FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Saturday, February 19, 2022

Skica e Duarve (Lirika e udhëtimit)

 Ky që po shkruaj tani është një udhëtim magjik. Lirika e tij ngjitet lart si pema e jetës, e nëse pret, do mbijë poshtë mijra filiza të rinj, një pyll të tërë. Do doja ta lexoje tani, por nuk dua të shkëpusësh sytë nga ai, dhe të hutohesh në gërma të kota.
Ju nuk flisni. Ai shikon para, ndersa të ndjek me cep të syrit që ti e sheh.
Në buzët e tua të kuqe të plota shtrihet një buzëqeshje qetësie e paqtë. Dhe njëheri, dëshirë e njomë, djegëse.
Nga buzët e tua, pluskon si ishull i izoluar cepit të buzëve të tij, buzëqeshja simotër. Ai kthen kokën dhe të sheh ty në një vështrim pa përkthim. Ai vështrim çelës që vetëm ti e njeh, depërton nëpër qeliza thellë teje, fle aty, e zgjohet epshor, për të dalë drejt tij nga sytë e tu vezullues.
Është e vërtetë, si kjo rrugë, si shpejtësia, si asfalti, si retë lart, si dielli, si uji që gëlltitët pak më parë, si çanta jote, fundi yt, getat e tua. Është e vërtetë që ai hyn në ty përmes vështrimit, e ti zhytesh në të përmes vështrimit. E kjo buzëqeshja është e vetmja gjë që keni për të thënë këtë moment. Ndërsa qetësia diellverdhë e bargjelbër ju përkëdhel shpatullat e bulat e veshëve.
Makina ecën drejt, e ky udhëtim nuk do fare të mbarojë. Kështu, si krijesë më vete. As kur të arrini aty ku jeni nisur, as kur të ktheheni në përditët tuaja.
Patetizmi, egoizmi, grindjet, djallëzitë, goditjet e ulta, ngadhënjimet e fshehta, atë share të energjisë me njerëz të tjerë, vetëm për ti ikur imazhit fatal të tjetrit. Imazhit që këndi i ditës dhe diellit, herë e bën të duket burg, e herë shtrat ajror ku ti prehesh e qetë. Të dy e dini, dini mirë gjithçka. Që përkatësia kimike ju kushton shtrenjtë, shumë shtrenjtë. Që vjen momenti që nuk doni t’i shihni bojën njëri-tjetrit. Ai urren endjen tënde nëpër vende e njerëz, e ti urren kur ai kthehet në krokodil, pa krahë e pa shpëtim të të hajë ty, e ti e trembur do ti nxjerrësh sytë. Dhe ti je aq e fortë sa nuk thyhesh kurrë, dhe ai ngrihet sërish si vigan e thyen koka... dhe nguleni në tokë, të lehtësuar që shpëtuat nga gremina, deri kur si luledielli kërkoheni sërish drejt njëri tjetrit, duke hedhur e lidhur rrënjë mes greminës tuaj të sapohapur. Dhe shihni sërish që keni të njëjtën fytyrë.
  Dhe ndiheni të gëzuar se është bukur ta vërtetosh këtë herë pas here. Ndjeni se keni ende plot shpirtra për të djegur për ushqimin e kësaj lemniskate, si dy mace të lashta panteoni Egjiptian.
Kjo është një lirikë udhëtare, më e prekshme se mishi, që nuk ia ndjen fare për prozën e betonit dhe përditës. Rruga para jush gjarpëron, dita nxiton në të kundërt, njerëzit nxitojnë, milingonizojnë, ndërsa ju pushoni e preheni. Në këtë ditë të zakonshme milingonash.
Ai me dorën e timonit, hap xhamat. Ajri i fortë futet brenda makinës bashkë me aromat e pranverës, të fluturon flokët ty. Ti i mban dorën e djathtë të shtrënguar, ndërsa buzëqesh me veten.
Ai shkëput dorën nga ty, dhe e çon te timoni. Ti trembesh, të ngjan sikur Moisiu sapo hapi detin e Kuq mes teje dhe tij, ndërsa ai papritur, i shpëton vigjilencës tënde prej kunadheje, e fundos gishtat e tij mes kofshëve të tua. Të pickon fort, aq sa ti klidh dhe e qëllon me tërë fuqinë, duke u spërdredhur mbi dorën e tij me tërë peshën e trupit. Ai të lëshon ndërsa qeshni të dy, të çmendur. Kjo e qeshur është ujvara që ju shpie mbi re. Ndaj ky udhëtim do zgjasë pa fund.
  
Ti sigurisht nuk mund të mbetesh pas tij. Ndaj shiheni në sy, gjithmonë. Zgjat dorën tërë autoritet diktatorial, dhe në një blitzkrieg u vë flakën Holandes, Belgjikës e Luksemburgut të tij. Kontrolli i tij është në fije të perit. Skuqet, faqet që avullojnë, sytë që xixëllojnë drejt teje, buzëqesh dinakërisht, dhe flaka merr edhe patentën e tij, ndërsa heq duart nga timoni dhe i hedh drejt, i shtrëngon rreth belit tënd. Duke ngarkuar me ato duar, në bel, jetën, tërë jetët, në një bast të sigurt, në një lule të vetme.
Vini në vete të dy, aq sa ai kthehet te timoni, por jo dora e tij e djathtë, e tëra tashmë nën zotërimin tënd të butë e të lagësht. ti lëshoh në ajrin sekret të kabinës një rënkim të lehtë.
Dhe në sekondë, paturpësisht duke qeshur, skandalozisht me shpejtësi, u kaloni në sy, nën tabelën e ngritur, nën fytyrat e mpiksura, patrullës së policisë. Dhe i lini pas, ndërsa shtrëngoni sy, duar, e kofshë mes jush. Ata piqen aty në diell, i rreh era, pluhuri i makinave, rrogat e vonuara, shakatë banale, mizoria e njerëzve, së cilës i kthehen me më shumë mizori. Por në të vërtetë, i prek, i lëndon thellë vetëm pamja e juaj brenda në makinë. Tërë njerëzit i vret, nga të moskuptuarit, nga dëshirat e pamundura, nga zgjatjet boshe, të pamundura të duarve të botës. Ndaj shshsht!  
Ky udhëtim, ky moment, drejtëzat që zgjaten nga qëndrat tuaja, që zgjaten pafund drejt pikës improper
Gjaku pulson duke çuar oksigjenin e pastër, jetë kudo. Nuk ka rëndësi fjala, biseda, vetëdija jote, e tij. S’ka pikë rëndësie bota. Rregullat. Të këqijat e tua. Të tijat. As karriera, të nxënit, të krijuarit. pushteti, fama, paraja, krenaria, koha, rreziku, njerëzia, librat, miqtë, muzika, egoja. As në është ditë apo natë. S’ka rëndësi në bie shi a ka diell jashtë syve tuaj që fiksojnë tjetrin.
Ti lëviz kokën, duke parë drejt rrugën. Sytë e tu gjysëm të mbyllur, buzët gjysëm të hapura, solemniteti yt dhe i tiji, bashkë, ky seriozitet, kjo sekondë ku ti dhe ai jeni nga e njëjta lëndë.
Kjo bërthamë është unike. Sepse sytë, këto buzë që këndojnë brendinë, dhe duart tuaja të lidhura, janë vendi. Kisha. Xhamia. Atdheu. Gjithë çka ndodhur më parë, ka vaditur e përgatitur pikërisht këtë moment.
E ky moment, e pabesueshme si ndikon, modifikon tingullin, realitetet, ngjarjet, se si mbulon me një dritë të bardhë përfshirëse, lëbyrëse, gjithçka të botëve tuaja, e bën që të tëra që vijnë më pas, të marrin formë të rregullt. Marrin kuptim real e konkret. Aurat tuaja shpërhapen e rregullojnë rendin e ngjarjeve të kaluara e të ardhme, si sahat. Dhe përgatisin udhëtimin më tej…
Dhe makina nxiton ku rruga e çon. E nuk ka rëndësi në do arrini diku tani, pas shumë vitesh, apo kurrë. Ky udhëtim nuk mbaron. E duart tuaja, të njëjta deri në pamundësi, shtrëngohen, derisa pëllëmbët djersiten, e dridhjet ju bëjnë të…
Dhe s’kam thënë vërtet asgjë. 


Saturday, February 5, 2022

Skica e rastësisë - Que Sera, sera

 


- Duhet dashuri, shumë dashuri, tha.
- Joo! Dëgjomë mua, - tha ajo. – duhet shumë seks, shumë egoizëm, shumë ambicie, shumë të qeshura, dhe pak dashuri. Shumë pak.
- E ke tmerrsisht gabim! Ça ke ti sot? Je me cikël?
- Hahah, jo si mund të jesh kaq skematik? Vërtet jo, por kështu duhet.
- Nuk duhet kështu. Duhet po, shumë dashuri, shumë seks, shumë të qeshura.
- Jo pra, dashuri pak, ose aspak, shumë të qeshura, shumë seks, nga ai plot shpirt, - përsëriti ajo duke qeshur embël e moskokëçarëse. - Nga ai me aromë.
- Dashuri...
- Besomë, do vish një ditë në fjalët e mia. Jo tani, një ditë.
- Ashtu qoftë. - Tha ai i menduar e disi i pezmatuar. - Mbase, ashtu qoftë si të thuash ti. Por jam i sigurt që ia fut kot.
Ikën drejt. Ecën. Rendën. Morën një tren. Morën makinë me qira. Ngatërruan stacion. Humbën biletat. Pinë ujë nga e njëjta shishe e vogël. Ishte pështymë erëmirë. Qeshën. U bënë pis. Restorant tradicional. Mbaruan lekët me një drekë të bollshme. Pa karta krediti. Në mes të humbëtirës së kodrave të gjelbra. Morën një dhomë. Me shtrat tek. Bënë dush me rradhë. Prishën rradhën, ai hyri ndërsa ajo lahej. U lanë bashkë. U fshinë me të njëjtin peshqir. U bë fresk. Ajo veshi dhe bluzën e tij. Ai ndenji me xhaketë e kanotiere duke parë një emision për jugun e Francës. Ajo piu verë nga shishja që kishin vjedhur në dyqan. Pastaj fiku dritën e televizorin prapa shpatullave të tij, ndrësa ai fërkonte barkun.
- Dhe errësira na mbuloi në flake...  - qeshi ajo duke ngulur dhëmbët në zverkun e tij.

Rrugëtimi vazhdoi. Duke qeshur, duke u pezmatuar,mes vështirësish, të qarash të saj në shpatullën e tij, disfatat s’vonuan të vinin, por seksi ishte shumë. Dhe ishte i mirë. Dhe të qeshurat mund të lindnin si flakët e kaltra që panë natën në atë varrezën e vogël, të qeshurat mund të lindnin dhe nga varret.
E qeshën shumë.
- Nuk duhet t’ja marrësh vetes për ters. – Tha ai një moment.
- Ndërsa po rrinin një ditë në breg të detit, ajo priste një telefonatë pune, në ankth, ai po shkërmoqte cigaret e paketës pa ndezur prej muajsh as edhe një, duke gjerbur birrën e ftohtë, duke ngrënë patatine, i menduar mbi një hall që donte bythë, papritur ngriti sytë e pa vajzën. Gruan. E kuptoi diçka. Dhe një buzëqeshje i lindi gjerë e gjatë nga gjoksi në fytyrë.
- E di që kishe të drejtë? Një herë në jetë?
- Çfarë? - Ktheu kokën ajo nga deti drejt tij. Prapa tyre fëshferinin majat e pishave, e dita pas shiut ishte në përfundim.
- Duhet shumë seks, shume të qeshura, shumë qejf, shumë egoizem, e kaq... dashuri asfare. Askund. Kaq! Kjo është! Fare! - Qeshi ai duke u shtrirë gjatë gjerë mbi barin e rrallë nën pisha.
- Kisha të drejte posi! - Tha ajo. Dhe e fiksoi atë shumë gjatë, aty shtrirë me sytë gjysëm mbyllur, krejtësisht i kënaqur.
- Është fantastike. Është vërtet fantastike. Asgjë më shumë. Dashuria është një trapllëk me brirë qurravitës për adoleshentë të këputur nga dega. E një sëmundje patologjike për pleqtë mbi të 50tat, që njohin një 18 vjeçare që i prezanton me boten ku ata nuk bëjnë pjesë. Dashuria është një psikopati e njerëzve që kërkojnë arrati.
- Dhe një kamuflazh i të çmendurve që s’dinë të mjaftohen me veten. Kisha të drejtë, s’duhet më shumë se kaq.
- Absolutisht asgjë tjetër. Si the ti? Shumë seks, shumë të qeshura, shumë egoizëm, paaak, fare pak dashuri. Kjo është jeta.
- Asgjë tjetër. Kaq, dhe vetëm kaq. - U afrua ajo, u shtri pranë tij duke u mbështetur te sqetulla.  - Kaq.
Ata nuk dinin ende.
Ishin dashuruar.

Sunday, January 30, 2022

Skica e njeriut në të fundit dhe fillimit





E takova Bonon në një varrim. Në mes të pandemisë, pa maskë, i kërkoi cigare një personi që dukej i sëmurë. Si rri pa maskë xhaxha? – i flas me ton. – nuk është koha për të kërkuar cigare nëpër njerëz.
E di si është puna të keqen xhaxhi jot? – më tha. – nuk më rruhet fare te virusi. Unë jam 85 vjeç, dhe të keqen xhaxhi, nuk e dua jetën. Pse mor xhaxh? – i them i argëtuar. – pse pse! Vetëm pyetje keni. Se nuk më punon më. Kupton? Shoh me sy, dhe vdes çdo ditë.
Më pa me sytë e tij jeshilë të ndezur, e shfryu tymin në drejtim të kurorave të qiparisave. - Le të iki për lesh. S’ kam më kuriozitet, nuk pyes. S’më duhet asgjë mor xhaxh. 
Një moment doja ti tregoja për stimulantët, por duke njohur kuturisjen babëzore të tij e mendova të ngrirë në ndonjë pozitë prej heroi shtrati. Midis vdekjes nga sildenafilet e tadanafilet, dhe vdekjes natyrale, vendosa ta lejoja të jetonte ca me gjatë.
Por s qe e thënë. Ishte hera e fundit që e pashë. Pas dy javësh vdiq nga një vdekje natyrale e paqtë në dhomën e ndenjies pas një dreke të bollshme, mbi divan, dhimbje në gjoks, pak gjak nga goja, rënia e trupit përgjysëm në tapet, dhe Bono pas pak minutash pa gjithçka nga lart, trupin, tryezën e pangritur, pultin e rrëzuar, kembën e rrëzuar, kokën e rrëzuar, dhe aq. Nga aty sipër, pezull, u thith nga vrima hapësirë – kohë, e përmes Udhës Që Nuk Dihet Sa Zgjat, u gjend në një hapësirë sferike a vezake, nuk kuptohej qartë, që dukej sikur zvogëlohej pandalshëm. Në qendër të kësaj hapësire, Bono, që gjithë jetës kishte qënë një besimtar modest por i vërtetë, kishte krijuar, e tani kishte përballë, vetë krijuesin e tij, krejtësisht personal, në imazhin e gjyshit të tij.
Bono i hutuar u zgjat të përqafonte gjyshin. Nuk preket Zoti! Buçiti një zë nëpër vezën pasqyrë. Bono i tmerruar ra në gjunjë. – as për këtë nuk është fare vendi! – foli sërish zëri. Pasoi një heshtje brenda vezës pasqyrë. Meqë gjëndemi përballë, - foli zëri sërish, - ke mundësinë të mësosh një gjë të vetme, gjithçka të duash ti, që të ka mbetur pa ditur nga jeta jote atje tej. Bëj një pyetje e do të mësosh përgjigjen. Më larg nuk shkohet me pengje që të bëhen ngerçe energjitike.
Bono u mendua, a nisi të mendohej, a do mendohej, nuk e kuptoi mirë, por asgjë dhe asnjë pyetje nuk i vinte atë moment. Rrotulloi kokën dhe sytë nëpër vezën xham, dhe pa pasqyrimin e vet të zgjatur në kurbaturë. Papritur në fytyrë iu ravijëzua një buzëqeshje. Kthehet nga Zoti i tij në formën e gjyshit, dhe e pyet;
- ç’pyetje ke ti?
ç’pyetje ke ti? Ç’pyetje ke ti? Ç’pyetje ke ti? – jehoi pa fund zëri i gjyshit brenda vezës, duke ardhë e bërë më buçitës, përplasej zëri në murez vezake pasqyrë, duke iu kthyer pas gjyshit, drejtuar nga Bono, zëri duke goditur atë çka ishte nga Bono, më shpejt, më fort, më dhunshëm, pafund, ç’pyetje ke ti! Ç’pyetje ke ti! Veza pasqyrë zvogëlohej e zvogëlohej... ç’pyetje... ç’pyetje... pyetje... e... e... ë!
Zëri i foshnjës shpërtheu i mekur pas shpullës në prapanicë, duke rrotulluar kokën e tij të habitur e duke u bërë pikëpyetje nga duart e mjekut që e mbante nga këmbët.