FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Monday, August 2, 2021

RockRrëmujë 18 - Çështje me Dua Lipa, Atdhe, e gjëra të tjera







RrockRrëmujë është konceptuar për t’u angazhuar me tema e artistë të çimentuar në histori, në ndërgjegjen popullore, në psiqikën kolektive, e kryesisht nuk mund të negocioj poshtë, fjala vjen, Pink Floyd.

Por, është e pamundur të jetosh në kohën tonë e të mos ngacmohesh e entuziazmohesh nga ngjarjet e përditshme. E në këto ngjarje të përditshme, e muzikë të përditshme, e situata të ditës, nuk mundet kurrsesi, te jesh një hater i Dua Lipa. Faktikisht, mua më duket se tërë bota e do Dua Lipa.
Dua Lipa vjen në Shqipëri dhe, si gjithmonë, si akujt e shkëputur nga akullnajat e Arktikut notojnë opinionet pse Dua duhet (kupto – me dasht) pse Dua pritet, pse Dua respektohet, sa krenarë jemi për Duan, Dua na nderon, ç’ka bërë Dua për Kosovën, ç’ka bërë Dua për Shqipërinë.
Së pari, këto histori dëgjohen për çdo shqiptar të famshëm. Çfarë bëri Kadare për ne, çfarë bëri Nënë Tereza për ne, Inva Mula, Ermonela Jaho, Tedi Papavrami, çfarë bëri për Shqipërinë Anri Sala, çfarë bëri Rita Ora, e dreqi e i biri, duke shkuar te Jean Moreas, Karl Gega e famiglia Durrazzo; mjafton të jenë të suksesshëm, e tërë shqiptarët presin që këta njerëz të bëjnë diçka për ta.
Çdo njeri, së pari, i përket vetes dhe familjes e të dashurve të tij. Do vijë një kohë, që përveç ndonjë krenarie të largët e thellësisht antropologjike, koncepti i atdheut nuk do të ekzistojë më. Do vijë një kohë që, Toka do jetë atdheu ynë. Artistët ndërkombëtarë e kanë njohur ndërkaq këtë kohë. Bota është një fshat i stërmadh.

Në këtë koncept të lirë, asnjë artist nuk ka pse t’i detyrohet vendit të tij për asgjë. Lëre pastaj vendit të origjinës, si Dua Lipa. Dua ishte foshnje kur ndodhi Lufta e Kosovës, e sot në epokën e re që po jetojmë, nostalgjikët e marsheve të luftës duhet të mësojnë veshët me muzikën botërore elegante të Duas. Dua erdhi në Tiranë, adoptoi një kopësht, bëri Sunny Hill Fest në Prishtinë, e kaq është shumë për dikë që i mjafton ekzistenca dhe sukseset për t’i bërë mirë vendit të vet. Dua është fantastike në tërë këtë.
E dyta, ndërsa lexoj The Illogic of Cassel të Enrique Vila-Matas, një nga autorët spanjollë e europianë më të mëdhenj të kohës, diku më del para se si personazhi kryesor këshillohet të shohë disa vepra të X e Y, e sidomos nje vepër që quhet The Oblique Clock nga ‘the albanian artist Anri Sala’, sepse është shumë e rëndësishme ta shihte si shfaqe të artit kontemporan.

Dhe, këtë fakt e gjen dhe në faqet e tjera të librit.
Nuk ka sesi të mos gufohet zemra që një bashkëatdhetari yt të ketë të tillë sukses me veprën e tij, e të përjetësohet në një vepër letrare, e të njohë të tillë sukses europian e botëror. The albanian artist. Fjalë sublime për underversin tonë shqiptar.
Por, çfarë shoh unë pas këtyre fjalëve? Anri Sala vërtet etiketohet albanian artist, por nuk u bë në Shqipëri. U bë jashtë vendit të tij. Ismail Kadare nuk do kishte njohjen dhe rëndësinë qe ka sot në botë, nëse nuk do ishte botuar në frëngjisht e nuk do kishte një agjent letrar të huaj. As Inva, as Ermonela, as Tedi nuk shkëlqyen nga Shqipëria. Ka plot muzikë e muzikantë këtu që duhej të ishin minimalisht të famshëm ndërkombëtarisht. Këngë të Ritfolk, Elton Dedës, këngë të Djemtë e Detit, këngë të Minatori, Gjurmët, Genc Salihu.

Bojken Lako duhej të ishte një muzikant ndërkombëtar, Qelbanix duhej të ishin të tillë. Një grup i ri shumë interesant, Into thin Air duhet të ishin ndërkombëtarë, e plot muzikantë e muzikë që nuk i zë një shkrim i vetëm.  Por nuk janë ndërkombëtarë. Ndërkohë, ka muzikantë e autorë nga vendet fqinjë, që kanë audiencë ndërkombëtare. Dhe Dua e Rita, nëse do kishin mbetur në atdhe, pak gjëra do kishin arritur. Shqipëria e Shqiptaria është një nënë që i ha bijtë e saj. Është kuçedër e egër.
Dje, ndërsa flisja me një mik për djalin e tij rishtar futbollist, më tregoi si i kërkonin lekë për ta futur në skuadër, e pastaj lekë për ta futur në lojë. Ja, ky është mallkimi i shqiptarëve. Shqiptarët që presin nga shqiptarët e suksesshëm jashtë vendit, së pari duhet të bëhen njerëz vetë. Suksesi është vetjak, në çdo moment e çdo sekondë të jetës sonë të përditshme; suksesi është në punën tonë të përditshme, të bësh mirë atë që fati të ka përcaktuar të bësh. E si fillim, të mos t’i kërkosh lekë një prindi që t’i angazhosh fëmijën në lojë. Çdo ishte bërë Rey Manaj, nëse do kishte ndenjur në Shqipëri e nuk do kishin emigruar prindërit në Itali? Ndaj shqiptarët e shëndetshëm, para se t’u kërkojnë llogari bijve të suksesshëm të Shqipërisë, të bëhen etër të mirë e të përgjegjshëm të vendit të tyre. Çdo veprim që bën secili nga ne sot, ka një efekt ciklopik pas 10 a 15 vitesh. Ndaj riparimi shqiptar është kryefjala, jo entuziazmi, zelli tifozerik, krenaria apo kërkimllogaria shqipe.

Së treti, pse e duam Duan? Krijesa Dua Lipa, të bën ta duash. Por jo nga emri, i cili është sidoqoftë paracaktues i njeriut, mendoj unë. Dua na bën ta duam, sepse Dua bën një muzikë të ëmbël, aspak pretencioze, përkëdhelëse, të dashur, alegro, plot gëzim, me emocione shumë fine, elegante, pozitive, duke ngacmuar ndjesitë më të çiltra e të këndshme tonat, në një botë plot me trazime, halle, probleme, zvarritje, pluhur, ndjenja të rënda, zymtësi, e tinguj të angazhuar, e muzikë të rëndë, pretencioze, politike. Ku politika dhe makrondjenjat hyjnë kudo, kemi Duan, një muzikante që në mes të rrëmujës njerëzore, qesh, ulet, bën muzikë të lirë, këndon, e i dedikohet ngazëllimit njerëzor. Ndaj, Levitate with Dua, e merre jetën më me shije e gëzim. Në këtë botë rëndësi ka vetëm çfarë bën ti. Ndaj shijo, e bëje mirë.

RockRrëmujë 17 - Shkrimtarë mbi shkrimtarët, dhe shkrimtarë





Në një mënyrë te mrekullueshme, Woody Allen ka dhënë te filmi i tij “Midnight in Paris” një dialog fenomenal të supozuar, midis Hemingway dhe një shkrimtari të ri. Muzikantët thonë gjithmonë fjalë të mira për njëri – tjetrin. Piktorët po ashtu.


