FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
RE PUPLORE, eshte nje faqe e vjeter, qe sot ne fund te 2016 merr nje pamje aktive te re; punon per letersine time, per vendin tone. Re Puplore mbi te Drejten natyrore dhe te Verteten. Nje Re Puplore ne Shqiperi. // Time on Earth, time on earth, time on earth! I'm gonna walk onto that stage like it's my destiny Stand and tell the truth, make no apologies If tomorrow I should die, these are my memories I'm gonna take this simple life and make history (R.W.)

Monday, December 18, 2017

SFERA SHQIPE 6 - Heshtja Shqip e artistit



Shqipëria është një tollovi e madhe. Në 27 vitet e fundit të ekzistencës  ka parë çdo lloj ngjyre të çmendurisë dhe poshtërsisë, në tërë nivelet e shoqërisë. Ndyrësia fillon që te e pështyra në tokë e çdo burri dhe gruaje, deri te e pështyra e pandalshme keqtrajtuese që i shatrivanizon çdo ditë mbi kokë qytetarit “kokëpalarë”shtresa politike e vjetër dhe e re, që në thelb është e njëjta.
Njeriu shqipëtar shkon prej 27 vitesh tashmë, të votojë të njëjtët njerëz, ose trashgimi njerëzish, të ndarë fare rastësisht në dy kampe politike me variacione satelitore përreth. Të cilët shkatërrojnë, grabisin, vjedhin, bëjnë keq atë çka mund të bëhet mirë, me dashje.
Injektojnë negativitet, krijojnë klimë të poshtër në kokat e popullsisë shqiptare çdo ditë.
Dhe njeriu shqipëtar voton njësoj, dhe beson se duke bërë të njëjtin gabim pafundësisht, do ketë rezultate të ndryshme çdo herë.
Dhe çdo herë merr të njëjtin rezultat; pështymen në kokë. Ndaj është kokëpalarë.
Shumica e shqiptarëve jetojnë në varfëri të plotë krahasuar me Europën. Në një vend kaq të pasur sa i yni, që tre milionë njerëz mundet ti ushqejë bujarisht.
Në 27 vjet në raporte kokakëmbas me Europën në zemër të së cilës jemi, ne kemi ushqim të shkatërruar me lloje soje rrezatimesh e keqformimesh, që e kapërdijmë perditë e s’ndihemi, kemi hapësira pune të shkretuara, gangrenën e qelbur  te kurrëzgjidhjes së pronave, shërbim shëndetësor të keqpërdorur dhe të vjedhur, shërbim policor të korruptuar, shkatërrim të tokës bujqësore, keqpërdorim dhe mospërdorim të burimeve natyrore, shitje tradhëtare të tyre, moskujdesjen e lënien si këlyshë qeni të shqiptarëve në botë nga perfaqësitë tona diplomatike, keqpërdorim të rrugëve, moszhvillim të infrastrukturës, shkaterrim i qyteteve pa plane urbanistike e me ndertime te përbindeshme si kthetra shtrigash në qiell, lënie në mjerim të plotë të fshatrave të humbura, shkatërrim i sistemit arsimor, shkatërrimin e historisë dhe truallit arkeologjik, dhe mbi të gjitha, sistemin më të ndyrë të drejtësisë që një vend mund të ketë.
Sigurisht që ka dhe zhvillim, ka dhe gjëra të mira në këtë truall, ka dhe ecje përpara, por këto vijnë kryesisht nga individët njerëz të këtij vendi. Ajo që është e qartë është se i vetmi dualitet, i vetmi konflikt real mbi këtë vend, është midis njerezve të tij dhe drejtuesve të tij.
Sot në 2017 nuk ka asnjë figurë politike, asnjë njeri të vetëm, qoftë dhe sikur një krijesë të papërfillshme në arenën politike shqiptare, te i cili të jenë drejtuar sytë me një fill shprese. As edhe një. Një forcë e madhe politike e kalbur.
Por te shohim pak më larg se kaq. Politika shqiptare është pjellë e po këtij populli. Nga këta njerëz pështytës ka lindur, e këta njerëz pështytës pështyn sipër. Gjithmonë politikanët e drejtuesit vijnë nga shtresa e mesme e intelektit shoqëror. Perfaqesojne mesataren e ponderuar popullore. Ata dialogojnë vetëm me turmën.
Pyetja e vërtetë që lind pas kësaj rendjes nepër realitetin më sipër, është, ku dreqin janë Mendjet e këtij vendi?
Kësaj shoqërie që endet kuturu 27 vite nga një rrëmujë në tjetrën i duhet mendimi i pastër.
Nuk e presim dot mendimin e pastër nga profesorët e akademikët, janë pjesë e sistemit të kalbur arsimor. Nuk presim drejtim apo mendim nga sistemi i drejtësisë, është kalbësira në nivelin më të fundit.
Madje as nga sporti nuk presim dot reagim, se për korrupsion është në garë kokë më kokë me sistemin e drejtësisë.
E vetmja shtresë që në këtë vend mundet akoma të ulërijë mendimin e qartë e të lartë, të thotë të vërtetën,  janë artistët.
Shkrimtarët, piktorët, filozofët, përkthyesit,  aritektët, aktorët, regjizorët, këngëtarët, kompozitorët, poetët, tekstshkruesit, artistët e arteve figurative, stilistët, balerinat, sportistët, me shtyllë kurrizore, dhe tërë të tjerët, ushtria e madhe e së vërtetës.
Sepse artistët nuk bejne kompromis, në kurriz të së vërtetës, të më të mirës. Është efekt i krijimit ky, nuk mund të krijosh art nëse nuk kërkon më të mirën.
Po nuk mund të jetosh gjithashtu si artist i qetë në kërkim të artit tënd, kur rrethohesh nga kaq shumë klimë e poshtër rreth vetes, kur sheh kaq shumë “më të keqe” rreth vetes.
Atëherë ku është revolta e artistit? Ku është kërkimi i më të mirës? Ku është zëri i përbashket i joni në kërkesën e llogarisë? Në vënien me shpatulla pas muri të autorëve  të tërë të zezave që bëhen në vendin tonë e në kurrizin tonë?
E vetmja herë kur një grup artistësh u mblodhen është kur ua kërkoi një palë politike të flisnin në kurriz të një pale tjetër politike. Dhe aty menjëherë u politizuan të tërë, duke u ndarë edhe artistët në dy fraksione mjerane. Duke humbur besueshmërinë dhe shtyllën kurrizore.
Ku është pushka e artistit drejtuar padrejtësisë dhe masakrës 27 vjeçare që i bëhet këtij vendi e ne të tërëve?
Muzikantët e bënë një hap para duke protestuar për shkatërrimin e pasurive natyrore.
Por eshte shumë pak për kaq shumë keq në vendin tonë.
 Artistët më vete bëjnë ç’të duan, dhe janë krijesat më individualiste e egoiste të shoqërisë. Por, të tërë bashkë, bëjnë shtyllën kurrizore dhe trurin e vendit.
Ndërkaq emrat nuk kanë rëndësi. Emrat e të akuzuarve janë të tërë  një emër. Të treguarit e së vërtetës, të akuzuarit e fenomenit, kërkesa për të mbajtur përgjegjësi, kjo është detyra e artistit.
ky vend do bëhet.
 Sapo të zgjohen të parët artistët.  

No comments: