ne kete rremujen e vlerave; Sot që po flasim e shkruajmë, asnjë njeri i vetëm nga ne, nuk e çon në mend të ngrihet të luftojë për vendin në rast lufte. Të tërë madje, e kanë mendjen si të arratisen nga vendi i tyre. 
Por, para shtatëdhjetë vjetësh, njerëz, të rinj e të reja, shqiptare, u çuan dhe dolën në luftë kundër pushtuesit. Partizanë a ballistë qofshin. Dolën në luftë realisht me opinga, e me barkun tharë. Me kulaçe e dhallë. Vetëm në familjen time të madhe kanë luftuar shtatë paraardhes, kanë vdekur tre, dhe jane plagosur dy të tjerë, thënë kjo për ilustrim historic konkret. Të tillë ka çdo familje thuajse. 
Sa frymë e poshtër dhe e ndyrë i është injektuar këtij kombi që tallet e injoron e përbuz të vdekurit e tij? 
A ka pasur thika pas shpine? A ka pasur luftë civile? A ka pasur tradhëtira dhe poshtërsira? A ka pasur brenda ushtrisë së organizuar shitblerje dhe tradhëti? A ishte konferenca e Mukjes një simbol i përçarjes së shqiptareve me veten e tyre saktë si shqiponja me dy krena? Një symbol I tradhëtisë kombetare? Sigurisht që të tëra jane, nën pluhurin e historisë, të vërteta.
Por, po aq të vërteta janë jetët që janë dhënë për këtë vend, dhe plumbat që janë marrë dhe shtënë për këtë vend. 

Ata dëshmorët, lufta, nuk është ajo që kemi parë e dëgjuar nëpër skeçe humori. As ajo që kemi parë nëpër filmat e propagandës. Por është ai momenti i veçantë, mistik, I pashpjegueshem, vetemohues, I shtyre nga kushedi cfare mekanizmash  primitive emocionale, (te cilet ne s do ti kuptojme kurre, uroj mos ti kuptojme kurre) kur një njeri merrte vendimin ti bashkohej luftës për atdhe. Keshtu, nga nje njeri, beheshin dy, tre, dhjete, nje cete, nje skuader, nje battalion, nje brigade, nje ushtri.  
Lufta nacional-çlirimtare ishte e vërtetë, pavarësisht ç’mund të thonë sot mendjet surrogate të dijes se rreme nga pozicionet e tyre të jetës komode të shekullit tonë.
Lufta ishte e vërtetë, dhe ishte ajo që mund të dëgjohet ende sot nga goja dhe kujtimet e ndonjë veterani të mbetur gjallë e me mendje të kthjellët. 

Ndaj, rruga drejt një Shqipërie më të mirë, kalon detyrimisht nga guri i themelit, gjaku i atyre të vdekurve, shumë prej tyre gati fëmije, që dolën në luftë, pa pretendimin absurd e megaloman që të fitonin mbi Gjermaninë naziste, siç ca shqiptarë pasardhes të dhjamosur mendojnë e ironizojnë sot, por dolën në luftë si kamikazë, për të mbrojtur vendin e tyre. Per tu rreshtuar ne krahun e aleateve. (Me gjithe delikatesen e krishte te raportit te aleateve me forcat e brendeshme ketu)Dhe dhanë jetën për të. 
Sa më shpejt të kthjellohemi nga perdet e vetëmohimit dhe vetëpërbuzjes që na i kanë futur në kokë në shplarjen e truve tërë këto vite të pas ’90, aq më karakter tregojmë, e aq më pak kompromise do lejojmë që të bëhen në shpinën e vendit tonë të mjerë, të bukur, e të mirë.