FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Friday, May 21, 2021

RrockRrëmujë 8 - Unë dëgjoj Sirenat

 





Ata që njohin mirë muzikën, presin qe ky shkrim të ketë lidhje me Pearl Jam. Dhe ndjekësit e kësaj kolone, e urojnë këtë gjë. Por jo. Pearl Jam-it u mora borxh titullin e këngës së tyre fantastike. Dhe këtu do flas për një lloj krejt të veçantë sirenash.

Zgjat dorën, merr Borgues, e ul në tokë, kap Kafkan, e nxjerr nga labirintet e tij pasqyrake, e përzien me lëngun e trashë të krijmtarisë Kortazariane, dhe tërë këtë material e përzien dhunshëm me tokën e zezë pjellore të Carver. Dhe sapo ke përftuar, Samantha Shweblin.

Merr spektrin policesk të krijmtarisë së Poe, trete shumë, po shumë fare, sa të hollohet krejtësisht me Duras, hidhi një dozë Atwood, një dozë McEwan, dhe ke përftuar, Perihan Magden.

Sigurisht, klubi i feministeve të irrituara, kudo që ndodhen nëpër botë, do thonë pse ke përmendur në referenca më së shumti meshkuj për të përshkruar dy femra, por ato me tërë idhësinë e tyre nuk kanë ç’u bëjnë referencave të mia.

E njoha Shweblin në një intervistë të përkthyer në gazetën Ex Libris. Më goditi fakti që kjo shkrimtare thotë, eksploroj errësirën përmes letërsisë. Ç’ është kjo shkrimtare, që eksploron dhe flet për errësirën? A mund të ketë një shkrimtare femër që është e joshur nga errësira? Me siguri po, tërë femrat, tërë njerëzit, joshen nga errësira, nga frika. Gjendja më e pastër e joshjes. Por, të shkruajë errët? Kjo po që është një ngjarje letrare.

Kërkova për Shweblin dhe mësova që është argjentinase, gjë që thotë shumë. Argjentinasit do kenë diçka në gjak, apo në ajër, apo në tokë? Që i bën superstarë letrarë. Mësova që është 42 vjeçe, që ngjan pak eksentrike por dhe e tërhequr nga skena njëkohësisht, që vizaton dhe që, nga katër a pesë veprat që ka shkruar, 3 syresh kanë qenë kandidate për International Man Booker. Kjo më rriti kuriozitetin dhe shkova një ditë të bukur në librari mora dy romane të saj, “Largësi Shpëtimi” dhe “Kentuki”. Që te libri i parë njoha një gjeni letrare mahnitëse, një mënyrë të shkruari nga pas perdes, një ankth të çmendur që të zë në faqen e parë e të dërgon drejt e në faqen e fundit, pa e lënë librin.

Villa Matas tregon në Art of Fiction të Paris Review, se si kishte mësuar nga Kafka si të shkruante për negativin e historisë, jo për atë që shohim të tërë. Të shkruash për negativin, këtë bën Shweblin dhe është brilante në këtë mënyrë rrëfimi te “Largësi Shpëtimi”.

E lexova dhe “Kentuki” me një frymë, e thashë, wow! Ja ku gjetëm një shkrimtare brilante. Dhe goditja finale ishte “Zogj në Gojë”, libri i saj me tregime. Kjo ma rikonfirmoi si një nga shkrimtaret më të mira të kohës sonë.

Dhe ndjeva njëfare zilie ndaj saj, që e përmenda dhe në një studio televizive ndërsa debatohej pse Çmimi Nobel nuk na avitej ne, Shqipërisë.
Ka një kriter shumë thelbesor, për të cilin jemi shumë krenarë, po prej të cilit edhe jemi shumë të penalizuar. Dhe ky kriter është gjuha. Shweblin shkruan spanjisht, që ka audiencen e gjuhës së dytë më të folur në botë. Dhe jo shqip. (Për fatin tonë kemi përkthyes te plotë të spanjishtes në shqip, si Bajram dhe Erion Karabolli, që na sollën Shweblin dhe të tjerët).

Por ky i gjuhës, është një tjetër diskutim në një tjetër shkrim të ardhshëm, këtu do mbetemi te dy shkrimtaret.

Shweblin në fakt ishte zbulimi im i dytë femër. E para ishte Perihan Magden. Librin “Dy vajza” e zbulova në një librari të lagjes, ndërsa gërmoja për gjëra që më ngjallnin kuriozitet. Libri ishte me zbritje, në rresht me libra të tjerë me zbritje. Më thërriti, pa arsye ose dhe me arsyen kurioze të asaj që mund të ngjante me dy vajza në Turqi. E mora librin, e solla e përsolla nëpër duar, dhe e vura në listën e pritjes. Nuk po më thërriste më. E një ditë, e zura në një cep, a më zuri në një cep, dhe nisa ta lexoj. Flet pastërtisht për dashurinë midis dy vajzave. Dashurinë e pastër e të pamundur të dy vajzave të reja në Stambollin frymëmarrës, përballë një shoqerie thellësisht patriarkale e, më së shumti, të prapambetur. Që shpesh, shumë shpesh, të kujton gjatë leximit saktësisht shoqërinë tonë.

Çfarë kurajoje kjo shkrimtare në Turqinë e Erdogan, mendoja ndërsa lexoja. Dhe rizbuloja edhe një herë letërsinë, si arma më e fuqishme.
Mund të them me siguri se përpirja ishte e pashmangshme. Ritmi, frymëmarrja, rendja, përshkrimet, piktura e karaktereve aq e gjallë e me ngjyra të forta, aq e detajuar, aq e thellë, aq njohëse e mirë e karaktereve njerëzore, aq përshkruese e hollë, aq ndërthurëse e saktë e të thënës me të pathënën, parabola ndërtuese e librit aq e gjatë. Pra, një krijuese e sigurt, e fortë, madhështore.

Rastësisht u gjendem diku me Flutura Açkën që e ka botuar Magden dhe e përgëzova për zgjedhjen. Më rrëfeu që ishte rekomandim i Orhan Pamuk. Por si botuese, u ankua që libri nuk kishte ecur, nuk e lexonin.

Kjo shpjegoi arsyen, pse unë e gjeta librin me zbritje diku. Dhe kjo shpjegon disi dhe arsyen pse ende në Shqipëri shkruhet prozë për budallëqe, ose së paku, për të mos u bërë fyes, ende nuk shkruhet prozë e këtij kalibri. Sepse nuk ka lexues të mirë, nuk ka lexues e lexuese gërmuese, të kulturuar, kuriozë, me sensin e zbulimit të tokave të reja, por ka më së shumti lexues e sidomos lexuese, biba, që orientohen për lexime nga influencere biba e më tutje. Por, edhe ky është një tjetër diskutim.

Nga të dy autoret femra, mbeta literalisht i çmeritur. Ishin sirena që më thërrisnin, e nuk mund të bëja asgjë veçse të ekzaltohesha e t’u shkoja pas në adhurim, duke dëgjuar këngën e tyre aspak vrasëse, e plotësisht iluminuese.

Unë personalisht besoj që letërsia e shkruar nga femrat, në vija të trasha është në dy forma. Ka femra që shkruajnë si femra, ka dhe femra që shkruajnë si shkrimtare.

Kategoria e parë, nga eksperienca ime e leximeve, ku mund të jap shembuj të lexuar së fundmi, janë Hanne Orstavik, Oddny Eir, Marica Bodrozic, shumë intrinsike(të natyrshme), përshkruese, si një lumë i purpurt që shëtit viseve të brendisë së tyre, e na jep jashtë mrekullinë e krijimit. Një letërsi e tillë bën një urë kalimi të fuqishme me letërsinë e llojit Allende, e na vjen me letërsinë e femrave shkrimtare. E të tilla janë Shweblin, Magden, Atwood, ku të qenit femër nuk ndërhyn në letërsi, nuk bëhet letërsi, përkundrazi mpreh dhe fuqizon tekun letrar, duke bërë një letërsi aq brilante sa s’mund të bëjë tjetër veç të të sfidojë të shkruash po aq mprehtë, e të të zilepsë për mprehtësinë femërore aq madhështore. Ndaj, le të dëgjojmë e fundosemi në dete sirenash

No comments: