FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Wednesday, November 3, 2021

RockRrëmujë 24 - Vezë me kthetra

 



01/11/21


Ky shkrim është një përsiatje, një e folur me veten nga impulset e marra këto dy javë. Dhe do përpiqem të jem sa më koinçiz, meqë më sugjeruan që hapem shumë në silogjizma.

Ndërsa po bisedonim me Rita Petro për krijim, lexim, për sukses e çfarë duhet për sukses letrar dhe artistik në përgjithësi, Rita tha një fjalë që më mbeti: “Nuk mund të kem afër e nuk i toleroj njerëzit që ankohen”. Njerëzit që ankohen janë një fenomen i çuditshëm, një analizë më vete e psikologjisë njerëzore. Kryesisht, në opinion tim, njerëzit që ankohen janë natyra që nuk mbajnë shumë mbi shpatulla. Natyra pretencioze, të llastuara, që presin gjithçka nga bota jashtë tyre.

Sidoqoftë, për të krijuar një entitet artistik, duhet talenti, koha e duhur, vendi i duhur, njerëzit e duhur. Për informacionin e atyre që po lexojnë këtë shkrim, talent ka thuajse çdo njeri në botë. Në çdo kthesë gjen një gjeni. Një barcaletë rrëfen se si shkrimtarët e vdekur debatojnë ashpër se kush mes tyre është më i madhi. Pasi nuk e zgjidhin dot, mblidhen e shkojnë para Zotit. Dhe e pyesin, kush mes tërë shkrimtarëve është më i madhi. Zoti qesh e u tregon një bari plak nën një pemë duke kundruar dhentë e tij mbi lëndinë. Ai është shkrimtari më i mirë nga tërë ç’kanë qënë e ç’do jenë. Shkrimtarët revoltohen, po si, ai me shumë mundësi s’di të shkruajë e lexojë! Po, u thotë Zoti, por sikur të shkruante e lexonte, ai me çka në kokë e në zemër do ishte shkrimtari më i madh.

Talent ka në çdo cep. Vini dhe Conia, dy miq të mitë ishin asokohe futbollistë gjenialë e të pranuar nga të tërë si yje. Yje të lagjes, kalçetos, qytetit. Po më? Edhe njeri edhe tjetri kishin talentin e Messi dhe Ibrahimovic, të dy mund të kapnin majat, të shkëlqenin në botë, e të tërë ne të krenoheshim që këta yje kishin dalë nga lagjia jonë. Të dy vazhduan të luanin deri … sot. Asnjëri nuk shkëlqeu më shumë se rrethet futbolldashëse të qytetit. Dhe gjithmonë, në kokën time, endej e përsillej pyetja, pse Vini dhe Conia nuk u bënë yje futbolli, kur askush nuk e meritonte më shumë se ata? Dhe kjo është një pyetje konstante në çdo kohë në kokën time. Dhe pyetjet vijojnë. Pse ‘Asgjë sikur Dielli’ nuk janë si U2? Ose Bojken Lako nuk është si Trent Reznor? Pse Familja Qena nuk janë si Buena Vista Social Club, apo Into Thin Air nuk janë si Muse, apo pse Qelbanix nuk ishin si Royal Blood, apo të tërë çfarëdoqoftë, sepse nuk është mirë kur krahason muzikantët me njëri tjetrin?

Kur i them Helios, vëllait tim të supertalentuar muzikant, pse nuk tenton të bëhesh perkusionist në New York? Je në vete, – më përgjigjet – këtu në çdo stacion metroje ke njerëz gjenialë më të aftë se Phil Collins apo John Bonham. Dhe në fillim kjo e dhënë të impresionon.

Pastaj pashë më qartë. Së pari veten time, e pastaj gjithçka tjetër. Kur isha ende ëndërrimtar, e ëndërroja për librin tim të parë, askush nuk besonte se kjo gjë ishte serioze përveç meje. Kur botova LUX, për herë të parë, tërë njerëzit lexues u habitën si mundej që unë të prodhoja të tillë material. Kjo sepse unë kisha tjetër profesion. Ndërkohë, unë kurrë nuk e kisha menduar ndryshe, përkundrazi, unë mendoja se bota më detyrohej një përkulje gjunjësh, për talentin tim. Dhe fakti e solli, që kokëfortësia dhe këmbëngulja ime ia dolën.

Njerëz të talentuar ka në çdo cep të botës. Por nuk mjafton të kesh talent. Duhet të kesh këmbëngulje. Aty është çelësi i çdo suksesi. Nuk shkon askund, nëse mendon se bota të detyrohet ty diçka. Bota dhe njerëzit nuk të detyrohen ty asgjë. Ti, nëse di të bësh diçka, bëje, dhe bëje mirë. E pasi ta bësh, puno në atë drejtim pafund. Puno mbi kohën, dhe vendin. Bëhu stalaktit. Një stalaktit nuk ekziston, veçse në sajë të këmbënguljes së miliarda pikave të ujit që ndërtojnë një strukturë minerale mijëvjeçare. Duhet këmbëngulje dhe kohë. Duhet punë.

Ti je një vezë. Nga kjo vezë e rrumbullt mund të presësh gjithçka. Mund të presësh bukë me vezë, vezë e rrahur kremoze, vezë e zier, drejt e në gojën e konsumatorit gllabërues. Ose, nga kjo vezë mund të dalë një bisht, spërdredhës, i një kafshe rrëshqanore, mund të dalin pupla të shpupurisura të një zogu të ndrojtur, ose mund të thyhet cipa e të dalin një palë kthetra, gati për të luftuar, ngjitur, kapur, arritur, vendin e tyre në botë. Ti je një vezë e rrumbullt e brishtë.

Vendos çfarë do të dalë nga cipa e kësaj veze. Diçka e ngrënshme, e shijshme, shteruese, apo diçka që të kap në fyt e s’të lëshon ty dhe brezat që do vijnë. Mos u anko. Mos u viktimizo. Vendos ç’do të dalë nga veza jote, dhe puno.

Shqipëria është terren i vështirë, ndaj shokët e mi nuk ia dolën. Vend i humbur, krejt anësh bote, të tërë ia dalin jashtë këtij vendi. Tërë shqiptarët e suksesshëm janë krijuar jashtë Shqipërie. Por, nuk mjaftojnë justifikimet. Origjina është veza. Vendos çdo të jesh jashtë vezës.



RockRrëmujë 23 - Izolimi vdes


 

18/10/21

Zgjo hapësira çdo mëngjes, thyeje botën mes për mes, kohë që izolimi vdes. Kështu këndojnë “Djemtë e Detit”. What we got here, is failure to communicate, u thotë kapiteni të burgosurve me zinxhirë, te filmi “Luk gjakftohti”,  interpretuar nga Paul Newman ne 1965. Frazë që e morën Guns ‘n Roses dhe e vendosën në fillimin e këngës Civil war. Mungesë komunikimi. Luftë civile. Vëllavrasëse. Izolimi vdes, në mëngjes, mund të jetë izolim i brendshëm, që mengjesi ta vret duke të futur në kontakt me botën. Ose duhet të jetë izolim i botës ku jeton, dhe djemtë e Lezhës së izoluar dhe damkosur nga sistemi i diktaturës komuniste e ndienin në lëkurë. Muzikalisht të zhvilluar si pakkush që në ‘89, kur u krijuan, ata vuanin izolimin kulturor dhe të audiencës që do t’i dëgjonte.

Idenë për këtë shkrim ma dha një mik i imi, funksionar idealist i portës së ligjit, ndërsa po flisnim histori të asaj kohe e të kësaj kohe, që emërues të përbashkët kanë nënzhvillimin e Shqipërisë. Ne jemi kështu sepse nuk komunikojmë, tha ai në bisedë e sipër. Kur komunikojmë, kuptohemi shumë mirë, dhe tërë punët bëhen mirë. Ose, më së paku, nuk i bëjmë keq.

Para disa vitesh, në ciklin Sfera Shqipe, trajtova në njëfarë mënyre në dy shkrime rresht, Tribale tepër tribale I dhe II, pikërisht izolimet antropologjikisht të ndryshme të veriut dhe jugut të Shqipërisë. Dhe moskomunikimin nga një krahinë në tjetrën. Përgjithësisht në Shqipëri sot mund të shohim shumë thjesht marrëdhëniet komunikuese. Aty ku ka rrugë ose ku janë bërë rrugë, ka shpërthyer zhvillimi, turizmi eksplorues lokal, agroturizmi, e shkëmbimi i njerëzve dhe kulturave. Aty ku ende nuk ka mbërritur rruga e re, specifikisht folur në zonën e Dibrës, Rruga e Arbrit, janë ende zona të paaksesueshme dhe unë i pari nuk kam qenë kurrë në Dibër.
Por Rruga e Arbrit një ditë do të bëhet, ne do shkojmë në Dibër e turizmi do lulëzojë në çdo cep të vendit, ndërsa ajo që më shqetëson vërtet dhe që dua ta sjell në vëmendje në këtë shkrim, është mungesa e komunikimit mes artit shqiptar.

Unë nuk jam dakord me aksiomën tashmë të betonuar, që shkrimtarët nuk lexojnë njëri-tjetrin. Nuk është ky problemi ynë. Shoh kudo tryeza e mbledhje, sidomos gjatë këtij Tetori të librit, ku njerëzit që mblidhen janë të fushës së trajtuar, mblidhen shkrimtarë e flasin për njëri-tjetrin, mblidhen studiues e flasin për njëri-tjetrin. Dhe segmentet e referencës së mbledhjeve artistike në vendin tonë janë edhe më të ngushta se sa duken; varen jo vetëm nga lloji dhe profesioni, shkrimtarët me shkrimtarët, poetët me poetët, piktorët hapin ekspozita me piktorët, e muzikantët e rreperat i bëjnë dis e like njëri tjetrit, por izolimi në Shqipëri është dhe me moshë. Me fasha moshe. Kështu, moskomunikimi shqiptar është i mbushur me kuvli e kuti profesionesh, moshash, grupesh interesi, inatesh të vogla meskine, dhe sa vjen e zvogëlohet audienca, impakti, diskutimi e, si pasojë, zhvillimi. Kështu, arti shqiptar ka mbetur në nivele shumë problematike e të prapambetura në krahasim me botën. Në çdo vend e në çdo kohë, artistët krijojnë një lumë zhvillimi social, ku në këtë lumë notojnë, lundrojnë e gjejnë jetë ide të reja, komunikime mes arteve dhe komunikimi me publikun, e ky lumë kthehet në përmbysës digash kur fryhet nga keqpërdorimi politik, duke drejtuar kështu revolucione e ndryshime rrënjësore sociale.

Mbase është faji i viteve të diktaturës që futën frymën e tredhjes së artit, por tashmë kanë kaluar aq shumë vjet nga ajo diktaturë e larguar! Dhe në kohë të diktaturës, prapë, artet kishin komunikim midis tyre. Regjizorët komunikonin me shkrimtarët, gjuanin në pellgun e tyre, muzikantët e këngëtarët me poetët, shkrimtarët me piktorët ose me artet performative, e kokolepsjet e përfshirjet vazhdojnë kështu pa fund.

Ndaj sot, në ditët e sotme, kemi filma shqiptarë jashtë realitetit e të rrëfyer keq, kemi tekste kengësh idiote e patetike e fare pa yndyrë, kemi letërsi që nuk lidhet me lexuesin, sepse nuk lidhet me realitetin apo mekanizmat krijues, që koha ka kohë që i ka sjelle në tregun botëror. Por letrarët nuk shohin, vetëm ushqehen me veten e tyre, e kemi shumë pak piktorë me stil autentik, e kemi fare pak, thuajse aspak artistë të performance art. What we got here, is failure to communicate. Nuk komunikojnë artet me njëri-tjetrin, dhe nuk komunikojnë artistët. E si pasojë, nuk ka audiencë të gjerë.

Është çështje fryme, është çështje organizative, orientimesh, politikash, mospasja e një koloseumi ndeshjesh mes arteve, mosekzistenca e një klubi artistësh ose shumë klubesh artistësh, moskrijimi i mekanizmave të njohjes së artistëve nga mbarë shqiptarët (hiq këtu muzikën, për nga vetë natyra e saj polikomunikuese), duke e mbyllur artin brenda kryeqytetit, duke e kthyer në snob art, e duke krijuar veç vatra lokale që funksionojnë të shkëputura nga njëra-tjetra, duke mos pasur asnjë lloj jehone, ndikimi e zëri në kapitull.

Kështu, urojmë të hapen enët komunikuese, të hapen dyert, të çahet bota shqiptare mes për mes, e të vijë koha që izolimi vdes. Kaq. 

RockRrëmujë 22 - Gjuha e lëvizshme, Babeli i prishur


11/10/21


Një nga mitet më domethënëse dhe fenomenale (në kuptimin, fenomenologjike) që njeriu ka përdorur përgjatë rritjes së tij në shekuj, është miti i Kullës së Babelit. Njerëzit e brezave të pas përmbytjes së madhe në një qytet të quajtur Babel, vendosin të ndërtojnë një kullë të pafundme derisa të arrijnë parajsën, shtëpinë e qetë të zotit, Jehovait, Elohimit, a kushdo zoti që fshihej e shtrihej kokrraqejfazi në parajsë. Ky zot, sheh e ndjek me vëmendje situatën në Babel, kupton që bashkësia njerëzore me ritmin që po punonte, me shumë mundësi do arrinte parajsën, ndaj gjeti një mekanizëm ta frenonte këtë veprim. Njerëzit flisnin një gjuhë dhe puna shkonte fjollë, ndaj zoti vendosi t’ua prishte e përziente gjuhën e t’ua ngatërronte në shumë gjuhë të tjera. Kështu u bë, puna u ngatërrua gjithashtu, dhe rrëmuja pushtoi Kullën e Babelit, dhe njerëzit kurrë nuk arritën të përfundonin ngritjen e saj, e artriti i zotit Jehova Elohim mbeti i patrazuar shtrirë mbi retë e buta.

Me shumë mundësi, Babeli është një fillesë Babiloni ose një simbol mitik i Babilonisë, vendit e perandorisë ku për qindra e qindra vjet njerëzimi ngjitej e ngjitej në njerëzillëkun e tij më të mirë. E si referencë, zhvillimi njerëzor do vinte pikërisht nga ky lëmshi i madh emëruesi të përbashkët njerëzor që quhej Babiloni. Kjo me siguri, në kush e di se çfarë divane plakash babilonase, duke pirë kush e di se çfarë çajesh, bëri të lindte thashethemnaja e Kullës së Babelit. Uhh, andej nga Babilonia, çfarë nuk bëhet, po arrijnë zotin, si? Po ngrenë një kullë të lartë drejt qiejve.

Sidoqoftë, thënë ky aludim si ushtrim antropologjik, vijmë te mekanizmi që përdora. Thellë në thelb, brezi i rrëmujës nuk jemi ne, brezi im dhe i joti, si kam aluduar në Histori e Shkurtër e Rrëmujës, por paska nisur fill pas përzierjes së gjuhëve.

Njerëzimi i bërë një përmes gjuhës, njerëzit, duke folur një gjuhë, nuk kanë kufinj e mund të pushtojnë vetë qiellin. Komunikimi njerëzor sjell gjithë më të mirën njerëzore. Ajo çka njeriu ka më të mirë është, sigurisht përveç mendjes së tij, aftësisë për të qeshur e imituar, aftësisë unike për t’u habitur, është komunikimi. Dhe kulla e Babelit na rrëfen ç’mund të arrijmë ne si rracë, nëse komunikojmë. Mjafton të mendojmë çfarë ndryshimi ka pasur bota në 20 vjet telefon celular, Google, internet portabël, në rrjete sociale, në komunikim global. Sigurisht, bashkë me komunikimin rrjedh dhe budallallëku – Umberto Eko thoshte që rrjetet sociale i japin mundësinë çdo idioti të ketë audiencën e tij – sigurisht ka dhe shumë infektime në idiotësi, por e marrim të mirëqenë që mençuria njerëzore do të fitojë. Ndërkohë dua të bëj demarsh në logjikë, e të futem pak më shumë në mikro.

Jimmy Hendrix to the Tower of Babel, is a miracle, këndojnë Queen në këngën e tyre The Miracle. Freddie e adhuronte Hendrix, dhe besonte që ai ishte muzikanti dhe artisti perfekt. Ndaj ideja e Hendrix në majë të kullës së Babelit është simbolika e artistit që unifikon tërë njerëzimin.

Ku qëndrojnë muret?

Muzika është mjeti më unifikues në botë. Nuk kanë rëndësi fjalët. Dhe ne shqiptarët mund ta themi këtë më mirë se kushdo. Kemi dëgjuar çdo lloj muzike, që nga greke, sllave, italiane, e muzikën botërore në anglisht, duke adhuruar muzikantët, duke tundur kokën, ëndërruar, lumturuar, lundruar, fluturuar në tinguj. E pas kësaj, kemi mësuar fjalë e fjali anglisht, italisht, greqisht, serbisht, rumanisht, e kushedi sa gjuhë.

Por ky nuk është fenomen thjesht shqiptar – kurioz izolim hall. Edhe sot, grupi më i famshëm në botë, mos më pyesë kush pse, është BTS, një grup korean, që këndon në gjuhën koreane. Askush nuk do të dijë për gjuhën, kur flasim për muzikë. Në hierarkinë e komunikimit, gjuha vjen e dyta para muzikës.
Ka një mjet më të fuqishëm edhe se muzika. Piktura. Kushdo që sheh një pikturë, ndjek gjurmën që lënë ngjyrat dhe kompozimi, nga sytë e brenda vetes, nëpër fije nervore e emocione. Para se të flasim e të shpjegojmë një pikturë, ajo na godet, madje dhe pa fare fjalë. Madje, fjalët mbi një pikturë, ngatërrojnë e na bëjnë t’i japim formë statike një emocioni. Sërish fjalët na ngatërrojnë.

Çuditërisht, njerëzit në gjuhë të ndryshme, ulur në një bar, arrijnë shumë mirë të kuptohen me njëri-tjetrin, të shkëmbejnë emocione, të flirtojnë, të flasin një gjuhë që qëndron sipër kokave të tyre, e komunikon rrjedhshëm në një tjetër nivel, e njerëzit thjesht udhëhiqen nga ajo gjuhë e pafolur me gjuhë (ose dhe e folur me gjuhë).

Madje, kur njerëz në gjuhë të ndryshme pinë alkool, komunikimi bëhet shumë më i rrjedhshëm, sikur gjuha e huaj është gjuha e nënës.

Shqipja është nga gjuhët më të vjetra e të rralla në botë. Shqipja ka një funksion unik që pak gjuhë të tjera e kanë. Është flamuri, atdheu dhe feja jonë. Është si një markë – gjithkush që është shqiptar e bart me vete dhe identifikohet. Shqipëria dikur ishte aq, sot është kaq, nesër nuk i dihet sa do jetë territorialisht, por atdheu jonë – gjuha – është aq sa shqiptarë ka në botë. Thënë këtë, shqipja nuk na ka çuar diku, nuk kemi fare shkëmbim dhe nuk kemi pakufishmëri e liri mendimi. Në raporte me botën, ne ose do flasim gjuhën e huaj, ose do përkthehemi.

Sigurisht nuk është faji dhe çështja e shqipes vetëm. Italishtja, një nga gjuhët më të artikuluara, rrjedhëse e latinishtes, pushtueses e perandorisë më të madhe e me ndikim, nuk është një gjuhë ndikuese sot në botë. Greqishtja, që për efekte kulturore dikur ishte gjuha e Bizantit, perandorisë 1500 vjeçare, sot është një gjuhë fare pa terren gjithashtu.

Është fuqimisht çështje politike. Pushtimet, perandoritë, përhapja e gjuhës, spanjishtja, anglishtja, gjuha kineze. Por jo vetëm kaq. Ka diçka tjetër. Pa dashur të hyj në analiza gjuhësore për të cilat nuk ofroj dot eskpertizë, por… just to get it. Fjala ‘get’ bart sekretin. ‘to get’ është tulla më kopile e ndërtimit të një gjuhe. Mund ta fusësh kudo e të dalësh faqebardhë.

E për këto mekanizmat e veckël praktikë, anglishtja është gjuha më komunikuese sot në botë. Dhe kjo, jo vetëm se anglezët ishin pushtues, jo vetëm se amerikanët janë influencues dhe Roma moderne. Në US nuk ka gjuhë zyrtare, por gjithçka është në gjuhën angleze. Thjeshtësia e komunikimit dhe eficienca e kohës. Koha, ky thesar i madh. Anglishtja është gjuha e Babelit. Anglishtja kap e gllabëron fjalë, i fut brenda vetes, i përdor, nuk pyet fare për rregulla, për etikë, një mini Babiloni sipas gjuhëtarëve, një gjuhë e gjallë përpëlitëse gjithë artikulime.

Ndaj, konkluzioni im është që letërsia, krijimi i pastër artistik, shprehja e artit, këtij babeli njerëzor, duhet të notojë sa më thellë në kontinentet e paeksploruara njerëzore, e duhet të shprehet sa më thjesht në gjuhë. Vërtet shqipja është gjuha dhe atdheu ynë, por askujt nuk i duhet nëse shqipja jote ka nxjerrë fjalë nga fundi i sëndukut të gjuhës sonë, apo pasuria e fjalorit tënd shtrihet nga Bogdani te fjalëformimet e Kadare. Askujt nuk i duhet lëvrimi i gjuhës tonë, kur gjuha jonë në vetvete është një kufizim midis nesh dhe botës.

Kur lexon Borges në shqip, çmeritesh nga mendimi dhe stili, njësoj si në spanjisht. Dhe kjo nuk ndodh sepse ti vlerëson përdorimin e spanjishtes së tij, apo të përkthimit të sofistikuar të përkthyesit. Thjeshtësia dhe thellësia, ato janë dy kuajt e tij të betejës. Kujt dreqin i duhet një gjuhë e rënduar, komplikuar, tërë lajle-lule, fjalëformime, patetizëm, pretenciozitet?

Synimi im personal si autor, është thjeshtimi maksimal në shprehje maksimale.

Audienca së cilës unë personalisht i drejtohem, sot, është e gjithë bota. Mekanizmi im është përkthimi. Ndaj t’u japim mundësinë përkthyesve të lodhen sa më pak, e të transmetojnë sa më shumë. Babeli ndodhet brenda nesh. Dhe ngritja e tij, nuk vjen nga rëndësia e gjuhëve të veçanta, por nga unifikimi i gjuhëve në një, drejt parajsës. E parajsën do ta pushtojmë duke vendosur ‘to get’, një pas një, në një ngrehinë të pandalshme mendimi.