FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Sunday, September 13, 2009

Dashuri Dhe “Merde”

Po ecnim të dy nxitimthi, unë me Mandin. Dilnim për birrën e pasdites te torra. Meqë e kishim lënë me ca miq që na prisnin dhe duhet të arrinim shpejt, u futëm në një rrugicë që i binte shkurt.
Rrugica kalonte prapa shkollës së muzikës, nëpër ca shtëpi të vjetra durrsake dhe të nxirrte në bulevardin kryesor. Mandi ishte me kepucët e markës, të blera së fundmi e që i kishte aq merak, dhe unë me pantofola.
Dhe u çoroditëm kur pamë që, ashtu të hutuar në diskutim, ishim futur në mes të baltës.
Mandi këmbëngulte që “Kognac” sipas regullave të reja të vendosura nga shoqata botërore e konsumatorëve, kishin të drejtë të quanin vetëm atë që prodhohej në fshatin me të njëjtin emër, ndersa une po e kundërshtoja sepse më dukej absurde që një konjaku të prodhuar në Shqipëri, Greqi apo Itali i duhej thënë, jo konjak po brandy, derisa ishte e njëjta pije.
E njëjta gjë dhe me whisky. Thoshte që whisky është vetëm ai skocezi, ndërsa të tjerët janë Bourbon ose ai kanadezi psh, shkruhet Canadian Whiskey. Pra ka një ‘ë’ më shumë.
Nuk u mor vesh kush kishte të drejtë (më vonë u mor vesh që të paktën për konjakun kishte të drejtë Mandi, por kjo nuk ka rëndësi) sepse e pamë veten, siç shkruajta më sipër, të futur drejt e në mes të baltës. Ishte spektakël të shihje dy alamet zdapash të tërhiqnin pantallonat për të mos çikur llucën, të kërcenin si strucë nga njëri vënd i thatë (që ishte sa për të mbështetur një këmbë) në tjetrin. Arritëm kështu, duke kërcyer, pas shkollës së muzikës.
Në tË vËrtetË shkolla e arteve, po ngaqË populli durrsak ështË shumË “i ndjeshëm” ndaj muzikës, e pagëzoi shkurt, shkolla e muzikës.
Ne këtë pikë të udhëtimit tonë aventuroz drejt bulevardit, erdhëm të shkundur e të llahtarisur nga një erë e tmerrshme që më dukej gati sikur e shihja të rrinte pezull deri në dritaret e katit të dytë të shkollës.
“Merde”! – tha vendosmërisht Mandi duke i shpëtuar pa dashje një shprehje e ngjitur nga vendi ku jetonte.
Pikërisht! I thashë. E gjete. Duke i treguar një si tip grope a pusete aty pari.
Kjo është çmenduri- tha ai. Diçka që nuk duhet të ndodhë! Dolëm për lesh e do kthehemi të qethur i thonë.
Ja - I thashë. Ju inxhinierët i keni fajet. Nisi të kthente përgjigje por pashë mimikën si iu mpi në sekondë. Nga tingujt, tingujt që filluan të vibronin ajrin atë moment. Po ata që dëgjoja dhe unë.
Ishte një piano. Diku nga dritaret e katit të dytë që pak përpara kisha imagjinuar të pluskonte era e ndyrë. Dhe duart në atë piano po luanin, të paktën ajo mu duk mua se ishte, një sonatë e Shopen. Dhe ato duar ishin duar të çmuara patjetër! Ne të dy mbetëm të nemitur.
Ata tinguj… dukej sikur rridhnin shumëngjyrësh, të tërë bashkë ngjyrë qumështi, me forma të çuditshme gjeometrike qepur me diej dhe hëna prej diamanti, lyer me lëng gjethesh…gjethesh që përkëdhelnin lëkurën tonë me ajrin që lëkundnin gjatë rënies… dhe çekiçë të veckël godisnin kokën time. Dhimbje! Dhimbje aq e ëmbël!
Duar luanin brënda kokës, luanin me fijet e mia nervore që ishin bërë korda pianoje…
Akorde të ngërthyera deri në Jazz thureshin në tastierë, çekiçët vazhdonin… duke u shdërruar në erë të ngrohtë deti, në stuhi, këmbëngulëse për tu kuptuar, në tyl perçeje, në tyl këmishe nate, në tym…pambuk për të pastruar veshët me gudulisje, gjuhë përkëdhelëse në qafë, në dhëmbë, flokë të gjata erëmirë…
Diell që digjte lëkurën…në vrap… vrap… ndjekje, diçka që thyhej…gërvishtje në gjunjë… vallëzim në valtz mbi liqen...
Mbaroi.
U deshën disa sekonda të kuptonim që mbaroi. U pamë në sy me Mandin. Kisha sigurinë e çmëndur që nga dritarja do dilte një kokë vajze me flokë të gjatë. Do na shihte dhe buzeqeshte. Qëllon nganjëherë që lexon qëllimet e universit, dhe kjo ishte një nga ato herë, sepse nga dritarja e tingujve të mbaruar doli koka e një vajze me flokë të gjata. Ishte shumë simpatike dhe aty mendova që unë dhe ajo duheshim. Ma do mendja se edhe Mandi të njëjtën gjë mendonte.
Por… ia kishim mbytur kot. Ajo pa në një drejtim, qeshi. Kjo ishte.
Erdha – thirri, lodronjëse duke u tërhequr nga dritarja.
U zhduk.
Ne të dy, sikur ishim në një frekuencë, kthyem kokat andej nga ajo pa. Aty ishte në këmbë drejt, si gozhdë, një djalë. Po tymoste një cigare. Dhe sytë e tij ishin…
U shkunda.
Dashuria ime ishte hije e lodhur që mbante në kurriz një baule të madhe epshi.
Sytë e tij ma treguan. Mbase mund të qenë të përlotur. Po nuk e them dot, se nuk imagjinoj që një mashkull të përlotet nga muzika. Pastaj, hijet që sillte perëndimi i diellit dhe era e poshtër që na rethonte nuk më linin të shihja.
Pastaj, ç’më plaste mua të shihja djalin e botës? Më mjaftoi që ai e donte. Ajo e donte. Unë vajzen doja ta doja gjatë tërë natës.
Ktheva kokën nga Mandi. Nuk folëm. Ishim në rezonancë fantastike. Si lejlekë të hutuar me pantallona përveshur.
Pas shumë shumë 10 sekondash u shkëputëm nga kokat e njëri tjetrit. Secili në mendimet e veta.
Në klasifikim, Mandi vinte i dyti në të qënit i dashuruar, në renditje menjëherë pas atij, romeos së vërtetë.
U kthyem rrugës tonë mes erës së qelbur, dhe pellgjeve me uje që të nxiste një fantazi të neveritshme. Po më përzihej. Do ti laj kembet dhe shapkat me acid, - thashë.
Laj trurin njëherë. Më tha Mandi.
Per hir të së vërtetës, që në gusht e deri tani rruga është rregulluar. Puseta është mbyllur megjithëse ajo rrugë e mban ujin me shumë se të tjerat. Po unë kam nostalgji. Për atë rrugën e pisët me tinguj puthjesh…

9 comments:

Ada Shahini said...

E di ti qe ma rregullove pak diten sot!!! Tani po nisem per ne shkolle me e lumtur. Rrofsh!!!

Sokol Mustafa said...

Sa mall...

ina droboniku said...

hi
*nuk e di po titulli personalisht nuk me ngjit sh, pak banal dhe i hedhur bruto me duket
*nuk u mor vesh......e ke ber pak lemsh kete paragraf me sh perseritje dhe sterhollime ne kllapa qe duhen heq me vrap
*....sic shkruajta me siper.....duket sikur po i shkruan leter ndonji shoku dhe fraza qe vijon is komplet e perseritur nga paragrafi me lart. kjo e ben te merzitshme dhe nuk tingellon fare bukur kur e lexon me ze
*...Ne te vertete.....kjo is nji hollesi e padobishme,po nqs duhet patjeter duhet gjetur nji menyre me e bute per tu treguar dh jo nji paragraf
*...udhetimit tone aventuroz....ky nuk mund te quhet udhetim dhe aq mq teper nuk is aventuroze te sorollatesh ne rrugicat e qytetit ku jeton
* N ga tingujt....is gabim orto apo cfare
pastaj ky paragraf ka sh gabime ne ndarjen e fjalive dhe ndertimin e tyre p.sh. kur e fillon fjaline ..Diku...duhet patjeter qe fjalia te vazhdoj se duket sikur i mungon nji pjese. Edhekur e lexon me ze nuk di si ta lexosh ku t'ja vesh theksin fjalise.edhe fjalia ....Dhe duart.... is ndertuar keq
kur shkruan ...Duar luanin...duhet te shkruash ose"ato duar" ose "duart"
* komentet qe vijojne jane te bukura po te shkruara shpejt e shpejt dhe mendimet nuk jane sistemuar me logjike dhejane bere pak si garrumbull
*u deshen... qe ketu tregimi me pelqen dhe rrjedh bukur me ndonji gje te vogel
*P.S. ai tregimi i pare qe kam lexuar ishte sh me lart se ky ....;)
bye dhe vazhdo te shkruash

eni said...

mire se u ktheve;)

LOER KUME said...

mirese te rigjeta eno :)
ada, sokol, kenaqem qe ju dhurova nje copez durres :)
ina moj kritikja ime me e detajuar, ne bashkepunim me babin e nores :)
per disa gjera keni shume te drejte, e do i shoh mire, jam i lumtur qe i kapet sepse syrit tim i shpetojne shpesh here. ndersa per nja dy tre te tjera do i diskutojme bashke, sepse nuk jam shume i bindur mbi kritiken ose me sakte i kam bere qellimisht ato detaje ne ate menyre... do ti diskutojme ne tavoline keto ...
pacim dhe ju bret bregu i detit te djelen :)

inadroboniku said...

do jete kohe e mire thua

Anonymous said...

ej loeri,i kisha humbur keto...shume interesant si gjithmone...vetem se duhet te vesh kufizim per komentet:vetem per ata qe kane deshire te DEGJOJNE e te KUPTOJNE,jo per ata qe kane qejf te LEXOJNE....

Anonymous said...

nga ertiola se pertova te hapja ID

vera said...

nuk di si te shprehem, thjesht u magjepsa. ke nje vene artistike mjaft te larte me emocione, njekohesisht thjeshtesia e denominacioneve te kohes vendit dhe pershkrimit me beri te ecja njekohesisht me ju neper ato rrugica qe kam vite qe nuk i shkel, mund te them vetem faleminderit dhe bravo...