FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Thursday, October 11, 2012

Unë jam VDEKJA



Mos u habisni. Mund të jem kushdo. Jam njëri nga ju. Nuk mund të dini në jam shoku, shoqja, prindi a fëmija juaj. Jam midis jush, ha, pi dhe bëj gjumë të shqetësuar si ju. Ajo që na lidh dhe njëkohshëm bën ndryshimin, është shqetësimi i gjumit. Mua ma prishni ju, e unë do t’ua shkatërroj ju të tërëve. Jam një kancer i krijuar nga degradimi qelizor i shpirtit. Dhe do përhapem me sh

pejtësi në çdo vrimë ku ka dhe një njeri të vetëm. Secili nga ju njerëz, kudo që ndodheni, bart një mëkat mbi shpinë. Në një efekt flutur, ose dhe drejtpërdrejt, secili nga ju ka rrezikuar jetën e të paktën një njeriu tjetër. Secili nga ju është unë. Një nxitës i vdekjes. Unë jam VDEKJA! Dhe nuk jam këtu për t’i dhënë fund egzistencës tuaj. Jo! Ju do më paguani mua një haraç. Çdokush nga ju frymorë dykëmbesha inteligjentë do më paguajë mua një haraç. Jo jetën e tij. Shumica juaj ende s’ kanë bërë asgjë. Një pjese tjetër kanë bërë diçka pa vetëdije, e pjesa tjetër kanë vrarë dikë me dashje.
Une quhem VDEKJA e secili nga ju me ka nje borxh. I cili nuk paguhet me vdekje, as në vdekje. Si produkt përfundimtar i civilizimit tonë, vlera e kësaj gjobe do të paguhet në para. Të tërë ju do me jepni aq para sa mëkati juaj, i mundshëm ose i ndodhur ka vlerë. Paratë tuaja do marr.
Do t’i derdhni në llogarinë time bankare HYDRA e konvertuar në numra. Sasinë do ta përcaktoj vetë. Shërbimin që do bëjnë këto para e di vetëm unë. Në të kundërt, unë, aty, mes jush, fshehur në fytyrën më të zakonshme, fytyrën më të afërt tuajën, do marr atë që kërkoj si timen, në një mënyrë ose një tjetër. Do eleminoj njerëzit tuaj më të afërt. E për çdo njeri të eleminuar, fajtorë do jeni po ju. E borxhi juaj ndaj meje do të rritet. Paratë tuaja s’kanë më shpëtim. Ka ardhur koha për shkartisje.
Po, e di ç’mendoni. Unë jam një mafioz i ndyrë që vë gjoba. Dhe s’e keni gabim. Une jam një mafioz që s’keni për ta gjetur kurrë. Sepse unë jam i padukshëm. Dhe quhem VDEKJE. Askush s’mund të krenohet që më ka parë a prekur. Kam shumë armë. Shume duar. Dhe një llogari bankare. HYDRA konvertuar në numra. Mbajeni mend. Secili nga ju do marre shifrën që i përket të japë. Taksa ime natyrore do derdhet këtu. Askush s’ka për të ditur kurrë ç’do bëhet me to. Mjaft të dini që kjo botë e kalbur në shpirt, do ruajë ekuilibrin e do pastrohet nëpërmjet meje!

Anon.

Monday, July 30, 2012

Nje Analize e pavullnetshme dhe e natyrshme per te dale.



...
Nga klinika dola me 26 maj. Me kujtohet dielli, ngrohtesia, fryma e lirise neper rruge. Ishte e padurueshme.

Zgjerimi i fushes se luftes
Michel Houellebecq

Nese do kisha lexuar vetem kete liber te Houellebecq, do isha tronditur e do ta kisha mare deri diku seriozisht. Por duke pasur fatin e rastesishem te lexoj ne fillim Platforma, e me tutje Mundesia e nje ishulli, duke e shtuar infon dhe me filmin Grimcat Elementare dhe esse te shkurtra aty ketu, une kam nje vizion te qarte. Te dy mundesive;
E para, deri diku e pranuar dhe e vertetuar, Houellebecq eshte nje krijues qe ka futur veten e tij ne nje mase te madhe e te dukshme ne krijime. Duke qene se ka vuajtur me pare nga depresioni, pothuaj tere shkrimet e tij bartin dorezim, vuajtje, depresion, asnje fije shprese, akullsi, cerebralitet, dhe krejtesisht ngjyre gri e trajtim te ngurte te njeriut.  Sigurisht te tera keto nga nje kendveshtrim egzistencial ekstrem, duke proklamuar me te madhe pakuptimshmerine e pakuptimshmerise. Dhe nuk ka mundesi qe kjo te jete e vertete. Pra vepra e ketij autori ngrihet mbi nje situate te semure, te pavertete, vecse ne perceptimin e tij te devijuar. Sigurisht, duke cituar veten ne nje tregim timin, Artisti, artisti esht epikrisht ai qe e sheh realitetin ne nje kendveshtrim vetiak, e spekter ngjyrash krejt te vetin, por monokromiteti ne vepren e houellebecq me duket ose i semure ose i qellimshem, e kjo ka te beje me, c ka me poshte.
E dyta, duke pare me vemendje menyren e tij te zoterimit te suksesit, menyren e shkrimit, ate c ka ofron per tu ushqyer, duke gjetur tek tuk gjurme te Albert Camus, te Sartre, te situatave te importuara egzistenciale, (si rasti i thikes nen driten e henes te dunat e reres ku personazhi i Zgjerimi i fushes se luftes donte te vriste nje cift qe benin dashuri, dhe ai ishte me ngjyre)
 te instaluara ne boten franceze te kohes tone, e tera kjo e amalgamuar me nje te qeshur sardonike Celineane, mua e tera kjo me jep idene e nje qellimshmerie. Micheli kerkon te gjeje audience ne kete bote te frustruar e te vetmuar. E kete e ben nemenyre gjeniale duke u bere amplifikator i tere erresires dhe vuajtjes njerezore te koheve tona.
Problemi i vetem eshte qe jo cdo gje e uleritur me te madhe nepermjet nje amplifikatori vokal duhet doemos te jete e vertete. Ky shkrimtar te terheq ne nje vorbull deshperimi dhe kotesie, te terheq ne nje rruge te cilen ti e kujton per te vertete por e verteta nuk eshte ashtu.  Bota e menyra se si ajo punon dhe ecen perpara, eshte edhe keshtu, por jo krejt keshtu. Kjo esht evetem nje pjesee vogel shume e universalitetit te botes plot larmi. Sigurisht, ne bote a vuajtje, por njerezit jane dhe plot kenaqesi, plot dashuri, plot skena bakanalesh ne jetet e tyre, dhe cdo – i pergjigjet nje +.  Te shkruash e perceptosh si Houellebecq do te thote, te jesh ekstremist. Dhe cdo ekstrem ne nje fare menyre i largohet se vertetes.
Arrij fare mire te shoh qarte (sipas veshtrimit tim) e te heq nje vije paralele midis Houellebecq dhe Coelho. Te dy plot audience, te dy te hiperlexuar, te dy pjese e show bizz. Njeri ana e erret e botes, tjetri ana e ndricuar e pozitiviste e saj. te dy jane ane. Nese nje shkrimtar do permbante keta dy autore brenda, do kishim nje shprese per nje fije vertetesie. Dy ane ekstreme s te cojne vec ne zgrip.
Tani, midis Houellebecq te fandaksur depresiv, dhe Houellebecq bir  k... une nuk di te ve gishtin cili eshte i verteti, madje besoj fuqimisht qe ky autor i ka te dy keto analiza pjese te integruar te vetes. Shpresojme qe rrugetimi i tij si shkrimtar ta nxjerre ne nje truall te vertete, jo virtualzi, se per te Coelho shume pak shpresa ka, me mallin e importit te pafundem prej Gibrani e Borgesi qe mban e keqperdor tashme.
Houellebecq, kudo ku te jesh duke bredhur tani, ne ndonje breg te smeraldte me supermakinen tende, ose ne ndonej klinike psikiatrike, une te shoh e te uleras; VIVA LA VIDA!

Thursday, February 2, 2012

"BLISS"


- E shtunë shumë e shpifur! - Tha ai duke parë shiun e dendur që rrihte xhamat. - Ky është dimër.
- Po sikur jemi në janar apo jo. Do bjerë ndonjëherë shi në këtë qytet dielli dhe ere jo? Si thua ti?
Ai s’u përgjigj. Ndërkohë po shtrëngonte rripin. Tërhoqi dhe njëherë çorapet, hodhi hapat drejt pasqyrës e pa fytyrën.
- Më shkojnë mustaqet?
- Gjithmonë. - Tha ajo ndërsa krihte flokët. - Ti rrallëherë i lë.
- Babai më thoshte dikur që ndryshimi i detajeve të pamjes së burrit tregon mungesë karakteri.
- S’e di pse ju meshkujt çdo gjë që thotë ‘babai’ – bëri një lëvizje si dirigjente me baketën krehër në dorë ajo, - e keni krejtësisht të stampuar në kokë që është e drejta e vetme hyjnore shkencore antropomorfe evolutive, burrërore...
- Sa ke folur...
- Vërtet, pse mendoni kështu gjithmonë?
- Vërtet, pse po më pyet në emër të meshkujve?
- Mirë, e drejtë. Atëherë, babai yt e ka gabim, e ke menduar ndonjëherë? – Ajo vazhdoi të krihte fort flokët.
- Gjithmonë kështu kam menduar.
- Para se të mbushje tridhjetë?
- Mos u bëj malicioze, - e puthi në gushë ai duke futur fytyrën mes flokëve të shkëlqyeshëm gështenjë. – Mmm! Më pëlqen!
- Babai yt e ka pasur gabim. Sepse të ndryshojë është i vetmi tipar njerëzor që ka njeriu. Sa më i kultivuar nga trutë të jetë aq më ndryshues është ai. – Tha ajo duke iu kthyer në fytyrë afër.
- Sa herë do ma përserisësh këtë dituri të lashtësisë tënde mbi tokë?
Ajo qeshi. - Si mund të qeshe një njeri kaq bukur? – i kaloi si aromë në mendje atij. - Sidoqoftë, ju femrat që ndryshoni vazhdimisht i bie të jeni më njerëzore se ne?
- Ju femrat? Ajo ngriti sytë habitshëm.
- Hahah, më kape. – qeshi ai.
- E di ti që shenjë e keqe kjo?
- Kush?
- Të flasësh me përgjithësime në një çift?
- Jo nuk e di. Ja ma the ti. Ti flet gjithmone me citate e di?
- E di. Dëgjo, hmm...më thuaj diçka, s’e kisha menduar kurrë më parë në fakt. Ke pasur ndonje tjetër këto kohë?
- Jo.
- Faktikisht ti duhet të habiteshe nga pyetja ime. - Ajo po krihte majat e flokeve.
- Nëse mendon që më habit pyetja ime atëherë po më habit ti mua. Se...
- Ishte e imja pyetja, jo e jotja.
- Se mua s’më habit asgjë nga ty.
- Ndaj të pyes për ndonjë...
- Nuk e thashë në atë kuptim. E kisha që të njoh mirë dhe ...  Pse më bën të sqaroj gjëra koti? Çfare ke?
Ajo pa veten në pasqyrë. - Nuk më pëlqen kështu jo. - Shkundi flokët pa pushim. I shkundi fort. Ngriti kokën dhe flokët i ranë mbi sy në hundë e në buzë.
- Sidoqoftë, nësë do kisha pasur një femër tjetër ti e di që do të ta thoja.
- E di vërtet që e di!
- Kështu dil. Më pëlqen më shumë kështu. – Ai e mbajti nga shpatullat ashtu në këmbë, para pasqyrës, dhe afroi buzët te buzët e saj. – Mirë që nuk kishe vënë të kuqin e buzëve. – tha duke i hequr fijet e flokëve nga buzët. – Do i kishe bërë floket...
- Sa femra ke parë ti të vënë të kuqin e buzëve para se të krehin flokët? – I foli në vesh ajo duke e shtrënguar ne bel. - Sa ke parë? Ke parë apo jo?
- Të mendohem pakëë.. E di ti që s’kam parë?
- S’ke parë femra?
- S’kam parë asnjë vajzë të krehë flokët me buzët e lyera.
- Kur?
- Kur bëhen gati të dalin. Jemi vonë. – Pa orën ai. Nxitojmë. – tha duke u shkëputur nga ajo.
- Ma shpife me atë orën. – Tha ajo duke rregulluar me gishta flokët e saj të dendur e të shkëlqyeshëm gështenjë.
- Pse gjithmonë do vonohesh?
- Mos ki merak se unë s’ve të kuq buzësh. S’më duhet. Je ti që je vonë. Se do veshësh këpucët e tua të bukura të reja.
- Do jesh krenare për mua sot në sy të të gjithëve? Krenare për pamjen e mashkullit tënd?
- Po, do jem po. Me këpucët e reja e orën tënde të famshme po. Sidomos. Vishu shpejt pra. Unë jam gati.
- Je e tmerrshme. Je gati të dalësh pa buzekuq e pa tualetin tënd vetëm që të jem unë vonë!
- Jo, por sot ma shpif truku. Jam zgjuar në mëngjes e di?
- Je zgjuar vërtet? Keq më duket!
- U zgjova, dhe pashë veten në pasqyrë. Më pëlqeu tmerrësisht vetja. Jam më e bukur se ty e di?
- Jo, s’e di. Asnjëherë s’e di.
- Po ja, ta them unë, prapë. Lëre që duket përherë. S’ka rast që s’duket.  Dhe po të thoja, më pëlqeu vetja shumë. Dhe pashë sytë e mi të vërtetë. Domethënë pa tualet. Dhe buzët e mia të kuqe. Shih sa të kuqe i kam buzët. Dhe mjafton ti kafshoj pak dhe gjithçka u rregullua. Vendosa që ka shumë hipokrizi në këtë botë të çuditshme ndaj nga mengjesi i sotëm e tutje unë nuk vë më të kuq buzësh. As laps në sy. As floket nuk do ti mbaj të krehura. Sapo ti kreh ndonjëherë, do ti prish prapë.
- Je e tmerrshme!
- Ngordh ta dëgjoj këtë miliona herë që e thua. Dhe sigurisht do vishem gjithmonë po kaq me shije. E veshura është tjetër gjë. - U rrotullua ajo në fustanin blu të mbyllur. - Të bën mirë kur zgjohesh në mëngjes vetëm dhe sheh veten në pasqyrë me dritë dielli që të bie mbi sy.
- Kur, në njëmbëdhjetë të drekës?
- Jo, në njëmbëdhjetë të mëngjesit i thonë.
- Gati? - Tha ai duke pare dhe njëherë veten në pasqyrë mbi kokën e saj. - Ujë. Harrova. Dua ujë.
Piu ujë nga shishja duke e kërcitur në fyt. Ajo i pa mollën e adamit të skuqur disi nga brisku.
- Ç’mashkull alfa bëhesh! Me shishe. Më pëlqen më shumë kur pi kështu!
- Dalim.
Vrapuan në shi ato pak hapa që i ndanin nga makina. Ai klikoi me pultin e rrasur thellë në xhepin e palltos së tij dhe u zhytën të dy njëherësh në lëkurën e butë bezhë të komoditetit të makinës. Ai e ndezi çelësin në kuadër. Sapo u ndez makina u ngrohën menjëherë, duke zhveshur e hedhur pas veshjet e mëdha.
- U lagëm. Ma shpif ky dreq shiu. – tha ai duke shkundur flokët. - Ma shpif fare. Më lagu këpucët. Do ikim tërë baltë atje. Mu bënë pis dhe pantallonat.
- Pse, unë vdes për shi si ky. - Tha ajo duke parë jashtë përmes xhamit ku rridhnin rrëketë. - Kur bie shi kështu nuk të le kohë të mendosh, është i ashpër, i fortë, i ftohtë, dhe të shpëlan gjithë ç’ke në kokë. S’të le mundësi. S’është shi melankolik vjeshte. Duhet vetëm mos ta kundërshtosh. – ajo duke ulur e ngritur menjëherë xhamin e dritares. - Ti e kundërshton. Pastaj, shih anën pozitive, orën nuk ta lagu.
Ai ktheu kokën vrik ta ndëshkonte me sy, por ajo ngriti kokën nga xhami ku ish mbështetur dhe i dhuroi një buzëqeshje me tërë dhëmbët e bardhë. Atij i shkriu gjaku krejt duke parë dritën në fytyrën e saj të ndriçuar edhe nga dritat portokalli të rrugës.
Ktheu kokën sërish drejt duke buzëqeshur.
- E di? S’kam kuptuar kurrë një gjë te ty. E mendoj shpesh... s’e kam parë tjetërkund këtë mimikë. Domethënë... Hmm... mbase është kot...
- Çfarë?
- Po...S’di si ia bën, e kontrollon dot veten deri në atë pikë sa të ndezësh dhe fikësh atë dritën tënde aty brenda në sekondë, me komandë të prerë, apo ashtu të vjen? Ja, Si buroi ajo drita nga fytyra jote tani, si? E bëre vetë apo ashtu të erdhi?
- Sa kohë ke dashur të ma pyesësh këtë gjë? - Buzëqeshi butë ajo duke parë drejt rrugën e ndriçuar nga dritat portokalli.
- Ç’rëndësi ka?
- Ndaj me dashuron tmerrësisht e s’di si t’ja bësh pa mua. – Tha ajo duke qeshur, tani njësoj si pak sekonda më parë, me dritë. - S’kam ndër mend të bëj analiza të vetes kaq qelizore. Di unë? Gjeje vetë! - qeshi sërish. U panë në sy. - Të shkojnë mustaqet tepër. Më pëlqen shumë me mustaqe.
Ai nënqeshi.
- Po ti?
- Unë çfarë?
- Po ti? Ndonjë mashkull tjetër?
- Jo. Nëse do shkoja me ndonjë mashkull tjetër, nuk do bëja më seks me ty. Unë bëj vazhdimisht seks me ty. Më shumë se bën ti me mua.
- Pse?
- Dhe ti e di shumë mirë. Nëse do më pyesje vërtet, do kisha më parë duart e tua në fyt më parë, pastaj do vinte përgjigjia ime. Apo jo?
-  Jo s’do ta bëja në atë formë.
- Ej! Po tallesh tani? Unë ndaj të dua. Se akoma sot, do ta beje në atë formë. Nëse nuk do më vije duart në fyt, e dimë unë dhe ti, nuk do ishim bashkë tani.
Ai heshti duke shtrënguar timonin. Pastaj e liroi. Nuk donte ti provonte vetes asgjë.
- Pse kemi tërë darkën që flasim për gjëra drastike?
- Pse ti ke filluar të shohësh kaq shumë orën?
- E di unë, nuk doje të shkonim sonte atje.
- Me tërë ata miqtë e tu të rrjedhur intelektualë të leshit.
- Pse vetëm te mitë?
Ajo pa folur vizatoi një shi shigjetash në xhamin e makinës. Ndërkohë që po vizatonte një mollë poshtë tyre, ai e pa.
- Ç’bën aman! Sa herë ta them mos vizato në xham të makinës se ngelin gishtat? Përherë këtë bisedë do bëjmë dreqin?
- E di ça? Mu kujtua një gjë. Prit të ta lexoj. Ajo lëvizi gishtat në tastierën touch të telefonit. - Të kujtohet një Prevert? S’është markë këpucësh. Të kujtohet?
- Ja dhe ti intelektualja...
- Dikur ke qenë po kaq “intelektual” sa unë, para se të pajtoheshe me tët atë dhe idetë e tij heroike. Ja, e gjeta... Dëgjo mashkull alfa, Prevert, Njeriu i madh. Te një prestar mermeri, kur e pashë atë ditë, ai po merrte masat, për pasardhësit.
- Je shumë e ndyrë e di?
- Sigurisht. – futi telefonin në çantën minimaliste të dorës dhe e hodhi shkujdesshëm mbi ndenjësen e pasme. - Unë vazhdoj të jem e ndyrë. Ti je bërë xhentëlmen.