Kanë ndikime, idhuj, tabu, luftëra të brendshme. Po kurrë si shkrimtarët. Hemingway te Misdnight in Paris i thotë atij djalit të ri që po shkruante një libër: “ Unë të urrej ty. Të urrej sepse nuk shkruan aq mirë sa duhet, ose të urrej sepse shkruan më mirë se duhet. Në çdo rast, shkruan dhe je kundërshtari im. Unë jam më i mirë se ty.” Kjo eshtë kuintesenca e letërsisë. Shkrimtarët më të mirë janë ata të vdekurit. Sepse ata nuk na kërcënojnë hegjemoninë. As inteligjencën. As zotësinë.

Sidoqoftë, shkrimtarët janë pasojë e njëri – tjetrit dhe e miliona mënyrave të rrëfimit. Ndërsa po shkruaj një libër tani, mbi dëshirën për të mos vdekur, mbi udhën e njeriut drejt jetës, drejt dëshirës për pavdekësi, e dëshpërimin e tij që jeta është e përkohshme, por nga ana tjetër kjo është ajo që bën njeriun atë që është. Ndërsa shkruaj këtë, më ngulmon ndërgjegjia që këtë temë e kanë lëvruar 4000 vjet përpara, në Epin e Gilgameshit. Unë thjesht po e shkruaj në një formë më të re, që dua të bëhet edhe më e vjetër se Epi.

Dhe prapë, sidoqoftë, shkrimtarët nuk e honepsin dot njëri – tjetrin. Unë të urrej ty. Sepse shkruan keq, ose sepse je më i mirë se unë.

Ndaj, vijmë te pika dy e shkrimit; më kënaqin, pra më argëtojnë shkrimtarët e angazhuar tërë zell, që ulen e marrin përsipër të shkruajnë mbi shkrimtarë të tjerë.

Nisin e thurin krijime shkencore, se si gjuha dhe forma e përdorur nga ky shkrimtari që ata njohin, është shumë e lartë, dhe idiomat, sintaksa, metagjuha, intertekstualiteti, gjurmët e x apo y shkrimtari të madh, formula e re që aksh shkrimtar i zgjedhur ka shpikur, etj etj. Nisin e thurin ditirambe e këngë hyjnore mbi çfarë shkrimtari, mik i zgjedhur, ka shkruar. Përdorin tërë teorinë e letërsisë për të shpjeguar çfarë artisti është shkrimtari në fjalë.

E tërë kjo është qesharake. Qesharake në mënyrën më ekstreme. Njerëzit shqiptarë çdo ditë përballen me lekun, luksin, hallin, plazhin, bukën, shkollën e fëmijëve, makinën e komshiut, shtëpinë, kredinë. Ose me famën, dhe kush i ka buzët dhe cicat më të bukura, kush ka më shumë dashnore se kush. Dhe vijnë ca shkrimtarë që dëshirojnë të ngrenë, përmes ca shkrimeve mjerane, shkrimtarë të tjerë, me shpresën se kur të vijë radha e tyre, këta bashkëvuajtës shkrimtarë, do u kthejnë favorin.

Mua personalisht kjo gjë më argëton pa masë. Sot madje, lexova në një gazetë letrare, një shkrim mbi një shkrim mbi shkrimtarë. Pra, analizojmë analizuesit e shkrimtarëve. Kësaj i thonë me vdek nga të qeshurit.

Serioziteti e solemniteti që shpjegojnë arritjet e njëri – tjetrit shkrimtarët, është qesharak. Lexuesi, as që do të dijë budallëqet teorike që shkruajnë shkrimtarët për gjeninë krijuese të njëri – tjetrit. Dhe kemi një problem shumë të madh. Që kritika letrare ka krijuar një qark të mbyllur midis letrarëve e letrareve. Ndërkohë që lexuesi merr të kuptojë diçka nga shkenca dhe jeta e këtyre kritikëve shkrimtarë, e s’kupton asgjë. Dhe thotë, “vari leshtë shkrimtarëve shqiptarë se janë të lodhur”. Sigurisht që janë të lodhur.  Për mua personalisht nuk ka shkruar asnjë koleg shkrimtar, fatmirësisht; thjesht në rastin më të mirë më anullojnë, bëjnë sikur nuk jam, por dhe sikur të shkruanin, do kishin  shkruar diçka shumë të dëmshme, që lexuesi do e kishte kapur, e do më kishte deklasifikuar dhe mua.

Një të vërtetë në këtë mes ka. Shkrimtarët shqiptarë janë të lodhur. Më së shumti shkruajnë ca budallallëqe, që janë të destinuara të dështojnë. Komplikime anësore. Halle. Dëshpërime. Vuajtje. Jetë e vështirë. Mëshirime. Mizerje. Dëmtime nga regjimi. Mllefe. Siklete. Tërë terreni i letërsisë shqipe është një fushë stërvitore e artistëve të rinj që do sjellin risinë në letërsinë shqipe.

Dhe këtu vijmë te pjesa e tretë e shkrimit.

Letërsia shqipe sipas meje është në një gjendje të dëshpëruar. Sepse askush nuk merr mundimin të lexojë çfarë prodhohet shqip. Është e lodhshme dhe e pavërtetë. Mungon nervi. Mungon shtytja.

Por, unë kam pasur fatin të njoh disa autorë që janë një botë tjetër, një dhomë krejt e re, dyer që duhen hapur në letërsinë shqipe.

Suad Arilla me “Libri i harresës dhe kujtimeve”, Ervin Nezha, “Të vdesësh nën Diell”. Rigel Rizaj, “Ameba”, Alban Tufa, Tobias Xhaxhiu, Memento Mori, letërsi e shkruar rishtaz, pa mllefe, pa probleme, një botë krejt tjetër, një letërsi krejt tjetër, situata krejt të reja. Geverina Muzhaqi, me “Ngjyra e turpit”. Po nuk janë vetëm këta. Ka dhe të pabotuar ende, që mua më është dhënë mundësia t’i lexoj, si pjesë jurish. Behar Jacaj, me përmbledhjen “Rrëfimi i tredhjes”, apo Dionis Prifti me “Bar Sahara”. Apo Lumni Bajrami me “Kuajt e Aeroportit”. Apo Alban Tufa me “Porta nr. 124”, apo “Fate të Hijezuara”, një libër fantashkence i shkruar nga nje vajzë super e formuar, e quajtur Xhoana Jaku. Këta të fundit të pabotuar, por me potencial letrar fantastik që cilado shtëpi botuese do ishte krenare t’i kishte kuajt e vet të fitores.

Kemi letërsi të re. Jashtë skemave të vjetra, të lashta, të lodhura, te mërzistshme, të besdisshme, me histori e legjenda të kohës së diktasturës, apo të kohës se besdisshme që lexuesit shqiptar ia sjell në majë të hundës.

unë besoj në aksiomën e thjeshtë të Toni Morrison, letërsi e mirë është ajo që nuk është shkruar akoma, atë shkruaj ti, ose, në rastin tonë, atë lexo ti. Dhe letërsia shqipe, po ecën mirë, në një llogore serioze të fortë e të gatshme për të qënë pjesë e botës.

RockRrëmujë 16 - Jam dru, s’po di, s’po du, s’po muj me kuptu!

 




Clubbing, duke ushtruar sportin e rëndë të të menduarit


Vera është e nxehtë, për të pirë nëpër clubs, clubing, koktejle, njerëz, muzikë. Po. Muzikë.
Besimi im personal është që gjithkush në kohën tonë bën ç’të dojë e jeton si do. Zgjedhje e lirë, dhe mundësi të pafundme.
Sigurisht, kolona RockRëmujë nuk është as moraliste, as didaktike. Nuk është qëllimi im të jap leksione, çfarë duhet bërë, dëgjuar, ngrënë, pirë, tymosur, apo thithur. Liri totale për këdo. Aq më tepër, nuk jam kurrsesi për të dhënë leksione e mësuar njerëzit se ç’muzikë duhet të dëgjojnë. Jam armiku më i madh i didaktizmit.
Gjithashtu, i përkas një brezi që përveç rock-ut të trashëguar e zhvilluar më tej, jemi rritur me hip hop. Me më të mirën e tij. Trashëgimia e hip hop-it bazë të viteve ‘80, ne u rritëm me hip hop-in e ‘90-2000. Nisi aventura e brezit me 2Pac e Notorius BIG, me Snoop Dog, P. Diddy, Nas, Dr. DRE, e derisa vijmë te Eminem, e më pas te Kayne West. E plot të tjerë, që qarkullonin në qiellin e hip hop të viteve ’90- 2000.
Ndaj, kurrsesi nuk mund të jem një hip hop hater. Me gjithë tekstet primitive, me dhunën e integruar, prapë artistët e hip hop-it që pushtuan botën ishin saktë artistë. Krijonin rima si poezi, kishin truke në të bërit rep, dhe ti kudo nëpër muzikë e tekste ndieje gjenialitet krijues e zgjuarsi, edhe në mes të budallëkut të gangsta nigga.

Për të ardhur pastaj te gjenialiteti i pastër dhe shokues i Eminem, që vazhdon ende sot habit e nxit me talentin, shpejtësinë dhe rimat e tij spektakolare. Deri te beteja mes tij dhe Machine Gun Kelly, loja e bukur e luftës së hip hop. E deri te Godzilla, sërish një rekord Guiness shpejtësie.
Vijmë te hip hop-i shqiptar i viteve 2000; tekste sërish tricky, ngacmues, të çiltër, të fortë, të pastër, ende gangsta i pafajshëm, ndjehet në tekstet e tyre dëshira për të bërë muzikë. Djem e vajza me këngë, me mesazhe, me eksperienca jete si “Ushtari rrugës”, apo me gjurmët e para të të përdorurit të muzikës për argëtim, si “kush o ma i forti”, Afrim Roboti. Sigurisht dhe 2dieFor e këngët e para të Tingulli Trent, me llokume e me gjëra. E sigurisht, Mc. Mimo në karik si gjithmon çik me taktik. Saktë. çikë me taktikë.
Taktika është fjala kyç.

Ndërsa mbrëmë në mes të natës e vapës dal me mikun tim Igin, shkojmë në një klub, për një gotë, një moment fillon një këngë e një repereje te 2020-tës. Muzika sigurisht super, por teksti…
Kjo është arsyeja e këtij shkrimi. Teksti ishte një horror i vërtetë. Fjalë pa sens, të lidhura bashkë vetëm si shfryrje, ngrefje, pështytje ndaj tjetrit, teksti plot me cancel culture, dhe një, dy, tre, shumë, tërë gocat dhe çunat qark në klub që këndonin çdo fjalë, tërë pasion. Pas saj filloi një tjetër këngë e tillë horror, dhe e njëjta histori, i njëjti reagim, të tërë këndonin në një zë, çdo fjalë, çdo veprim të klipeve, aty në vend. Vajza e djem të bukur si yje, që këndonin fjalë të përçarta e ngjanin si turmë të zotëruarish nga ndonjë djall i vogël i debilizuar.

Gjëja më e pamundur në jetë është t’i shkosh kundër kohës. Koha ecën para, bashkë me fenomenet e reja, modën, frymën e kohës, dhe atë çka koha nxit, në terma inteligjence kolektive. Por ama, kjo nuk na pengon të mos gjykojmë atë që mendojmë të mirë e të keqe, atë që mendojmë të zgjuar apo idiote.
Sigurisht nuk jemi për luftë brezash, nuk kemi probleme me muzikën e kësaj kohe, shijojmë ritmin, kërcimin, hip hop-in, twerkun, smoke grwn shit e tërë efektet. Asgjë e panjohur në këtë diell.
Por ajo që shqetëson, ajo që duket e zymtë, e tmerrshme, e errët në të ardhur, jane tekstet. Mungesa e mendimit, e ngacmimit, e lojës, e stimulit. Mungesa e figurave letrare, varfëria e mendimit, reduktimi i retorikës në dy-tre batuta, në lekë, makina, mall, të fortë dhe kurva. Dhe goca të forta sigurisht, që bëjnë lekë dhe s’pyesin për kënd.
Për sa kohë që i dëgjojmë e argëtohemi, ne njerëzit që e kemi mbushur korteksin me poezi e tekste të artistëve të epokës kur truri ende punonte, ne është e vështirë të na ndikojnë këto tekste më shumë se argëtimi i lehtë i një nate vere. Por kur sheh një brez të tërë 16, 18, 20 vjeçarësh, që rriten, fomohen, iu merr formë mendimi, truri nga këto vargje e rima të meta; kur sheh tullat e para që vendosen në trurin e atyre që kanë lindur në vitet 2000 e tutje, janë këto lirika demente, atëherë e ardhmja është shumë e zymtë në dukje. Kultura e cancel culture, e mendimit të shkurtër, të shpejtë, fast food, e rrugës së shpejtë, e mospërqendrimit, e shpejtësisë për askund, e të mospasurit qëllime e plane, veç të tymosurit bar e të bërit lekë nga ajri duke ndenjur te cepi I rrugës, kjo lloj kulture po pjell kuçedra. E këto kuçedra, do trashëgojnë botën nesër. Ndaj më vjen në mend një batutë e dikujt: “Mos flisni ç’botë do t’u lëmë fëmijëve, por ç’fëmijë do t’i lëmë botës”.
Do kurajo shumë të shkruaj mbi këtë temë, që më pozicionon në hapësirë e kohë si brez i vjetër. Por do të jesh vërtet cinik, i hidhur, i keq, e do edhe më shumë kurajo të rrish pa folur mbi këtë temë.
Muzika e hip hop-i në veçanti, nuk janë edukatore. As nuk janë përgjegjëse për të rritur brezat përkatës. Muzika është ajo që eshtë, gjuha e parë, ajo më e drejtpërdrejta, ajo vjen drejt e nga kulla e Babelit e u flet të tërëve drejt e në qendër. Mënyra më e thjeshtë dhe primare e komunikimit, pa asnjë kufi.
E nuk e dimë në është veza apo pula, në eshtë koha që prodhon muzikën, apo muzika që farkëton kohën. Por unë nuk jam aq trim sa të mos reagoj, kur më trazohet stomaku nga të tilla vargje:

Tri vija addidas une i nuhas
Si lule 8-mars, coke edhe hash
Sytliash kerrit ja dhash shume gaz
E e bona zhyll permbas
E i thash shoferit shko laje…

Ça po don prej meje çe pak fam ta jap, like WTF.
Diamonds on my wrist, diamonds on my neck, like WTF.
Beli holl për mas për para t’çume, like WTF.
Give me give me mula-la, WTF, WTF…,  
që janë guri i themelit i mënyrës së mendimit, e krehëri që kreh trurin e brezit lindur më 2000 e tutje.
Mirë ne, jemi brezi i rrëmujës, produkt i rrethanave të kohës sonë të rrëmujshme, po ky brez, do jetë brezi i bërë dru? Brezi i drunjtë?
Mundet fare mirë që ka një konspiracion okult për të prodhuar qënie njerëzore të thjeshta e primitive me kërkesa minimale kafshërore, të cilët drejtohen e kontrollohen më kollaj, e gjërat për kontrolluesit shkojnë vaj. Ose mund të jetë që koha po thjeshton gjërat në atë mënyrë që po na rikthen drejt kafshës sërish, si varianti më i thjeshtë i mbijetesës dhe evolucionit. Por më pëlqente koha kur gjërat ishin të komplikuara e të bukura. Kur mendja ishte me shumë pyetje e me shumë pak përgjigje, ende njerëzore.