FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Thursday, December 8, 2016

SFERA SHQIPE - 4. Mendjet e mëdha të Z.T.

.

Nëse gjëndesh në Sferen Shqipe e hedh sytë qark, do dallosh që nuk ka kapitenë të mendimit, që të drejtojnë anijen, e të mos ta lënë kurrë atë kuturu. Të paktën jo në këto shtatëdhjetë vitet e fundit. Dhe lind pyetja pse?
Duke lexuar Tropikun e Kancerit të Henry miller pikasa diçka që hapi digat dhe më bëri të rendis kuptueshëm në kokë arsyet;

‘Jeta ka thënë Emerson, përbehet nga ajo çka njerëzit mendojnë gjate tërë ditës. Po të jetë kështu, atëherë jeta ime nuk është gjë tjetër veçse një zorrë e trashë. Unë jo vetëm mendoj për ushqimin gjatë tërë ditës, por ënderroj për të dhe gjatë natës.por unë nuk kërkoj të kthehem në Amerikë, të mbrehem në një zgjedhë të dyfishtë, të rrotulloj gurin e mullirit. Jo, parapelqej të jem një njeri i varfër i Europës. Zoti e di, unë jam mjaft i varfër, por mbetet të jem njeri.

Dhe papritur kjo fjali ngriti perden dhe tabloja në këtë truall të çuditshëm u shfaq e qartë dhe e errët.
Populli kryesisht ndahet në njerez të katit e poshtëm, që vënë në punë muskujt për të justifikuar jetën në tokë. Njerëz  të katit të mesëm, që vënë në punë muskujt dhe mendjen, dhe njerezit e nivelit të lartë, që kontributin e tyre social e japin duke vënë në punë trurin.  Këta janë cerebralet.  Sa më shumë të vesh në punë trurin aq më shumë fiton liri mendimi, e fisnikëri gjykimi dh e njerëzie. Këto janë teori që i di çdo fëmijë.
Por ajo që nuk po kuptohet akoma, është kontradikta e cerebraleve të vendit tonë me Henry Miller.  Mjafton të lexosh e rilexosh atë pjesën më sipër për të kuptuar ç’e shtyn njeriun të fisnikërohet.
Edhe pse Miller këmbëngul që kërkon vetëm ushqimin, edhe pse cerebraliteti i shoqerisë tonë përmes pozash flamboyeske kembëngul që mendimin e tij të ndritur, është krejtësisht situatë antagoniste. Miller shpërfill çdo gjë që mund ti sillte të mira tokësore, për të fituar njerëzoren. Ndersa është e dukshme, e shohim të tërë si cerebralët e shoqërisë tonë shesin çdo ditë nga pak ose shumë, njerëzinë e tyre, për ta veshur lëkurën e njeriut mendimtar, me rroba, me ora, me makina, me ushqime që i bëjne obezë duke u mbyllur trurin si feedback negativ në fund. Shkurt, shesin lirinë për të mira materiale.
Ndërsa Miller thekson që është një zorrë e trashë, ndërsa veprimet e tij si njeri i dijes të hapin rrugën drejt njerëzores, këta njerëz, cerebralët e kohës tonë qe flasin bukur e  ëmbël, dhe vetëm theksojnë me veprime që truri i tyre është dëshperimisht në shërbim të zorrës së trashë. A ka debat publik qe te na coje diku perpara, nje diskutim ne te mire te njerezise shqiptare? JO. Asnje. Debate arkaike mbi etnine. Debate te erreta e shterpe mbi origjinen e Skenderbeut, debate e diskutime mbi  perkatesine fetare, ne jemi ne origjine te krishtere a muslimane. Me kujtohen debatet publike ne duhet t eprishet piramida a jo. Me kujtohet nje ndarje spektakolare e ketyre cerebraliteteve s ne luften politike me greve urie dhe peticione të tipit fletërrufe kundër grevës.
Gjithmonë skema është  e njëjta. Janë dy palë. Dhe diskutimet janë tymnaja e mjegullnaja qe ngrihen per tu hedhur nje ushqim publik njerëzve, që të kenë me çtë merren, e të mos shohin realitetin në sy e të kthehenpapritur në ujq.  Mjegullnaja përmes te cilave ujqit e vërtë të bëjnë kërdinë me këtë vend të katandisur si zhele e mjerë e mjelur si lopë.
