FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Wednesday, April 7, 2021

RockRremuje 2 - Artisti është një krijesë Apolitike

 


Artisti është një krijesë Apolitike.

‘Unë jam apolitik. Sa më shumë udhëtoj, aq më pak i sigurt jam se kush filozofi politike janë të rekomandueshme, sa më shumë sisteme drejtimi shtetëror shoh, aq më pak jam i sigurt t’u jap besimin tim një grupi njerëzish, ndaj do ishte katastrofike për mua të merrja një pikëpamje definitive politike, një këndveshtrim fiks, apo t’u përkisja një grupi njerëzish të caktuar e të thoja “këta janë njerëzit e mi.”
David Bowie flet kështu për bindjet dhe pozicionimin e tij politik. Dhe nuk mund të kishte një formulim më të saktë të asaj çfarë është një artist, por jo vetëm një artist, por dhe një njeri që synon, që e ka qëllimin e jetës, mbi mesataren. Bowie la këtë jetë në 2016. I sëmurë rëndë prej vitesh, por pa i thënë askujt veç familjes së afërme. Sepse esenca e tij ishte arti.
Pas vdekjes së tij mësova që David Bowie kishte refuzuar dy herë titullin Ser dhe Kalorës të akorduar nga Mbretëresha Elisabeta. ‘Unë jam këtu për të bërë art, e jo për tituj fisnikërie.’

Unë nisa të shkruaja që në moshën vjeç, praktikisht sapo mësova ta bëja diçka të tillë. Që në atë moshë e gjithë kohës, nuk kisha asnjë dyshim, kisha një qartësi absolute që rruga ime e shkrimit ishte rruga e madhe e artë. Ndërkohë realiteti qëndron diku në mes opinionit tonë personal për veten, dhe mendimit të të tjerëve për ne, dhe mua gjithmonë më kanë parë si studenti, dentisti, doktori, njeriu i suksesshëm dhe i dedikuar në profesion. Kur u Botua LUX ne 2012, ndodhi që njerëzit nisën të më shihnin me dyshim, si mjek dhe si shkrimtar, sepse nuk u qendronin bashkë të dyja fenomenet, njeri simbol i të qenit strikt shumë me këmbë në tokë, e tjetri shembull i fluturimit, lufta e përhershme midis dioniziakes dhe apolonianes. Në fund, i dhanë një shpjegim racional, që kjo ishte një kapricio e një dentisti.
Kushdo që lexoi LUX ndërkohë, pati dyshime që unë isha një person i rrezikshëm për nga skiza midis dy forcave.
Kur botova Histori e shkurtër e Rrëmujës, pesë vjet më vonë, përfundimisht publikut iu krijua idea se diçka ishte prishur tashmë në mua dhe nuk funksionoja mirë, një shkrimtar i mirë nuk mund të jetë një mjek i mirë dhe i përqëndruar. Dhe u desh Çmimi ‘Kadare’ në 2019, për Amygdala Mandala, që unë të çertifikohesha përfundimisht si shkrimtar i suksesshëm dhe të pranohesha si i tillë nga publiku i gjerë. (Sigurisht nuk i referohem atij publiku që lexon gjithmonë, të cilin e kam pasur mbështetje që ne agim të ditës).
Dhe këtu vijmë te thelbi i shkrimit. Menjëherë pas Çmimit, këdo që takoj, atëherë, dhe sot e kësaj dite, presin diçka nga unë. Me shprehje të përmbajtura; tani tu hapen dyert, apo të guximshme; tani hidhu, kap momentin e ngjitu, apo disa dhe më eksplicite; pse nuk futesh në politikë tani që ke ngritur emrin tënd.
Sigurisht, politika aktive më ka joshur gjithmonë, por ka vetëm një arsye. Gjërat në këtë vend shkojnë gjithmonë për dreq. Vendi jonë keqtrajtohet e dhunohet vazhdimisht, nga çdo forcë politike që merr drejtimin. Vendi jonë drejtohet e përfaqësohet nga njerëz kryesisht mediokër, që më e shumta kanë mësuar të flasin, dhe që dinë të artikuojnë pa ndalesë një paragraf. Njerëz injorantë, e si pasojë grykës, makutë të babëzitur të gjërave materiale, që nuk kuptojne më sipër stomakut e më poshte gjunjeve. Kjo shtresë njerëzish e tërë ngjyrimeve politike ka mbuluar drejtimin, e mbulohet sistematikisht nga nje shtresë mediatike gjithashtu injorante, skandaloze, edhe më shumë forcë e së keqes, sepse qëllimisht mbulon shqiptarët me emocione negative, dhe u jep zë dhe vëmendjen kryesore krokodilëve e hienave politike në mënyrë të pandalshme, pa denoncuar, pa mbajtur qëndrim, madje duke devijuar opinionin në drejtime të painteresa e ku humbin energjitë.
Ndaj sigurisht, ky vend, (por jo vetëm ne, por tashmë e shohim, bota perëndimore në përgjithësi, nisur që nga vendet europiane të parat) ka nevojë për një ndryshim loje, për një frymë të re të të bërit politikë, ka nevojë për liderë dhe parti të reja.
Dhe unë personalisht, nëse nuk do kisha asgjë për të bërë, do themeloja një forcë politike kryekëput të re. Por miqtë e mi duhet ta dinë që unë jam tjetër gjë. Unë jam artist, e qëllimi im në jetë është krejt tjetër.
Misioni im personal, por besoj i çdo artisti, është eksplorimi. Ne jemi dishepuj të përjetshëm të Odiseas, qofshim Borgues ulur, apo Hemingway vrapuar e rrëzuar me avion, tërë rraca e artistëve kërkojnë të shohin botë të reja. Eksplorojnë mundësi të reja. Gërmojnë në të përbrendëshmet e njeriut, nxjerrin gurët e çmuar të natyrës njerëzore, të historisë së njeriut. Shohin me këndvështrimet më të largëta, më të huaja. Ua sjellin në sy tërë njerëzimit. Dhe përmes këtij rrëmimi, përmes eksplorimit, reconquistas, të asaj me njerëzores të cilën e kemi humbur rrugës duke krijuar shtampa, përmes rikrijimit, shpikjes, endjes së mënyrave të reja, ne kërkojmë vetëm diçka. Fetishi jonë është vetëm një gjë, vetëdijshëm apo pavetëdijshëm. E vërteta.
Ndaj... Si mundet një artist i vërtetë, i cili rri majë shkëmbit më të lartë, i lirë me mundësitë e panumërta të ekzistencës përpara tij, të veshë kostumin e ngathët, të ngushtë, bardhezi, të politikës? Si mundet artistë të shumtë të gënjejnë veten se po bëjne diçka për vendin duke mbështetur njerën apo tjetrën forcë të caktuar politike? Mos vallë që t’u hedhë një kockë? Si mundet një krijesë e lirë të marrë formë? Të bindet ‘unë them hidhu dhe ti thua sa lart’?
Çfarë ndodh me krijimin artistik të së vërtetës kur ti ndërkohë ke gjetur makinerinë e interpretimit të kësaj të vërtete e cila është e ngurtë në lëvizje dhe e përpiktë në dhunë?
Sigurisht, ka raste plot, kur artistë si Marquez kanë ndarë në mënyrë drastike dhe titanike bindjet e tyre nga vepra e tyre. Ka raste ekstreme kur njerëz gjenialë në letërsi si Vargas Llosa, kanë luajtur rol aktiv në politikë. Ka raste kur ka artistë si Zizek (sepse Zizek është artist jo filozof si e sheh veten ai më së shumti) apo grupi i Alternative Rock, Rage Against the Machine deklarojnë hapur bindjet e tyre politike dhe propagandojnë furishëm ato bindje. Por cila është diferenca midis tyre dhe të tjerëve? E vërteta. Ata nuk janë tinëzarë, por janë tehe të mprehtë të asaj që ata besojnë është e vërteta. Ata janë të vërtetë në atë çka përfaqësojnë. Të lajmërojnë, ta shpërfaqin bindjen e tyre dukshëm, merre ose lëre. Por të frikshëm jane tinzarët, gjarpërinjtë, personat artistikë që papritur kthehen në persona politikë të fshehtë, zvogëlohen, futen në lëkura të dyshimta e interpretojnë përmes makinerive luftarake politike të vërteta tashmë obsolete.
Sidoqoftë, nuk mund të krijohet fryma e re politike, partia e re politike, lideri i ri politik, nëse nuk shtrohet rruga e mendimit, ndjeshmërisë, perceptimit, nëse nuk hapen dyert e reja nga vetë eksploratorët e terreneve, pushtuesit e mëdhenj, artistët.  

Monday, March 29, 2021

RockRremuje 1 - Rock dhe Rremuje

 Kolona ime mban një emër bizarr. Në dukje, të largon nga letërsia; në pamje të parë të vjen si ëndrra çmendurake e një të pijetari që dëgjon rock. Dhe në rastin tim, ti do mendosh që di diçka mbi subjektin tashmë. Që deliri shkon aq sa shkrimtari të vetëquhet rockstar. E gati-gati, nuk habitesh. Nga unë pritet kjo.

Por, e ke kryekëput gabim.

Ky është shkrimi i parë i një serie shkrimesh që kanë të bëjnë me letërsinë, muzikën, pikturën, artin figurativ dhe me artin në përgjithësi. Mbi të gjitha, me artin e jetës. Sepse letërsinë dhe çdo formë tjetër arti duhet t’i shohësh jo si krijesa empirike që rrinë e mbretërojnë të shmangura diku anësh duke ndriçuar e kundruar, por tashmë në ndërveprim dhe me lidhjet e forta që kanë me jetën. Por jo vetem kaq. Kur të mundem, ruaju se do të të godas në stomak. Do jem i vëmendshëm ndaj sjelljeve jo humane, ndaj sjelljeve të trasha, të shtyra për së thelli nga injoranca e fshehtë. Ajo tinzarja, më e keqja. Sidoqoftë, kurrsesi kjo kolonë nuk mbart ndonjë mision didaktik. Gjithçka që unë do shkruaj, ka të bëjë vetëm dhe vetëm me mendjen e jetën time. Nëse gjen rezonancë me të, shumë mirë; nëse nuk gjen, do të të godas në stomak. Bëj shaka. Nuk do të ndodhë asgjë. Jeta do vazhdojë njësoj, për mua dhe për ty.

1.
Rock nuk është muzikë. Rock është një mënyrë të qeni. Nuk ka të bëjë vetëm me kitarën dhe skenën. Rock është Mozart. Rock është Paganini, Bethoven është hardrock, Ëagner gjithashtu. Rock është Skënderbeu, Vladi, Hamzai, Vranai; rock është Muhamedi, Jeshua. Dhe sigurisht ai, unë këmbëngul që është rockstari i parë në histori, Aleksandri. Rock është Rimbaud, Picasso; psychedelic rock është Duchamp, progressive rock është Borgues, Dali; rock është Maradona, Paul Scolles, Muhamad Ali, Mike Tyson e Tyson Fury, Rossi, Montoya, Nietzsche, Zizek, Petterson, Mishima, Derrida, Barthes, e kështu me radhë lojen mund ta vazhdojmë pafund. Rock është ajo gjendja kur ti shkund gjërat. Është një emocion që varion nga nota më akute e zgjatur në kitarën e Eddie Van Halen, drejt te Banksy; nga Elvis Presley, deri te akti yt personal i “dont give a fuck”, kur punët midis teje dhe botës kanë kontradikta. Rock është nga Miles Davis, deri tek grindjet me prindërit, rock është të kesh një qëndrim politik, rock është t’i bindesh emocioneve të tua më të vërteta, atyre që burojnë drejt e nga gurra. Rock është të shkosh kundër, e të shkosh fort.

Diku në një film, dikush thotë: Kur bota pas luftës së ardhme bërthamore të kthehet prapë te shpellat dhe çomanget e drurit, njerëzit, në darkën e errët e të frikshme, do mblidhen në formë rrethi qark zjarrit, e dikush do nisë të tregojë histori, e dikush tjetër do t’i bjerë lëkurës së tendosur të kafshës, që tingujt kumbonjës së saj të trembin kafshët e egra dhe të thërrasin sinjerëzit e tjerë larg. Dhe ky do jetë sërish, momenti kur njerëzit rishpikin rock-un.

2.
Mbi tokë, këto 100 vitet e fundit kanë kaluar shumë lloje brezash. Breza luftash, breza paqeje, breza të humbur, breza boom-i, breza të alienizuar, breza të paqëllimtë, breza x, breza y, breza të kundërkulturës, breza lulesh…

Në epokën ku jetojmë, nuk kemi më refereca kulturore, as referenca morale, as referenca amorale, as artistike; tashmë pas goditjes së pandemisë, as referenca të mirëfillta shkencore. Endemi kuturu, pa sisteme vlerash, pa luftë antivlerash, pa përballje kulturore, pa vlera të mirëfillta, pa ndarje të së mirës e së keqes; në ecim në ditët tona pa ditur asgjë tashmë, një brez në fazën më të keqe të kurbës “unë di një gjë, që s’di asgjë”. Në epokën e pafundësisë së informacionit, rrjeteve sociale, bombardimit të kornesë me imazhe, korteksit me budallëqe pa fund e gjëra e kuriozitete e ngjarje të rralla që s’do kishim kurrë mundësi t’i mësonim në një epokë tjetër, sasia e pamasë e informacionit që na bombardohet me vullnetin tonë të plotë çdo ditë, ne ecim më në terr se kurrë, me kuturu se asnjëherë, pa ditur ku shkojmë, pa qëllime, veç atij të të bërit lekë me çdo kusht. Dhe sot, më shumë se kurrë ne jemi pa fjalë, pa mendje, pa lekë, me shumë “pa”, e me shumë pak “me”.

Këtë lloj epoke, brezin tim, brezin tënd, unë e quaj Brezi i Rrëmujës. E kam ndërtuar një roman të tërë, “Histori e shkurtër e Rrëmujës” si udhëtim, duke kërkuar më së pari për veten time sistemet e referimit, e pak qartësi në këtë rrëmujë. Qartësinë nuk e gjeta, por gjeta të paktën dëshirën për të bërë përpara me fener në dorë mes kësaj rrëmuje. Dhe këtë udhëtim dua ta ndaj me ty e me këdo nga ju, brezi i Rrëmujës. Bëhemi bashkë, kalojmë më mirë, edhe pse me shumë mundësi nuk do arrijmë kund, rruga do jetë një festë.

Sunday, February 14, 2021

Përmes pasqyrave të Kadare (Liberale - 13.02.2021)

 


I detyrohem Kadaresë për dritaren e madhe të letërsisë që më hapi me “Kush e solli Doruntinën”, herët, në bankat e gjimnazit. E më pas, me shumë vepra të tjera. Dhe ky shkrim i ngacmuar nga libri Kohë për rrëfim – është një refleksion për rëndësinë që ka shkrimtari në një shoqëri.
Lashë të kalonin disa ditë pas leximit për të përmbledhur mendimet, njohjen që mu dha mbi këtë njeri plot ambiguitete që tashmë në histori është kthyer në personazh.
Kadare është i përkëdhelur. Me një jetë midis banketit, vetmisë, dhe të mbajturit ekuilibër mbi humnera, ai është përkëdhelur nga lexuesit, admiruesit, miqtë, pushtetarët, nga gratë, dhe nga bota. Kadare ka bërë një jetë në majat e jetës. Nëpër kujtimet dhe udhëtimet mendore të nxitura nga pyetjet e Bardhylit, nëpër skutat e errëta të epokave që ky shkrimtar ka jetuar, ka pasur vetëm një fener në dorë. Talentin e tij. Kadare spikat si poet që në shkollë. Në një kohë të çoroditur të pasluftës, në një periferi si Gjirokastra, por provincë plot kulturë. Sa për kujtesë, edhe Çerciz Topulli që të rinjtë sot e mbajnë në bluza si një luftëtar lirie, Guevara shqiptar, ka qenë së pari intelektual i kohës, i eklipsuar mbase vetëm nga vellai Bajo, e nga miku i ngushtë i armëve Mihali.
Kadare në këtë provincë spikati. Por, spikati edhe më fort në Tiranë. Në Tiranë ky shkrimtar nuk ishte i biri i dikujt, nipi i dikujt, nuk ishte miku i askujt, por vetëm një talent letrar. Fillimisht si poet, pastaj si prozator, Kadare shkëlqeu krejtësisht ndryshe, diçka krejt moderne, e freskët, e thellë, thurje e shqiptarisë komplekse me botën e jashtme.
Kadare i ri dallohet për letërsinë e tij me mënyra krejt të reja në një terren artistik të vështirë e të papërpunuar në Shqiptari, që pas bumit të viteve ’30, në vitet e pasluftës, e më pas, nën dirigjencën diktatoriale pllakosi shkretia intelektuale. Mënyrat e tij letrare janë edhe sot, shumë moderne. Përbindëshi më ka habitur me mbivendosjen kohore. Ftesë në Studio, një vepër super moderne, sa për të përmendur dy nga krijimet e shumta të freskëta edhe sot.
Pikërisht me këto mënyra shkrimi, nga ky talent letrar, ai bëri emër dhe lexuesit nisën ta adhurojnë. Autorë të rinj ta imitojnë. Vetë Hoxha e telefonon në Lidhjen e Shkrimtarëve për ta përgëzuar për poemat e tij.
Kadare në saj të aftësisë së tij për të lëvizur nëpër kufijtë e situatave dhe Dogmës, nxjerr avantazh nga sistemi i kohës, botohet jashtë, shkon në Paris si eksporti ynë më i mirë intelektual, shëtit, jeton bukur, përkthehet në gjuhë të tjera, Femra i shkruajnë letra, ai merr avantazh ndaj tyre.
Në pasqyrat e erotikes, Kadare çiltërsisht, me moskokëçarjen që i jep statusi dhe mosha tashmë, na rrëfen se shkrimtari Kadare vetëm prift nuk ka qenë. Duke qenë magneti i kulturës shqiptare të kohës, vëmendja femërore nuk paska munguar në ato vite. E në ato vite flirtohej e bëhej seks. Madje, nga sa na rrëfen në libër, përfiton edhe ndaj vajzës së një të njohuri të tij, njërit nga njerëzit më të fuqishëm të sistemit të dikurshëm. Dhe pas pasqyrës së çiftit Kadare lexojmë për tolerancë. Shumë tolerancë. Dhe qejfe, shumë qejfe. Dhe pse jo? Jeta është e bukur kur ke talent, dhe zgjuarsinë për të shfrytëzuar momentet e tua. Ky duhet të jetë model për të rinjtë e sotëm, që ngadalë po kthehen në kukulla barbie në prerje serie me hekurosje të njëtrajtshme të rrudhave të korteksit.
Ka qenë fati i madh i Kadaresë, që ka jetuar dhe krijuar në kohën kur letërsia në Shqipëri ishte subjekt kryesor i interesit publik dhe dëshirave të njerëzve, ndryshe nga koha e sotme. Këtë fat e ëndërrojmë sot dhe ne, do e ëndërrojnë shkrimtarët në tërë kohën që vjen, por janë të vështira prerjet e rrethanave. Nga rrëfimi kuptojmë çfarë rëndësie kishte letërsia, dhe brenda mureve të izolimit dhe varfërisë, sa të prirur ishin shqiptarët e atëhershëm drejt kulturës, dhe sa të gjynahshëm janë sot në liri të plotë, në djerrinën e shkretë që u kanë krijuar përreth, me telenovela, libra rozë, emisione televizive llumore dhe ekrane telefonash nga ku nxjerrin kryet dhe këpucët lloje e soje politikanësh që pas disa vitesh do ti qeshë historia.
