FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Friday, March 18, 2016

I thuaj jo tolerancës fetare




Sot është dita ndërkombëtare e konsumatorëve. Dhe, ndërsa shoh nëpër të lajmet e drekës, unë, konsumatori shqiptar, konsumova dashur padashur një përqindje të madhe... fesh.
Presidenti i Shqipërisë dhe kryebashkiaku i Tiranës përurojnë bustin e Papa Bergolios në Tiranë.
Ndërkohë në Kosovë, studentë të universitetit të Prishtinës falen nëpër salla, kërkojnë vende të posaçme falje, i ndajnë vendet e faljes meshkuj e femra veç, dhe gjatë kronikës së lajmeve mësojmë që vende speciale falje kanë deri edhe në godinat e trupave speciale të Kosovës.
Kam parë jashtë oborrit në shkollën time fillore fëmijë që bënin fiskulturë me veshje fetare. Femijë, e theksoj.
Ndërkohë diskutimet e veshjeve e simboleve fetare vazhdojnë të enden sipër kokave tona në përditshmëri ku vazhdimisht has në meshkuj të veshur çuditshëm, me mjekra e qethje të çuditshme, e gra të mbuluara kokë e këmbë.
Dhe prapë ndërkohë, Shqipëria e ka kthyer në kalë beteje, - te vetmin kalë mbase? - të tufës së gjërave të dalluara, pikërisht tolerancën fetare.
Po kjo tolerancë fetare që ne ngrëmë e vëmë, sidomos nga institucionet politike e ato fetare zyrtare, është një tullumbace e fryrë me asgjë. Është një armë diplomatike e konsumuar dhe  qesharake tashmë, që po kthehet në diçka të dëmshme. Tolerancë fetare në vendin tonë nënkupton të përhershmen, që gjithkush bën çfare ti dojë qejfi me fenë, pa u kritikuar, kryqëzuar nga opinioni publik, social, e pa madje u diskutuar fare.  Çfarë duhet busti i papës në mes të kryeqytetit? Çfare duhen ata qindra njerëz që shtrihen e falen orë e pa kohë, në vendet më të papërshtatshme, duke rregulluar tërë ritmin e ditës së tyre, tërë ciklet e tyre njerëzore në bazë të lutjeve? Për çfarë dreqin luten? Pse vishen në menyrën tipike arabe e sipas modës së viteve 600? Kujt duan ti tregojnë çfarë? Ne si komb, kujt duam ti tregojmë çfarë me termin tolerancë fetare?
E vetmja tolerancë fetare që unë personalisht logjikoj në të mirë të shqipëtarëve dhe të vendit tim, është që askush në këtë vendin tonë me plot siklete, mos të merret publikisht me fe të asnjë lloji. Fenë ta mbajë gjithkush në shtepi të tij, e në institucionin fetar përkatës, e kohën e çmuar të mos ta kalojnë duke zënë miza nëpër kisha e xhamia, por këtë devocion, t’ia dedikojnë punës e prodhimit të gjërave të mira për shoqërinë.
Feja është diçka krejtësisht personale, është kriter i botës shpirtërore, dhe në të njëjtën masë si seksi, ka të bëjë me individualitetin intim të njeriut.  Ndaj askujt nuk i takon të ngatërrohet me personalen e tjetrit pa dashjen e këtij të fundit.
Para se të shpikim, lakojmë, e caperlojmë termat tolerancë fetare, e bashkëjetesë fetare, duhet të ngulisim në kokën e secilit nga ne termin bashkëjetesë sociale. Pa i vardisur, flakëruar tjetrit në fytyrë simbole fetare, madje dhe seksuale, (tjetër diskutim, i njëjti parim) duke e detyruar të zgjedhë, të pranoje ose jo, por duke mbajtur publikisht një qëndrim të denjë e neutral përballë feve, e më social e njerëzor në raport me njeri tjetrin.
Koha është pasuria më e madhe e njeriut. Problemet e mëdha fetare, inkuizicioni, e errësira mesjetare në Evropë erdhi pikërisht kur njerëzit nisën të shkojne çdo ditë në kishë. E sot, po shkojnë më shume se një herë në ditë në xhami. Ndaj uroj që koha e çmuar njerëzore, sidomos shqipëtare, të shpenzohet në mënyrë të shëndetshme e prodhuese për vellain e motrën në krah, jo në mënyrë shkapërdarëse duke lutur e falur,e pritur nga vëllai e motra në krah të pranohen ose jo në bazë të doktrinave fetare të dymije vjetëve më parë.
Ndaj, konsumatorët, të konsumojnë vepra tokësore, mundësisht të mira e të shëndetshme, e të konsumojnë më shumë kulturë të përgjithshme, edhe kjo e shëndetshme për trurin, e vërtetuar shkencërisht madje, se për të tjerat ka një vend e një kohë tjetër, “në ameshim”.
Sot, më shumë edhe se gjatë Rilindjes, nuk duhet harruar që e kanë thënë aq bukur njëqind vjet më parë ata burra të mençur e shqiptarë të mirë, feja e shqiptarit eshtë shqiptaria.  

Loer Kume
15.03.2016