Ne kete vend u hedhin kocken e patriotizmit populist popullt qen. dhe kur e sheh me perde të ngritur skenen reale, dhe shitjen e patriotizmit per monedhe sociale, per shtylle e bosht kurrizor, deri dhe per parti politike, neveria shkon në pafundesi, ne deri.
Ndërkohë që në këtë vend shumica  nuk di ç’do të thotë të jesh patriot. E ku thuajse të tërë, çdo orë të ditës së tyre bëjnë saktësisht të kundërtën. Zhvasin, kafshojnë, shqyejnë vendin në tërë format, që të dashakeqësia ndaj komshiut, deri të copëzat e koncesioneve të shitura për ty vota e dy lekë, si Valbona e Langarica, që e shkatërrojnë natyrën, sitet arkeologjike që janë vlerë e paçmuar dhe kurrë më e gjetur. Duke shemtuar fytyrën e bukur të ketij vendit tonë të vogël.
Në tërë këtë gjullurdi që bie erë, nuk mund të kapem kurresesi me popullin e mjerë, me atë që çdo ditë duhet të përdorë muskujt, për të ngrenë bukë. Kjo shtresë e popullsisë sheh në dritë të syrit si qeni padronin pikërisht udhëheqësit. Problemi këtu në këtë vendin tonë të vogël e të marrë peng është i tmerrshëm. Këtu dhe cerebralet bëjnë të njëjtën gjë. Shohin në sy padronin udhëheqës. Duke pritur një cope kockë.
Kushdo ka vënë re i çuditur se si këta njerëz që na drejtojnë, janë po të njejtët, nuk ka diskutime partish e personash në këtë shkrim, vishen me bujë, diskutojnë nën zë për shifra të çmendura kostumesh, orash, makinash, asetesh, pushtetesh okulte të nëndheshme.
Njeriu i përditshëm, i zakonshëm, ul kokën në shenjë nënshtrimi, e adhuron ndriçimin lëbyrës të luksit drejtues. Kjo është diçka krejtësisht normale. Ka diference te madhe midis tyre. Por kasta, grupi i njerëzve, cerebralët, që qëndrojnë si kurorë e një shoqërie mbi gjithçka e mbi të gjithë, ata njerëzit e lirë të mendimit të lirë, është tmerr se si shkalla e lirisë së tyre transformohet në uri. Në zili. E syri i tyre ziliqar helmon veshin, gjakun, zemrën, deri dhe trurin.
E menjëherë këta cerebralë vihen në shërbim të zorrës së trashë. Për pak ushqim të mirë. Për pak thjeshtësi e komoditet në jetët e tyre mjerane.
Pse mjerane? Sepse miku im lexues, të tërë janë kthyer në skllevër. Askush nga këta cerebralë, artistë, mjekë, poetë, shkrimtarë, piktorë, skulptorë, muzikantë, historianë, gjuhëtarë, askush nga këta qe angazhon trurin e tij me politikën partiake nuk është më i lirë por i shitur.
E kur dikush të ka blerë, nuk mundet, sado poza të marrësh, nuk mundesh kurrë të thuash të vërtetën. E ja ku liria jote humbi. E truri yt i çmuar, do modifikohet sipas asaj që ti bën çdo ditë. Të shitesh.
A nuk të ben vallë ty o cerebral i Z. T. i popullit tim një antikombëtar? Një krejt e kundërta e patriotit? Dhe a nuk është kjo të pështysh aty ku ha? Për hir të një kuzhinieri që të gatuan mirë ti je gati të pshurrësh mbi tryezën ku ushqehesh si e si të mos i prishësh qejfin kuzhinierit duke ju sjellë nëpër këmbë në kerkim të tualetit? Në pritje të kockës tjetër të shijshme?
Si eshte e mundur,këta njerëz, pjesa më e çmuar e një kombi, janë të tillë krijesa meskine?
Si ka mundesi të çohen e dërdëllisin pafund për globalizim, modë, krizë botërore, konsumizëm, ambientalizëm, bioenergji, gjeopolitika, festa mondane tituj kalorësish e çdo lloj budallëku mjegullor,  ndërkohë që këtu ka probleme të mprehta, praktike të bukës? Të ujit? të punës, shkollimit, shëndetit publik e skemave të sigurimeve, të shpërndarjes së taksave, të investimeve, të buxhetit, të shitjes së vendit, të cilësisë së zgjebosur të jetesës, të mungesës së gjelbërimit.  Si ka mundësi që këto probleme nuk fliten e shtrohen kurrë nga këta cerebralë, por perkundrazi mbulohen mire e bukur që njeriu popullor te dopohet me debilitet mediatik ?
Po si ka mundesi që kjo shtresë njerëzish që ka pushtetin real të neuroneve të behet palë, madje vegël qorre e pushtetit prepotent? Ky pushtet nuk është gjë tjetër veçse sherbëtor i vendit. Cerebralët janë mekanizmi feedback i kontrollit të këtij pushteti. Populli gëzon shpërndarjen e mirë të përgjegjësive. Si ka mundësi që skema është kaq e çnatyruar, perverse në vendin tonë?
Si ka mundësi që pushtetari sillet si princ, cerebrali si zhol, dhe populli si skllav?
“Sekreti është i tëri te buka” parodizoi Dali surrealistët në 1950. Sa idhësisht e vërtetë tingëllon në ditët e sotme në vendin tonë të sotëm, krejtësisht surrealist.
Do ti pranoj favoret unë, kam fëmijë për të rritur pohoi dikur, diku, një shkrimtar i premiuar i konjukturave pushtetëse. Po mirë, po fëmijët e tu do i edukosh të prostituohen si ty kur të rriten, - më lindi pyetja legjitime. Ky është vizioni që i lëmë fëmijëve tanë?
Sekreti është te buka. Të tërë shiten. Çdo gjë e ka një çmim e vertetë. Po për bukë është çmimi  i trurit shqipëtar. Dhe për miell i muskujve shqiptarë.
E kjo në thelb është trashgimi jo vetëm e Enverit, se skema është e gatshme për çdo udhëheqje. Kjo është trashëgimi otomane. Që i vjen për shtat ndoshta më së miri karakterit të derrit, që mjaf të hajë, pa mund ti shërbejnë dhe plehra.
E duke ngrenë plehra nuk bëhesh një krijesë e shëndetshme për këtë vend.
Kush pështyn sipër, i bie pështyma në fytyrë.
Në vendin fqinjë para disa vitesh Umberto Eko doli sheshit e bërtiti të vërtetat mbi pushtetin e kalbur. Ai njeri (mbi të gjitha) tha të vërtetën.
Po të vërtetat tona kush do i thotë? Partitë politike? Nuk është detyra e tyre. Në fund të fundit janë grupime të ngushta njerëzish e interesash.
Të vërtetat tona do i thonë pushtetarët dhe patriotët e bythës që s’dinë ç ‘flasin, por vetëm lëshojnë mufka për  votën e plebejve të mekur nga uria e inati i verbër?
Prapë, unë di të them një emër që më vjen tani në mend, që doli nga skemat e tha të vërtetën deri në fund. Teodor keko.
E kur ka një Teodor, s ka pse të mos ketë dy a më shumë. Ky shkrim është një homazh për ta. ne kërkim të tyre.
Njerez që, në fund të fundit bëjnë detyrën ndaj vetes së tyre, dhe ndaj kombit. Duhet të ketë dy a më shumë teodorë të japin dritën që këtu ka akoma njerëz të lirë.
Për të qënë të lirë njerëz në vende e në kohë kanë dhënë gjak. Brezit tonë na duhet vetëm pak vërtetësi.
Kush dreqin është aq blozë brenda vetes sa të shesë lirinë dhe të vërtetën për zorrën e trashë?
Në këtë vend që ka aq burra sa të vdesin me tepri për nderin, për gardhin, për parkimin e makinës apo për një puthje, nuk ka veçse njerëz të tredhur kur bëhet fjalë për të vërtetën? Ta bëjmë këtë vend të jetueshëm, të mbjellim dy pemë, e të jetojmë në mos të buzëqeshur, të paktën pa idhësi në cepat e buzëve.
Të shesësh bukën për pak  liri.
Nuk je derr po njeri.

No comments: