FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Friday, July 19, 2013

Unë jam një grabitës





Unë jam një grabitës. Në mes të ditës me diell apo natën, si t’i vijë. Unë s’kam lekë, s’kam bukë shpeshherë. Mbase dhe i lë nganjëherë lekët në bixhoz. Dhe marr maskën, marr armën time, dhe dal në kërkim të kismetit. Kam tërë të drejtën time të marr atë që nuk kam. Kush do më ndalojë? Kush do më gjejë mua me maskë në kokë? Megjithëse varet dhe nga koha. Ka kohë të mira e kohë të këqija. Unë për këtë jam mjeshtër në nuhatje.
Unë dal në rrugë me miqtë e mi. Mund t’ja dalim. Njerëzit kanë frikë kur shohin armën. Dhe rruga ku dalim ne është rrugë nacionale. Kush kalon këtej ka para. Nuk bën njeri rrugë të gjata pa para.
Une dhe djemtë jemi dhe shumë të nxehur. Ne s’kemi të ardhura. Sepse s’kemi punë.  Madje as që na shkon mendja të kërkojmë  punë. Është punë e vështirë të gjesh punë, pastaj të punosh? Pothuajse e pamundur. Sidoqoftë dhe kjo e jona punë është. Do njëfarë guximi të madh të dalësh me armë në dorë në rrugë nacionale. Është dhe me kanun, burri që është burrë, grabit me forcë.
Po dhe shumë filma kemi parë. E nëpër filma nuk ngjan dhe aq keq të grabisësh. Madje dhe shpëton paq.
Megjithëse, njëri nga miqtë e mi nuk ka parë filma fare. Ai është grabitës natyral. Është i pamëshirshëm fare. I buron nga brenda.
Dhe kur vijnë makinat i shohim nga vendi ku jemi fshehur, dhe u dalim para. Ata tremben dhe nuk ndalojnë. Shoferi shkel gazin e ikën. Po pse ikën, s’na ka frike neve ai? Si guxon? Është ai më i fortë se ne? dhe ç’bëjmë ne? Harrojmë edhe që kemi dalë për të grabitur, dhe na hipen gjaku në kokë, e ndërsa makinat ikin, ne u zbrazim tërë karikatorët, tërë plumbat pas shpine. Ti masakrojmë pse jo. Të mos guxojë kush të na ikë ashtu.
Ata po ikin me pushime mbase, ikin të bëjnë qejf. Ne nuk ikim dot me pushime se nuk kemi lekë. E rrimë aty në diell në pusi.  Ka dhe xhelozi në këtë mes. Ka dhe cmirë. Po. Ka dhe urrejtje ndaj njerëzve që punojnë e ikin të çlodhen.
Ndaj, u qëllojmë nga pas me tërë furinë, ti vdesim. Ata duhet të kishin shume lekë me vete.
kishte femijë në ato makina. Ne mbase i vramë. Ne mbase dhe nuk u treguam, as në kodin e grabitësve as ne kanun, burra të vërtetë. Qëlluam prapa kraheve, të masakronim dhe gra e fëmijë.
Dhe gjumin mund ta bëjmë të qetë edhe kur vrasim fëmijët, 6 dhe 9 vjec. Nuk e di si do ia bëj në fakt, të fle gjumë tërë jeten pas kam vrare fëmijë. Dhe gra. Por ata donin te iknin. Donin të ishin më të fortë se ne. Por ne jemi të këqinj. Shume të keqinj. Ne të vrasim. Sepse ne kemi uri, cmirë, zili, dhe aspak frikë.
Askush nuk do na kapë. Kemi maska. Dhe kohët janë të mira me sa duket.
Por kemi dhe një avantazh të madh. ky popull e meriton të grabitet dhe të dhunohet deri në vdekje. Sepse këta njerëz të popullit tonë, dalin në protesta, shkojnë në mitingje, për gjithçka, për të drejtat e tërë grupeve të interesit, për interesat e tërë grupeve e minoriteteve, për gjithçka që i therrasin te medhenjtë e kombit,  për fenë, mjekrën e për çdo gjë, përveçse për veten e tyre.
Sepse njerëzit e popullit tonë dalin të bindur e betohen për bindjet, partitë e liderët, po kurrë se  njerëz të tjerë si ata, të ngjashmit e tyre, grabiten e vriten në mes të rrugës apo dhe nëpër shtëpitë e tyre. Askush nuk do dalë të kërkojë drejtësi.
Sepse njerëzit e popullit tonë janë me gen skllaverie, mbase nga 500 vjet nën perandorinë osmane, kush e di, s’do bëjmë analiza tani, por ata shohin vetëm vertikalisht, me sytë nga zoti e nga lideri. Ndaj liderit rebelohen, atë adhurojnë, një marrdhënie sado- mazokiste urrjejtje dashurie. Dhe asnjeri nuk mendon në menyrë horizontale, të protestojë për atë që ka në krah, për të ngjashmin e vet të dhunuar. Sepse as që i bie në mend që nesër do jetë ai vetë i dhunuar e i vrarë.
Është shumë e ulët të mendosh për të ngjashmin si ty, të merresh me të ngjashmin si ty. Të protestosh që fqinji yt grabitet e vritet. Ama për drejtuesit e lartë, të merresh me ta sigurisht është mendim e privilegj i madh.
Ndaj unë jam grabitës i ndershëm i këtij popullit tim. Do shpëtoj gjithmonë. Do grabis sërish, Nesër pikërisht ty. Sepse është koha, është vendi, dhe je ti, njeriu im i përkulur e i gatshëm të pësosh. Shihemi shpejt.


 'Gazeta MAPO'
19.07.2013
 

No comments: