FROM THE AEONS ...

My photo
Albania, Albania
2021 - DITAR i ROCK dhe RREMUJE

Thursday, December 1, 2016

SFERA SHQIPE - 3. Vrite Diogjenin në mes të Tiranës



Gjëja e parë që do bëj, është të mos flas më për shqiptarët, si çdo shqiptar flet për shqiptaret. Po do shkruaj për brezin tim.
Shqiptarët është term dhe koncept aq i gjerë, që shtrihet nga mbreti i parë ilir deri te fëmija i fundit i lindur sot. ky koncept i gjerë të vetmen gjë që bën, është të humbë përgjegjësinë. kjo është tulla e parë që duhet hequr nga muret që ka ngritur brezi im. Është thjeshtë të fshihesh pas një populli dhe kohëve të ndryshme, pak më e vështirë te fshihesh e mos mbash përgjegjësi në një gjeneratë.

Diogjeni ishte një filozof rruge i antikitetit, i njohur për asketizmin e tij, dhe për batutat e thukta. Diogjeni tallej me çdo gjë. Dhe nuk konsideronte askënd. Mbase kërkonte idealen, por sidoqoftë jetonte në një fuçi, e kutërbonte erë.
Ç ‘lidh Diogjenin me brezin tonë?
Pyetja më e përdorur e brezit tonë është;  “Si s’u bëmë një herë?!”
po kush do bëjë kë? Ne, njerëzit bëjme brezin. E njëkohësisht jemi sintezë e kohës tone.
Por ne jemi katandisur në brezin cinik, tallës e pa sistem vlerash. Tallemi me te kaluaren dhe me te ardhmen. Me personalitetet që e merrnin shumë më seriozisht se ne sot vendin tonë.

Shembull. Në njëzetetetë Nëntorin e Pavarësisë, e Lidhjes së Lezhës, në tryezën virtuale shqiptare një shumicë e madhe e njerëzve të kohës tonë kujtonin tortën. Tortën e famshme të njëqindvjetorit, një nga momentet më të turpshme të historisë tonë shoqërore.
pse shumica e njerezve është e prirur për të kujtuar më të keqen? Më të shëmtuarën?
Pse njerezit e kohës tonë jane kaq mazokiste? Për çdo problem, çeshtje, situatë, shumica e njerëzve që përbëjnë sot shqiptarët, nis procesin e të menduarit me gisht.
Tregon me gisht problemin. Pastaj lëshon pasthrrmen ii. Pastaj vjen momenti analizës, kur problemi veçohet, vihet në shenjestër, e pas kësaj, vjen faza e preferuar e moshatarëve, shqiptarëve të kohës tonë; Tallja. Tallen me çdo problem. E pickojne. E ngacmojnë. E ngucin. E vënë në lojë.
Ama, nga një distancë e sigurtë me problemin, pa iu afruar aq sa të nxisin procese mendimi të stërholluara e përgjegjësi.
Pastaj kërkojnë paralelizma në kohë. Deri kur pasi kalojnë dhe Enverin,  te periudha e Zogut, në kohën e këtij sigurisht kishte gjëra të mira, e pas kohës së Zogut, vijnë turqit, e nga turqit e pushtimi osman vjen çdo e keqe. E me kaq mbyllet çdo proces të menduari.  Askush nuk guxon të thotë zgjidhjen. Pse?
Sepse, të ofrosh zgjidhje, do të thotë të kërkosh përgjegjësi. E të kërkosh përgjegjësi, do të thotë të mbash përgjegjësi. Por brezi jonë është brezi me efemer që ka pare Shqipëria.
Vijmë nga injoranca, izolimi. kemi qenë barktharë e kokëpalarë. E drejtuesit e këtij vendi kanë qenë barktharë e kokëpalarë. Njerëzit zakonisht në bazë të teorisë së kompensimit, kërkojnë atë që s’kanë pasur kurrë. E njerëzit që morën pushtetin shfaqen një babëzi të madhe për t’u pasuruar. Kaq e kishin kapacitetin, kaq bënë. Kjo ishte hapësira  e tyre mendore e vizionare. Dhjami.
Brezi im gjeti veten në urinë dhe shpejtësinë e pasurimit, dhe gjithçka kërkojnë, ëndërrojnë sot, është të pasurohen po aq shpejt. Kjo krijon klimën dhe zinxhirin e varësisë, duke mbetur të tërë kokëpalarë e barktharë. E të dëmtuar e të cënuar mendërisht.
Sepse, sado pasuri të vënë individët, shkretia që i rrethon nuk i lejon të zhvillohen. E shkretia që rrethon njerëzit këtu është e krijuar nga njerëzit. Dhe nuk lejon të mbijë asgjë.
E tëra kjo pra, është një zinxhir vicioz varësish, që na mban robër të tërëve në një gjendje të tmerrshme.
Ndërkohë që gjërat nuk janë kaq të vështira. Paratë janë shumë të rëndësishme në këtë botë, por për të bërë para, të cilat do ti përdorësh për qejf e të mira materiale, duhet të punosh. Që të besh qejf duhet të jesh i aftë të bësh qejf.
Duhet një fizik i shëndetshëm. Duhet një tru i shëndetshëm. Duhet një sens estetik sa më i kultivuar, e ky i fundit vjen nga kultura e grumbulluar. Nga leximet e filmat e burimet elementare të kulturimit të njeriut. Të tëra këto janë cilësi jete. E duhen parqe ku të luajnë fëmijët, e hapësira të përbashkëta publike. Publikja është  e shenjtë. Duhen tërë ato elemente të cilësisë që do i donim për fëmijët tanë.
Dhe këto duhet ti krijojmë ne, brezi i midisshëm nga prinderit, te fëmijët tanë. Jemi ne që na takon përgjegjësia për tu bërë të afte e të denjë per ta ndryshuar këtë vend. Ne dhe vetëm ne na takon ti krijojmë të mirat. E kjo nuk behet duke pyetur, “si s’u bëmë njëherë xhanëm”, as duke ndenjur para e pas pushtetit e partive, as duke vjedhur, por duke punuar. Secili nga ne, e të tërë si brez.
Ka plot njerëz që punojnë, ndërtojnë veten dhe ambientin ku veprojnë cdo ditë e më mirë, me punën e tyre, kontributin e tyre për veten e për të mirën e përgjithshme. Njerëz që kanë interesa, që zhvillohen, që rriten çdo ditë. Këta nuk shfaqin ironi, sarkazëm, cinizëm, tallje. Këta njerëz, kanë respekt për të kaluarën, e respekt për të ardhmen. Dhe tregojnë përgjegjesinë e tyre çdo ditë mbi veten, të tjerët rreth, dhe detyrimisht për këtë vend.
Por këta janë ende shumë pak.
Unë mendoj se ka një frymë të lehtë konspirative ndaj brezit tim. Mënyra e vetme për të na kontrolluar është degjenerimi. Na është injektuar me vite keqedukimi. Brezi im jeton në fuçi.
Të mos merresh me veten. tëmos bësh palestër. Të jesh i deformuar fizikisht. Të mos kujdesesh për shëndetin. Të mos lexosh se është turp. Të mos marrësh libra në shkollë se është turp. Të kesh turp që di. Të jesh krenar për injorancën. Të mos lodhesh. Të mos punosh. Të mos kesh pikën e dëshirës për të marrë asnjë përgjegjësi si përfundim. E kjo ndodh çdo ditë të tërë viteve pas ‘’90, duke u kthyer sot në zakon dhe normë.
Dhe duke qenë se të kanë modeluar si qenie të tallur e të përbuzur, dhe duke të shkatërruar besimin te vetja dhe respektin për veten, tanimë s’të merr askush seriozisht. E ti brez, unë brez, s ‘marrim asgjë seriozisht.
Dhe ne te Shqiperisë trunkolare jemi rast ekstrem, ndryshe nga kosovarët tanë ca kilometra më tutje, që jane shume më të përgjegjshëm ne dimensionin shoqeror. Sepse ata u gjendën përballë luftës për çlirim,e për egzistencë, e lagën lirinë me gjak. E nuk guxojnë sot të jenë të papërgjegjshëm si popull sepse kanë lënë kockat çdo familje për atë vend. Ndaj dinë të kërkojnë llogari.
Ndërsa ne thjesht kemi prodhuar drejtues të uritur që na kanë degjeneruar me mekanizmat e mesipërm. Kjo është mënyra më e mirë për të mbajtur të kontrolluar një popull, një gjeneratë. Të kesh individët e gjeneratës të dobët e të mangët, që ti mbash nën thundër. Duke i kënaqur me një kockë te brejtur që këtyre njerezve si kafe e shtrydhur e pa shtylle kurrizore të këtij brezit tonë, do tu duket pasuri. e do ta ndjejnë veten të pasur. Me kocka.
Kështu, ajo që i mbetet njerëzve është cinizmi dhe tallja.
Nese ti sheh dicka të bërë keq, ti e tall. Sepse eshte i vetmi mekanizëm që është i thjeshte e pa kosto. S’skërkon punë, s’kërkon angazhim mendor, e ngjan edhe si reagim njekohësisht.
Ndaj, ajo që na takon të bejmë,  është të ndalim cinizmin, e te nisim të mbajmë përgjegjësi.
Nëse një problem shfaqet në shoqërinë tonë, gjithçka duhet bërë është të kërkohet nga njerëzit që paguhen për të zgjidhur punët e drejtimit me taksat tona, të gjejnë zgjidhje ose të mbajnë përgjegjësi.
duhet të zgjohemi.
“pse jemi kështu? Si s’u bëmë njëherë?”
 Askujt nuk i intereson më realisht se pse jemi kështu. Se pse jemi kështu,  le të jetë detyrë e historianeve dhe antropologëve, që do kenë mjaft punë me rracën tonë në brezat që do vijnë.
Ne, na takon të këpusim zinxhirin e së keqes. secili nga ne në veçanti do na bëjë ne në tërësi.
Të shndërrojmë talljen që prodhon tallje si atribut i majmunëve, në përgjegjësi që prodhon përgjegjësi, si aftësi e njerëzve.
Ky është transformimi.
Të vrasim Diogjenin në mes të vendit tonë, brenda vetes tonë. Të dalim nga fucia.  Të bëjmë një jetë me të mirë, të kemi respekt për veten. Të krijohemi si njerëz me vete, si personalitete fizike e psiqike të shëndetshme, e të tërë bashkë ti hedhim duart në grykë e të vëmë para përgjegjësisë këdo kokëpalarë e barktharë që kërkon të na shtrydhë si të ishim bateritë  humane të Matrix. Cilësi jetë. Kjo eshte fjala kyce. Sepse vetëm një jetë kemi për të harxhuar mbi këtë tokë, e po këtë tokë do ia lemë fëmijeve tanë.
Dhe s’ka cilësi jete vetjake, pa cilësinë shoqërore të jetës tonë sot e nesër.

No comments: