FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Tuesday, July 9, 2013

Biografia e popullit tonë në poster ( Botuar ne gazeta Shqip, 23, 06.2013 )





Kandidatët për deputetë në kuvendin e Shqipërisë janë ata persona që do përbëjnë nesër aparatin legjistlativ të shtetit Shqipëtar.  Ata që do kujdesen nesër, në Legjistlaturën e tyre për Ligjet. Krijimin e hapësirave, fushave ligjore, sheshimin e kleçkave e maloreve ligjore për ta bërë njerëzinë e këtij vendi sa më komode të jetojë brenda kufijve të shqiptarisë.
Dhe në 2013, unë shëtis nëpër qytetin tim, dhe ngado rrotullohem shoh fytyrat e këtyre njerëzve kandidatë. Kudo. Rradhë të tëra fotosh, duke buzëqeshur apo jo, seriozë, duke treguar autoritet apo karizëm vizuale. Krenarë. Një stërmundim epik fotoshopi, djem e burra e gra e vajza që shfaqen nëpër mure.
Nëper mure pallatesh, në muret e bashkisë, galerisë së arteve, nëpër cepa, fytyra fytyra fytyra.
Dhe vjen drama e thellohet. Simbole me spray, nëpër mure sërish, nëpër trotuare, deri dhe në asfaltin e rrugës.
Nuk arrij të kuptoj dot se si pas tërë atyre fushatave, pas një evolucioni të supozuar, pas ngritjes së nivelit të argumentimit sot në truallin e vendit tonë, të shpërthejnë si kërpudhat teoritë e posterave dhe logove spray.
Nuk mund të kuptohet si këta njerëz, përfshirë këtu miq të mitë personalë që i shoh majë mureve duke buzëqeshur, marrin guximin të krijojnë këtë dhunë vizuale për qytetarin, duke e mësyrë egër, duke e persekutuar ngado që kthehet e rotullohet, me postera. Me parrulla klishe që të nxisin brenda një reagim të menjëhershëm kundërshtie.
Në sforcimin ekonomik që po kalon vendi, një fushatë e kujtdo subjekti politik në kohët e sotme, teorikisht duhet të ishte e izoluar, ndoshta me një pakt ndërmjet tërë grupeve politike, në takime me njerëzit, dhe me debate televizive e reklama elektorale nëpër billboard e hapësirat e përcaktuara për këtë punë.
Kush është i interesuar, dhe në këtë formë interesi padyshim rritet për të dëgjuar, hap televizorin, apo shkon në takimet përkatëse. Një fushatë e përkorë duhej, modeste, serioze.
Të tregonte vërtet që këto subjekte që pretendojnë ndryshim ose çfarëdo propozimi tjetër që pritet të përmirësojë cilësinë e jetës së këtij vendi, kuptojnë dhe respektojnë gjëndjen e këtij populli të sfilitur, dhe nuk abuzojnë.
Jo! Askush nuk u soll kështu. Plasën mitingjet, euforia. Organizime me dhjetra mijë njerëz nëpër sheshe, një luks i rrallë për një vend të kapitur.
Dhe sikur të mos mjaftonte ky vrull euforik shkëlqyes, sikur të mos mjaftonte rrëmuja elektorale si të ishim një vend i fshehur thellë në mes të xhunglës Amazonike ku drejtuesit rrahin gjokset duke bërtitur kush më shumë, sikur mos të stërmundonte kjo mendjet e veshët e sytë e njerëzve çdo ditë për dy muaj, vijne në fund dhe POSTERËT.
Djemtë e mirë, burrat e zot, gratë heroina të posterave. Tregëtarët që fërkojnë duart për vinovilin e letrën adezive akoma në 2013, dhe këta njerëz që e theksoj, guxojnë të dhunojnë psikologjinë tonë, hapësirat publike, e muret private me fytyrat e tyre pretenduese.
Kush do ti heqë pas fushate këto figura? Kush do kruajë vinovilin? Kush do lyejë muret e qyteteve? A e dinë këta legjistlatorë të supozuar që kjo quhet dëmtim i pronës së përbashkët qytetëse apo fshatëse? A ka ligj për këta ligjshkrues që të denojë dëmtimin e hapësirave publike? A e njohin ata këtë ligj?
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Pjesa e parë, Parime themelore, Neni 11- pika 2. “Prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj.”
Këtu shkelet kushtetuta me spray e penel ngjites ne dore e askush nuk çan kokë.
Dhe po këta njerëz nesër pretendojnë të jenë korrektë e krijues, kur s’dinë të kujdesen as për atë që është krijuar tashmë? Këta që s’kanë sensin e ruajtjes së qytetarisë?
Mbyllja mbetet një pyetje pa përgjigje të saktë. A është biografia jonë sociale e kënduar kësisoj, akoma  sot, me fotofyell?

No comments: