FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Thursday, February 2, 2012

"BLISS"


- E shtunë shumë e shpifur! - Tha ai duke parë shiun e dendur që rrihte xhamat. - Ky është dimër.
- Po sikur jemi në janar apo jo. Do bjerë ndonjëherë shi në këtë qytet dielli dhe ere jo? Si thua ti?
Ai s’u përgjigj. Ndërkohë po shtrëngonte rripin. Tërhoqi dhe njëherë çorapet, hodhi hapat drejt pasqyrës e pa fytyrën.
- Më shkojnë mustaqet?
- Gjithmonë. - Tha ajo ndërsa krihte flokët. - Ti rrallëherë i lë.
- Babai më thoshte dikur që ndryshimi i detajeve të pamjes së burrit tregon mungesë karakteri.
- S’e di pse ju meshkujt çdo gjë që thotë ‘babai’ – bëri një lëvizje si dirigjente me baketën krehër në dorë ajo, - e keni krejtësisht të stampuar në kokë që është e drejta e vetme hyjnore shkencore antropomorfe evolutive, burrërore...
- Sa ke folur...
- Vërtet, pse mendoni kështu gjithmonë?
- Vërtet, pse po më pyet në emër të meshkujve?
- Mirë, e drejtë. Atëherë, babai yt e ka gabim, e ke menduar ndonjëherë? – Ajo vazhdoi të krihte fort flokët.
- Gjithmonë kështu kam menduar.
- Para se të mbushje tridhjetë?
- Mos u bëj malicioze, - e puthi në gushë ai duke futur fytyrën mes flokëve të shkëlqyeshëm gështenjë. – Mmm! Më pëlqen!
- Babai yt e ka pasur gabim. Sepse të ndryshojë është i vetmi tipar njerëzor që ka njeriu. Sa më i kultivuar nga trutë të jetë aq më ndryshues është ai. – Tha ajo duke iu kthyer në fytyrë afër.
- Sa herë do ma përserisësh këtë dituri të lashtësisë tënde mbi tokë?
Ajo qeshi. - Si mund të qeshe një njeri kaq bukur? – i kaloi si aromë në mendje atij. - Sidoqoftë, ju femrat që ndryshoni vazhdimisht i bie të jeni më njerëzore se ne?
- Ju femrat? Ajo ngriti sytë habitshëm.
- Hahah, më kape. – qeshi ai.
- E di ti që shenjë e keqe kjo?
- Kush?
- Të flasësh me përgjithësime në një çift?
- Jo nuk e di. Ja ma the ti. Ti flet gjithmone me citate e di?
- E di. Dëgjo, hmm...më thuaj diçka, s’e kisha menduar kurrë më parë në fakt. Ke pasur ndonje tjetër këto kohë?
- Jo.
- Faktikisht ti duhet të habiteshe nga pyetja ime. - Ajo po krihte majat e flokeve.
- Nëse mendon që më habit pyetja ime atëherë po më habit ti mua. Se...
- Ishte e imja pyetja, jo e jotja.
- Se mua s’më habit asgjë nga ty.
- Ndaj të pyes për ndonjë...
- Nuk e thashë në atë kuptim. E kisha që të njoh mirë dhe ...  Pse më bën të sqaroj gjëra koti? Çfare ke?
Ajo pa veten në pasqyrë. - Nuk më pëlqen kështu jo. - Shkundi flokët pa pushim. I shkundi fort. Ngriti kokën dhe flokët i ranë mbi sy në hundë e në buzë.
- Sidoqoftë, nësë do kisha pasur një femër tjetër ti e di që do të ta thoja.
- E di vërtet që e di!
- Kështu dil. Më pëlqen më shumë kështu. – Ai e mbajti nga shpatullat ashtu në këmbë, para pasqyrës, dhe afroi buzët te buzët e saj. – Mirë që nuk kishe vënë të kuqin e buzëve. – tha duke i hequr fijet e flokëve nga buzët. – Do i kishe bërë floket...
- Sa femra ke parë ti të vënë të kuqin e buzëve para se të krehin flokët? – I foli në vesh ajo duke e shtrënguar ne bel. - Sa ke parë? Ke parë apo jo?
- Të mendohem pakëë.. E di ti që s’kam parë?
- S’ke parë femra?
- S’kam parë asnjë vajzë të krehë flokët me buzët e lyera.
- Kur?
- Kur bëhen gati të dalin. Jemi vonë. – Pa orën ai. Nxitojmë. – tha duke u shkëputur nga ajo.
- Ma shpife me atë orën. – Tha ajo duke rregulluar me gishta flokët e saj të dendur e të shkëlqyeshëm gështenjë.
- Pse gjithmonë do vonohesh?
- Mos ki merak se unë s’ve të kuq buzësh. S’më duhet. Je ti që je vonë. Se do veshësh këpucët e tua të bukura të reja.
- Do jesh krenare për mua sot në sy të të gjithëve? Krenare për pamjen e mashkullit tënd?
- Po, do jem po. Me këpucët e reja e orën tënde të famshme po. Sidomos. Vishu shpejt pra. Unë jam gati.
- Je e tmerrshme. Je gati të dalësh pa buzekuq e pa tualetin tënd vetëm që të jem unë vonë!
- Jo, por sot ma shpif truku. Jam zgjuar në mëngjes e di?
- Je zgjuar vërtet? Keq më duket!
- U zgjova, dhe pashë veten në pasqyrë. Më pëlqeu tmerrësisht vetja. Jam më e bukur se ty e di?
- Jo, s’e di. Asnjëherë s’e di.
- Po ja, ta them unë, prapë. Lëre që duket përherë. S’ka rast që s’duket.  Dhe po të thoja, më pëlqeu vetja shumë. Dhe pashë sytë e mi të vërtetë. Domethënë pa tualet. Dhe buzët e mia të kuqe. Shih sa të kuqe i kam buzët. Dhe mjafton ti kafshoj pak dhe gjithçka u rregullua. Vendosa që ka shumë hipokrizi në këtë botë të çuditshme ndaj nga mengjesi i sotëm e tutje unë nuk vë më të kuq buzësh. As laps në sy. As floket nuk do ti mbaj të krehura. Sapo ti kreh ndonjëherë, do ti prish prapë.
- Je e tmerrshme!
- Ngordh ta dëgjoj këtë miliona herë që e thua. Dhe sigurisht do vishem gjithmonë po kaq me shije. E veshura është tjetër gjë. - U rrotullua ajo në fustanin blu të mbyllur. - Të bën mirë kur zgjohesh në mëngjes vetëm dhe sheh veten në pasqyrë me dritë dielli që të bie mbi sy.
- Kur, në njëmbëdhjetë të drekës?
- Jo, në njëmbëdhjetë të mëngjesit i thonë.
- Gati? - Tha ai duke pare dhe njëherë veten në pasqyrë mbi kokën e saj. - Ujë. Harrova. Dua ujë.
Piu ujë nga shishja duke e kërcitur në fyt. Ajo i pa mollën e adamit të skuqur disi nga brisku.
- Ç’mashkull alfa bëhesh! Me shishe. Më pëlqen më shumë kur pi kështu!
- Dalim.
Vrapuan në shi ato pak hapa që i ndanin nga makina. Ai klikoi me pultin e rrasur thellë në xhepin e palltos së tij dhe u zhytën të dy njëherësh në lëkurën e butë bezhë të komoditetit të makinës. Ai e ndezi çelësin në kuadër. Sapo u ndez makina u ngrohën menjëherë, duke zhveshur e hedhur pas veshjet e mëdha.
- U lagëm. Ma shpif ky dreq shiu. – tha ai duke shkundur flokët. - Ma shpif fare. Më lagu këpucët. Do ikim tërë baltë atje. Mu bënë pis dhe pantallonat.
- Pse, unë vdes për shi si ky. - Tha ajo duke parë jashtë përmes xhamit ku rridhnin rrëketë. - Kur bie shi kështu nuk të le kohë të mendosh, është i ashpër, i fortë, i ftohtë, dhe të shpëlan gjithë ç’ke në kokë. S’të le mundësi. S’është shi melankolik vjeshte. Duhet vetëm mos ta kundërshtosh. – ajo duke ulur e ngritur menjëherë xhamin e dritares. - Ti e kundërshton. Pastaj, shih anën pozitive, orën nuk ta lagu.
Ai ktheu kokën vrik ta ndëshkonte me sy, por ajo ngriti kokën nga xhami ku ish mbështetur dhe i dhuroi një buzëqeshje me tërë dhëmbët e bardhë. Atij i shkriu gjaku krejt duke parë dritën në fytyrën e saj të ndriçuar edhe nga dritat portokalli të rrugës.
Ktheu kokën sërish drejt duke buzëqeshur.
- E di? S’kam kuptuar kurrë një gjë te ty. E mendoj shpesh... s’e kam parë tjetërkund këtë mimikë. Domethënë... Hmm... mbase është kot...
- Çfarë?
- Po...S’di si ia bën, e kontrollon dot veten deri në atë pikë sa të ndezësh dhe fikësh atë dritën tënde aty brenda në sekondë, me komandë të prerë, apo ashtu të vjen? Ja, Si buroi ajo drita nga fytyra jote tani, si? E bëre vetë apo ashtu të erdhi?
- Sa kohë ke dashur të ma pyesësh këtë gjë? - Buzëqeshi butë ajo duke parë drejt rrugën e ndriçuar nga dritat portokalli.
- Ç’rëndësi ka?
- Ndaj me dashuron tmerrësisht e s’di si t’ja bësh pa mua. – Tha ajo duke qeshur, tani njësoj si pak sekonda më parë, me dritë. - S’kam ndër mend të bëj analiza të vetes kaq qelizore. Di unë? Gjeje vetë! - qeshi sërish. U panë në sy. - Të shkojnë mustaqet tepër. Më pëlqen shumë me mustaqe.
Ai nënqeshi.
- Po ti?
- Unë çfarë?
- Po ti? Ndonjë mashkull tjetër?
- Jo. Nëse do shkoja me ndonjë mashkull tjetër, nuk do bëja më seks me ty. Unë bëj vazhdimisht seks me ty. Më shumë se bën ti me mua.
- Pse?
- Dhe ti e di shumë mirë. Nëse do më pyesje vërtet, do kisha më parë duart e tua në fyt më parë, pastaj do vinte përgjigjia ime. Apo jo?
-  Jo s’do ta bëja në atë formë.
- Ej! Po tallesh tani? Unë ndaj të dua. Se akoma sot, do ta beje në atë formë. Nëse nuk do më vije duart në fyt, e dimë unë dhe ti, nuk do ishim bashkë tani.
Ai heshti duke shtrënguar timonin. Pastaj e liroi. Nuk donte ti provonte vetes asgjë.
- Pse kemi tërë darkën që flasim për gjëra drastike?
- Pse ti ke filluar të shohësh kaq shumë orën?
- E di unë, nuk doje të shkonim sonte atje.
- Me tërë ata miqtë e tu të rrjedhur intelektualë të leshit.
- Pse vetëm te mitë?
Ajo pa folur vizatoi një shi shigjetash në xhamin e makinës. Ndërkohë që po vizatonte një mollë poshtë tyre, ai e pa.
- Ç’bën aman! Sa herë ta them mos vizato në xham të makinës se ngelin gishtat? Përherë këtë bisedë do bëjmë dreqin?
- E di ça? Mu kujtua një gjë. Prit të ta lexoj. Ajo lëvizi gishtat në tastierën touch të telefonit. - Të kujtohet një Prevert? S’është markë këpucësh. Të kujtohet?
- Ja dhe ti intelektualja...
- Dikur ke qenë po kaq “intelektual” sa unë, para se të pajtoheshe me tët atë dhe idetë e tij heroike. Ja, e gjeta... Dëgjo mashkull alfa, Prevert, Njeriu i madh. Te një prestar mermeri, kur e pashë atë ditë, ai po merrte masat, për pasardhësit.
- Je shumë e ndyrë e di?
- Sigurisht. – futi telefonin në çantën minimaliste të dorës dhe e hodhi shkujdesshëm mbi ndenjësen e pasme. - Unë vazhdoj të jem e ndyrë. Ti je bërë xhentëlmen.
- Më çmende. Ç’ke sot?
- Atë që kam pasur para se të lindja, atë kohë kur kërkoja fytyrën që kisha.
- Yeats...
- Ndaj unë s’shkoj me meshkuj të tjerë.
- Si?
- Për këtë.
- Për kë? Ç’ishte kjo?
- Sepse te ty ka akoma shpresë.
Ai ktheu kokën po kësaj here nuk pa asnje grimce drite as qesëndie në fytyrën e saj.
- E ke seriozisht?
- Ti e di shumë mirë, unë s’bëj shaka, edhe kur ato që them bëjnë për të qeshur e shkrihemi bashkë, të dy. Them gjithmonë të vërtetën.
Ai pa përpara ndërkohë nën presionin e paparashikuar, në grimcat e sekondave që kaluan mendja mblodhi forcat dhe rreshtoi tërë pikët e forta në favor te tij, pse ajo s’duhet të ikte nga ai.
- Më duket se kjo vjen ngaqë ti nuk punon.
- Unë jetoj. Ti punon. Kështu është krijuar situata. Ti e di, s’do ishte problem dhe po të punoja unë. E ti të zgjoheshe në 11. Por, do e mendoja po njësoj. Ty po të bën puna një punëtor. Po Yeats e njeh akoma veç.
- Nuk do të ikësh në këtë mbrëmje fare ë?
- Jo, s dua fare. Dua të ndalosh makinën këtu tani dhe të dalim te ndenjësja e pasme dhe të më bësh dashuri, jo aq sa të derdhesh ti. Aq sa të them unë mjaft. Dua të përdorësh tërë njohuritë e tua mbi çeshtjen, dhe coitus reservatus e kështu gjërash erotike, e të më bësh të vij mbi ndenjësen bezhë të çmueshme të makinës, e aty të vish dhe ti. Ta bësh këtë makine vetëm për seks. Kemi qenë më ngushtë më parë. Këtë dua. Tani kemi mundësitë më gjerë.
- S’do vertet të shkojmë aty?
- Pffffffff... Do jetë Ana?
- Po po. Ana do jetë.
- Më pëlqen ajo vajzë.
- Mbase sepse jeni moshatare?
- Ose mbase sepse ka trupin tim. Strukturën time.
- Të tërheq Ana?
- Është faktikisht e kundërta. Ma shpifin tërë miqtë tanë të rëndomtë derra barkdhjamosur. Njerëz që po degradojnë. Të tërë paracaktuar të vdesin nga kolesteroli, arteroskleroza, infarkti. Ndërsa Ana është një flutur e hollë e bukur me të qeshur të vërtetë e plot zemër. Në kokë i kalojnë plot të këqija, por ama ajo ka bythë ti thotë. S’ka filtra fare. Ndërsa të tjerat janë ca spitullaqe idiote kokëboshe të dëshpëruara femra që s’bëjnë seks se burrat e tyre nuk shohin dot rrushin e tyre. Më të ndershmet flas...
- Hajde mos ja fut kot se s’janë të tërë ashtu. Ti e di që po e zmadhon kot. Miqtë tanë i kemi elegantë.
- Po, elegantë si tërfil.
- Epo, s’do flasin të tërë për Yeats...
- Epo, s’mund të ketë vetëm dy rrugë. Yeats ose paratë.
Ai e pa në sy. Ajo e kishte seriozisht. Edhe pse luftoi me mendimin e vet mediokër, në një moment mendoi që miqtë e tij do mendonin që asaj i duhej një fëmijë urgjent. Bëri një grimasë me vete dhe nuhati fort parfumin e saj në ajer. Ajo zgjati dorën, ndezi radion.
- Sa kohë kishe pa dëgjuar Primal Scream?
- Atë trapin, Gillespie?
- Dikur nuk e mendoje kështu.
- Epo, si ka thënë tërë jetën dikush që unë i kam kafshuar këmbët? Të ndryshosh është i vetmi tipar njerëzor që ka njeriu.
- Po po. Kjo radio është fati im. Sa herë e hap do japë diçka të harruar, ose të munguar.
- Gillespie sidomos, hippie i përjetshëm, adoleshenti i plakur.
- Nuk mendon që ai bën jetë cilësore?
- Secili që e do jetën bën jetë cilësore. Mbase mua s’më pëlqen jeta e tij dhe kaq.
- Dua të them, është vlerë të jesh adoleshent i plakur...
-  S’e di... mbaroi Loaded, varja tani. Ule pak zërin.
- Epo mirë që “we wanna get loaded and wanna have a good time” thuaj.
- Je problematike... do ma nxjerresh nga hundët që të bëra të vishesh si princeshë sot me fustanin tënd të derdhur blu, me kepucët e tua të zeza, dhe xhaketën tënde të vockël me kopsa me gurë, me pelerinën e zezë, dhe flokët e pakrehur, dhe buzët e tua të kafshuara të kuqe, për të shkuar në një mbrëmje me derra. Do ma nxjerrësh nga hundët...
- Jo, kurrë! Unë s’jam hakmarrëse, qeshi ajo. – Ua! ... të thashë, kjo radio më lexon... Una storia d’ amore! Të betohem, është citati im i fundit për sonte, kjo është kënga më e bukur italiane e kohëve të reja. Kjo është. Jova ... – Ajo, ashtu imcake u zhyt në ndenjëse. Dhe i mori dorën. I nuhati gishtat. Ai i  pa fytyrën dhe përkëdheli mjekrën e saj të rrumbullakët. Ajo e kafshoi lehtë dhe e pa me sy të perënduar. Dëgjuan pa folur deri në fund, drithërimën e violinës.
- Doja të këndonim po s’më këndohej.
- As mua, - tha ajo me sy të mbyllur. - Këto reklamat përgjithësisht janë shumë të neveritshme.
Ai vuri të dy duart në timon të merrte kthesën se ishte shpejt.
- Pse s’ecën më shpejt?
- Shpejt po eci.
- Por më shpejt.
- Po tallesh?
- Jo, ec më shpejt.
- jam 140.
- Më shpejt.
- Jo jo.
- Ke frikë mos vdesim?
- Të thashë, s’jam Gillespie unë. Unë dua jetën që kam. Dhe ty për së gjalli. Ja shpëtoj vetëm unë? Ke do dua une më pas?
- Flet shumë. Mos fol kaq shumë. Kur një njeri flet më shumë se duhet thotë idiotësi. Mos fol fare. S’ta mban. Kaq.
Ai drejtoi makinën me kujdes nëpër pellgjet me ujë duke pasur kujdes mos rrëshkiste.
– E di që Toni do ta shesë agjensinë e tij?
Ajo shihte përtej xhamit.
- Kam tërë kohës që bluaj në mend diçka. Nëse do ta shtoja atë agjensi në punët tona...
- Ç’më flet për punë orë e çast? Më çmende, sheh orën, sheh këpucët, flet për punë, për lekë, lekë, di unë çfarë...
- Je mirë? Ça dreqin ke sot?
- Sot?
- Po dje po deshe? Ça ke?
- Dua të bëjmë diçka pra...
- Çfare? Ç’do?
- S’dua lekë sidoqoftë!
- E di ti që...
- He? Që çfarë? Që nga punët e këtij lloji jetojmë mirë? Që unë bëj ç’të dua se ti fiton para kështu? Këtë deshe të thoje?
Ai e pa.
- Këtë doje të thoje? Apo që vendose të ecësh shpejt...
- S’ma mban. Kaq. Do arrijmë për pak. Po bie shi. Ti s’do që të shkojmë atje. Ndaj s’ka pse nxitojmë.
- Ore vërtet s’kupton pse dua të ecësh më shpejt?
- Të shkohet në tualet? Të ndaloj? Do ta bësh në rrugë? Ti s’e ke problem as të lagesh, as të aventurohesh rrugës për të bërë çiçin tënd. Si thua? Hë? Pa lekë, në natyrë, në shi, romantike, poetike, fustani që laget, ti që lagesh, unë që lagem...
- Vërtet s’do të ecësh shpejt? Vërtet s’do?
- Shpejt po eci.
- Po ecën si ...
- Si po eci?
- Varja. Ajo i ngriti zërin radios. Kjo është gjithë ç’do doja unë tani. Kjo.
- Ule se dua të flasim pak.
- të ul këtë kengë? Lëre. Dëgjoje, këndojmë. Kjo është një mrekulli.
Ai pa fytyrën e saj që u ndriçua nga një dritë. Jo e qetë. Jo e mëparshmja. Dritë e errët. - Por dritë është. – mendoi.
- I want the bliss, and joy in your mind – këndoi me sa kishte në kokë. - çfare muzike! Heroike më shumë se yt atë, më shumë se mustaqet e tua seksi, më shumë se shpejtësia e kësaj makinës me gaz të tredhur... më shumë se bota vetë... kjo këngë fluturon.  Give me, all the bliss and joy in your mind... Everything about you is so easy to love, they re watching you from above...
- Give me all the bliss and joy in your mind... - bërtiti ai duke parë drejt.
- I want the bliss and joy in your mind... - ajo i zuri fytyrën me dorën e saj të vogël e drejtoi nga fytyra saj,  e pa në sy. - Mos nxito - i tha.
- No i wont settle for less – bërtiti ai duke ngjitur lart mollën e adamit nga sforcimi.
- Dora e saj u afrua me ngadalësinë e tërë botës. Preku timonin. Gjithmonë duke e parë në sy. Në sytë e tij të skuqur e të çakërdisur.
- Give me the bliss and joy in your mind – Ulëriti ai.
Me një lëvizje të beftë duke u parë në sy ajo shkundi timonin nga duart e tij.
- Ç’bën idio...
...
...
 Diçka dëgjoi përmes jastëkëve të ajrit.
Shtyu me këmbë e me duar gjëra, objekte të pakuptueshëm, shkelmoi rreth e qark, e ndjeu ajrin e natës ti freskonte fytyrën.  e menjëherë, shiun ta përfshinte. Diçka lëvizi në krahun tjetër.
- Aty je? - Bërtiti.  Ç’pyetje, tha me vete ndërkohë që nxitoi me sa mundi nga ai krah.
– Give me... all.  The bliss and joy... auch! in your mind...
Ai filloi të qeshte. Me tërë brinjët e gjoksin që i ndjente si të shkëputura nga trupi i tij. Qeshte me shpirt. - Everything about you resonates happyness no i wont settle for less...
Give me , all your bliss and joy in your mind, dëgjohej zëri i ngrohtë i saj të fishkëllente çuditshëm nga goja. Ai ndjeu frymën e saj në fytyrë, parfumin e saj diku vërdallë papërcaktueshëm, dhe piklat në erresirë të gjakut të saj ti preknin buzët. Ajo qeshi. Dhe ai dalloi ne mugëtirë thyerjen e dhëmbit, të njerit nga dhëmbët e saj si ketër që kishte kafshuar aq herë pafundësisht tërë trupin e tij, thyerjen që u jepte fjalëve çuditshmërinë e tyre. E mbërtheu për flokësh, e shtriu në tokën me pellgje uji.
- Hë? Bliss? Hë?
Ajo qeshte.
- Dhe dreqi ta hajë ke thyer dhëmbët, nga e ke dritën? Nga del?
- shih mirë...
- po unë ç’kam? - Tha ai duke prekur veten.
- Mut je dhe ti, po shih mirë nga buron drita leshit mor bukurosh i përgjakur...- qeshi ajo.
U ul në tokë dhe ai. Ngriti kokën dhe vështroi qiellin që binte në formë miliona pikash mbi kokat e tyre. - Give me the bliss, and joy in your mind.... ulëriti me sa kishte forcë në trupin e dërrmuar.
- I want the bliss and joy in your mind... - pëshpëriti ajo butë.
U çuan të dy, e përqafuar duke u dridhur në shiun e janarit, kokëçarë e dhëmbëthyer këndonin lehtë e fort duke u çapitur mbi asfaltin e qullur të ndriçuar si një udhë diamanti e bardhë nga dritat e meta të makinës përmbys jashtë rrugës.

21. 01. 2012 (02.00 pas mesnate)

Sunday, December 18, 2011

Interviste me KLOSINEWS

INTERVISTE me … LOER KUME

 Klosi News: Ju jeni një autor i ri. Ç’keni botuar deri më sot ? A mund të na flisni për kontaktet tuaja të para me Letërsinë, për ndikimet dhe "zakonet" tuaja të të shkruarit ?



LOER KUME      I.
Kontaktet e mia të para me letërsinë kanë qenë vizuale, diku nga mosha kërthi, kur në dhomën e ndenjies, dhe gjithashtu në korridorin e errët të shtëpisë së prindërve ngriheshin dy faqe muri me libra. Libra pa fund. Koleksioni i gjyshit dhe babait. Të tërë në shtëpi lexonin si të limaksur. Ç’mund të bëhej tjetër asokohe ? Diku nga mosha 4 ose 5 vjeçare, i mësuar me përralla të lexuara, fillova vetë t’i zgjidhja librat që më lexonin. Edhe pse me njëfarë çensure prindërore. Isha praktikisht tmerri i shtëpisë. Kushdo që shihej i lirë e pa ndonje punë, detyrohej me çdo lloj forme të më lexonte një libër. Erdhi momenti që nuk kishte më libra të rinj për atë moshë e detyrimisht u riktheheshin të njëjtave libra.
 Kjo gjë ndodhi dhe më vonë, para viteve ‘90 e gjatë viteve ’90, kur ndërkohë lexoja vete, mbaj mend çdo libër lexohej mesatarisht 7 – 10 herë. Uri për buke /ushqim e për libra ishte motivi i atyre viteve. Dhe po të shihni botimet e fillim viteve ‘90, janë botime urgjente, të Freud, Kafka, Camus, etj., etj., me ca formate e fletë kaushash, s’kishte rëndësi, vetëm të kishin njerëzia libra në dorë. Sidoqoftë, leximi m’u kthye në problem sepse lija/anashkaloja mënjanë gjithç ka, për të lexuar një libër, qoftë dhe për herë të dhjetë. Prindërit njëherë më blenë për ditëlindje “Feniksi dhe qilimi fluturues”, pjesën e dytë të sapo dalë të “5 fëmijë dhe xhuxhi i rërës”, dhe i gjeta në diskutim e sipër në duhet të ma jepnin librin apo jo se mos lajthisja fare e s’shkoja në shkollë. Njëherë, babai mbaj mend mori i vendosur të më vinte në siklet, e më pyeste për kapitujt e “Pipi çorapegjatës”, dhe zbulova edhe vetë që arrija të mbaja mend përmendësh ç‘thuhej në çdo faqe. Truri i fëmijës mendoj sot, është krejt i zbrazur dhe thith çdo gjë në mënyrë të egzagjeruar, ndaj është e vështirë të përqëndrohesh në lexime në moshë të rritur. Ndaj kush jeton intensivisht nuk lexon. Ndaj është shkruar BIBLIOTEKA.

 II
 Kam shkruar poezinë time të parë, më falni, vjershën, rreth 6 vjeç. Zakoni im i vetëm i të shkruarit ka qënë një dhomë e vetmuar ku mund të rrija brenda me orë. Më pas iu shtuan të shkruarit në copa letre, që shpërndaheshin andej këtej, e me tutje, kur iu rriktheva shkrimit gjatë gjimnazit, sërish shkruaja në copa letre, por në errësirë. Pa asnjë dritë. Shpeshherë të nesërmen duhej hartë për të gjetur fillin e leximit. Disa nga ato shkrime gjimnastike, të moshës së gjimnazit, kanë qënë themeli i tregimeve ose dhe i pjesëvë më të mëdha që jam ndërkohë dukë shkruar. Ndaj i quaj gjimnastikë, sepse janë shkruar në gjimnaz, dhe kanë shërbyer bërthama e skelete për të ndërtuar një trup të shkrimeve të gjata.

 III
Ndikimet e mia më të mëdha, që nuk u ka sosur jehona brenda meje sot e kësaj dite, kanë qënë mitologjitë. Greke, Egjiptiane, Asiro Babilonase dhe grimca Mitologjie Indiane. Mendoj se kanë një ndikim të madh për të qënë unë ky që jam sot. Idhulli im i fëmijërisë ka qënë Akili në të njëjtën masë, ashtu siç ka qënë Aleksandri më vonë. Më pas më kanë ndikuar letërsia fantastike për fëmijë, dhe akoma më vonë kur dhe rinisa të shkruaja në adoleshencë, me ndikonte bezdisshëm Kadare. Mbaj mend kur kam lexuar “Kush e solli Doruntinën”, kam pësuar një habi tepër të madhe dhe e kam quajtur me vete novela e parë “noir- triller- horror” shqiptare. Sidoqoftë, me leximet e mëtejshme klasikët u zbehën e u bënë histori e kaluar. Tashmë e shqyejmë trurin me 300 000 km-s me kohën tonë.

IV
Shkrimet e mia janë publikuar që herët nëpër tërë periodikët letrarë të mundshëm. Në 2007 hapa blogun tim interaktiv loerkume.blogspot.com, ku kam komunikuar me lexuesin tim në mënyrë të drejtperdrejtë, dhe vetëm në 2011 doli “LUX”, një tufë prozash e ekzaltuar.



 Klosi News : Sot, flitet shumë për kritikën letrare shqiptare që, sipas mendimit të përgjithshëm, nuk ekziston. A pajtoheni dhe Ju me këtë mendim ? Si e mendoni rolin e kritikës letrare ?

LOER KUME      Heh, kritikë letrare ka. Sigurisht që ka. Por, të ç’niveleve ? Të nivelit mediokër që janë shumë, të nivelit të mesëm që janë më pak, dhe të nivelit exellence që janë pak fare fare, dhe të paprirur fare të bëjnë kritikët, sepse përgjithësisht lexojnë. Ndërkohë ka dhe lexues. Të të njëjtave nivele. Mediokë, të mesëm dhe ekselente. Këtu mungojnë dy gjëra. Trualli i kritikës, dhe leximi i mirë, nga të tërë. Trualli i kritikës është i domosdoshëm për të bërë kritikën, kritikë në tavolina kafeje nuk ka. Kritika letrare është që dikush të dojë apo të urrejë publikisht një vepër. Kritika letrare duhet të jetë zbërthimi dhe analizimi, sado i pakët i një vepre. Kritikën e bëjnë mediokrit. Kritikën duhet ta bëjnë ekselentët. Ekselent nuk lind, bëhesh nga leximet.Që të lexosh mirë, duhet që kritika të të orientojë ç’të lexosh. Kritika është pak pa qejf. Dhe ja ku kemi një situatë vicioze nga e cila s’dalim dot veçse me kohë. Më duket se do të duhen 100 vjet. Unë personalisht kam marrë kritika super të vlefshme nëpër forume nga njerëz të panjohur fare, që me qejfin dhe pasionin e tyre bënin një zbërthim spektakolar të çdo fjalie apo fjale. Dhe po nga ata kam mësuar dhe të lexoj më mirë. Po përmend dy, “Peshku pa ujë” , dhe “Tiranacalling” . Njëkohësisht dhe vizitorët e blogut tim kanë lënë goxha gjurmë në mua. Sidoqoftë roli i kritikës letrare do jetë i saktë, atëherë kur në truallin e duhur, që mund të jetë në mediat e ndryshme mbi te gjitha televizive, do përballen kritiku dhe shkruesi nën syrin vigjilent të lexuesit të interesuar. Në atë pikë asnjeri s’ka nga të luajë.



 Klosi News : Cilat janë mënyrat tuaja të ndjekjes së Letërsisë Europiane apo dhe asaj botërore : nëpërmjet përkthimeve apo leximit në gjuhën origjinale ? Ku e vendosni Ju, në krahasim me këtë letërsi, Letërsinë Shqiptare në përgjithësi dhe atë tuajën në veçanti ?

LOER KUME      Letërsia e mire është një thashethem i madh. Kalon fjala mes miqsh, lexuesish të zgjuar, merr një libër, e lexon, dëgjon nje emër, e kërkon, fillon orientohesh nëpër letërsi, lexon ndikimet e shkrimtarëve të sapolexuar, ecën përpara, herë pas here kthehesh pas, vlerëson, rivlerëson, kërkon më shumë, më tej, më koherente me ty, nganjëherë edhe devijon duke pasur impulse vetëshkatërruese në një lexim bastard, e kështu eshtë leximi im. Letërsia shqiptare, hmmm, deri më sot kanë dalë nja, ca, pak autorë të më shokojnë e të kenë targën Al. Dhe ata pak autorë që i kanë rënë tryezës me shkelm s’i kemi të vlerësuar e të përmendur. Sidoqoftë ka ndoca. Ta mendosh mirë, ne s’dimë të orientohemi as në letërsinë shqiptare, jo më në atë botërore. Punët fillojnë nga brënda shtëpisë tënde. Këtu ka autorë, flas jo të rinj, po me një sërë titujsh, që si përmend askush. Ndërkohë që kanë një risi në të shkruar dhe të lexuar. Kuptohet me sekonda që kanë një botëkuptim plot me dritë. Ja, Kasëm Trebeshina p.sh., më ka lënë pa fjalë në përballjen time të parë me të, Odin Mondvalsen. Vëreni titullin. Ardian Kyçyku, Henrik S. G., Mira Meksi sa për fillim. Poetë si Frederik Rreshpja, Ndoc Gjetja, Ervin Hatibi për shembull… e ku di unë sa të tjerë, do më duhet të bëja një listë të madhe. Do më mbetet peng ndonjë pa e përmendur më pas, e di. Shumica nuk njihen. Pjesa tjetër nuk përmenden. Dhe askush nuk analizohet apo vepra e tij të bëhet i njohur për publikun. Rastësisht më ka rënë shumica e shkrimeve të tyre në dorë, dhe për sa kohë letërsia ngelet rastësi e nuk kthehet në thashethem të dashur, atëherë paçim shëndenë dhe e di që dhe ajo që unë shkruaj, e materializuar ndërkohë te “LUX” e me tutje, do zërë pluhur kioskave, në rastin më të mirë kur ka mbërritur te kioska, se ka dhe raste që mbeten në lagështirën e magazinës.
Shkurt, letërsi shqiptare s’ka akoma. Në Shqipëri kemi amulli, nuk kemi kaluar stade letrare që i ka kaluar tërë bota. Ne kemi bërë sforcime. E si pasojë kemi këtë tentativë të rraskapitur si legjionar i vdekur për ujë që quhet letërsi sot. Ka shkrimtarë shqiptarë, po.
 E di ç’më habit më shumë tani që e mendoj? Mirë shkrimtarët e brenda kufirit që s’kanë pasur mundësi të ecin në koherencë me botën dhe janë mbyllur në hermetizëm idesh nga halli, po ata qindra mijëra shqiptarë të komunitetit jashtë kufijve diktatorialë si nuk mundën vallë të prodhonin një ose dy autorë me vlerë ? Çudi e vertetë ?! P.sh., meqë këto kohë po lexoj Bolano, mund të paralelizojmë Kilin, vërtet kishte diktaturë, por pati të paktën jashtë kufijve (s’e di ç’bëhej brenda) një Allende, një Bolano e ku di unë. Po ne ? Booh ! Shkrimtarë shqiptarë sa keq ! Në fillim do zbulojmë, pastaj do klasifikojmë, pastaj do lexojmë, e në fund do shpikim letërsinë e vërtetë shqiptare. Do na duhen të paktën edhe 100 vjet.

II.
Letërsinë time e shoh shumë të ngjashme me letërsinë e Murakami. Për nga mënyra e trajtesave se sa nga tematikat dhe stili. Letërsi pa kufij, shpesh magjike, dhe njëkohësisht pa tendenca të egzagjeruara moderniste e post, letërsi spontane dhe të egër në harlisje. Letërsi ‘si të vijë’. Por mbi të gjitha ‘ku të shkojë më tutje’.


 Klosi News : Dihet se një tekst letrar, në fakt, është një ndërtekst. Veprat të dërgojnë tek njëra-tjetra, shkeljet e syrit ndërmjet shkrimtarëve janë të shpeshta. Po Ju, me cilët autorë ndiheni më afër dhe mundoheni të komunikoni nëpërmjet teksteve tuaja të mirëfillta ?

LOER KUME      Unë kam gjetur përkime të shkrimeve të mia me shkrimtarë të tjerë. Shumica kanë qenë rastësore. Unë i besoj unit kolektiv si një database gjigand jashtëkohor, që në një moment të caktuar, unë dhe autorë të tjerë kemi marrë të njëjtat info. Sidoqoftë përpunimi, sado i ngjashëm që mund të qëllojë, ka brenda shpirtin specifik të gjithësecilit dhe nuk mund të jetë i njëjtë përveç rasteve kur i ke fut një « copy paste ».

Kam pasur ndikime nga Hemingway, që detyrimisht është një shkollë shkrimi. Jam ndikuar nga mënyra e të konceptuarit të J. H. Borges, dhe nga shprehja e jetës e Kazanxakis. Më kanë habitur dhe çuditur kufijtë e pakufijshëm poetikë të Bataille dhe poezia e Baudellaire, Neruda, Prevert, realizmi magjik i Latino-Amerikanëve si Fuentes, Marques, Amado, Allende. Arroganca e Bukowski-it, poetika porno-erotike e Miller. Sidoqoftë më shumë janë ata që s’kam lexuar e që më presin aty. Vepra e D.F. Wallace, Havier Marias, Fernando Pesoa, Milan Kundera, Haruki Murakami ende, Thomas Pynchon, Palanhiuk, Updike, Celine e plot të tjerë. Janë aty, në pritje. Dhe s’po më durohet as mua…



 Klosi News : Një temë që rikthehet shpesh në mjedisin letrar shqiptar,është dhe ajo e « Çmimeve Letrare ». Ç’mund të na thoni këtu ? A mendoni Ju se përzierja e politikës së ngushtë partiake në Letërsi është një fatalitet nga i cili s’po dimë si të dalim ?

 LOER KUME    Politika e ngushtë partiake është një fatalitet edhe për lëngun brënda membranave të qelizave tona. Përveç kësaj, çmimet letrare të ne janë qesharake në rastin më të mirë, e në ditën e tyre të keqe të bëjnë të vjellësh. Çmimet letrare janë tmerrësisht të manipulueshme nga politika sepse në fakt ne jetojmë akoma sot në gjendje diktature. Dhe çdo regjim që merr stafetën ka shkrimtarët e tij që edhe kur s’bëjnë lavazhin e mendjes së popullit, bëjnë të paktën rrahjen e shpatullave të pushtetit. Çmimet letrare si ide më vete janë gjëja më normale në këtë dynja. Ne nuk do shpëtojmë nga estabilishmenti, sepse është pjesë e jetës, është mosha madhore në çdo fushë, është ai brez që zotëron e gjithmonë të rinjtë kanë tendence ta urrejnë, luftojnë dhe rrëzojnë e më pas ta bëjnë themel të rrugës së tyre, deri në shndërrimin e vetë atyre në estabilishment. Është cikël jetik. Kështu dhe në Letërsi, por ama duhet të shpëtojmë nga neveritshmëria e zyrtarizmave e çmimeve të përçudnuara krejtësisht shtetërore. Dhe këtë gjë e bën vetëm kritika. E cila është mediokre. Sepse jomediokrit kanë punët e tyre. Mediokrit kanë punët e të tjerëve. Që sjell që aparati shtëtëror zë vendin e kritikës. Që sjell që situata është prapë vicioze e do na duhet të bëjmë një intervistë të përsëritur me këtë argument pas 100 vjetësh neveri.





 Klosi News : Tani, edhe një pyetje mbi Gjuhën Shqipe. Zhurmat e sotme mbi standartin, dialektet, klanet apo komisionet, kanë krijuar një rrëmujë të vërtetë në mjedisin tonë letrar. Mendimi apo rrugëzgjidhja juaj ?


LOER KUME    Në idenë e letërsisë « si ti vijë » e « ku të shkojë » , gjuha ime është krejtësisht spontane. Ruhem nga përdorimi i plotë i të folurit dialektor karakterial që më duket diçka e dalë boje. Më kanë kritikuar për të përdorurit pa takt të vulgarizmave. Unë ama përpiqem që personazhet të jenë sa më reale dhe të tillë i bën gjuha specifike që mjafton dhe pak fjalë që të arrihet. Nuk jam aspak kundër dialektizmave, fjalëve të huaja si duket dhe më sipër gjatë intervistës, dhe as kundër fjalëve me origjinë turke e greke. Dhe mbi të gjitha, i fjalëve të ashtuquajtura ‘të ndyra’ në shkrime. Çdo gjë që egziston shkruhet. S’ka numra në këtë pikë. Ndryshe do bëjmë hipokrizi. Sigurisht me njëfarë takti i cili e kthen vulgaren në të bukur, ndaj është letërsi në fund të fundit. Letërsia është si një pluhur zanash që përhapet dhe infiltron kudo për të bërë magjinë e saj, dhe mekanizmat e përhapjes së saj nuk kanë rëndësi, rëndësi ka qëllimi final, fluturimi, ndaj gjuha si mekanizëm do marrë formën e pluhurit për të realizuar fluturimin. Nëse një vajze të vogël i vjen të thotë “është cool të ndryshosh rregullat primare”, atëherë këtë e bëj kolonë zanore të një tregimi të tërë, e s’pyes fare për akademizma të mjera. Gjuha është e lirë. Liria është gjithçka. Por egzagjerimi është sidoqoftë shenjë demence. 





Klosi News: Dhe së fundi, çfarë do të dëshironit t'ju përcillnit lexuesve dhe dashamirësve tuaj?

LOER KUME   Gjithkush që lexon këtë intervistë duhet të sjellë pranë vëmendjes diçka. Letërsia është shtyllë e rëndësishme e një kombi. Pa letërsi nuk ka komb. Ndaj atdhetarët e flaktë që po digjen nga atdhedashuria, në fillim të lexojnë 5 libra më shumë që te bëhen njerëz më të mirë për vendin e tyre. Letërsia shqiptare nuk egziston mirëfilli. Ka shkrimtarë pika referimi ama. Le të nisim të bashkojmë këto pika referimi për të krijuar një hartë letrare, e cila do pasurojë shpirtrat e shqiptarëve e mbase dhe më tutje, duke i bërë njerëz më të mirë e më të denjë. Duke u zhvilluar fantazinë, e cila do vihet në punë me një fije dhembshurie e ndjenje të së bukurës që ta jep vetëm letërsia. Ndaj lexime sa më të mira e të mbara, e thashethemi i dashur letrar mbizotroftë në veshët e neuronet tona!



 Klosi News: Ju falemnderit !

 LOER KUME   Ju faleminderit ju që më dhatë mundësinë të shprehesha me shkrim ashtu si di të bëj më mirë, e mirë u takofshim në libra ose në rrugë!

Tuesday, November 8, 2011

LUX !!! - 840 Fjale Lexuesit!

Dua të them pak gjera mbi LUX, dhe sportin e krijmtarisë letrare të mirëfilltë. Drita është magjia bazë që bën të shohim e perceptojmë jetën, si pasojë ta jetojmë. Dhe vetë egzistenca e saj si konstante universale është magjike. Dhe dualiteti i saj si grimcë dhe valë është magji që ngacmon mendjen për dualitetin e krijimit. Foton - kuant, mirë - keq, burrë - grua, yin - yang e sa të duash pjesë simetrike të së tërës. Drita është simboli i ekuilibrit. Drita është elementi bazë i shkrimit tim, në çdo pjesë të këtij libri gjendet ajo, e fshehur ose e dukshme. ‘LUX’ është përmbledhje krijimesh të shkruara në një goxha shtrirje kohe. Libri ndërtohet nga 15 proza i quaj unë, edhe pse për arsye korrektësie letrare, në kopertinë më është dashur ti etiketoj tregime. Zakonisht shkrimet e mia i përfshij në tre etiketa. KAPRICIO URBANE, TEHA RESH, dhe FUTURA. Këto 15 proza janë marrë nga të tre etiketat e mia, por radhitja e tyre bën një rrugë nga gotikja, në realen, postrealen dhe metafiziken. ‘Gjyqi i hijeve’ është metaforë gotike e procesit të krijimit të paktën letrar, të paktën timit. Dritësjellësi, që është dhe burimi i pandërgjegjshëm i titullit të librit është trajtimi i mitit të Luçiferit, engjëllit të rënë në një këndvështrim kompleks tejEdipian të dritës dhe “pushtetit të brezit të ri”, shkruar duke pirë konjak një natë dimri deri në një mëngjes dimri. “Pushtimi i parajses” rri mirë e bukur në këmbë pa pasur baza morale por veç nevojën për adhurim e frymëzim emotiv ndaj bëmave të skajshme të trimërisë. “Biblioteka” është pastërtisht etje për jetë, dhe çapitje mbi librat. “Mr. PushShteti...” është ashtu dhe loja e fjalëve në titull, një lojë komplekse letërsie e prodhuar nga dy ngjarje deri diku të vërteta, që më kanë tronditur mua, mbase më pak nga shumë të tjerë. “Moonlight drive” është poemë e egër e një mënyre të të dashurit, e shijes së dheut dhe puthjeve. “Dëshirë e fundit?” Mbetet në pyetje, një formë ndjenje që tejkalon jetën, një formë pasioni që thyen kurrizin e ftohtë të vdekjes. “Dita e tetë” është soditje nga cepi më distal i universit tonë, ulur këmbëkryq me një gotë verë tëkuqe në dorë, duke ndjerë një rrymë elektrike të qarkullojë nëpër neurone e shkaktuar frikë për të nesërmen, deri ne poezinë e fundit që do na shpëtojë. Është pjesë libri që UNI kolektiv e percepton ndërkohë, por nuk m’u prit që ta trajtoja në libër të veçantë dhe e zippova në një prozë për shijen fataliste - ose jo? – të së ardhmes. “Germat fluturake...” është kapriço futuriste që më ka argëtuar shumë duke qeshur gjatë shkrimit, aq sa kam pyetur veten në i ndodh ndonjë shkrimtari tjetër kjo gjë apo ka problem në këtë mes. “Rasti i komplikuar” është një kokolepsje që flirton botë të pamundura me njëra tjetrën, dhe më ka mësuar gjatë shkrimit që morali është ajo ç’ka koha na ofron për ta q...rë. “Peisazhe të reja dhe telajo pa fund” është përjetim metafizik i cili më ka rrëfyer si të pikturoj e ristrukturoj qenien time deri ne shkrirje të plotë me Universin, kur të kthej majat nga thembrat. Shkruar duke dëgjuar pafundësisht “I am the walrus”, të Beatles, interpretuar nga Bono Vox. “Pasqyrat” është pasqyrimi i pafund i tërë asaj ç’ka mund ta quajmë shpirt i dy personave. Sërish dritë, sërish dy në një. Është vetë dashuria. “Vallëzues, klube, fëmijë dhe kafshë” është elegji e përjetshme rrjedhëse dhe vrasëse e syve dhe muskulit të zemrës. “Biorisia” ashtu si “Dita e tetë” është pjesë libri që mbetet për tu mbaruar. Ka gjendje të caktuara fiziko shpirtërore që bujarisht dhurojnë përjetime absolute të rralla në njerëzi. Është çeshtje sekondash, më saktë koha s’ka të bëjë fare, por sheh veten të tretur dhe gjithçka është gjithçka. Pas kërkimesh kam arritur në konkluzionin që një formë të ngjashme njohin dhe budistët, e quhet Satori, pastrimi para Nirvanas. Kjo gjendje quhet (term i krijuar padyshim nga unë) BIORISIA. Risi - bios’i, ose një Rise (angl.) bios’i. “Re puplore” është shpirti i TEHA RESH. Është poezi e një mënyrë të jetuari, dhe filozofie. Është një kurorë që jo çdokush, as unë vetë që e kam peshkuar konceptin aty qark qiellit, nuk mundem gjithmonë ta mbaj mbi kokë. Të shkruash letërsi, ndryshe nga ç’mendon shumëkush është sport. Një sport që përcakton raportet me veten dhe botën. Zhvillon qenien tënde anatomike dhe shpirtërore, dhe nxit, argëton, frymëzon, zhvillon dhe ata që goditen nga drita e leximit të duhur, ose të leximit te i cili pasqyrohen (ja ku dolën prapë Pasqyrat) Larg trapllëqeve të përditshmërisë me pluhur, bukë, djersë, sapun e thashetheme, që sot janë ndërsa nesër s’kanë qenë kurrë, kam krijuar duke u sportisur në letërsi që në moshën 6 vjeçare, dhe ndaj me njerëzit që rezonojmë, (e rezonanca s’është me të tërë)këto proza kuantesh dhe jete. Takohemi nëpër rreshta e shkronja. Le të shkrijmë një ëndërr drite të tërën mes miqsh, e ta kthejmë fjalë pas fjale, hap pas hapi, mendim pas mendimi në realitet!