Feneri i talentit qe e çon përpara shkrimtarin, gjithashtu nxit xhelozi e krijon kundërshtarë. Pikërisht këtu është pika e lidhjes së ambiguitetit të Kadare. Nxitja e urrejtjes nga ana e urrejtësve. Nga ana tjetër e pasqyrës, kjo përkëdhelje, kjo ngjitje drejt majave, ka provokuar gjithashtu zili, urrejtje, gjuajtje me gurë si majmunët gjuajnë sendet që nuk i kuptojnë ose krijesat që kanë frikë. Kështu, na krijohet një panoramë plot me pasqyrime, e shformime iluzore të një pasurie artistike e intelektuale, dhe të perceptimeve ndaj saj.
Pse jo në fakt, pse të mos kishin zili e kundërshti, në një kohë që shqiptarët vuanin diktaturë të tmerrshme, ky njeri gëzonte privilegje që askush s’i kishte?
Por, nga pas pasqyrave të Kadaresë lind një pyetje pak më e thellë se dualizmat moraliste i mire-i keq; përse artisti nuk duhet të shfrytëzojë statusin dhe pozicionin e tij për të jetuar më mirë? Kush është problemi? Pse kërkohet prej shoqërisë shqiptare gjysmë puritane, gjysmë skandaloze, gjysmë thashethemexhie, gjysmë symbyllur, gjysmë përputhur, e gjysmë osmane Sulejmane, gjysmë feministe e gjysmë moraliste, që, artisti të vuajë, të torturohet, të kundërshtojë, të kalbet burgjeve, të mos shkëlqejë, të mos krijojë shfaqen e tij artistike? Pse kërkohet kryqi popullor mbi shpinën e artistit kur ai bart me vete gjithmonë kryqin e artit ndërkaq?
Ndaj, duke lexuar rrëfimin e Kadare përmes Bardhylit, kuptova me shumë, për kohën e diktaturës, dhe akoma më shumë, e më qartë për këmbëzën e thjeshtë të armës ndaj Kadaresë dje, ndaj Johny Depp sot, shkrepjen e armës ndaj çdo artisti, për ta dënuar dhe kryqëzuar, në atë kohë, e në këtë kohë. Duke i kërkuar llogari për mëkatet popullore, duke i vënë pas murit për moralin e vitrinës sociale. Po ç ‘quajmë moral, a dimë ta themi? A ka moral popullor?
Por, të kthehemi te Kadare.
Në 1980, Marina Abramovic dhe Ulay realizojnë një performancë që quhet Rest energy, ku të dy tendosin me peshat e trupit një hark me një shigjetë drejtuar në zemër të Marinës, dhe mbajtur nga Ulay. Edhe pse idetë janë krejt të kundërta, nuk ka skenë më ideale për të përshkruar raportin e Hoxhës me Kadarenë. Pavarësisht nga çfarë thotë Kadare, pavarësisht nga çfarë ka gjetur Bardhyli në arkiva në ditarin e Hoxhës mbi opinionet e tij për Kadare, mendimi im personal është që të dy këta entitete, në atë kohë funksiononin si alterego të njëri-tjetrit. Edhe pse Kadare e përbuzte diktatorin si çdo njeri i kulturuar në këtë vend, sepse gjithkush që nuk kishte perde në sy kuptonte injorancën dhe natyrën e pastër keqbërëse të diktatorit.
Por, kush nuk do joshej vallë nga një pushtet absolut? Kush nuk ka atë kohezionin e çuditshëm ndaj një lideri absolut, kushdo qoftë ky, pushtetit absolut që të ka në dorë jetën dhe vdekjen?
Hoxha nga ana tjetër e sheh shkrimtarin si alteregon e tij, një vete e një realiteti tjetër, të lirë, një vete gjeniale, harrakate, që nuk duhet tu bindet peshave të të qënit komandant suprem, por është i lirë të krijojë, të jetojë e gëzojë. Hoxha joshet e magjepset nga letërsia e shkrimtarit. Ndaj krijon një zakon tolerance ekstreme ndaj tij. Shkrimtari e kupton këtë, dhe luan me këtë fakt, e shijon, e përdor me saktësi kirurgjikale. Kështu lind loja e harkut të Abramovic – Ulay, një tension që Kadare e shijon, e vuan gjithashtu, e gjejmë në rrëfimin e motrës së tij, derisa i kthehet në zakon sasia e adrenalinës ndaj këtij raporti. Kështu dhe vetëm kështu, duke paguar haraçe të vogla, e duke i shlyer ato me vepra si Pallati i Ëndrrave e Përbindëshi, ne arrijmë të kemi sot e kësaj dite një opus letrar nga me uniket. Sigurisht Hoxha është gjenial në errësirën e tij, dhe kurrsesi nuk do ngjallte vëmendjen e botës së jashtme duke burgosur një shkrimtar të njohur si Kadare, ndaj sërish loja e harkut solli një rezultat të ri, një fitore të re, një shkallë të re adrenaline në regjimin më mizor e absolut në Europë. Burri i mençur diti të luajë me pushtetin për të nxjerrë përfitimet e tij e jetën e tij.
Në kohën e sotme intelektualët e telikosur u shkojnë pas drejtuesve politike të momentit me atribute çapaçulësh, për një kafshatë bukë, e po kjo kategori njerëzish ngrenë struktura morale ku të gjykojnë artistin dhe artistët mbi parime të moralit fetar.
Në optikën time, talenti i Kadare është formuar nga ambienti ku është rritur. Secili shkrimtar rritet dhe prodhon atë që e ushqen. Unë jam produkt i rrëmujës, i kaosit shqiptar e i qytetit të Durrësit, Tiranës e botës së 30 viteve të fundit, Kadare është produkt i Makbethit, thashethemnajës së qytetit të gurtë dhe, si rrëfen vetë, i Moskës, dhe neverisë ndaj shkrimtarit të buzëqeshur, skematik, antiletrar, sovjetik, që pa të prodhohej masivisht në Moskë. Stili i tij i përngjan mjegullës, supozimeve, pëshpëritjeve, fjalëve që qarkullonin ashtu si magjishëm nga një sokak në tjetrin, nga një prag dere në tjetrën, përmes plakave, orteku i fjalës merrte përmasa titanike, vdekjeprurëse. Kështu u mbrujt drama dhe tensioni i stilit të Kadaresë. Cikli i Gjirokastrës na jep një nga letërsitë më brilante dhe nga të rrallat letërsi me humor në gjuhën shqipe. Sigurisht, do doja shumë që Kadare, dhe autorët e krijuesit shqiptarë të ishin më të hapur me letërsinë perëndimore, të dëgjonin muzikën që ndryshoi botën, të shihnin pikturat që ndryshuan mendjet, të rrihnin ide e shkëmbenin letra dhe teknika me bashkëkohësit e tyre nëpër botë. Kjo mungesë dashje pa dashje solli njëfarë ngurtësinë të temave, dhe te Kadare ne opinionin tim solli shndërrimin e shkrimtarit në një Sofokli, autor gjysmëperëndish. Nuk di të them kush saktësisht është Eskili, por Sofokliu – Kadare do e lëshojë hijen gjerë e gjatë me kohën që ikën, në letërsinë europiane e botërore.
Kemi mundësinë të lexojmë këtë rrëfim fantastik të shkrimtarit në këtë një libër sot, dhe nuk do ta kishim nëse nuk do ishte për këmbënguljen, durimin dhe qetësinë për të komunikuar disa vjet me Kadarenë e ngopur me vemendje, dhe gazetarë, rrëmimin dhe nxjerrjen në dritë të rrëfimeve përmes pyetjeve dhe stërpyetjeve, të Alda Bardhylit. Dua të shkruaj disa fjalë mirënjohje për punën e saj, sepse njerëzit zakonisht kompleksohen nga puna e tjetrit, ose sulmojnë e gjuajnë me gurë si majmunët që përmendëm, ose nuk flasin një fjalë të mirë për shkak të detyrës drejtuese të Bardhylit, për të mos u dukur qokaxhinj e qejfbërës.
Bardhyli ruan një profil të ulët, nuk del me flamur e shpatë në kryqëzata për të prezantuar veprën e saj si bëjnë autorët e tjerë me dy paragrafë libra. Por në sajë të punës së Bardhylit si autore, sot kemi librin me rrëfime të Kadare, dosjen e zbardhur e të rrëfyer të Maks Velo, kemi përkthimin e letrave të Simone dë Beauvoir me poetin amerikan Nelson Algren, kemi Bisedë në dy Kohë me Ardian Civicin, që është një pasuri e vërtetë për studiuesit, dhe bisedat me Kim Mehmetin, një kuriozitet shumë interesant mbi një personalitet si Kim Mehmeti e mbi realitete të dopiuara si Shqipëria Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Duhen disa tipare e disa kritere të caktuara për të qenë një gazetare e studiuese e plotë, duhet ekuilibër, qetësi, gjerësi mendimi, mirëkuptim e gjithë përfshirje. Dhe mbi të gjitha, shumë dashuri për artin. Dhe këto tipare janë gjendur herët në kulturën e Bardhylit, në dukje nonchalante, por në thellësi, me shumë zemër.
Në fund, po, Kadare është një i përkëdhelur, por asgjë më shumë se dëshirat tona më të thella për përkëdhelje e llastime. E kush nuk do të donte të shkëlqente! https://liberale.al/permes-pasqyrave-te-kadare/