- Më çmende. Ç’ke sot?
- Atë që kam pasur para se të lindja, atë kohë kur kërkoja fytyrën që kisha.
- Yeats...
- Ndaj unë s’shkoj me meshkuj të tjerë.
- Si?
- Për këtë.
- Për kë? Ç’ishte kjo?
- Sepse te ty ka akoma shpresë.
Ai ktheu kokën po kësaj here nuk pa asnje grimce drite as qesëndie në fytyrën e saj.
- E ke seriozisht?
- Ti e di shumë mirë, unë s’bëj shaka, edhe kur ato që them bëjnë për të qeshur e shkrihemi bashkë, të dy. Them gjithmonë të vërtetën.
Ai pa përpara ndërkohë nën presionin e paparashikuar, në grimcat e sekondave që kaluan mendja mblodhi forcat dhe rreshtoi tërë pikët e forta në favor te tij, pse ajo s’duhet të ikte nga ai.
- Më duket se kjo vjen ngaqë ti nuk punon.
- Unë jetoj. Ti punon. Kështu është krijuar situata. Ti e di, s’do ishte problem dhe po të punoja unë. E ti të zgjoheshe në 11. Por, do e mendoja po njësoj. Ty po të bën puna një punëtor. Po Yeats e njeh akoma veç.
- Nuk do të ikësh në këtë mbrëmje fare ë?
- Jo, s dua fare. Dua të ndalosh makinën këtu tani dhe të dalim te ndenjësja e pasme dhe të më bësh dashuri, jo aq sa të derdhesh ti. Aq sa të them unë mjaft. Dua të përdorësh tërë njohuritë e tua mbi çeshtjen, dhe coitus reservatus e kështu gjërash erotike, e të më bësh të vij mbi ndenjësen bezhë të çmueshme të makinës, e aty të vish dhe ti. Ta bësh këtë makine vetëm për seks. Kemi qenë më ngushtë më parë. Këtë dua. Tani kemi mundësitë më gjerë.
- S’do vertet të shkojmë aty?
- Pffffffff... Do jetë Ana?
- Po po. Ana do jetë.
- Më pëlqen ajo vajzë.
- Mbase sepse jeni moshatare?
- Ose mbase sepse ka trupin tim. Strukturën time.
- Të tërheq Ana?
- Është faktikisht e kundërta. Ma shpifin tërë miqtë tanë të rëndomtë derra barkdhjamosur. Njerëz që po degradojnë. Të tërë paracaktuar të vdesin nga kolesteroli, arteroskleroza, infarkti. Ndërsa Ana është një flutur e hollë e bukur me të qeshur të vërtetë e plot zemër. Në kokë i kalojnë plot të këqija, por ama ajo ka bythë ti thotë. S’ka filtra fare. Ndërsa të tjerat janë ca spitullaqe idiote kokëboshe të dëshpëruara femra që s’bëjnë seks se burrat e tyre nuk shohin dot rrushin e tyre. Më të ndershmet flas...
- Hajde mos ja fut kot se s’janë të tërë ashtu. Ti e di që po e zmadhon kot. Miqtë tanë i kemi elegantë.
- Po, elegantë si tërfil.
- Epo, s’do flasin të tërë për Yeats...
- Epo, s’mund të ketë vetëm dy rrugë. Yeats ose paratë.
Ai e pa në sy. Ajo e kishte seriozisht. Edhe pse luftoi me mendimin e vet mediokër, në një moment mendoi që miqtë e tij do mendonin që asaj i duhej një fëmijë urgjent. Bëri një grimasë me vete dhe nuhati fort parfumin e saj në ajer. Ajo zgjati dorën, ndezi radion.
- Sa kohë kishe pa dëgjuar Primal Scream?
- Atë trapin, Gillespie?
- Dikur nuk e mendoje kështu.
- Epo, si ka thënë tërë jetën dikush që unë i kam kafshuar këmbët? Të ndryshosh është i vetmi tipar njerëzor që ka njeriu.
- Po po. Kjo radio është fati im. Sa herë e hap do japë diçka të harruar, ose të munguar.
- Gillespie sidomos, hippie i përjetshëm, adoleshenti i plakur.
- Nuk mendon që ai bën jetë cilësore?
- Secili që e do jetën bën jetë cilësore. Mbase mua s’më pëlqen jeta e tij dhe kaq.
- Dua të them, është vlerë të jesh adoleshent i plakur...
-  S’e di... mbaroi Loaded, varja tani. Ule pak zërin.
- Epo mirë që “we wanna get loaded and wanna have a good time” thuaj.
- Je problematike... do ma nxjerresh nga hundët që të bëra të vishesh si princeshë sot me fustanin tënd të derdhur blu, me kepucët e tua të zeza, dhe xhaketën tënde të vockël me kopsa me gurë, me pelerinën e zezë, dhe flokët e pakrehur, dhe buzët e tua të kafshuara të kuqe, për të shkuar në një mbrëmje me derra. Do ma nxjerrësh nga hundët...
- Jo, kurrë! Unë s’jam hakmarrëse, qeshi ajo. – Ua! ... të thashë, kjo radio më lexon... Una storia d’ amore! Të betohem, është citati im i fundit për sonte, kjo është kënga më e bukur italiane e kohëve të reja. Kjo është. Jova ... – Ajo, ashtu imcake u zhyt në ndenjëse. Dhe i mori dorën. I nuhati gishtat. Ai i  pa fytyrën dhe përkëdheli mjekrën e saj të rrumbullakët. Ajo e kafshoi lehtë dhe e pa me sy të perënduar. Dëgjuan pa folur deri në fund, drithërimën e violinës.
- Doja të këndonim po s’më këndohej.
- As mua, - tha ajo me sy të mbyllur. - Këto reklamat përgjithësisht janë shumë të neveritshme.
Ai vuri të dy duart në timon të merrte kthesën se ishte shpejt.
- Pse s’ecën më shpejt?
- Shpejt po eci.
- Por më shpejt.
- Po tallesh?
- Jo, ec më shpejt.
- jam 140.
- Më shpejt.
- Jo jo.
- Ke frikë mos vdesim?
- Të thashë, s’jam Gillespie unë. Unë dua jetën që kam. Dhe ty për së gjalli. Ja shpëtoj vetëm unë? Ke do dua une më pas?
- Flet shumë. Mos fol kaq shumë. Kur një njeri flet më shumë se duhet thotë idiotësi. Mos fol fare. S’ta mban. Kaq.
Ai drejtoi makinën me kujdes nëpër pellgjet me ujë duke pasur kujdes mos rrëshkiste.
– E di që Toni do ta shesë agjensinë e tij?
Ajo shihte përtej xhamit.
- Kam tërë kohës që bluaj në mend diçka. Nëse do ta shtoja atë agjensi në punët tona...
- Ç’më flet për punë orë e çast? Më çmende, sheh orën, sheh këpucët, flet për punë, për lekë, lekë, di unë çfarë...
- Je mirë? Ça dreqin ke sot?
- Sot?
- Po dje po deshe? Ça ke?
- Dua të bëjmë diçka pra...
- Çfare? Ç’do?
- S’dua lekë sidoqoftë!
- E di ti që...
- He? Që çfarë? Që nga punët e këtij lloji jetojmë mirë? Që unë bëj ç’të dua se ti fiton para kështu? Këtë deshe të thoje?
Ai e pa.
- Këtë doje të thoje? Apo që vendose të ecësh shpejt...
- S’ma mban. Kaq. Do arrijmë për pak. Po bie shi. Ti s’do që të shkojmë atje. Ndaj s’ka pse nxitojmë.
- Ore vërtet s’kupton pse dua të ecësh më shpejt?
- Të shkohet në tualet? Të ndaloj? Do ta bësh në rrugë? Ti s’e ke problem as të lagesh, as të aventurohesh rrugës për të bërë çiçin tënd. Si thua? Hë? Pa lekë, në natyrë, në shi, romantike, poetike, fustani që laget, ti që lagesh, unë që lagem...
- Vërtet s’do të ecësh shpejt? Vërtet s’do?
- Shpejt po eci.
- Po ecën si ...
- Si po eci?
- Varja. Ajo i ngriti zërin radios. Kjo është gjithë ç’do doja unë tani. Kjo.
- Ule se dua të flasim pak.
- të ul këtë kengë? Lëre. Dëgjoje, këndojmë. Kjo është një mrekulli.
Ai pa fytyrën e saj që u ndriçua nga një dritë. Jo e qetë. Jo e mëparshmja. Dritë e errët. - Por dritë është. – mendoi.
- I want the bliss, and joy in your mind – këndoi me sa kishte në kokë. - çfare muzike! Heroike më shumë se yt atë, më shumë se mustaqet e tua seksi, më shumë se shpejtësia e kësaj makinës me gaz të tredhur... më shumë se bota vetë... kjo këngë fluturon.  Give me, all the bliss and joy in your mind... Everything about you is so easy to love, they re watching you from above...
- Give me all the bliss and joy in your mind... - bërtiti ai duke parë drejt.
- I want the bliss and joy in your mind... - ajo i zuri fytyrën me dorën e saj të vogël e drejtoi nga fytyra saj,  e pa në sy. - Mos nxito - i tha.
- No i wont settle for less – bërtiti ai duke ngjitur lart mollën e adamit nga sforcimi.
- Dora e saj u afrua me ngadalësinë e tërë botës. Preku timonin. Gjithmonë duke e parë në sy. Në sytë e tij të skuqur e të çakërdisur.
- Give me the bliss and joy in your mind – Ulëriti ai.
Me një lëvizje të beftë duke u parë në sy ajo shkundi timonin nga duart e tij.
- Ç’bën idio...
...
...
 Diçka dëgjoi përmes jastëkëve të ajrit.
Shtyu me këmbë e me duar gjëra, objekte të pakuptueshëm, shkelmoi rreth e qark, e ndjeu ajrin e natës ti freskonte fytyrën.  e menjëherë, shiun ta përfshinte. Diçka lëvizi në krahun tjetër.
- Aty je? - Bërtiti.  Ç’pyetje, tha me vete ndërkohë që nxitoi me sa mundi nga ai krah.
– Give me... all.  The bliss and joy... auch! in your mind...
Ai filloi të qeshte. Me tërë brinjët e gjoksin që i ndjente si të shkëputura nga trupi i tij. Qeshte me shpirt. - Everything about you resonates happyness no i wont settle for less...
Give me , all your bliss and joy in your mind, dëgjohej zëri i ngrohtë i saj të fishkëllente çuditshëm nga goja. Ai ndjeu frymën e saj në fytyrë, parfumin e saj diku vërdallë papërcaktueshëm, dhe piklat në erresirë të gjakut të saj ti preknin buzët. Ajo qeshi. Dhe ai dalloi ne mugëtirë thyerjen e dhëmbit, të njerit nga dhëmbët e saj si ketër që kishte kafshuar aq herë pafundësisht tërë trupin e tij, thyerjen që u jepte fjalëve çuditshmërinë e tyre. E mbërtheu për flokësh, e shtriu në tokën me pellgje uji.
- Hë? Bliss? Hë?
Ajo qeshte.
- Dhe dreqi ta hajë ke thyer dhëmbët, nga e ke dritën? Nga del?
- shih mirë...
- po unë ç’kam? - Tha ai duke prekur veten.
- Mut je dhe ti, po shih mirë nga buron drita leshit mor bukurosh i përgjakur...- qeshi ajo.
U ul në tokë dhe ai. Ngriti kokën dhe vështroi qiellin që binte në formë miliona pikash mbi kokat e tyre. - Give me the bliss, and joy in your mind.... ulëriti me sa kishte forcë në trupin e dërrmuar.
- I want the bliss and joy in your mind... - pëshpëriti ajo butë.
U çuan të dy, e përqafuar duke u dridhur në shiun e janarit, kokëçarë e dhëmbëthyer këndonin lehtë e fort duke u çapitur mbi asfaltin e qullur të ndriçuar si një udhë diamanti e bardhë nga dritat e meta të makinës përmbys jashtë rrugës.

21. 01. 2012 (02.00 pas mesnate)