FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Thursday, April 29, 2021

RrockRrëmujë 5 - Si të “gatuajmë” një letërsi të mirë?




Ndjesia e parë fare,
 Alpha, fillimi, është ndjesia që të vjen për të shkruar. Çfarëdo gjëje që njeh dhe të habit. Çfarëdo që të entuziazmon. Dëshiron ta hedhësh në letër. Në formë prezervimi të një kujtimi, mburrje e rafinuar, ndjesie të së tërës të bërë nga shumë njësi të vockla, të cilave do t’u thuash dhe ti fjalën tënde…

Dhe plot mosarsye të tjera, por e para është ndjesia e shkrimit.
Pastaj, vjen orientimi. Duhet të jesh i orientuar në kulturë dhe arte e histori botërore. Të dish sa ka njeriu mbi tokë, ç’gjëra ka bërë, ç’kohëra ka jetuar, ç’arte ka krijuar.
Unë mendoj se piktura ka shumë rëndësi për abstragimin e një shkrimtari. Shumë.
Po gjithkaq vëmendje do dhe skulptura, dhe muzika e tërë artet e tjera.
Po një shkrimtar duhet të ketë orientim shumë të mirë në klasikët e lashtë greko-romakë, baza e qytetërimit Perëndimor, por akoma dhe më, klasikët orientalë. Të tëra këto prekin ca qendra obsolete në tru, e stimulojnë fantazinë dhe nivelin abstragues, duke u nisur nga rrënja, nga fillesat, nga niveli arkaik, duke e ushqyer këtë të fundit pavetëdijshëm. Dhe shkrimet antike janë shumë të legjitimuara për t’u marrë seriozisht, se i kanë prodhuar njerëz me mjekra që bridhnin rrugëve të gurta veshur me tunika liri, duke tërhequr vëmendjen dhe respektin e bashkëqytetarëve, që zakonisht rrinin me pallë në brez e rregullonin jetën duke therur njeri –  tjetrin. Jo keq si autoritet.

Tjetra, është identiteti. Një shkrimtar duhet të kuptojë qartë nga është. Të njohësh historinë e vendit tënd, personalitetet, ngjarjet kryesore, pastaj ato dytësoret, pastaj ato të dorës së tretë, e pastaj thashethemet përkatëse. Ato të tipit; Enveri djali i Bimbashit, Ramizeja me Zahon. Pirro i Epirit me Antigonën, bijën e Ptolemeut, Aleksandri që kishte kompleks Edipi, komandant Çakalla humbi maleve, apo Mërkur Bua kishte mburojën dhe unazën e Pirros, e gjëra të tilla. Përfshi në dije pastaj dhe kronikën e zezë – dashnori plak 85 vjeç, lë shtatzanë e i pret kokën fqinjës 25 vjeçe. Apo, Altin Dardha thonë që është gjallë e ka luajtur face off. Po pse jo, dhe që Çerçizin e vranë malazezët të lidhur e pas shpine, 33 vjec, sa Krishti ( sy i shkelur) apo që Hasan Prishtina donte të vriste deputetin turk që qëlloi Ismail Qemalin me shuplakë e donte të shiste veshkën për të investuar në pavarësinë e Shqipërisë. (Bëheshin transplante në kohën e Hasan Prishtinës?) Mos harrojmë gjithashtu Zogun që me dy plumba në trup mbajti fjalim në parlament, as Azemin me shokun e tij Mazrekun a ç’e kishte emrin, me pisqolla në parlament gjithashtu, për nder. E mbi të gjitha, Frrokun që betohet ‘për kanue’ në 2015 në foltoren e kuvendit. Identitet. Ky është identiteti A.
Por dhe identiteti B. Ai i vogël, ai i qytetit ku ke lindur, je rritur, detajet, karakteristikat, fantazmat e qytetit tënd, të studiosh tipologjitë e njerëzve qark teje. Lloji i Ismailit me Kronikën, apo i Lasgushit me Pogradecin.

E treta është ushqimi. Nëse letërsia antike greko – romake është taban, dhe ajo orientalja gjithashtu, bashkë me përallat e njëmije e një netëve, ushqimi i letërsisë është sipas midesë së secilit që do të bëhet shkrimtar. Ushqimi nis që pas antikëve.
E këtu flas për lexim. Njeriu shkrimtar, sipas Hemingway, dhe unë e besoj këtë, duhet të lexojë gjithçka. Çdo autor që ka shkruar. Për të ditur ç’kanë thënë në këtë botë, e si e kanë thënë. Mision i pamundur ky, atëherë hyn në punë shija. Dikush lexon klasikët, dikush modernët, e dikush postmodernët, e dikush ushqehet me histori, arkeologji, biologji, lajmet e BBC, CNN, çfarëdoqoftë. Është ushqim. Bashkë me kinematografinë, kinemanë, të autorit, te fastfood movies, ose jo. Unë them, sa më shumë, aq më mirë. Lejohen, e sugjerohen dhe leximet budallaqe, të lehta, argëtuese. Tralala, librat e dobët, librat që shkruhen në vetëm 50 kopje. Po kush ka aq kohë? Atëherë ndiq ‘midenë’.
Ca autorë s’duhen humbur sidoqoftë, ca si shumë.
E njëkohësisht duhen lexuar bashkëkohësit e tu në botë, pastaj të vendit tend, e sidomos të kohës tënde. Mëson më shumë për letërsinë tënde nga ata shkrimtarë të kohës tënde e vendit tënd, se nga asgjë tjetër.
Do veçoja si pjesë të ushqimit, atë pjesë me detyrim, klasikët e vendit tënd, dhe sidomos përrallat. Dhe kukullat. Janë domosdoshmëri. Ashtu si rrënjosin antikët greko-romakë diçka në zonat tona të errta e fëmijënore, ashtu dhe përrallat ushqejnë atë diçka-në e errët e fëmijënore, me kapriço ndërkaq. Sepse çdo përrallë ushqen me vitamina fantazinë, po dhe moskokëçarjen që vjen nga papërgjegjësia e fatit, sepse në përralla fatin e komandojmë ne, gjithmonë. Ndaj, përrallat e kukullat janë domosdoshmëri. Mbi të gjitha, të mprehin mirë brirët e kokëfortësisë se në botë fiton gjithmonë ti, heroi, qendra e botës. Jo keq për një shkrimtar.

E katërta më duket se është jeta. Çfarë jetë bën ti? Jeton në Shqipëri? Ku çohesh dikush, e ngrysesh tjetërkush? Ku sistemet e referimit lëkunden në frekuenca të çoroditura, apo jeton në Luksemburg, ku meditimi jot shtrihet në përjetimet nga shtrati në bankë, e sërish në shtrat, ku shqetësimi shkaktohet nga mënyra si janë zier kërmijtë për drekë, e ku lind nevoja të ndërroni gratë e burrat në fundjavë me komshiun, apo me dikë të huaj të lagjes tjetër për të provuar pak emocion jetësor…?
Ç’jetë bën shkrimtari? Jetën e Kadaresë apo Bolanos, jetën e Hemingwayt apo Proustit? Jetën e Bukowskit apo Murakamit?
Stili i jetës, që varet nga karakteri i secilit, ushqen me atë çka ke për të treguar. Të jetosh në xhunglën shqiptare, atë njujorkeze, atë parisiane, kolumbiane apo londineze, pa folur për Tokion apo qytetet indiane e kineze, kjo përcakton atë që do tregosh. Dhe ajo që do tregosh merr karakter lokal ose universal, nga mënyra si do orientosh rrëfimin. E që të koordinosh tërë këto instrumente – lokalen, botëroren, universalen, kulturën, dijen, mosdijen, – duhet të dish mirë kush je, në raport me të tëra këto më sipër.

E pesta, sipas meje thelbësore në krijimin e një vepre, është pyetja e madhe: “Pse duhet të ekzistojë kjo vepër?”, që çdo shkrimtar proze duhet t’ia bëjë vetes.
Kjo pyetje sigurisht nuk ka qëllim didaktik. Nuk po flasim për qëllime mësimore, veprat e vërteta janë të egra, këtë e dimë. Po them që një vepër në prozë, duhet të ketë një qëllim të sajin, të ngërthyer në gërmat, paragrafët, shtyllën kurrizore të veprës. Këtë qëllim mund ta gjesh të afishuar, dhe kjo është vepër elementare, ose mund ta gjesh të fshehur mirë, ose dhe mund të mos ta gjesh fare. Por ama e ndjen. Ti ndjen që vepra ka një qëllim. Këtë e kam mësuar duke lexuar letërsinë e disa bashkëkohësve të mi, ende të pafiltruar nga koha, që të bën të kuptosh që është letërsi që nuk ka qëllim, posturë dhe shtyllë kurrizore. Ti ndjen se është letërsi që mundet fare mirë të mos jetë. Ndaj… Pse duhet të ekzistojë ky libër?

E në fund fare, të tëra këto marrin vlerë vërtetë, vetëm në mënyrë spontane, e ai spontaniteti është diçka që s’e kontrollon dot; është jashtë sferës së logjikës.
Ai spontaniteti irracional, i pamenduar, është magjia e letërsisë.
E gjithmonë, nuk duhet harruar nga shkrimtari, të bëjë sport. Duhet sporti. Gjaku duhet qarkullojë shëndetshëm, e të shkojë nëpër çdo cep të trurit para së pirës së ditës, së natës, edhe më…


1 comment:

. said...

E gjitha falë Dr dawn acuna për punën e saj të mahnitshme, unë kam qenë e martuar për 8 vjet pa fëmijë, kam provuar gjithçka që munda por asgjë nuk funksionoi derisa pashë një postim në internet se si Dr dawn acuna ka ndihmuar kaq shumë njerëz. I shkrova në Whatsapp dhe i shpjegova gjithçka, ajo më premtoi se gjithçka do të jetë mirë me mua dhe më dha disa udhëzime të cilat i bëra të gjitha në mënyrë perfekte, letër dy javë më kërkoi të shkoja në spital për një mesazh dhe surpriza ime doktori tha se jam 1 jave shtatzene gjithcka ka qene ne rregull me mua dhe burrin tim qe nga ajo kohe dhe tani kam djalin tim te bukur, e gjithe kjo fale agimit acuna, nese ke ndonje veshtiresi ne jeten tende,
*Nëse dëshironi të mbeteni shtatzënë.
*Nëse doni të ktheni të dashurin tuaj.
*Nëse doni të ndaloni abortin.
*Nëse dëshironi të kuroni ndonjë sëmundje.
*Nëse keni nevojë për një fuqi shpirtërore.
*Nëse dëshironi të rikuperoni paratë ose pronën tuaj të vjedhur.
Dhe shumë të tjera. Kontaktoni me të ajo do t'ju ndihmojë: email { dawnacuna314@gmail.com }
Whatsapp: +2348032246310