FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
RE PUPLORE, eshte nje faqe e vjeter, qe sot ne fund te 2016 merr nje pamje aktive te re; punon per letersine time, per vendin tone. Re Puplore mbi te Drejten natyrore dhe te Verteten. Nje Re Puplore ne Shqiperi. // Time on Earth, time on earth, time on earth! I'm gonna walk onto that stage like it's my destiny Stand and tell the truth, make no apologies If tomorrow I should die, these are my memories I'm gonna take this simple life and make history (R.W.)

Tuesday, April 5, 2011

“Think locally, fuck globally”

Esse në kërkim të kohës së re


Etni. Fe. Kombësi. Origjinë. Përkatësi. Patriotizëm. Duartrokisni!!!
Përballë në këndin tjetër kemi; qarqe silici, avionë që thyejnë barrierën e zërit, nanoteknologji, robotikë, Grafen, pushime low cost, holograme, ndërhyrje kirurgjikale lazer pa gjakderdhje, lajme në kohë reale, call girls.
Histori është gjithçka më vjen në mend.
Konceptet e përkatësisë janë koncepte të lashta të ngurta që bënin punë dhe ofronin një zhguall breshke deri për njeriun para-ndër-post viktorian, pra deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Ndryshimi i madh vjen në tryezë me makinerinë veturë. Pastaj avionin. Shpejtësi. Jeta e njeriut ndryshoi me rritjen e shpejtësisë. Sepse kjo temë është çështje ritmi, dhe ritmin e luan zhvillimi.
Shekulli i njëzetë, dhe imagjino pak të njëzetenjëtin, kanë një ritëm që stonon me fyejt anakronikë të përkatësisë, përbërë nga etnia, feja, kombësia, krenaria nacionaliste, morali i ngurtë parimor e seksualiteti i shtypur. Kush di të më thotë si organizohej seksualisht njerëzia para fesë?
Vlerat e vjetra janë të zhvlerësuara në këtë kohë ku milionerët dhe paratë nuk janë parë kurrë me njëri tjetrin. Në këtë kohë ku brenda ditës bën plazh në Kaliforni e pastaj ski në Afrikë të Jugut. në këtë kohë ku ti si njeri mund të vraposh duke ngarë makinën tënde me 300 km/h, ndërkohë bisedon vendime jetike me një person të dashur mijra kilometra larg në një botë tjetër, gjëra që Pjetri që vuri gurin i pari, dhe Aleksandri e Cezari që shkartisën kombet nuk i kanë parë as në ëndrrën më të çartur.
Në këtë kohë fantastike ashtu si Universi e ka kopsitur, të diskutosh mbi fenë dhe nacionalitetin, mbi seksualitetin dhe barazinë e sekseve, mbi moralin dhe ngjyrën e lëkurës, për këto kryqëzata të pluhurosura qe kanë mbetur në lëndën gri të njerëzimit si rudiment i epokës së shpellës, a ka dikush të ngrihet e të sqarojë ç’domethënë? Unë them, Prapambetje Mendore.
Dikur dandyt, njerëzit e shëtitur që njihnin shumë kultura, e quanin veten qytetarë të botës. Pse? Sepse këta njerëz kishin kapërcyer kufijtë, jo vetëm ata fizikë.
Tanimë qytetarë të botës quhen tërë njerëzit e botës.
Dhe në vend të diskutojmë në një tryezë mbarëkombëtare për ata shtetas të ndonjë vendi të humbur si ishim dhe vetë ne shqipetarët deri para pak kohe, që nuk kanë mundësinë të ndihen të tillë, ne dhe kombet prapanike si ne, që në zhvillim social kulturor kemi substancën e epokës së gurit, rrimë e kafshojmë për koncepte mesjetare si etnia. Dhe feja. Dhe nacionaliteti.
Ndërkohë që hamë domate maqedonase, pimë ujë italian, dhe shijojmë vera franceze, apo fast food amerikan e birrë gjermane, eksportojmë në zoti e di se ku produktet tona bio, ne, madhështorët kemi guximin të mendjengushtojmë veten e të dërdëllisim në humbje kohe dhe neuronesh mbi tema me qendër bishtin e dhelprës në e lagu a se lagu. Dhe jo vetëm ne, por çdo qenie tjetër që rrjedh nga humbëtira të prapambetura territoriale e logjike, të përkufizuar me botën e tretë.
Status quo sillte feja, e çfarëdolloji, kombësia e kujtdo kombi, prejardhja e lashtë apo e re, këto koncepte kanë qenë mëse të vlefshëm për njerëzimin për të ruajtur njëfarësoj barazinë midis njerëzve.
Ishin shkalla që na duhej të ngjisnim për tu civilizuar deri këtu ku jemi sot. Për të krijuar një bazë, rrënjë, një truall për tu mbështetur, për të ngrënë, për tu varrosur, dhe një ceremoni të këndshme varrimi që do na prehte më në paqe sipas rastit.
Po tani besoj ka ardhur koha të kuptojmë që drithërat prodhohen dhe në laborator. Të kuptojmë që pasi të varrosemi sërish do e lërojmë tokën se do bëhemi pemë, dhe që pavarësisht ceremonisë së varrimit, të tërë pas vdekjes janë të mirë.
koha jonë ecën shpejt. Vlera të tjera na kërkohen nga nëna natyrë sepse informacioni është i pakontrollueshëm në tërësinë e tij të pafund, dhe koha jonë nuk ka kohë. Të tjera ligjshmëri, të tjera prioritete kemi për të krijuar. Ekuilibri po ndryshon me shpejtësi dhe të merresh me konceptet e së kaluarës është të të ketë ngecur xhaketa se ke borxhe. Dhe s’më duket se njerëzimi i ka borxh qoftë dhe vetvetes institucione si feja apo nacionaliteti i tepruar i tejkaluar.
Ekuilibrium. Molekula është një organizim, pasqyrim i universit, me barazi të përkryer ngarkesash. Organizim në ekuilibër, ku forcat pozitive e negative asnjëanësohen duke u rrotulluar rreth bërthamës neutrale.
Bota është një molekulë. Etni-fe-mendim nacionalist vërtet është fakt që janë forca që ndihmojnë në identitetin e njeriut, në terrenin ku vaditet filizi i njerëzimit, por zhvillimi njerëzor është evolucion që shpejton e rritet me sekondën, dhe teknologjia, komunikimi, shpejtësia janë forcat që na çojnë përpara e kundërshtojnë kufinjtë. Të dyja këto forca asnjëanësohen bukur.
Dielli është globalist, ai bën miqësi me tërë njerëzit njësoj, e bashkë me vdekjen dhe rregullat primare janë neutrale, bërthama e molekulës tokë.
Barazi. Një miku im, dikur më mbylli diskutimin debatues me logjikën e thjeshtë; “ Loer, mos mu hiq sikur ke shumë pluse që të bëjnë superior në logjikë. kemi të dy të njëjtin profesion , e ndërkohë që ti ke një botëkuptim të formuar në të përdorurit e informacionit të shkruar si prioritet, une kam një njohuri të mirë të rrugës. Të dy jemi të barabartë me armët tona përballë përzgjedhjes natyrore. Ti ke diçka unë diçka tjetër.”
Dhe vërtet, s’ka si të jetë ndryshe. Të tërë jemi ose kështu ose ashtu, ti je kinez, gjë që unë s’mund të jem kurrë, ama unë jam shqipëtar, e ti s’mund të jesh dot i tillë. Askush nga ne te dy s’ka si të jetë racor më i mirë se tjetri dhe të tërë jemi njerëz. Sigurisht përveç ndonjë rasti sportiv kur dikush është dhe kinez dhe shqipëtar. Ai sigurisht do jetë më i mirë se secili nga ne.
Tema si kisha e lagjes sime dhe xhamia e qendrës së qytetit tim, bashkë me krenarinë e të qenit kështu apo ashtu trim kombi i zgjedhur janë tashmë vetëm argumente kurioze të të zhvilluarit bisedë siperfaqsore në një night club me një person të një vendi X në botë, ndërkohë që vështrimi dhe prekja luan e flet një gjuhë universale të njëjtë për të gjithë.
One Nation. Sigurisht me veshje karakteristike kombëtare, me pijet kombëtare, me doke e zakone kombëtare, por në qytetin e ri TOKË, ku tërë njerëzit bëjnë dashuri njësoj, e sjellin në jetë fëmijë të kombësisë Tokë që kujdesen dhe për ata fatkeqë që kanë kufij në tru dhe gjetkë. Dhe dielli do na dojë fort gjithmonë.
Ndaj titulli i këtij shkrimi mëndësuar në mua nga Gogol Bordello, mishëron bukur ekuilibrin e së ardhmes plot me dritë dhe në kërkim të kohës së re, e një feje të re diellore.

No comments: